Ngjallja
(Mt 28.1-10Mk 16.1-8Lk 24.1-12)1 Ditën e parë pas së shtunës, herët në mëngjes, ndërsa ishte ende errësirë, Maria Magdalena shkoi te varri dhe pa gurin të larguar nga hyrja. 2 Atëherë ajo shkoi me vrap te Simon Pjetri dhe te dishepulli tjetër, ai të cilin Jezui e donte, e u tha: «E kanë marrë Zotin nga varri dhe nuk e dimë ku e kanë vënë».
3 Pjetri dhe dishepulli tjetër dolën jashtë e shkuan te varri. 4 Vraponin që të dy, por dishepulli tjetër vrapoi më shpejt se Pjetri dhe mbërriti i pari te varri. 5 U përkul dhe pa pëlhurat e lëna atje, por nuk hyri brenda.
6 Ndërkohë mbërriti edhe Simon Pjetri, që po vinte pas tij, dhe hyri në varr. Aty pa të lëna pëlhurat 7 si dhe rizën që kishte qenë mbi kokën e Jezuit. Kjo nuk ishte me pëlhurat, por ishte e mbështjellë veç në një vend tjetër. 8 Atëherë hyri edhe dishepulli tjetër që kishte mbërritur i pari te varri. Ai pa dhe besoi. 9 Ata nuk e kishin kuptuar ende Shkrimin që thoshte se Jezui duhej të ngjallej prej të vdekurve. 10 Pastaj dishepujt u kthyen përsëri në shtëpi.
Maria Magdalena
(Mk 16.9-11)11 Maria qëndronte përjashta pranë varrit duke qarë. Ndërsa qante, u përkul drejt varrit 12 dhe pa dy engjëj të veshur me të bardha që qëndronin atje ku kishte qenë shtrirë trupi i Jezuit, njëri te koka e tjetri te këmbët. 13 Ata i thanë: «Grua, përse po qan?». Ajo u tha: «E kanë marrë Zotin tim dhe nuk e di ku e kanë vënë». 14 Si tha këto, ajo u kthye prapa dhe pa Jezuin që qëndronte më këmbë, por nuk e dinte se ishte ai. 15 Jezui i tha: «Grua, përse po qan? Kë po kërkon?». Ajo, duke kujtuar se ishte kopshtari, i tha: «Zotëri, nëse e ke marrë ti, më thuaj ku e vure dhe unë do ta marr». 16 Jezui i tha: «Mari!». Ajo u kthye e i tha në hebraisht: «Rabbuni!» që do të thotë mësues. 17 Jezui i tha: «Mos më prek, se nuk jam ngjitur ende tek Ati. Por, shko te vëllezërit e mi e thuaju se unë po ngjitem tek Ati im e Ati juaj, Perëndia im e Perëndia juaj».
18 Maria Magdalena shkoi dhe i lajmëroi dishepujt se kishte parë Zotin dhe se ai i kishte thënë asaj këto fjalë.
U shfaqet dishepujve
(Mt 28.16-20Mk 16.14-18Lk 24.36-49)19 Në mbrëmjen e po asaj dite, të parën e javës, ndërsa dyert e vendit ku rrinin dishepujt ishin të mbyllura nga frika e judenjve, erdhi Jezui, qëndroi në mes e u tha: «Paqja me ju!». 20 Si tha këto fjalë, u tregoi duart dhe brinjën. Dishepujt u gëzuan kur panë Zotin.
21 Pastaj Jezui u tha përsëri: «Paqja me ju! Sikurse Ati më dërgoi mua, ashtu edhe unë ju dërgoj ju». 22 Pasi tha këto, hukati mbi ta e u tha: «Merrni Shpirtin e shenjtë! 23 Atyre që ua falni mëkatet, do t'u falen, atyre që nuk ua falni, nuk do t'u falen».
Thomai
24 Por një nga të dymbëdhjetët, Thomai, që e quanin Binjak, nuk kishte qenë me ta kur erdhi Jezui. 25 Dishepujt e tjerë i thanë: «Kemi parë Zotin». Ndërsa ai u tha: «Po të mos shoh shenjat e gozhdëve në duart e tij, po të mos vë gishtin te shenjat e gozhdëve dhe po të mos vë dorën te brinja e tij, unë nuk do të besoj».
26 Pas tetë ditësh, dishepujt ishin përsëri brenda në dhomë dhe me ta ndodhej edhe Thomai. Atëherë erdhi Jezui, megjithëse dyert ishin mbyllur, qëndroi në mes e u tha: «Paqja me ju!». 27 Pastaj i tha Thomait: «Vëre gishtin tënd këtu dhe shiko duart e mia, shtrije dorën dhe vëre te brinja ime. Dhe mos dysho, por beso!». 28 Thomai u përgjigj: «Zoti im e Perëndia im!». 29 Jezui i tha: «Besove, sepse më pe. Lum ata që besojnë pa parë!».
Qëllimi i këtij libri
30 Jezui bëri para dishepujve të tij edhe shumë shenja të tjera që nuk janë shkruar në këtë libër. 31 Këto u shkruan që ju të besoni se Jezui është Krishti, Biri i Perëndisë dhe që, duke besuar, të keni jetën në emrin e tij.
1 Edhe ditën’ e parë të javësë vien Maria Magdhalini te varri ndë mëngjest, tuke qënë po errëtë, edhe sheh gurinë ngriturë nga varri.
2 Ecën me vrap pra, edhe vien te Simon Pietri, edhe tek ay nxënësi tiatrë që donte Jisuj, edhe u thot’ atyre: “E ngritnë Zotinë nga varri, edhe nukë dimë se ku e kanë vënë.”
3 Dolli pra Pietri edhe nxënësi tiatërë, edhe vininë te varri.
4 Edhe të dy bashkë ecëninë me vrap; edhe ay nxënësi tiatërë nxitoj përpara më shpejt se Pietri, edhe erdhi më përpara ndë varrt.
5 Edhe si u kurrus, sheh pëlhuratë tek ishinë, po nukë hyri brënda .
6 Vien pra Simon Pietri tuke ardhurë pas ati, edhe hyri ndë varrt, edhe vë re pëlhuratë që ishinë.
7 Edhe riza që ishte mbi kryet t’ati nuk’ u gjënt bashkë me pëlhuratë, po ishte pështiellë veç mbë një vënt.
8 Atëhere pra hyri edhe ay nxënësi tiatërë, që erdhi më përpara ndë varrt, edhe pa, edhe besoj;
9 Sepse edhe s’e kupëtoninë shkronjënë, se ay duhetë të ngjalletë prej së vdekurish.
10 Nxënësitë pra vanë përsëri ndëpër shtëpiat të tyre.
11 Po Maria rrinte përanë varrit tuke qjarë përjashta; edhe tek po qjante, u kurrus ndë varrt;
12 Edhe vë re dy ëngjëj me rroba të bardha tuke ndenjurë njeri prej kresë, e tiatëri prej këmbëvet, atie ku qe trupi Jisujt.
13 Edhe ata i thonë asaj: “Grua, përse qjan?” U thot’ atyre: “Sepse ngritnë tem Zot, edhe nukë di ku e kanë vënë.”
14 Edhe ajo si tha këto, u këthye prapa, edhe vë re Jisunë tuke ndenjurë, edhe nuk’ e dinte se është Jisuj.
15 Jisuj i thot’ asaj: “Grua, përse qjan? Cilinë kërkon?” Po ajo kujtoj, se është kopështari, e i thotë: “Zot, ndë e ngrite ti, thuamë ku e ke vënë, edhe unë do ta ngre.”
16 Jisuj i thot’ asaj: “Mari!” Ajo këthehet’ e i thotë: “Ravvuni!” Që do me thënë Mësonjës.
17 Jisuj i thot’ asaj: “Mos më piq, sepse edhe s’kam hipurë tek im Atë; po shko te vëllezërit’ e mi, edhe u thuaj atyre: Po hipënj tek im Atë edhe tek Ati juaj, edhe te Perëndia im edhe te Perëndia juaj.”
18 Vien Maria Magdhalini, e u ep zë nxënëset, se pa Zotinë, edhe se i tha asaj këto fialë .
19 Nd’atë ditë pra, të parënë ditën’ e javësë, si u ngrys, edhe dyert’ ishinë mbyllur’ atie ku ishinë mbëledhurë nxënësitë nga frik’ e Judhenjvet, erdhi Jisuj, edhe ndenji ndë mest, edhe u thot’ atyre: “Paqtim mbë ju.”
20 Edhe si tha këtë, u dëfteu atyre duart’ edhe brinjën’ e ti. U gëzuanë pra nxënësitë, kur panë Zonë.
21 Edhe Jisuj u tha atyre përsëri: “Paqtim mbë ju; sikundrë më dërgoj Ati, edhe un’ u dërgonj juve.”
22 Edhe si tha këtë, fryjti, edhe u thot’ atyre:
23 “Merrni Frymë të Shënjtëruarë. Kujve t’u falni fajetë, u janë falur’ atyre; kujve t’ua mbani, u janë mbajtur’ atyre.
24 Po Thomaj, një nga të dy-mbë-dhietëtë, që thuhetë Binjak, nuk’ ishte bashkë me ata, kur erdhi Jisuj.
25 Nxënësit’ e tierë pra i thoshinë: “Pam Zotinë.” Po ay u tha atyre: “Ndë mos pafsha ndë duart t’ati shenjën’ e peronavet, edhe të vë gjishtinë tim ndë shenjët të peronavet, edhe të vë dorënë time ndë brinjët t’ati, s’kam për të besuarë.”
26 Edhe pas tetë diç përsëri ishinë brënda nxënësit’ e ati, edhe Thomaj me ata, Vien Jisuj, ndonëse dyert’ ishinë mbyllurë, edhe ndenji ndë mest, edhe tha: “Paqtim mbë ju.”
27 Pastaj i thotë Thomajt: “Bierë gishtinë tënt këtu, edhe shih duart’ e mia; edhe bierë dorënë tënde, edhe vëre ndë brinjët time, edhe mos u bëj i pabesë, po besëtar.”
28 Edhe Thomaj u përgjeq, e i tha: “Zoti im, edhe Perëndia im.”
29 Jisuj i thotë: “Sepse më pe (o Thoma), besove; lum ata që nukë panë, edhe besuanë.”
30 Edhe shumë çudira të tiera bëri Jisuj përpara nxënëset të ti, të cilatë nukë janë shkruarë ndë këtë vivli.
31 Po këto u shkruanë, që të besoni se Jisuj është Krishti, i Bir’ i Perëndisë, edhe tuke besuarë të keni jetë mb’emërit t’ati.