Qielli i ri dhe toka e re
1 Pastaj pashë një qiell të ri e një tokë të re. Qielli i parë dhe toka e parë ishin zhdukur dhe as deti nuk ishte më. 2 Pashë edhe qytetin e shenjtë, Jerusalemin e ri, që zbriste nga qielli prej Perëndisë, si një nuse e zbukuruar për dhëndrin e saj.
3 Atëherë dëgjova një zë të lartë nga froni që tha: «Ja banesa e Perëndisë me njerëzit! Ai do të banojë me ta dhe ata do të jenë populli i tij. Vetë Perëndia do të jetë me ta dhe ai do të jetë Perëndia i tyre. 4 Ai do të fshijë çdo lot nga sytë e tyre dhe nuk do të ketë më as vdekje, as zi, as vajtim, as dhimbje, sepse bota e mëparshme mori fund».
5 Ai që rrinte ulur në fron tha: «Ja, unë i bëj të reja të gjitha gjërat!». Pastaj më tha: «Shkruaj, sepse këto fjalë janë të besueshme dhe të vërteta!». 6 Dhe shtoi: «U kryen! Unë jam Alfa e Omega, fillimi e mbarimi. Atij që ka etje, do t'i jap të pijë falas nga burimi i ujit të jetës. 7 Ai që fiton, do t'i trashëgojë këto. Unë do të jem Perëndia i tij dhe ai do të jetë biri im.
8 Ndërsa frikacakët, të pafetë, ndyrësirat, vrasësit, kurvarët, magjistarët, idhujtarët dhe të gjithë gënjeshtarët do ta kenë vendin në liqenin që digjet me zjarr e me squfur». Kjo është vdekja e dytë.
Jerusalemi i ri
9 Pastaj erdhi një nga shtatë engjëjt, që kishin shtatë kupat e mbushura me shtatë plagët e fundit, e më tha: «Eja të të tregoj nusen, gruan e Qengjit!». 10 Atëherë u rrëmbeva nga Shpirti dhe engjëlli më çoi në majën e një mali të madh e të lartë. Atje më tregoi qytetin e shenjtë, Jerusalemin, që zbriste nga qielli prej Perëndisë.
11 Qyteti kishte lavdinë e Perëndisë dhe shkëlqente si gur i çmuar, si gur diaspri kristalor. 12 Ai kishte një mur të madh e të lartë me dymbëdhjetë porta dhe mbi to qëndronin dymbëdhjetë engjëj. Mbi porta ishin shkruar emrat e dymbëdhjetë fiseve të Izraelit. 13 Tri porta ishin nga lindja, tri nga veriu, tri nga jugu e tri nga perëndimi. 14 Muri i qytetit kishte dymbëdhjetë themele, mbi të cilat ishin shkruar dymbëdhjetë emrat e dymbëdhjetë apostujve të Qengjit.
15 Ai që fliste me mua kishte një shkop të artë matës për të matur qytetin, portat dhe murin e tij. 16 Qyteti shtrihej në formë katrore dhe e kishte gjatësinë sa gjerësia. Engjëlli e mati qytetin me matës dhe ishte dy mijë e katërqind kilometra i gjatë. Gjatësia, gjerësia dhe lartësia ishin të barabarta. 17 Mati edhe murin që ishte gjashtëdhjetë e gjashtë metra. Engjëlli përdori të njëjtën masë që përdor njeriu.
18 Veshja e murit ishte prej diaspri, ndërsa qyteti vetë ishte prej ari të kulluar, të pastër si qelqi. 19 Themelet e murit të qytetit ishin zbukuruar me të gjithë gurët e çmuar. Themeli i parë ishte prej diaspri, i dyti prej safiri, i treti prej kalcedoni, i katërti prej smeraldi, 20 i pesti prej sardoniku, i gjashti prej sardi, i shtati prej krisoliti, i teti prej berili, i nënti prej topazi, i dhjeti prej krisopazi, i njëmbëdhjeti prej hiacinti dhe i dymbëdhjeti prej ametisti. 21 Dymbëdhjetë portat kishin dymbëdhjetë margaritarë. Secila portë ishte bërë nga i njëjti margaritar, ndërsa sheshi i qytetit ishte prej ari të kulluar si qelq i tejdukshëm.
22 Tempull nuk pashë në qytet, sepse tempulli i tij është Zoti Perëndi i gjithëpushtetshëm dhe Qengji. 23 Qyteti nuk ka nevojë as për diell e as për hënë që të ndriçohet, sepse atë e ndriçon lavdia e Perëndisë dhe pishtari i tij është Qengji.
24 Kombet do të ecin me dritën e tij dhe mbretërit e tokës do të sjellin aty lavdinë e tyre. 25 Ditën portat nuk do të mbyllen kurrë dhe atje nuk do të ketë natë. 26 Atje do të sjellin lavdinë dhe nderin e kombeve. 27 Në të nuk do të hyjë asgjë e papastër dhe askush që bën gjëra të pështira a të gënjeshtërta, por vetëm ata që janë shkruar në librin e jetës, libër që i përket Qengjit.
1 Edhe pashë një qiell të ri edhe një dhe të ri; sepse qielli i parë edhe dheu i parë shkoj; edhe deti nuk’ është më.
2 Edhe (unë Joanni) pashë qyteten’ e shënjtëruarë, Jerusalimen’ e re, tuke sbriturë prej qiellit nga Perëndia, bërë gati posi nuse të stolisurë për burrin’ e saj.
3 Edhe dëgjova një zë të math nga qielli që thoshte: “Ja tenda e Perëndisë bashkë me njerëzitë, edhe do të rrijë bashkë me ata, edhe ata do të jenë llauzi ati, edhe ay Perëndia vetë do të jetë bashkë me ata Perëndia i atyreve.
4 Edhe (Perëndia) do të fshijë çdo lot nga syt’ e atyreve, edhe vdekëja nukë do të jetë më; as vajë, as të bërtiturë, as të dhëmburë nukë do të jetë më; sepse të paratë shkuanë.
5 Edhe tha ay që ishte ndenjurë mbë front: “Ja të gjitha tek i bënj të ra.” Edhe më thotë: “Shkruaj; sepse këto fialë janë të vërteta edhe të besuara.”
6 Edhe më tha: “U bë; unë jam Allfa edhe Omega, e nisura edhe e mbaruara. Unë do t’i ap dhurëti ati që ka et nga kroj ujit jetësë.
7 Ay që munt do të trashëgonjë të gjitha, edhe do t’i jem Perëndi, edhe ay do të më jetë Bir.
8 Edhe frikacarët’ e të pabesët’ e të ndyrët’ e vrasësit’ e kurvarët’ e magjistarët’ e idhullatrët’ e gjithë gënjeshtarëtë do të kenë piesën’ e tyre ndë lëqer që digjetë me ziarr e me squfur; që është vdekëj’ e dytë.”
9 Edhe erdhi tek unë një nga të shtatë ëngjëjtë që kishinë të shtatë kupatë mbushurë me të shtatë plagët’ e pastajme, edhe foli bashkë me mua, tuke thënë: “Eja, do të dëftenj tyj nusenë, gruan’ e Qëngjit.”
10 Edhe më shpuri me frymë ndë një mal të math e të lartë, edhe më dëfteu qyteten’ (e madhe), Jerusalimen’ e shënjtëruarë, tuke sbriturë prej qielli nga Perëndia,
11 Që kishte lavdin’ e Perëndisë; edhe të ndriturit’ e asaj shëmbëllente me gur fort të ndershëm, posi gur jaspidhe që shkëlqen si krystall.
12 Edhe kishte një mur të math e të lartë; edhe kishte dy-mbë-dhietë porta, edhe mbë portat dy-mbë-dhietë ëngjëj, edhe emëra shkruarë përsipër, të cilëtë janë të dy-mbë-dhietë faravet e të bijvet Israilit.
13 Prej së lindurit diellit tri porta, prej anësë borësë tri porta; prej anës mesditësë tri porta, prej së perënduarit diellit tri porta.
14 Edhe muri qytetesë kishte dy-mbë-dhietë themele, edhe nd’ ato ishin’ emërat’ e të dy-mbë-dhietë apostojvet Qëngjit.
15 Edhe ay që fliste bashkë me mua kishte një kallam t’artë, që të masë qyteten’ edhe portat’ e asaj edhe murin’ e asaj.
16 Edhe qyteteja ishte me katrë cepa, edhe është sa e gjatë, edhe kaqë e gjërë; edhe mati qytetenë me kallamnë, gjer mbë dy-mbë-dhietë milë stadhe; të gjatët’ e të gjërët’ e të lartët’ e asaj janë sinjënjë.
17 Edhe mati murin’ e asaj, një qint e dyzet e katrë kutë, pas masësë njeriut, që do me thënë, të ëngjëllit.
18 Edhe ndërtesa e murit asaj ishte jaspidhë; edhe qyteteja ar i këthiellëtë që shëmbëllente me qelqe të këthiellëtë
19 Edhe themelet’ e murit qytetesë ishinë stolisurë me gjithë çfarë gurësh të nderëshim; themel’ i parë ishte jaspidhë; i dyti, sapfirë; i treti, hallqidhon; i katrëri, smaragdhë; i pesëti, sardhonik;
20 I gjashtti, sardhi; i shtatti, gur-artë; i tetti, viryll; i nëntti, topazi; i dhietti, krysopras; i një-mbë-dhietti, jaqinth; i dy-mbë-dhietti, amethyst.
21 Edhe të dy-mbë-dhietë portat’ ishinë dy-mbë-dhietë margaritarë, gjithësecila portë ishte prej një margaritari; edhe udh’ e qytetetes’ ishte ar’ i këthiellëtë, posi qelqe e shkëlqyerë.
22 Edhe nukë pashë tempull nd’atë, sepse Zoti Perëndi Gjithëpushtetësi, edhe Qëngji është tempull i asaj.
23 Edhe qyteteja s’ka nevolë për diell, as për hënë, që të ndrisnjënë nd’ atë; sepse lavdia e Perëndisë e ndriti atë, edhe kandileja e asaj është Qëngji.
24 Edhe kombetë (që shpëtonjënë) do t’ ecënjënë ndëpër dritë t’asaj; edhe mbëretërit’ e dheut bienë lavdinë, edhe nderin’ e tyre mb’ atë.
25 Edhe portat’ e asaj nukë do të mbyllenë ditënë; sepse natë nukë do të jetë atie.
26 Edhe do të bienë lavdin’ edhe nderin’ e kombevet mb’ atë.
27 Edhe nukë do të hynjë mb’ atë çdo gjë që pëgër e bën të ndyrë, e gënjeshtrë; veç atyreve që janë shkruarë ndë vivli të jetësë Qëngjit.