1 Kështu pra, bëhuni shkërbim i Perëndisë, se jeni bijtë e tij të dashur. 2 Jetoni me dashuri, sikurse edhe Krishti na deshi dhe e dha veten për ne, si kushtim e fli erëkëndshme për Perëndinë.
3 Por kurvëria e çdo ndyrësi a lakmi as të mos përmenden ndër ju, se kështu u ka hije të shenjtëve. 4 As nuk duhet të thoni fjalë të ndyta, të marra e të pështira, që nuk ju kanë hije, por, përkundrazi, thoni fjalë që falënderojnë Perëndinë. 5 Ta dini mirë: asnjë kurvar, asnjë i fëlligësht e asnjë lakmitar, gjëra të cilat janë idhujtari, nuk do të kenë trashëgim në mbretërinë e Krishtit e të Perëndisë.
Jetoni si bij të dritës
6 Askush të mos ju mashtrojë me fjalë të zbrazëta, sepse për shkak të këtyre gjërave vjen zemërimi i Perëndisë mbi bijtë e mosbindjes. 7 Prandaj mos kini asgjë të përbashkët me ta.
8 Dikur ishit në errësirë, ndërsa tani që besoni në Zotin jeni në dritë. Jetoni, pra, si bij të dritës, 9 sepse fryti i dritës është mirësia, drejtësia dhe e vërteta. 10 Përpiquni të kuptoni se çfarë është e pëlqyeshme për Zotin. 11 Mos merrni pjesë në veprat e pafrytshme të errësirës, por, përkundrazi, paditini. 12 Gjërat që ata bëjnë në fshehtësi është turp edhe të zihen në gojë, 13 por kur dalin në dritë, bëhen të dukshme. 14 Çdo gjë që bëhet e dukshme, bëhet dritë. Prandaj thuhet:
Zgjohu, o ti që fle!
Ngrihu prej të vdekurve
e Krishti do të shndritë mbi ty.
15 Prandaj kini kujdes si jetoni. Mos jetoni si të marrë, por jetoni si të mençur. 16 Përdoreni mirë kohën, se po jetojmë ditë të këqija. 17 Mos u bëni të marrë, por kuptoni se cili është vullneti i Zotit. 18 Mos u dehni me verë, në të cilën gjendet shthurja, por mbushuni me Shpirtin, 19 duke kënduar mes jush psalme, himne e këngë shpirtërore, duke kënduar e duke lavdëruar Zotin me zemrën tuaj, 20 duke e falënderuar Perëndinë Atë gjithmonë e për gjithçka, në emër të Zotit tonë Jezu Krisht.
Bashkëshortët
21 Nënshtrojuni njëri-tjetrit, për shkak të druajtjes që keni ndaj Krishtit. 22 Gratë t'u nënshtrohen burrave të tyre sikurse Zotit, 23 sepse burri është kreu i gruas, sikurse edhe Krishti është kreu i kishës dhe është shpëtimtar i trupit, domethënë i kishës. 24 Por, sikurse kisha i nënshtrohet Krishtit, po ashtu edhe gratë t'u nënshtrohen burrave të tyre në gjithçka.
25 Burrat t'i duan gratë, sikurse edhe Krishti e deshi kishën dhe e dha veten për të, 26 me qëllim që ta shenjtërojë duke e pastruar me larjen e ujit dhe me anë të fjalës, 27 që ta paraqesë kishën të lavdishme para vetes, pa njolla a rrudha a ndonjë gjë të tillë, por të shenjtë e të patëmetë.
28 Kështu edhe burrat duhet t'i duan gratë e veta, ashtu siç duan trupat e tyre. Kush e do gruan e vet, do veten. 29 Askush nuk e ka urryer ndonjëherë trupin e vet, por e ushqen dhe kujdeset për të, ashtu siç kujdeset edhe Krishti për kishën, 30 sepse ne jemi gjymtyrë të trupit të tij . 31 Për këtë arsye njeriu do ta lërë të atin e të ëmën e do të bashkohet me gruan e tij dhe të dy do të jenë një trup i vetëm. 32 Kjo e fshehtë është e madhe. Por këtë po e them në lidhje me Krishtin dhe kishën. 33 Megjithatë edhe secili prej jush ta dojë gruan e vet siç do veten. Po ashtu edhe gruaja ta nderojë burrin e saj.
1 Ecëni pra pas Perëndisë, si dielm të dashurë;
2 Edhe ecëni ndë dashuri, sikundrë edhe Krishti na deshi, edhe dha vetëhen’ e ti për ne dhuratë e kurban te Perëndia, për erë të mirë.
3 Edhe kurvëri e çdo ndyrësi, a lakëmim, as të mos zihetë n’gojë ndër ju, sikundrë u gjan shënjtorëvet;
4 As turpëri e fialë të marra a fialë për gas, të cilatë s’kanë hije; po më tepërë të falurë ndersë.
5 Sepse këtë e dini, se çdo kurvar, a ndyrës, a lakëmimtar, i cili ësht’ idhullatrë, s’ka trashëgim ndë mbëretëri të Krishtit e të Perëndisë.
6 Asndonjë le të mos u kobonjë juve me fialë të kota; sepse për këto punë vien zemërata e Perëndisë mbi të bijt’ e së pabindurësë.
7 Mos kini piesë pra me ata.
8 Sepse njëherë ishit’ errësirë, po tashi jeni dritë mbë Zotinë;
9 Ecëni si dielmt’ e dritësë,
10 (Sepse pem’ e Frymësë është mbë çdo të mirë, e drejtëri, e të vërtetë), tuke provuarë ç’ësht’e pëlqyerë te Zoti
11 Edhe mos kini shoqëri ndë punërat të papemsë të errësirësë, po më tepër’ i qërtoni.
12 Sepse ato që punonenë fshehurazi nga ata, është turp edhe të zihen’ edhe me gojë.
13 Po gjith ato punë që janë për të qërtuarë, shpërfaqënë nga drita; sepse çdo punë që shpërfaqetë është dritë.
14 Përandaj thotë: Sgjonu ti që fle, edhe ngreu prej së vdekurish, edhe Krishti do të ndriçonjë tyj.
15 Shikoni pra qysh të ecëni me kujdes; jo si të paditurë, po si të diturë,
16 Tuke shpërblerë kohënë, sepse ditë janë të këqia.
17 Përandaj mos bëhi të marrë, po kupëtoni ç’është dashurimi i Zotit.
18 Mos dehi me verë, që nd’ atë është ka plënkprishëje; po mbushuni me Frymë të Shënjtëruarë ,
19 Tuke kuvenduarë ndër vetëhet tuaj psallma, e hymna, e kënkë shpirtërishte, tuke kënduar’ e tuke psallurë Zotit ndë zemëret tuaj;
20 Tuke i falurë ndersë përherë për të gjithë Perëndisë edhe Atit mb’ emërit të Zotit tënë Jisu Krishtit;
21 Tuke i unjurë kryetë njëri tiatrit me frikë të Perëndisë.
22 Ju gratë, u përunjuni burravet tuaj posi Zotit;
23 Sepse burri është kryet’ e gruasë, sikundrë edhe Krishti është kryet’ e qishësë, edhe ay është shpëtimtar’ i trupit.
24 Po sikundrë kisha i përunjetë Krishtit, kështu edhe gratële t’u përunjenë burravet të tyre mbë çdo punë.
25 Ju burratë, doni gratë tuaja, sikundrë edhe Krishti deshi qishënë, edhe dha vetëhen’ e ti për atë,
26 Që ta shënjtëronjë e ta qëronjë me të larët’ e ujit, me anë të fialësë;
27 Që ta nxierrë atë përpara vetëhesë ti qishë të lavduruarshime, pa paturë, a rrudhë, a ndonjë të tillë gjë, po që të jet’ e shënjtëruar’ e faqebardhë.
28 Kështu duhetë burratë të duanë grat’ e tyre, posi trupërat’ e tyre. Ay që do gruan’ e ti, do vetëhen’ e ti;
29 Sepse asndonjë ndonjëherë s’e mori mëri mishin’ e ti, po e ushqen edhe e ngroh, sikundrë edhe Zoti qishënë.
30 Sepse jemi anët e trupit ati, prej mishit ati, edhe prej eshtëravet ati.
31 “Përëndaj njeriu do të lërë t’ anë e t’ ëmënë edhe do të ngjitetë pas gruasë ti, edhe të dy do të jenë një mish”.
32 Këjo fshehësirë ësht’ e madhe; po unë e them këtë për Krishtin’ e për qishënë.
33 Po edhe gjithësecili prej jush kështu le ta dojë gruan’ e ti, posi vetëhen’ e ti; edhe gruaja le t’i ketë frikë burrit.