Vendimi për ta kapur
(Mt 26.1-5Lk 22.1-2Gjn 11.45-53)1 Pas dy ditësh ishte Pashka dhe festa e Bukëve të ndorme. Kryepriftërinjtë e shkruesit kërkonin sesi ta kapnin Jezuin me dredhi e ta vrisnin. 2 Prandaj thoshin: «Jo gjatë festës, që të mos ndodhë ndonjë trazirë në popull».
Lyerja me mirrë
(Mt 26.6-13Gjn 2.1-8)3 Jezui ishte në Betani, në shtëpinë e Simon të lebrosurit. Ndërsa po rrinte në tryezë, erdhi një grua që mbante një enë alabastri me mirrë nardi të kulluar që kushtonte shumë shtrenjtë. Ajo e theu enën dhe e derdhi mirrën mbi kokën e Jezuit. 4 Aty gjendeshin disa veta që i thanë njëri-tjetrit të zemëruar: «Pse u bë gjithë ky shpenzim i kotë i mirrës? 5 Kjo mirrë mund të ishte shitur për më shumë se treqind denarë e këto t'u ishin dhënë të varfërve». Dhe e qortuan gruan. 6 Por Jezui u tha: «Lëreni të qetë! Përse e mundoni? Ajo bëri për mua një vepër të mirë. 7 Të varfrit i keni gjithmonë me ju e mund t'u bëni mirë kur të doni, por mua nuk më keni gjithmonë. 8 Ajo bëri çfarë mundi. Që tani ma leu trupin me mirrë për varrim. 9 Me të vërtetë po ju them se kudo që të shpallet ungjilli, në mbarë botën, do të tregohet në kujtim të saj kjo që bëri».
Juda përgatit tradhtinë
(Mt 26.14-16Lk 22.3-6)10 Atëherë Judë Iskarioti, njëri prej të dymbëdhjetëve, shkoi te kryepriftërinjtë, që t'ua dorëzonte Jezuin. 11 Kur e dëgjuan këtë gjë, ata u gëzuan e i premtuan se do t'i jepnin para. Kështu, ai kërkonte kohën e përshtatshme për ta tradhtuar.
Përgatitja e Pashkës
(Mt 26.17-25Lk 22.7-14, Lk 21-23Gjn 13.21-30)12 Ditën e parë të festës së Bukëve të ndorme, kur flijohej qengji i Pashkës, dishepujt i thanë Jezuit: «Ku dëshiron të shkojmë e ta përgatisim darkën e Pashkës?». 13 Ai dërgoi dy prej dishepujve të tij e u tha: «Shkoni në qytet e do të takoni një njeri që mban një shtambë me ujë. Ndiqeni 14 e atje ku të hyjë ai, i thoni të zotit të shtëpisë: “Mësuesi pyet ku është dhoma e pritjes ku mund të ha darkën e Pashkës me dishepujt e mi?”. 15 Dhe në katin e sipërm ai do t'ju tregojë një dhomë të madhe e të bërë gati. Aty na e shtroni darkën». 16 Dishepujt u nisën, shkuan në qytet, gjetën gjithçka siç u kishte thënë Jezui dhe përgatitën Pashkën.
17 Në mbrëmje Jezui erdhi me të dymbëdhjetët. 18 Ndërsa ishin ulur e po hanin, Jezui tha: «Me të vërtetë po ju them se njëri nga ju që po ha me mua do të më tradhtojë». 19 Ata filluan të trishtohen e i thoshin një nga një: «Mos jam unë ?». 20 Ai u tha: «Është njëri nga të dymbëdhjetët, ai që po ngjyen kafshatën në të njëjtën pjatë me mua. 21 Biri i njeriut po shkon, sikurse është shkruar për të, por mjerë ai njeri që tradhton Birin e njeriut! Për atë njeri do të kishte qenë më mirë të mos kishte lindur».
Darka e Zotit
(Mt 26.26-30Lk 22.15-201Ko 11.23-25)22 Kur po hanin, mori bukën, tha lutjen e bekimit, e theu, ua dha atyre e tha: «Merrni, ky është trupi im». 23 Mori edhe kupën, tha lutjen e falënderimit, ua dha atyre e ata pinë të gjithë prej saj. 24 Dhe u tha: «Ky është gjaku im, gjaku i besëlidhjes , që derdhet për shumë njerëz. 25 Në të vërtetë po ju them se nuk do të pi më nga fryti i hardhisë, deri ditën që do ta pi të re në mbretërinë e Perëndisë».
26 Si kënduan himne, shkuan në malin e Ullinjve.
Parathënia e mohimit të Pjetrit
(Mt 26.31-35Lk 22.31-34Gjn 13.36-38)27 Jezui u tha: «Ju të gjithë do të bini, sepse është shkruar:
do ta godas bariun
e delet do të shpërndahen.
28 Por kur të ngjallem, do të shkoj përpara jush në Galile».
29 Pjetri i tha: «Edhe nëse të gjithë bien, unë nuk do të bie». 30 Jezui i tha: «Me të vërtetë po të them se po këtë natë, para se të këndojë gjeli dy herë, ti do të më mohosh tri herë». 31 Por ai nguli këmbë: «Edhe nëse duhet të vdes me ty, nuk do të të mohoj». Kështu thanë të gjithë.
Lutja në Gjetsemani
(Mt 26.36-46Lk 22.39-46)32 Pastaj shkuan në një vend që quhej Gjetsemani dhe Jezui u tha dishepujve të tij: «Rrini këtu sa të lutem». 33 Mori me vete Pjetrin, Jakobin e Gjonin dhe filloi të ndiente frikë e ankth. 34 Pastaj u tha: «Shpirti im është i trishtuar deri në vdekje. Qëndroni këtu e rrini zgjuar». 35 Pasi shkoi pak më tej, ra përdhe e lutej që, po të ishte e mundur, të largoheshin prej tij ato çaste vuajtjesh. 36 Atëherë tha: «Abba, Atë, gjithçka është e mundur për ty. Largoje këtë kupë prej meje. Megjithatë, jo çfarë dua unë, por çfarë do ti».
37 Pastaj erdhi e i gjeti duke fjetur e i tha Pjetrit: «Simon, po fle? A nuk munde të rrish zgjuar as edhe një orë? 38 Rrini zgjuar e lutuni që të mos bini në tundim, se shpirti është i gatshëm, por trupi është i dobët». 39 U largua sërish e u lut, duke thënë të njëjtat fjalë. 40 Kur u kthye përsëri, i gjeti duke fjetur, se u ishin rënduar sytë. Ata nuk dinin si t'i përgjigjeshin. 41 Pastaj erdhi për të tretën herë e u tha: «Ende po flini e po pushoni? Mjafton. Erdhi ora. Ja, Biri i njeriut po dorëzohet në duart e mëkatarëve. 42 Ngrihuni të shkojmë. Ja, po afrohet ai që po më tradhton».
Tradhtia dhe arrestimi
(Mt 26.47-56Lk 22.47-53Gjn 18.3-12)43 Dhe në atë çast, ndërsa Jezui ishte ende duke folur, erdhi Juda, njëri prej të dymbëdhjetëve, bashkë me një turmë me shpata e shkopinj, të dërguar nga kryepriftërinjtë, shkruesit e pleqtë. 44 Tradhtari u kishte dhënë këtë shenjë: «Jezui është ai që unë do të puth. Kapeni e ruajeni mirë!». 45 Dhe menjëherë iu afrua Jezuit e i tha: «Mësues!» dhe e puthi. 46 Atëherë ata e kapën dhe e ndalën. 47 Njëri nga ata që ishin aty, nxori shpatën, goditi shërbëtorin e kryepriftit e i preu veshin. 48 Jezui u tha: «Paskeni ardhur të më merrni me shpata e shkopinj si të isha kusar? 49 Unë isha çdo ditë mes jush në tempull duke mësuar njerëzit e nuk më kapët. Por kjo u bë që të përmbushen Shkrimet».
50 Atëherë të gjithë e braktisën e ikën.
Djaloshi që iku
51 Një i ri, i mbështjellë vetëm me një copë prej liri, po e ndiqte. Rojat e kapën, 52 por ai lëshoi copën prej liri e iku lakuriq.
Para sinedrit
(Mt 26.57-68Lk 22.54-55, Lk 63-71Gjn 18.13-14, Gjn 19-24)53 Atëherë e dërguan Jezuin te kryeprifti dhe mblodhën aty të gjithë kryepriftërinjtë, pleqtë e shkruesit. 54 Pjetri e ndoqi nga larg, deri brenda oborrit të pallatit të kryepriftit, e u ul mes shërbëtorëve, duke u ngrohur pranë zjarrit.
55 Ndërkohë kryepriftërinjtë dhe gjithë sinedri kërkonin dëshmi kundër Jezuit për ta dënuar me vdekje, por nuk gjenin. 56 Shumë veta jepnin dëshmi të rreme kundër tij, por dëshmitë e tyre nuk përkonin. 57 Disa të tjerë u ngritën e dhanë dëshmi të rreme kundër tij e thanë: 58 «Ne e kemi dëgjuar të thotë: “Do ta shkatërroj këtë tempull të bërë nga duart e njeriut e për tri ditë do të ndërtoj një tjetër, që nuk është ndërtuar nga duart e njeriut”». 59 Por as dëshmia e tyre nuk përkonte.
60 Atëherë kryeprifti u ngrit në mes të sinedrit dhe e pyeti Jezuin: «Nuk ke asgjë për të thënë për çka po dëshmojnë kundër teje?». 61 Por Jezui heshti e nuk dha asnjë përgjigje. Kryeprifti e pyeti përsëri: «A je ti Krishti, Biri i të Bekuarit?». 62 Jezui iu përgjigj: «Unë jam.
Do të shihni Birin e njeriut
ulur në të djathtën
e Perëndisë së pushtetshëm,
duke ardhur mbi retë e qiellit ».
63 Kryeprifti shqeu rrobat e veta e tha: «Ç'na duhen më dëshmitarët? 64 Ju e dëgjuat fyerjen që i bëri Perëndisë. Cili është vendimi juaj?». Dhe të gjithë e gjykuan se ishte fajtor për vdekje.
65 Disa filluan ta pështynin, t'i mbulonin fytyrën e ta godisnin duke i thënë: «Gjeje kush të goditi!». Edhe rojat e godisnin me shuplaka.
Mohimi i Pjetrit
(Mt 26.69-75Lk 22.56-62Gjn 18.15-18, Gjn 25-27)66 Ndërsa Pjetri ishte poshtë në oborr, erdhi njëra nga shërbëtoret e kryepriftit 67 dhe, kur e pa Pjetrin duke u ngrohur, ia nguli sytë e i tha: «Edhe ti ishe me Jezuin e Nazaretit». 68 Por ai e mohoi e tha: «Nuk po e marr vesh e as nuk po e kuptoj se ç'thua». Pastaj doli jashtë, në hyrje të oborrit, dhe ndërkohë këndoi gjeli. 69 Shërbëtorja e pa e filloi t'u thoshte përsëri atyre që ishin aty: «Ky është një prej tyre». 70 Por ai e mohoi përsëri. Pas pak, ata që ishin aty i thanë Pjetrit sërish: «Me siguri që je një nga ata, se je galileas ». 71 Por ai filloi të mallkojë e të bënte be: «Nuk e njoh këtë njeri për të cilin po flisni». 72 Atë çast këndoi gjeli për të dytën herë. Atëherë Pjetrit iu kujtua ç'i kishte thënë Jezui: «Përpara se gjeli të këndojë dy herë, ti do të më mohosh tri herë». Dhe filloi të qante.
1 Edhe pas dy diç ishte pashka edhe pabrumietë; edhe kryepriftëritë edhe shkronjësitë kërkoninë si ta zënë me kobim, edhe ta vrasënë.
2 Edhe thoshinë: “Jo për ditë të kremteje, se mos bënetë trazyrë nga llauzi.”
3 Edhe ay kur ishte ndë Vithani, ndë shtëpi të Simonit krromosurë, tuke ndenjurë ndë mësallë, erdhi një grua që kish një allavastrë me val ere, prej nardhe të papërzierë shumë të shtrenjtë; edhe si theu allavastrënë, derdhi valinë përmbi kryet t’ati.
4 Edhe ishinë ca vetë që zemëroneshinë ndër vetëhet e thoshinë: “Për ç’punë të humbasë ay val ere?
5 Sepse kyj munt të shitej përmbi tre qint dinarë, edhe të epej ndëpër të vobegjit.” Edhe zemëroneshinë kundrë asaj.
6 Edhe Jisuj tha: “Lerie atë; ç’e mundoni? Punoj punë të mirë mbë mua.
7 Sepse të vobegjit’ i keni përherë bashkë me vetëhenë tuaj, edhe kur të doni, munt t’u bëni mirë atyre; po mua nukë më keni kurdo.
8 Atë që mundi ajo, e bëri; i arriu që përpara të lyejë me val ere trupnë tim për të vënë ndë varr.
9 Me të vërtetë po u thom juve: Kudo të leçitetë kyj ungjill ndë gjithë botënë, edhe këjo punë që bëri ajo do të flitetë që të mbahetë mënt ajo.”
10 Edhe atëhere Judhë Iskarioti, një nga të dy-mbë-dhietëtë, vate te kryepriftëritë që t’ua apë ndër duar atyreve.
11 Edhe ata kur dëgjuanë, u gëzuanë; edhe iu zotuanë t’i apën’ argjënt. Edhe ay kërkonte, si ta trathtojë me kohë të mirë.
12 Edhe të parënë ditën’ e së kremtesë të pambrumevet, kur bënininë kurban pashkënë, nxënësit’ e ati i thonë: “Ku do të vemi e të bëjmë gati që të hash pashkënë?”
13 Edhe ay dërgoj dy vetë nga nxënësit’ e ti, edhe u thot’ atyre: “Ecëni ndë qytet, edhe do të përpiekë me ju një njeri tuke mbarturë një shtëmbë ujë; ecëni pas ati, edhe ku të ryjë ay ,
14 Thoni të zotë shtëpisë, se: “Mësonjësi thotë: Ku është të ndenjuritë që do të ha pashkënë bashkë me nxënësit’e mi?”
15 Edhe ay do t’u dëftojë juve një dhomë të madhe shtruarë gati; atie bëni gati për ne.”
16 Edhe nxënësit’ e ati duallë, edhe erdhë ndë qytet, edhe gjetnë sikundrë u tha atyre, edhe bënë gati pashkënë.
17 Edhe si u ngrys, vien bashkë me të-dy-mbë-dhietëtë;
18 Edhe ata tuke ndenjurë në mësallë, e tuke ngrënë, Jisuj tha: “Me të vërtetë po u thom juve, se një prej jush që ha bashkë me mua do të më trathtojë.”
19 Edhe atyreve zuri t’u vijë keq, edhe t’i thonë një nga një: “Mos jam unë?” Edhe tiatëri: “Mos jam unë?”
20 Edhe ay u përgjeq e u tha atyre: “Një nga të dy-mbë-dhietëtë, që ngjyen bashkë me mua ndë kupët.
21 I bir’ i njeriut vete, sikundrë është shkruarë për atë, po mjer mb’atë njeri, që trathtonet’ i bir’ i njeriut prej ati; ishte mirë për atë të mos kishte lerë.”
22 Edhe ata tuke ngrënë, Jisuj mori bukë, edhe si bekoj, e theu, edhe ua dha atyreve, edhe tha: “Merrni (hani); kyj është trupi im.”
23 Edhe mori potirrë, edhe si u fal ndersë, ua dha atyre, edhe të gjithë pinë prej ati.
24 Edhe u tha atyre: “Kyj është gjaku im i dhiatësë re, që është derdhurë për shumë vetë .
25 Me të vërtetë po u thom juve, se nukë do të pi më nga pema që piell hardhia, gjer mb’atë ditë kur ta pi të re ndë mbëretërit të Perëndisë.”
26 Edhe si psallnë, duallnë ndë Mal të Ullinjet.
27 Edhe Jisuj u thot’atyre, se: “Të gjithë do të skandhaliseni mbë mua këtë natë; sepse është shkruarë: “Do t’i bie bariut, edhe dhëntë do të përndahenë.”
28 Po passi të ngjallem, do të vete më përpara se ju ndë Galilet.”
29 Po Pietri i tha: “Edhe të gjithë ndë u skandhalisëshinë, po unë jo.”
30 Edhe Jisuj i thot’ atij: “Me të vërtetë po të thom, se sot këtë natë, para se të këndojë kokoshi dy herë, do të më mohojsh tri herë.”
31 Po ay më tepërë thoshte, se: “Ndë u dashtë të vdes unë bashkë me tyj, nukë do të të mohoj.” Kështu edhe të gjithë të tierëtë thoshinë.
32 Pastaj vinë ndë një fshat që kluhetë Gjethsimani; edhe u thotë nxënëset ti: “Rrini këtu gjersa të falem.”
33 Edhe merr me vetëhe bashkë Pietrin’ edhe Jakovin’ edhe Joanninë, edhe zuri të frikësonetë e t’i vijë rëndë.
34 Edhe u thot’ atyre: “Shpirti im është shumë i hidhëruarë, gjer mbë vdekëje; mbetuni këtu, edhe rrini sgjuarë.”
35 Edhe ay si shkoj pak përpara, ra përdhe, edhe falej, që ndë qoftë se munt të shkojë nga ay këjo orë.
36 Edhe thoshte: “Avva, o Atë, të gjitha mund të bënenë prej teje; mërgo këtë potir prej meje; po jo ç’dua unë, po ç’të duaç ti.”
37 Edhe vien e gjen ata tuke fleturë; edhe i thotë Pietrit: “Simon, po fle? S’munde të rrish sgjuarë një orë?
38 Rrini sgjuarë, edhe faluni, që të mos hyni ndë ngasëje; sepse shpirti është gati, po mishi është i pafuqishim.”
39 Edhe përsëri vate, e u fal tuke thënë po atë fialë.
40 Edhe si u këthye gjet ata përsëri tuke fleturë; sepse syt’ e atyreve ishinë rënduarë, edhe nukë dininë ç’t’i përgjegjen’ ati.
41 Pastaj vien të tretënë herë, e u thot’ atyre: “Flini pra, edhe prëhi; mjaft; erdhi ora; na i bir’ i njeriut tek epetë ndër duart të faltorëvet.
42 Çohi, le të vemi; na ay që më trathton tek u afrua.”
43 Edhe përnjëherë, ay kur ishte po tuke folurë, vien Judha, që ish një nga të dy-mbë-dhietëtë, edhe bashkë me atë shumë gjëndëje me thika e me dru, prej anësë kryepriftëret e shkronjëset e pleqet.
44 Edhe ay që e trathtoj u kish dhënë atyre shenjë, tuke thënë, se : “Atë që të puth, ay është. Zirie, edhe shpirie ruajturë.”
45 Edhe kur erdhi, përnjëherë u afrua tek ay, e i thotë: “Ravvi, Ravvi”; edhe e puthi.
46 Edhe ata vunë duart’ e tyre mbi atë, edhe e zunë.
47 Edhe një nga ata që rrinin’ atie hoqi thikënë, e i ra shërbëtorit kryepriftit, edhe i preu veshnë.
48 Edhe Jisuj u përgjeq e u tha atyre: “Posi mbë kursarë keni dalë me thika e me dru të më zini?
49 Përditë kam qënë ndër ju ndë hieroret tuke mësuarë, edhe nukë më zutë. Po këjo u bë që të mbushenë shkronjatë.”
50 Edhe të gjith’ e lan’ e iknë.
51 Edhe një farë dialoshi i vinte prapa, pështiellë me një pëlhurë lakuriq.
52 Edhe dialoshat’ e zënë. Po ay la pëlhurënë; edhe iku nga ata lakuriq.
53 Edhe prunë Jisunë te kryeprifti; edhe mbëlidhenë tek ay gjithë kryepriftërit’ e pleqt’ e shkronjësitë.
54 Edhe Pietri i vate pas për së largu gjer brënda nd’avlli të kryepriftit; edhe ishte tuke ndenjurë bashkë me shërbëtorëtë, edhe po ngrohej ndë ziarr.
55 Edhe kryepriftërit’ edhe gjithë bashkëndënjia kërkoninë dëshmi kundrë Jisujt që ta vrasënë, po nukë gjeninë.
56 Sepse shumë vetë dhanë martirii të rreme kundrë ati; po martiritë nuk’ ishinë si-një-një.
57 Edhe ca u ngrenë e dhanë martiri të rreme kundrë ati, tuke thënë, se:
58 “Neve dëgjuam’ atë tuke tënë, se: Unë do të prish këtë tempull që është bërë me dorë, edhe për tri dit do të ndërtoj një tiatërë pabërë me dorë.”
59 Po as kështu martiri e atyreve s’ish si-një-një.
60 Atëhere kryeprifti u ngre ndë mest, e pyeti Jisunë, tuke thënë: “Nukë përgjegje fare? Ç’dëshmi apënë këta kundrë teje?”
61 Po ay s’bënte zë, edhe nukë përgjigjej asgjë. Përsëri kryeprifti e pyeti atë, e tha:
62 “Ti je Krishti, i bir’i të Bekuarit?” Edhe Jisuj tha: “Unë jam; edhe do të shihni të birë e njeriut tuke ndenjurë prej së diathtës’ fuqisë, edhe tuke ardhurë bashkë me ret’ e qiellit.
63 Atëhere kryeprifti shqeu rrobet’ e tia, e thotë: “Ç’nevojë kemi më për dëshmi?
64 E dëgjuatë vllasfiminë; ç’u duketë juve?” Edhe ata të gjithë e gjykuanë, se është faltuar për vdekëje.
65 Edhe ca zunë ta pshtyjënë ndër sy, edhe t’i mbulojënë faqenë, edhe t’i bienë me grusht, tuke thënë: “Profiteps.” Edhe shërbëtorët’ i bininë me shuplaka.
66 Edhe Pietri kur ish’ nd’avlli poshtë, vien një nga shërbëtoret’ e kryeprifit.
67 Edhe kur e pa Pietrinë tuke ngrohurë, shtyri sytë mb’atë, e tha: “Edhe ti jeshe bashkë me Jisu Nazarinasinë.”
68 Po ay e mohoj, tuke thënë: “Nukë di, as nukë marr vesh ç’thua ti.” Edhe dolli jashtë përpara avllisë; edhe kokoshi këndoj.
69 Edhe shërbëtoreja kur e pa atë përsëri, zuri t’u thotë atyre, që ishinë tuke ndenjur’ aty, se: “Kyj është nga ata.”
70 Po ay përsëri e mohonte. Edhe pas pak here ata që ishinë ndenjur’ aty përsëri i thanë Pietrit: “Me të vërtetë je nga ata; sepse je Galileas, edhe të foluritë tat gjan.”
71 Po ay zuri të nëmjë edhe të bëjë bë, se: “Nuk’e di këtë njeri që thoni.”
72 Edhe kokoshi këndoj për së dyti. Edhe Pietrit i ra ndër mënt fiala që i pat thënë Jisuj, se: “Para se të këndojë kokoshi dy herë, do të më mohojsh tri herë.” Edhe zuri të qjajë.