Udha, e vërteta dhe jeta
1 «Le të mos ju tronditet zemra! Besoni në Perëndinë, besoni edhe në mua! 2 Në shtëpinë e Atit tim ka shumë banesa, përndryshe nuk do t'ju thosha se po shkoj t'ju bëj gati vendin. 3 Kur të shkoj e t'ju bëj gati vendin do të kthehem përsëri e do t'ju marr pranë vetes, që edhe ju të jeni atje ku jam unë. 4 Ju e dini udhën për ku po shkoj unë».
5 Thomai i tha: «Zot, ne nuk e dimë ku po shkon, si mund ta dimë udhën?». 6 Jezui i tha: «Unë jam udha, e vërteta dhe jeta. Askush nuk shkon tek Ati veçse nëpërmjet meje. 7 Nëse më keni njohur mua do të njihni edhe Atin tim. Madje, që tani e njihni dhe e keni parë».
8 Filipi i tha: «Zot, na trego Atin e kjo na mjafton». 9 Jezui i tha: «Ka kaq kohë që jam me ju e nuk më ke njohur, Filip? Kush më ka parë mua, ka parë Atin. Si mund të thuash: “Na trego Atin?”. 10 Nuk beson ti se unë jam në Atin dhe Ati është në mua? Fjalët që ju them nuk i them nga vetja, por Ati që banon në mua i bën këto vepra. 11 Më besoni, unë jam në Atin dhe Ati është në mua. Në mos, besoni për shkak të vetë veprave. 12 Me të vërtetë po ju them se kush beson në mua do t'i bëjë edhe ai veprat që bëj unë, madje do të bëjë vepra edhe më të mëdha, sepse unë po shkoj tek Ati. 13 Unë do të bëj çdo gjë që do të kërkoni në emrin tim, që Ati të përlëvdohet në Birin. 14 Çfarëdo që të më kërkoni në emrin tim, unë do ta bëj».
Premtimi i Shpirtit të shenjtë
15 «Nëse më doni, do të zbatoni urdhërimet e mia. 16 Unë do t'i kërkoj Atit t'ju japë një Ngushëllues tjetër, që të jetë përherë me ju, 17 Shpirtin e së vërtetës, të cilin bota nuk mund ta marrë, sepse nuk e shikon e nuk e njeh. Ju e njihni, sepse qëndron pranë jush dhe do të jetë në ju.
18 Nuk do t'ju lë jetimë. Do të vij te ju. 19 Edhe pak e bota nuk do të më shohë më, ndërsa ju do të më shihni. Ju do të jetoni, sepse jetoj unë. 20 Atë ditë ju do të kuptoni se unë jam në Atin tim, ju në mua e unë në ju.
21 Kush i ka urdhërimet e mia e i zbaton ato, ai më do. Atë që më do mua, do ta dojë Ati im. Edhe unë do ta dua e do t'i shfaqem». 22 Juda, jo Iskarioti, i tha: «Zot, përse do të na shfaqesh neve e jo botës?» 23 Jezui i tha: «Kush më do mua do të zbatojë fjalën time. Ati im do ta dojë dhe unë e Ati do të vijmë e do të banojmë tek ai. 24 Kush nuk më do, nuk i zbaton fjalët e mia. Fjala që dëgjoni nuk është e imja, por e Atit që më dërgoi.
25 Këto gjëra jua thashë sa jam ende me ju. 26 Ngushëlluesi, Shpirti i shenjtë, që Ati do ta dërgojë në emrin tim, ai do t'ju mësojë gjithçka e do t'ju kujtojë gjithçka që ju thashë.
27 Po ju lë paqen, po ju jap paqen time. Unë nuk jua jap paqen siç jua jep bota. Le të mos ju tronditet zemra, as të mos ju frikësohet!
28 Më dëgjuat kur ju thashë: “Po shkoj e do të vij përsëri te ju”. Po të më donit do të gëzoheshit që po shkoj tek Ati, sepse Ati është më i madh se unë. 29 Jua thashë që tani përpara se të ndodhë, që të besoni kur të ndodhë. 30 Nuk do të flas më gjatë me ju, sepse po vjen sundimtari i kësaj bote. Ai nuk ka asnjë pushtet mbi mua. 31 Por bota duhet ta dijë se unë e dua Atin e bëj atë që më urdhëroi Ati të bëj.
Ngrihuni të ikim prej këtej!».
1 “Le të mos dridhetë zemëra juaj; besoni Perëndisë, edhe më besoni mua.
2 Ndë shtëpit tim eti ka shumë të ndenjura; edhe ndë mos ishinë , do t’u thoshnjam juve: Vete t’u bënj juve gati vënt.
3 Edhe si të vete e t’u bënj juve gati vënt, vinj përsëri, edhe do t’u marr juve përanë vetëhesë s’ime, që të jeni edhe ju atie ku jam unë.
4 Edhe atie ku vete unë e dini, edhe udhën’ e dini.”
5 Thomaj i thotë: “Zot, nuk’ e dimë se ku vete; edhe si munt ta dimë udhënë?”
6 Jisuj i thotë: “Unë jam udha edhe e vërteta edhe jeta; asndonjë s’vien tek Ati, veç prej anësë sime.
7 Ndë qoftë se më njihnitë mua, do të njihnit’ edhe tem atë: edhe që ndashti e njihni, edhe e keni parë.”
8 Filippi i thotë: “Zot, dëftena Atinë, edhe na është mjaft.”
9 Jisuj i thotë: “Kaqë kohë jam bashkë me ju, edhe s’më ke njohurë, Filipp? Ay që më ka parë mua, ka parë Atinë; edhe qysh thua ti: Dëftena Atinë?
10 Nukë beson se unë jam tek Ati, edhe Ati është tek unë? Fialëtë që u flas unë juve, nuk' i flas prej vetiu; po Ati që mbet tek unë, ay bën punëratë.
11 Besomëni se unë jam tek Ati, edhe Ati është tek unë; po ndë mos, besomëni për ato punëratë.
12 Me të vërtetë, me të vërtetë po u them juve, ay që më beson mua, do të bënjë edhe ay ato punëra që bënj unë, edhe do të bënjë edhe më të mëdha se këto; sepse unë vete tek im Atë.
13 Edhe ç’të lypni mb’ emërit’ im, do ta bënj, që të lavdonet’ Ati te Biri.
14 Ndë lypçi gjë mb’ emërit tim, unë do ta bënj.
15 Ndë më doni, ruani porosit’ e mia.
16 Edhe unë do t’i lutem Atit, edhe do t’u apë juve një tiatër Ngushullimtar, që të mbesë bashkë me ju gjithë jetënë,
17 Frymën’ e së vërtetësë, të cilënë bota s’munt ta marrë, sepse nuk’ e sheh, as nuk e njeh; po ju e njihni, sepse mbet përanë jush, edhe do të jetë ndër ju.
18 Nukë do t’u lë juve të varfërë; vinj te ju.
19 Edhe pak herë , edhe bota nukë më sheh më; po ju më shihni; sepse unë rronj, edhe ju do të rroni.
20 Nd’atë ditë ju do ta njihni, se unë jam tek im Atë, edhe ju tek unë, edhe unë te ju.
21 Ay që ka porosit’ e mia edhe i ruan, kyj ësht’ ay që më do, edhe ay që më do, do të duhetë prej tim eti; edhe unë do ta dua, edhe do të dëftenj vetëhenë time tek ay.
22 I thotë Judha (jo Iskarioti): “Zot, ç’u bë që do të dëftenjç vetëhenë tënde te neve, e jo te bota?”
23 Jisuj u përgjeq e i tha: “Ndë më do ndonjë, do të ruanjë fialënë time, edhe im Atë do ta dojë, edhe do të vijmë tek ay, edhe do të bëjmë të ndenjurë tek ay.
24 Ay që s’më do, nukë ruan fialët’ e mia, edhe ajo fialë që dëgjoni, nuk’ ësht’ imeja, po e Atit që më dërgoj.
25 Këto u fola juve, gjersa gjëndem bashkë me ju.
26 Po Ngushullimtari, Frym’ e Shënjtëruarë, që Ati do ta dërgonjë mb’ emërit tim, ay do t’u mësonjë juve të gjitha, edhe do t’u bierë juve ndër mënt gjithë sa u kam thënë juve.
27 Po u lë juve paqtim, po u ap juve paqtimnë tim; jo sikundrë e ep bota, ua ap unë juve. Zemëra juaj le të mos dridhetë, as mos frikësonetë.
28 Dëgjuatë se un’ u thashë juve: Vete edhe vinj te ju. Ndë më donitë, do të gëzoneshitë se (thashë): Vete tek Ati; sepse im Atë është më i math se unë.
29 Edhe ndashti u thashë juve, përpara se të bënetë, që të besoni kur të bënetë.
30 Më nukë do të flas shumë bashkë me ju; sepse po vien urdhërtari i kësaj bote, edhe nukë ka të bënjë asgjë me mua.
31 Po që të njohë bota, se dua Atinë, edhe sikundrë më porositi Ati, kështu bënj. Ngrihi, le të shkojmë këtejë.”