Premtimi Shpirtit të shenjtë
1 Në librin e parë, o Teofil, shkrova për gjithçka që Jezui bëri e u mësoi të tjerëve që nga fillimi 2 e deri ditën kur u ngrit në qiell, pasi u kishte dhënë udhëzime nëpërmjet Shpirtit të shenjtë apostujve që kishte zgjedhur.
3 Jezui, pas vuajtjeve dhe vdekjes, iu paraqit atyre i gjallë për dyzet ditë me shumë prova bindëse dhe u foli për mbretërinë e Perëndisë. 4 Kur po hante me ta, i urdhëroi: «Mos u largoni nga Jerusalemi, por prisni aty premtimin e Atit që keni dëgjuar nga unë. 5 Gjoni pagëzoi me ujë, ndërsa ju, pas pak ditësh, do të pagëzoheni me Shpirtin e shenjtë».
Ngritja e Jezuit në qiell
6 Ata që ishin mbledhur rreth Jezuit e pyetën: «Zot, a është kjo koha kur ti do të rivendosësh mbretërinë e Izraelit?». 7 Ai iu përgjigj: «Nuk ju takon juve të dini as kohën, as orën që ka caktuar Ati në pushtetin e vet, 8 por kur të zbresë mbi ju Shpirti i shenjtë do të merrni fuqi e do të jeni dëshmitarët e mi në Jerusalem, në mbarë Judenë, në Samari e deri në skajet e dheut». 9 Pasi tha këto gjëra, Jezui u ngrit lart në qiell, ndërsa ata po e shihnin dhe një re e mori lart e ata nuk e panë më. 10 Ndërsa vazhdonin të shikonin drejt qiellit, andej nga ishte larguar Jezui, dy burra të veshur me të bardha qëndruan pranë tyre 11 e u thanë: «Burra galileas, pse rrini e shikoni drejt qiellit? Ky Jezu, që u largua prej jush e u ngrit në qiell, do të kthehet ashtu si e keni parë të shkojë në qiell».
Zëvendësuesi i Judës
12 Pastaj apostujt u kthyen në Jerusalem nga mali që quhet i Ullinjve që është afër Jerusalemit rreth një kilometër . 13 Kur hynë në qytet, shkuan te dhoma e sipërme e shtëpisë ku rrinin. Ata ishin Pjetri e Gjoni, Jakobi e Andrea, Filipi e Thomai, Bartolomeu e Mateu, Jakobi i Alfeut, Simon Zelltari e Juda i Jakobit. 14 Këta të gjithë i ishin përkushtuar me një mendje të vetme lutjes , së bashku me disa gra, me Marinë, nënën e Jezuit, e me vëllezërit e tij.
15 Në ato ditë, në të njëjtin vend ku ishin mbledhur rreth njëqind e njëzet veta, u ngrit Pjetri mes vëllezërve e tha: 16 «Vëllezër, duhej të përmbushej Shkrimi që Shpirti i shenjtë e paratha nëpërmjet Davidit për Judën, i cili u bë udhëheqësi i atyre që kapën Jezuin. 17 Juda ishte njëri prej nesh dhe kishte marrë pjesë në shërbesën tonë. 18 Ai bleu një arë me shpërblimin e mbrapshtisë së vet. Aty u përplas me kokë poshtë, iu ça barku e iu derdhën të gjitha zorrët. 19 Të gjithë banorët e Jerusalemit e morën vesh këtë gjë, prandaj ara u quajt në gjuhën e tyre “Hakeldama” që do të thotë “Ara e Gjakut”.
20 Dhe ja se çfarë shkruhet në librin e Psalmeve:
u shkretoftë shtëpia e tij
e mos banoftë askush në të!
dhe
tjetërkush ia zëntë vendin!
21 Prandaj, njëri nga burrat që ka qenë me ne gjatë gjithë kohës kur Zoti Jezu shkonte bashkë me ne nga një vend në tjetrin, 22 duke filluar që nga pagëzimi i Gjonit, deri ditën kur Jezui u largua prej nesh e u ngrit në qiell, duhet të bëhet dëshmitar i ngjalljes së tij bashkë me ne».
23 Atëherë paraqitën dy veta: Jozefin, që quhej Barsabë e që thirrej Just, dhe Matinë. 24 Pastaj u lutën kështu: «Zot, ti i njeh zemrat e të gjithëve. Na trego cilin prej këtyre të dyve ke zgjedhur 25 për të zënë vendin e Judës në këtë shërbesë e për t'u bërë apostull, sepse Juda e la këtë shërbesë e shkoi udhës së vet». 26 Pastaj hodhën short e shorti i ra Matisë, i cili u bashkua me të njëmbëdhjetë apostujt e tjerë.
1 Fialën’ e parë e bëra, o Theofil, për gjithë sa zuri Jisuj të bënjë e të mësonjë,
2 Gjer mb’ atë ditë që hipi lart, passi me anë të Frymës’ Shënjtëruarë u la porosi apostojvet që pat sgjedhurë;
3 Mbë të cilët dëfteu edhe vetëhenn’ e ti të gjallë passi pësoj, me shumë shenje, e dukej ndër ata dyzet dit, e u fliste për punët’ e mbëretëris’ Perëndisë.
4 Edhe kur mbëlidhej bashkë me ata i porositi të mos ndahenë nga Jerusalimi, po të presënë të zotuarët’ e Atit, që dëgjuatë prej meje.
5 Sepse Joanni pagëzoj me ujë, po ju do të pagëzoneni me Frymë të Shënjtëruarë, pas këtyre pak diç.
6 Ata pra kur u mblothnë bashkë mbë një vënt , e pyesninë, tuke thënë: “Zot, vallë mbë këtë kohë do t’ia apç mbëretërinë Israilit?”
7 Edhe ay u tha atyre: “Nuk’ është puna juaj të njihni kohërat’ a motetë, që i ka vënë Ati ndë pushtet të ti;
8 Po do të merrni fuqi, kur të vinjë Frym’ e Shënjtëruarë mbi ju; edhe do të më jeni martirë edhe ndë Jerusalim edhe ndë gjithë Judhenë e Samarinë, edhe gjer ndë funt të dheut.”
9 Edhe si tha këto, te po shihin’ ata u ngrit lart, edhe e mori një re nga syt’ e atyreve.
10 Edhe ata tek ishinë tuke vështruarë ndë qiell, kur po shkonte ay lart, na dy burra me rroba të bardha tek ndenjnë përanë atyreve;
11 Të cilët’ edhe thanë: “O burra Galileas, përse rrini e vështroni ndë qiell? Kyj Jisuj që hipi lart ndë qiell nga ju, kështu do të vinjë, sikundrë e patë atë tuke vajturë ndë qiell.”
12 Atëhere u këthyenë ndë Jerusalim nga mali që thuhet’ i Ullishtësë, i cili ësht’ afërë Jerusalimit, edhe mban lark sa një udhë të shëtunë.
13 Edhe kur hynë, hipnë ndë dhomët të sipërme, atie ku kishinë të ndenjuritë Pietri e Jakovi e Joanni e Andhreu, Filippi edhe Thomaj, Varthollomeu edhe Mattheu, Jakovi i bir’ Allfeut edhe Simon Zillotiu, edhe Judha i vëllaj Jakovit.
14 Këta të gjith’ ishinë tuke priturë me një zëmërë mbë të falurit e mbë të luturit, bashkë me gratë, edhe me Marinë t’ëmën’ e Jisujt, edhe bashkë me të vëllezërit’ e ati.
15 Edhe ndër këto dit u ngrit Pietri ndë mest të nxënëset, e tha: (edhe ishte mbëledhur’ aty gjëndëje sindonja një qint e njëzet vetë):
16 O burra vëllezër, duhej të mbushej këjo shkronjë, që pat thënë përpara Frym’ e Shënjtëruarë me anë të gojësë Dhavidhit për Judhënë që u bë udhëheqës atyreve që zunë Jisunë;
17 Sepse pat qenë nunëruarë bashkë me ne, edhe pat marrë piesën’ e kësaj shërbese.
18 Kyj pra fitoj një arë nga pag’ e paudhërisë, edhe ra përmbys e plasi ndë mest, edhe iu derthnë gjithë zorrëtë;
19 Edhe u bë e diturë mbë gjith’ ata që rrinë ndë Jerusalim, kaqë sa u qjuajti ajo arë ndë gjjuhët t’atyreve Akeldhama, që do me thënë: Arë gjaku.
20 Sepse është shkruarë ndë vivli të Psallmëvet: “U shkretoftë shtëpia e ati edhe mos ndenjtë njeri nd’atë”, edhe: “Punën’ e ati e marrtë një tiatërë”.
21 Duhetë pra nga ata burratë që erthnë bashkë me ne mbë çdo kohë kur hyri e dolli te neve Zoti Jisu,
22 Zënë që nga pagëzimi Joannit, gjer mb’atë ditë që hipi lart prej nesh, një nga këta të bënetë martir bashkë me ne për të ngjallurit’ e ati.
23 Edhe vunë dy vetë , Josifnë që qjuhej Varsava, i cili u qjuajti Just, edhe Matthinë.
24 Edhe si u falnë thanë: “Ti, o Zot, zemër-njohës i të gjithave, dëfte një nga këta të dy, atë që të kesh sgjedhurë,
25 Të marrë piesën’ e kësaj shërbese edhe apostolie, prej së cilësë ra Judha, që të venjë ndë vënt të ti.
26 — Edhe u dhanë atyre shorta; edhe shorta i ra Matthisë, edhe u numërua bashkë me të një-mbë-dhiet’ apostojtë.