1 Pali vështroi nga sinedri e tha: «Vëllezër, deri më sot kam jetuar me ndërgjegje të pastër para Perëndisë».
2 Atëherë kryeprifti Hananiah i urdhëroi ata që ishin pranë Palit ta godisnin Palin në gojë. 3 Por Pali i tha: «Ty do të godasë Perëndia, o mur i zbardhur! Je ulur për të më gjykuar sipas ligjit dhe, duke shkelur këtë ligj, urdhëron të më godasin». 4 Ata që ishin aty thanë: «Ti po shan kryepriftin e Perëndisë?». 5 Por Pali u përgjigj: «Vëllezër, nuk e dija se ishte kryeprift, sepse është shkruar: mos fol keq për krerët e popullit tënd! ».
6 Meqenëse Pali e dinte se disa ishin saducenj e të tjerët farisenj, tha me zë të lartë në sinedër: «Vëllezër, unë jam farise, bir farisenjsh. Unë po gjykohem, sepse shpresoj në ngjalljen e të vdekurve».
7 Sapo e tha këtë, farisenjtë e saducenjtë filluan të grinden mes tyre dhe sinedri u përça. 8 Në të vërtetë saducenjtë thonë se nuk ka as ngjallje, as engjëj e as shpirtra të tjerë, ndërsa farisenjtë i pranojnë të gjitha këto. 9 Atëherë u bë një zhurmë e madhe dhe disa shkrues nga ana e farisenjve u ngritën e kundërshtuan me forcë: «Nuk gjejmë asgjë të keqe te ky njeri. Po sikur t'i ketë folur një shpirt apo një engjëll ?».
10 Meqenëse ata po grindeshin gjithnjë e më shumë, kryemijësi pati frikë se mos e copëtonin Palin. Prandaj i urdhëroi ushtarët të shkonin e t'ua rrëmbenin Palin nga duart dhe ta sillnin në fortesë.
11 Një natë më pas Zoti iu shfaq Palit e i tha: «Ki guxim! Sikurse ke dëshmuar për mua në Jerusalem, kështu duhet të dëshmosh edhe në Romë».
Shestimi për vrasjen e Palit
12 Në mëngjes judenjtë përgatitën një kurth dhe u betuan se nuk do të hanin e nuk do të pinin derisa ta vrisnin Palin. 13 Ata që u bashkuan me këtë kurth ishin më shumë se dyzet veta. 14 Shkuan te kryepriftërinjtë e pleqtë e u thanë: «Ne jemi betuar me vendosmëri që të mos vëmë gjë në gojë derisa ta vrasim Palin. 15 Prandaj, tani, ju dhe sinedri duhet të njoftoni komandantin e kohortës që ta sjellë te ju, duke u hequr sikur doni ta hetoni më me imtësi. Ndërsa ne jemi të gatshëm ta vrasim para se të arrijë këtu».
16 Djali i motrës së Palit dëgjoi për këtë pritë. Ai shkoi te fortesa dhe e lajmëroi Palin. 17 Pali thirri njërin nga kryeqindësat e i tha: «Dërgoje këtë djalosh te kryemijësi, se ka diçka për t'i thënë». 18 Ai e mori, e çoi te kryemijësi e i tha: «Pali, i burgosuri, më thirri e më kërkoi ta sjell te ti këtë djalosh, se ka diçka për të të thënë». 19 Kryemijësi e mori për dore, shkoi mënjanë dhe e pyeti: «Çfarë ke për të më thënë?». 20 Ai iu përgjigj: «Judenjtë janë bërë në një mendje të të kërkojnë ta çosh Palin nesër në sinedër, gjoja për ta hetuar më imtësisht. 21 Ti mos i dëgjo, sepse më shumë se dyzet burra prej tyre i kanë zënë pritë. Ata janë betuar se nuk do të hanë e as nuk do të pinë pa e vrarë atë. Tani ata janë gati dhe po presin vendimin tënd». 22 Atëherë kryemijësi e nisi djaloshin e i tha: «Mos i trego askujt se më ke njoftuar!».
Pali dërgohet te Feliksi
23 Atëherë ai thirri dy nga kryeqindësat e u tha: «Përgatituni për t'u nisur rreth orës nëntë për në Cezare me dyqind ushtarë, shtatëdhjetë kalorës dhe dyqind shigjetarë. 24 Bëni gati një kalë edhe për Palin, që të shkojë shëndoshë e mirë te qeveritari Feliks!».
25 Pastaj shkroi këtë letër: 26 «Klaud Lisia për madhërinë e tij qeveritarin Feliks: përshëndetje!
27 Ky njeri është kapur nga judenjtë që donin ta vrisnin, por pasi mësova se është qytetar romak, e shpëtova nga duart e tyre me anë të ushtarëve. 28 Unë doja të dija shkakun për të cilin e kishin paditur dhe prandaj e çova para sinedrit të tyre. 29 Aty mora vesh se e kishin paditur për disa çështje lidhur me ligjin e tyre, por nuk kishte bërë asgjë që të meritonte vdekjen ose prangat. 30 Kur më njoftuan se judenjtë i kishin ngritur një kurth, e dërgova menjëherë te ti dhe i urdhërova paditësit e tij që të flasin me ty për të ».
31 Atëherë ushtarët e morën Palin dhe, sipas urdhrit, e çuan gjatë natës në Antipatridë. 32 Të nesërmen i lanë kalorësit të shkonin me të, ndërsa ata vetë u kthyen në fortesë. 33 Kalorësit arritën në Cezare, i dhanë letrën qeveritarit dhe i dorëzuan Palin.
34 Qeveritari e lexoi letrën, e pyeti Palin se cilës provincë i përkiste dhe, kur mori vesh se ishte nga Kilikia, 35 i tha: «Do të të dëgjoj kur të vijnë ata që të kanë paditur». Pastaj urdhëroi ta mbanin nën mbikëqyrje në pretoriumin e Herodit.
1 Edhe Pavli shtyri sytë ndë bashkëndenjëjet, e tha: “O burra vëllezër, unë gjer sot mbë këtë ditë kam ecurë përpara Perëndisë me çdo ndërgjegjeje të mirë.”
2 Edhe Anania kryeprifti urdhëroj ata që rrininë përan’ ati t’i bienë gojësë.
3 Atëhere Pavli i tha: “Perëndia do të të bierë, o mur i lyerë me këlqere; e ti rri të më gjykonjç pas nomit, edhe kundrë nomit urdhëron të më bienë?”
4 Edhe ata që ishinë ndenjurë përanë thanë: “Kryepriftin’ e Perëndisë shan ti ?”
5 Edhe Pavli tha: “Nuk’ e dita, o vëllezër, se është kryeprift; sepse është shkruarë: “Mos flaç për të parin’ e llauzit tënt”.
6 Edhe Pavli si e njohu se njëra anë ishte prej Sadhdhuqenjsh, edhe tiatëra prej Farisenjsh, bërtiti ndë bashkëndenjëjet: “O burra vëllezër, Unë jam Farise, e bir Fariseu; unë po gjykonem për shpëresë edhe për të ngjallurë prej së vdekurish.”
7 Edhe ay si foli këtë, Farisenjtë zunë të një zihenë me Sadhdhuqenjtë, edhe shumica u ndadyshë .
8 Sepse Sadhdhuqenjtë thonë se s’ka të ngjallurë, as ëngjëllë, as frymë; po Farisenjtë rrëfenjënë të dyja.
9 Edhe u bë një klithmë e madhe; edhe shkronjesitë që ishinë me anë të Farisenjet u ngritnë, e ziheshinë tuke thënë: “S’gjejmë ndonj gjë të keqe te kyj njeri; po ndë i foli ndonjë frymë a ëngjëllë [le të mos lëftojmë kundrë Perëndisë].”
10 Edhe passi u bë trazyrë e madhe, kryemijësi pati frikë se mos shqyhetë Pavli nga ata, edhe urdhëroj të zbresën’ ushtëtorët e ta rrëmbenjënë nga mezi atyreve, edhe ta shpienë ndë kastrët.
11 Edhe natënë tiatërë iu duk Zoti e i tha: “Kij zëmërë, Pavël; sepse sikundrë martirise për mua ndë Jerusalim, kështu duhetë të martirisç edhe ndë Romë.”
S 12 Edhe si u bë ditë, ca nga Judhenjt’ u mbëlothnë, e nëmnë vetëhen’ e tyre, tuke thënë: as të mos hanë as të mos pinë, gjersa të vrasënë Pavlinë.
13 Edhe ata që kishinë bërë bashkë këtë be, ishinë më shumë se dyzet vetë ;
14 Të cilët’ erthnë te kryepriftërit’ edhe te pleqt, e thanë: “Me nëmë kemi nëmurë vetëhenë tonë, të mos ngallojmë gjë gjersa të vrasëmë Pavlinë.
15 Tashi pra ju me bashkëndenjëjenë epni zë kryemijësit ta sbresë te ju nesërë, sikurse doni të merrni vesh më mirë për punë t’ ati; edhe neve, para se t’ afëronet ay, jemi gati ta vrasëmë.”
16 Edhe i biri së motrësë Pavlit, kur dëgjoj për lakunë që i ngrehnë , vate e hyri ndë kastrët, e i dëfteu Pavlit.
17 Edhe Pavli thërriti një nga kryeqindësatë, e tha: “Shpiereni këtë dialosh te kryemijësi; sepse diç’ i ka për të thënë ati.”
18 Ay pra si e mori me vetëhe, e pruri te kryemijësi, edhe thotë: “Pavli që është ndë burk më thirri, e m ’u lut të bie këtë dalosh te ti, sepse diç’ të ka për të folurë tyj.”
19 Edhe kryemijësi si e mori për dore, edhe u hoq mbënjanë, e pyeste: “Ç’ësht’ ajo që më ke për të dëftyerë?”
20 Edhe ay tha, se: “Judhenjtë bënë fialë të të lutenë të biesh poshtë Pavlinë nesërë ndë bashkëndenjëjet, sikurse kanë për të pyeturë më shtrënguarshim për atë.
21 Po ti mos u dëgjo atyre, sepse janë më shumë se dyzet vetë ata që rrinë e përgjonjën’ atë, të cilëtë kanë nëmurë vetëhen’ e tyre, as të mos hanë as të mos pinë, gjersa ta vrasën’ atë; edhe tashi janë gati tuke priturë fialë prej teje.”
22 Kryemijësi pra lëshoj dialoshinë, edhe e porositi: “Mos t’i thot’ asnjërit se më dëfteve këto.”
23 Edhe thirri dy vetë nga urdhërqindësatë, e u tha atyre: “Bëni gati dy qint ushtëtorë për të vajturë gjer ndë Qesari, edhe shtatë-dhietë kalorësa, edhe dy qint shtizorë, që mbë të tri orë të natësë.
24 Le të bien’ edhe kafsha të gjalla, që të hipënjënë Pavlinë, e ta shpienë me siguri te Filik qivernitari.”
25 Edhe shkroj një kartë pas kësaj shëmbëllese:
26 “Kllavdiu Lysi mbë të pushteçiminë qivernitarinë Filik, gëzuarë.
27 Kyj njeri u zu nga Judhenjtë, edhe do të vritej nga ata, atëhere un’ erdha bashkë me ushtërinë edhe e shpëtova, sepse mora vesh se është Roman.
28 Edhe kur desha të marr vesh për ç’punë e përflisninë, e sbrita ndë bashkëndenjëjet
t’ atyreve.
29 Edhe e gjeta se përflitej për të kërkuara të nomit atyreve, po s’ka ndonjë faj për vdekëje a për të lidhurë me hekura.
30 Edhe passi më dhanë zë, se Judhenjtë kishinë bërë këshillë të ligë kundrë ati njeriu, përnjëherë e dërgova te ti, edhe porosita edhe ata që e përflasën’ atë, të thonë përpara teje ç’fialë kanë kundrë ati. Qofsh me shëndet”.
31 Ushtëtorëtë pra, sikundrë qenë urdhëruarë, muarnë Pavlinë, edhe e prunë natënë ndë Antipatridhë.
32 Edhe mbë të nesërmet, si lanë kalorësatë të venë bashkë me atë, u këthyenë ndë kastrët;
33 Të cilëtë hynë ndë Qesari, edhe dhanë kartënë ndë dorë të qivernitarit, e nxuarnë përpara ati edhe Pavlinë.
34 Edhe qivernitari si këndoj kartënë, pyeti nga ç’anë është.
35 Edhe kur dëgjoj se është nga Qiliqia: “Do të të dëgjonj - tha, -kur të vinjën’ edhe ata që të përflasënë. Edhe urdhëroj të ruhetë ndë vënt të gjykatës’ Irodhit.