Besimi, fitorja mbi botën
1 Kush beson se Jezui është Krishti, ka lindur prej Perëndisë dhe kush e do të atin, do edhe fëmijët e tij. 2 Ja si e dimë se i duam bijtë e Perëndisë: kur duam Perëndinë dhe zbatojmë urdhërimet e tij. 3 Dashuria e Perëndisë është të zbatojmë urdhërimet e tij dhe urdhërimet e tij nuk janë të rënda, 4 sepse kush ka lindur prej Perëndisë e mund botën dhe fitorja që mundi botën është besimi ynë. 5 Kush e mund botën? Vetëm ai që beson se Jezui është Biri i Perëndisë.
Dëshmia për Birin
6 Jezu Krishti është ai që erdhi nëpërmjet ujit të pagëzimit të tij dhe nëpërmjet gjakut të vdekjes së tij në kryq, jo vetëm me ujë, por me ujë e me gjak. Ai që dëshmon është Shpirti dhe ai është e vërteta. 7 Tre janë ata që dëshmojnë : 8 Shpirti, uji e gjaku, dhe që të tre japin të njëjtën dëshmi.
9 Ne pranojmë dëshminë e njerëzve, por dëshmia e Perëndisë është më e madhe dhe ajo është dëshmia që dha për Birin e tij. 10 Ai që beson në Birin e Perëndisë e ka këtë dëshmi. Ai që nuk beson në Perëndinë, e ka bërë atë gënjeshtar, pasi nuk i ka besuar dëshmisë që Perëndia dha për Birin e vet. 11 Dhe dëshmia është kjo: Perëndia na dha jetën e amshuar dhe kjo jetë është në Birin e tij. 12 Ai që ka Birin, ka jetën. Ai që nuk e ka Birin e Perëndisë, nuk e ka as jetën.
Jeta e amshuar
13 Këto gjëra jua shkrova juve që besoni në emrin e Birit të Perëndisë, në mënyrë që ta dini se keni jetën e amshuar . 14 Kjo është siguria që kemi para Perëndisë: nëse i kërkojmë diçka sipas vullnetit të tij, ai na dëgjon. 15 Meqenëse e dimë se ai i dëgjon kërkesat tona, atëherë e dimë edhe se do të na plotësohen.
16 Nëse dikush shikon vëllanë e vet të bëjë mëkat që nuk të çon në vdekje, le t'i lutet Perëndisë dhe ai do t'i japë jetë. Këtë e them për ata që nuk bëjnë mëkate që të çojnë në vdekje. Ka edhe mëkat që të çon në vdekje, por nuk ju them të luteni për këtë mëkat. 17 Çdo padrejtësi është mëkat, por ka edhe mëkate që nuk të çojnë në vdekje.
18 E dimë se kush ka lindur nga Perëndia nuk mëkaton, sepse atë e ruan Biri i Perëndisë dhe i ligu nuk mund ta prekë. 19 Ne e dimë se jemi prej Perëndisë dhe se e gjithë bota dergjet nën pushtetin e të ligut. 20 Dimë edhe se Biri i Perëndisë erdhi e na dha dijen për të njohur Perëndinë e vërtetë. Ne jemi të bashkuar me Perëndinë e vërtetë përmes Birit të tij Jezu Krisht. Ky është Perëndia i vërtetë dhe jeta e amshuar.
21 Bijtë e mi, ruani veten nga idhujt.
1 Kushdo që beson se Jisuj është Krishti, ka lindurë prej Perëndisë; edhe kushdo që do atë që e ka piellurë, do edhe atë që ka lindurë prej ati.
2 Nga këjo e njohëmë se duamë të bijt’ e Perëndisë, kur të duamë Perëndinë, edhe të ruajmë porosit’ e ati.
3 Sepse këjo është dashuria e Perëndisë, që të ruajmë porosit’ e ati; edhe porosit’ e ati nukë janë të rënda.
4 Sepse çdo gjë që ka lindurë prej Perëndisë e munt botënë, edhe këjo është vitoreja që mundi botënë, do me thënë besa jonë.
5 Cili ësht’ ay që munt botënë, veç ay që beson, se Jisuj është i Bir’ i Perëndisë?
6 Kyj ësht’ ay që erdhi nga uji e nga gjaku, Jisu Krishti; jo nga uji vetëmë, po edhe nga uji edhe nga gjaku; edhe Fryma ësht’ ajo që martiris, sepse Fryma ësht’ e vërteta.
7 Sepse tre janë ata që martirisënë ndë qiellt: Ati, Fiala, edhe Frym’ e Shënjtëruarë; edhe këta të tre janë një.
8 Edhe tre jan’ ata që martirisënë ndë dhet: Fryma, edhe ujëtë, edhe gjaku; edhe këta të tre janë mbë një.
9 Ndë qoftë se marrëmë martirin’ e njerëzet, martiria e Perëndisë është më e madhe; se këjo është martiria e Perëndisë që ka martirisurë për të Birinë.
10 Ay që i beson të Birit Perëndisë, ka martirinë ndë vetëhet të ti; ay që nuk’ i beson Perëndisë, e ka bërë atë gënjeshtar, sepse nuk’ i besoj martirisë që martirisi Perëndia për të Birinë.
11 Edhe këjo është martiria, se Perëndia na dha jetë të pasosurë, edhe këjo jeta është tek i Biri.
12 Ay që ka Birinë, ka jetënë; ay që s’ka të Birin’ e Perëndisë, s’ka jetënë.
13 Këto u shkrova juve që besoni mb’ emër të Birit Perëndisë, që ta dini se keni jetë të pasosurë (edhe që të besoni mb’ emër të Birit Perëndisë.)
14 Edhe ky është kuximi që kemi tek ay, se ndë lypshim gjë pas dashurimit ati, na dëgjon.
15 Edhe ndë e dimë se na dëgjon, ç’të lypëjmë, e dimë se marrëmë të lypuratë që kemi lypurë nga ay.
16 Ndë paftë ndonjë të vëllanë se fëjen faj jo për vdekëje, do të lypënjë, edhe Perëndia do t’i apë ati jetë, atyreve që nukë fëjenjënë për vdekëje. Është faj për vdekëje; nukë them të lutetë për atë faj .
17 Çdo e shtrembëtë është faj; edhe është faj jo për vdekëje.
18 E dimë se kushdo që ka lindurë nga Perëndia nukë fëjen; po ay që ka lindurë nga Perëndia ruan vetëhen’ e ti, edhe i ligu nuk’ i piek me dorë ati.
19 E dimë se jemi nga Perëndia; edhe gjithë bota gjëndetë mbë të ligët.
20 Po e dimë se i Biri Perëndisë erdhi, edhe na dha mënt, që të njohëmë të vërtetinë; edhe jemi mbë të vërtetinë, mbë të Birin’ e ati Jisu Krishtinë. Kyj ësht’ i vërteti Perëndi, edhe jeta e pasosurë.
21 Diemthit’ e mi , ruani vetëhenë tuaj nga idhujtë. [Amin].