Mbrojtja e Palit para Agripës
1 Agripa i tha Palit: «Ke leje të flasësh për veten».
Atëherë Pali ngriti dorën dhe u mbrojt kështu: 2 «E quaj veten të lumtur që po mbrohem sot para teje, o mbret Agripë, për të gjitha paditë që judenjtë kanë ngritur kundër meje, 3 sepse ti i njeh mirë të gjitha doket e mosmarrëveshjet e judenjve. Prandaj, të lutem, më dëgjo me durim.
4 Të gjithë judenjtë e dinë sesi kam jetuar që kur kam qenë i ri. Kam jetuar që nga fillimi mes popullit tim, në Jerusalem. 5 Ata më njohin që prej shumë kohësh dhe mund të dëshmojnë se unë i përkisja sektit më të rreptë të fesë sonë dhe se kam jetuar si farise. 6 Ndërsa tani qëndroj këtu për t'u gjykuar për shkak se shpresoj në premtimin që Perëndia u ka dhënë etërve tanë, 7 të cilin dymbëdhjetë fiset tona shpresojnë ta arrijnë, duke adhuruar Perëndinë ditë e natë me përkushtim. Për këtë shpresë, o mbret, më kanë paditur judenjtë. 8 Përse ju duket e pabesueshme që Perëndia të ngjallë të vdekurit?
9 Edhe unë vetë kam menduar se duhej të bëja gjithçka që mundesha kundër emrit të Jezuit të Nazaretit 10 dhe këtë gjë bëra në Jerusalem. Me pushtetin që mora nga kryepriftërinjtë kam çuar në burg shumë nga të shenjtët dhe kam dhënë miratimin tim kur i dënonin me vdekje. 11 Shpeshherë, në të gjitha sinagogat, jam munduar që me anë të dhunës t'i detyroj të mohojnë besimin e tyre dhe zemërimi im kundër tyre ishte aq i madh, saqë i kam përndjekur edhe në qytetet e huaja».
Pali tregon sesi u bë i krishterë
(Vp 9.1-19Vp 22.6-16)12 «Kështu, u nisa për në Damask me pushtetin e lejen e kryepriftërinjve. 13 Gjatë rrugës, aty nga mesdita, o mbret, pashë një dritë nga qielli, që ishte më e shndritshme se dielli, që shndriti rreth meje dhe atyre që udhëtonin me mua. 14 Ramë të gjithë përdhe dhe unë dëgjova një zë që më tha në hebraisht: “Saul, Saul, përse më përndjek? Do të lëndohesh duke hedhur shkelma kundër hostenit”. 15 Unë e pyeta: “Kush je ti, o Zot?”. Zoti m'u përgjigj: “Unë jam Jezui që ti po përndjek, 16 por ngrihu e qëndro në këmbë. T'u shfaqa që të të bëj shërbëtorin tim e që të dëshmosh ato që pe dhe ato që do të të tregoj. 17 Unë do të të mbroj edhe nga populli yt, edhe nga kombet, te të cilat po të dërgoj, 18 që t'u hapësh sytë, që të kthehen nga errësira në dritë dhe nga pushteti i Satanit te Perëndia. Kështu me anë të besimit në mua, do të marrin faljen e mëkateve e do të kenë pjesë me të shenjtëruarit”».
Pali flet për predikimin e vet
19 «Pas kësaj, o mbret Agripë, unë nuk mund të tregohesha i pabindur ndaj vegimit qiellor, 20 por fillova të predikoj së pari në Damask e në Jerusalem, dhe pastaj në mbarë krahinën e Judesë, si edhe te kombet, se ata duhet të pendohen e të kthehen te Perëndia dhe se duhet të bëjnë vepra që tregojnë se janë penduar. 21 Për këtë arsye judenjtë më kapën në tempull dhe u orvatën të më vrisnin. 22 Deri më sot më ka ndihmuar Perëndia dhe unë jam këtu për t'i dhënë dëshmi të madhit e të voglit. Unë nuk them asgjë tjetër, përveç atyre që thanë profetët dhe Moisiu se do të ndodhnin: 23 se Krishti do të vuante, do të ngjallej i pari prej të vdekurve e do t'u bënte të njohur dritën edhe popullit tonë, edhe kombeve».
Pali dhe Agripa flasin për besimin
24 Ndërsa Pali po thoshte këto fjalë në mbrojtje të vetes, Festi tha me zë të lartë: «Ke lajthitur, Pal! Po çmendesh nga të mësuarit e tepërt». 25 Por Pali tha: «Nuk kam lajthitur, o i madhërishmi Fest, por po them fjalë të vërteta e të arsyeshme. 26 Mbreti i njeh mirë këto gjëra, prandaj unë flas hapur me të. Jam i sigurt se asnjë nga këto gjëra nuk është e panjohur për të, sepse këto nuk kanë ndodhur në fshehtësi. 27 O mbret Agripë, a u beson profetëve? Unë e di se ti u beson». 28 Agripa i tha Palit: «Për pak edhe po ma mbush mendjen të bëhem i krishterë». 29 Pali u përgjigj: «Unë i lutem Perëndisë që herët a vonë jo vetëm ti, por edhe të gjithë ata që po më dëgjojnë sot të bëhen si unë, përveç këtyre prangave!».
30 Atëherë mbreti, qeveritari, Bernika dhe të gjithë ata që ishin ulur me ta u ngritën 31 dhe kur po dilnin, i thoshin njëri-tjetrit: «Ky njeri nuk ka bërë asgjë, që të meritojë vdekjen apo burgimin».
32 Agripa i tha Festit: «Po të mos kishte kërkuar të gjykohej prej Cezarit, ky njeri mund të ishte lënë i lirë».
1 Edhe Agrippa i tha Pavlit: “Të është ndëjerë të flaç për vetëhenë tënde.” Atëhere Pavli shtriti dorënë, e epte fialë:
2 “O riga Agrippë, kujtonj vetëhenë time të lumurë, sepse kam për të dhënë fialë përpara teje sot për gjith’ ato punëra që përflitem nga Judhenjtë.
3 Po më fort se ti di gjithë zakonet’ edhe kërkuarëjet’ e Judhenjet; përandaj të lutem të më dëgjonjç me zëmërë të gjërë.
4 Jetën’ e dialërisë sime, pra që shkova që ndë krye të herësë ndërmest kombit tim ndë Jerusalim, gjith’ Judhenjtë e dinë,
5 Sepse më dinë që përpara (ndë qoftë se duanë të martirisnjënë), se pas eresisë fesë sonë së shtrënguarësë rrova Farise.
6 Edhe ndashti rri e gjykonem për shpëresën’ e të zotuarit që u bë nga Perëndia tek atëritë tanë ;
7 Për atë të zotuarëtë të dy-mbë-dhietë farat’ e kombit tënë, tuke luturë gjithënjë Perëndinë nat’ e ditë, shpërenjënë t’e harrinjënë; për këtë shpëresë përflitem unë nga Judhenjtë, o riga Agrippë.
8 Qysh? Punë të pabesuar’ e mendoni ju, se Perëndia ngjall të vdekurë?
9 Sa për mua, un’ e kishnjam ndër mënt, se duhetë të bënj shumë punëra kundrë emërit Jisu Nazoreasit;
10 Sikundrë edhe punova ndë Jerusalim, edhe shumë vetë nga shënjtorëtë un’ i mbylla ndër burk, si paç marrë pushtet nga kryepriftëritë; edhe kur vriteshin’ ata, dhashë fialënë kundrë atyreve.
11 Edhe shumë herë ndëpër gjithë sinagogjit, tuke munduar’ata, i shtrëngonjam të vllasfimisninë; edhe tuke tërbuarë tepërë kundrë atyreve, i ndiqnjam edhe gjer jashtë qyteteve.
12 Edhe ndër këto punëra , kur ishnjam tuke vajturë ndë Dhamaskë me pushtet e me porosi nga kryepriftëritë,
13 Ndë mesditë pashë mb’ udhë, o rigë, një dritë nga qielli më të ndriturë se dielli, që ndriti qark meje edhe atyreve që bënin’ udhë bashkë me mua.
14 Edhe si ram të gjithë poshtë përdhe, dëgjova një zë që më fliste, e thoshte ndë gjjuhët Evraishte: “Saull, Saull, përse më ndiek? Keq për tyj është t’u hethç me shkelmë gjembavet.
15 Edhe unë thashë: “Cili je ti, o Zot?” Edhe ay tha: “Unë jam Jisuj, të cilinë ti po ndiek. Po ngreu, edhe qëndro mbë këmbë të tua;
16 Sepse përandaj u dukç te ti, që të të vë shërbëtuar edhe martir për gjithë sa pe, edhe për gjithë sa do të dëftenem te ti.
17 Edhe të sgjodha nga llauzi e nga kombetë, te të cilëtë ndashti po të dërgonj.
18 T’u hapç sytë atyre, që të këthenenë nga errësira mbë dritët, edhe nga pushteti Satanajt te Perëndia, që të marrënë ndëjesë fajesh, edhe piesë ndërmest të shënjtëruarëvet, me anë të besësë që është mbë mua.
19 Përandaj, o riga Agrippë, muk’ u bëç i padëgjuarë kësaj së dukure prej qiellit.
20 Po leçisnjam përpara mb’ ata që ishinë ndë Dhamaskë e ndë Jerusalim, edhe ndëpër gjithë vëndin’ e Judhesë, edhe pastaj ndër kombet, të pendonenë, edhe të këthenenë te Perëndia, tuke punuarë punëra të vëjyera për pendim.
21 Për këto punëra Judhenjtë më zunë ndë hieroret e doninë të më vrisninë.
22 Po passi gjeta ndihmë nga Perëndia, rri i gjallë gjer mbë këtë ditë, tuke martirisurë mbë të math e mbë të vogëlë, pa thënë ndonjë tiatërëgjë veçe ato që folnë profitërit’ edhe Mojsiu, se ishinë për të bërë,
23 Se Krishti kishte për të pësuarë, edhe se ay do t’i ishte i pari që do të ngjallej prej së vdekurish, edhe të leçiste dritë ndë llaust edhe ndë kombet.”
24 Edhe ay kur epte fialë për këto, Fisti tha me zë të math: “Shkallove, o Pavël; shkronjat’ e shuma të bënë që të shkallonjç.”
25 Edhe ay tha: “Nukë jam i shkalluarë, o i pushteçim Fist, po flas fialë të vërteta edhe prej mëndëjesë shëndoshë.
26 Sepse riga di këto punëra që flas përpara ati me sy hapurë, sepse m’ është mbushurë mëndëja, se s'është ndonjë punë prej kësosh që të mos e dijë; sepse këjo nuk’ është bërë mbë ndonjë cep.
27 U beson profitërëvet, o riga Agrippë? E di se u beson.”
28 Edhe Agrippa i tha Pavlit: “Për pak gjë po më mbush mëndëjenë të bënem i Krështerë.”
29 Edhe Pavli tha: “I lutem Perëndisë të dojë, jo vetëmë ti, po edhe gjith’ ata që më dëgjonjënë sot, të bënenë nga pak e nga shumë të tillë, sikundrë jam edhe unë, përveç këtyre hekuravet.”
30 Edhe (ay si tha këto), u ngrit riga, edhe qivernitari, edhe Vernika, edhe ata që ishinë ndenjurë bashkë me ata.
31 Edhe si iknë flisninë njëri me tiatrinë, tuke thënë, se: “Kyj njeri s’ka bërë ndonjë punë për vdekëje a për hekura.”
32 Edhe Agrippa i tha Fistit: “Kyj njeri munt të lëshonej, të mos kishte thirrurë Qesarinë.”