Shndërrimi i Jezuit
(Mk 9.2-13Lk 9.28-36)
1 Pas gjashtë ditësh Jezui mori me vete Pjetrin, Jakobin dhe vëllanë e tij, Gjonin, e i çoi në një mal të lartë, në një vend të vetmuar. 2 Atëherë ai u shndërrua para tyre. Fytyra i shkëlqeu si dielli dhe rrobat iu bënë të bardha si drita. 3 Pastaj atyre iu shfaqën Moisiu dhe Elia duke folur me Jezuin. 4 Pjetri i tha Jezuit: «Zot, sa mirë që jemi këtu! Nëse dëshiron, do të ngre këtu tri tenda, një për ty, një për Moisiun e një për Elinë». 5 Ndërsa ishte ende duke folur, një re e shndritshme i mbuloi me hijen e saj dhe një zë nga reja tha: «Ky është Biri im i dashur, me të cilin jam i kënaqur. Dëgjojeni!». 6 Kur e dëgjuan këtë, dishepujt ranë me fytyrë përdhe dhe i zuri një frikë e madhe. 7 Por Jezui u afrua, i preku e u tha: «Ngrihuni e mos kini frikë!». 8 Kur ngritën sytë, nuk panë askënd përveç Jezuit.
9 Kur po zbrisnin nga mali, Jezui i urdhëroi: «Mos i thoni askujt çfarë keni parë, derisa Biri i njeriut të ngjallet prej të vdekurve». 10 Atëherë dishepujt e pyetën: «Përse thonë shkruesit se duhet të vijë më parë Elia?». 11 Jezui u përgjigj: «Po, Elia po vjen dhe ai do të vërë gjithçka në vendin e vet. 12 Madje po ju them se Elia ka ardhur, por ata nuk e njohën e bënë me të çfarë deshën. Kështu do të vuajë edhe Biri i njeriut prej tyre». 13 Atëherë dishepujt e kuptuan se po u fliste për Gjon Pagëzorin.
Shërimi i të pushtuarit nga djalli
(Mk 9.14-29Lk 9.37-43a)
14 Kur arritën te turma, Jezuit iu afrua një njeri, i ra në gjunjë 15 e i tha: «Zot, ki mëshirë për tim bir, se ka sëmundjen e tokës dhe vuan shumë. Shpeshherë bie në zjarr e në ujë. 16 Ua solla dishepujve të tu, por ata nuk mundën ta shëronin». 17 Jezui tha: «O brezni e pafe dhe e mbrapshtë! Edhe sa kohë do të jem me ju? Deri kur do t'ju duroj? Sillmani këtu!». 18 Jezui e qortoi djallin. Atëherë djalli doli prej djaloshit dhe ai u shërua në çast.
19 Pastaj dishepujt erdhën te Jezui dhe, kur ishin vetëm, i thanë: «Pse ne nuk mundëm ta dëbonim?». 20-21 Ai u tha: «Për shkak të besimit tuaj të pakët. Me të vërtetë po ju them se po të kishit besim sa një farë sinapi, do t'i thoshit këtij mali “lëviz që këtej” dhe ai do të lëvizte. Asgjë nuk do të ishte e pamundur për ju ».
Tjetër paralajmërim i Pashkës
(Mk 9.30-32Lk 9.43b-45)
22 Kur ishin në Galile, Jezui u tha: «Biri i njeriut do të dorëzohet në duart e njerëzve, 23 ata do ta vrasin dhe ditën e tretë, ai do të ngjallet». Atëherë dishepujt u pikëlluan shumë.
Tagri i tempullit
24 Kur arritën në Kafarnaum, mbledhësit e tagrit të tempullit iu afruan Pjetrit e i thanë: «A e paguan tagrin mësuesi juaj?». 25 Ai u tha: «E paguan». Sapo Pjetri u kthye në shtëpi, Jezui iu drejtua i pari: «Si mendon ti Simon? Nga kush i marrin mbretërit e kësaj bote tagrat ose detyrimet? Nga bijtë e tyre apo nga të tjerët?». 26 Pjetri u përgjigj: «Nga të tjerët». Jezui i tha: «Atëherë bijtë janë të lirë. 27 Por për të mos u bërë pengesë për ta, shko te liqeni, hidh grepin dhe kap peshkun e parë që do të bjerë në të. Kur t'i hapësh gojën, do të gjesh një monedhë. Merre e paguaj për mua e për vete».
1 Edhe pas gjashtë diç Jisuj merr me vetëhe Pietrin’ edhe Jakovin’ edhe Joanninë të vëllan’ e ati, edhe i ngjit mbë një mal të lartë veçanë.
2 Edhe ndërroj fytyrënë përpara atyre; edhe faqeja e ati ndriti posi dielli, edhe rrobet’ e ati u bënë të bardha posi drita.
3 Edhe ja tek u duknë atyreve Moisiu edhe Ilia tuke folurë bashkë me atë.
4 Edhe Pietri u përgjeq e i tha Jisujt: “Zot, është mirë të jemi ne këtu; ndë daç, le të bëjëmë këtu tri tenda, një për tyj, e një për Moisinë, e një për Ilinë.”
5 Edhe ay tek ishte po tuke folurë, ja tek i mbuloj ata një re e ndriçime; edhe ja një zë nga reja tek thoshte: “Kyj është biri im i dashuri, që e pëlqeva; ati i dëgjoni.”
6 Edhe nxënësitë kur dëgjuanë, ranë përmbys, edhe u frikësuanë fort.
7 Po Jisuj erdhi përanë, e i kapi, edhe tha:
8 “Ngreuni, e mos u frikësoni.” Edhe ata kur ngritnë syt’ e tyre përpietë, nukë panë asndonjë, përveç Jisunë vetëmë.
9 Edhe tuke sbriturë nga mali, Jisuj i porositi, tuke thënë: “Mos i thoni asndonjërit se ç’patë, gjersa të ngjallet’ i Bir’ i njeriut nga të vdekuritë.”
10 Edhe nxënësit’ e ati e pyetnë, tuke thënë: “Përse pra thonë shkronjësitë, se duhetë të vinjë më përpara Ilia?”
11 Edhe Jisuj u përgjeq e u tha atyre: “Ilia vien më përpara, edhe do të vërë mbë vënt gjithë punëratë ;
12 Po unë po u them juve, se Ilia erdhi ndashti, edhe nuk’ e njohnë, po i bënë ç’deshnë; kështu edhe i Bir’ i njeriut ka për të pësuarë nga ata.”
13 Atëhere e kupëtuanë nxënësitë, se u tha për Joann Pagëzorinë.
14 Edhe ata kur erthnë te gjëndëja, i erdhi përanë një njeri e i ra mbë gjunjë, tuke thënë:
15 “Zot, përdëlle tim bir, sepse e zë lëngat’ e hënësë, edhe heq keq; sepse shumë herë bije ndë ziarr, e shumë herë nd’ujë;
16 Edhe e shpura te nxënësit’e tu, po nukë muntnë ta shëronjënë.”
17 Edhe Jisuj u përgjeq e tha: “O bres i pabesë edhe i shtrëmburë, gjer kurë do të jem bashkë me ju? Gjer kurë do t’u duronj juve? Bimëni mua atë këtu.”
18 Edhe Jisuj e qërtoj atë, edhe dialli dolli nga ay, edhe çuni u shërua që mb’ atë herë.
19 Atëhere nxënësit’erthnë përanë Jisujt veçanë, e thanë: Përse neve nukë muntmë ta nxierrm’ atë?
20 Edhe Jisuj u tha atyre: “Për pabesërinë tuaj; sepse me të vërtetë po u them juve, se Ndë paçi besë sa një koqe sinapi, do t’i thoni këti mali: Sbrit këtej e shko atie, edhe do të sbresë, edhe nukë do të jetë gjë që të mos muntni ju ta bëni.
21 Edhe kyj farë kombi nukë del tietrazi , veç me të falur’ e me agjërim.”
22 Edhe ata te po silleshinë përqark Galilesë, Jisuj u tha atyre: “I Bir’ i njeriut do të epetë ndër duar të njerëzëvet;
23 Edhe do ta vrasën’ atë, edhe të tretënë ditë do të ngjalletë.” Edhe atyre u erdhi keq fort.
24 Edhe ata kur erthnë ndë Kapernaum, erthnë përanë Pietrit ata që marrënë pagesë dy dhrahmitë, edhe i thanë: “A nukë paguan dy dhrahmitë mësonjësi juaj?”
25 Ay thotë: “Po.” Edhe kur hyri ndë shtëpit, Jisuj e priti, tuke thënë: “Si të duketë, Simon? Nga cilëtë marrënë pagesa a të dhëna mbëretërit’e dheut, nga bijt’ e tyre, apo nga të huajtë?”
26 Pietri i thot’ati: “Nga të huajtë.” Jisuj i tha ati: “Vallë bijtë janë të lirë?
27 Po që të mos skandhalismë ata, shko ndë det, e hith një grep, edhe ngre peshkun’ e parë që të dalë, edhe si t’i hapç gojënë, do të gjenjç një statir; merr-e, e epua atyre për mua edhe për tyj.”