Dërgimi i të dymbëdhjetëve
(Mt 10.5-15Mk 6.7-13)
1 Jezui i thirri të dymbëdhjetët e u dha fuqi e pushtet mbi të gjithë djajtë, si edhe për të shëruar sëmundjet. 2 Pastaj i dërgoi të predikonin mbretërinë e Perëndisë e të shëronin të sëmurët. 3 Atëherë u tha: «Mos merrni asgjë me vete për udhëtim, as shkop, as trastë, as bukë, as para e mos mbani dy tunika. 4 Qëndroni në shtëpinë ku hyni derisa të niseni prej aty. 5 Nëse ndokush nuk ju pranon, kur të dilni prej atij qyteti shkundni pluhurin nga këmbët, si dëshmi ndaj tyre».
6 Dishepujt u nisën e shkuan nëpër fshatra, duke shpallur ungjillin e duke shëruar kudo.
Shqetësimi i Herodit
(Mt 14.1-12Mk 6.14-29)
7 Herod Tetrarku dëgjoi për gjithçka kishte ndodhur e u shqetësua, sepse disa thoshin se Gjoni ishte ngjallur prej të vdekurve, 8 disa të tjerë thoshin se ishte shfaqur Elia e të tjerë se ishte ngjallur një nga profetët e vjetër. 9 Herodi tha: «Gjonit ia kam prerë kokën, por kush është ky për të cilin po dëgjoj këto gjëra?». Dhe kërkonte ta shihte.
Ushqimi i pesë mijë vetave
(Mt 14.13-21Mk 6.30-44Gjn 6.1-14)
10 Kur u kthyen, apostujt i treguan Jezuit për gjithçka kishin bërë. Ai i mori apostujt e u largua vetëm me ta drejt një qyteti të quajtur Betsaidë. 11 Kur turmat e morën vesh këtë gjë, i shkuan pas. Jezui i mirëpriti, u foli për mbretërinë e Perëndisë dhe shëroi ata që kishin nevojë për shërim.
12 Dita po mbaronte dhe të dymbëdhjetët iu afruan Jezuit e i thanë: «Nise turmën të shkojë në fshatrat e fushat përreth, që të strehohen e të ushqehen, se ky vend është i shkretë». 13 Por Jezui u tha: «Jepuni ju ndonjë gjë për të ngrënë!». Ata iu përgjigjën: «Ne kemi vetëm pesë bukë e dy peshq. A të shkojmë e të blejmë ushqim për gjithë këtë popull?». 14 Aty ishin rreth pesë mijë burra. Jezui u tha dishepujve: «Ulini njerëzit në grupe nga pesëdhjetë veta!». 15 Ata vepruan ashtu dhe i ulën të gjithë. 16 Jezui mori pesë bukët e dy peshqit, ngriti sytë drejt qiellit, tha lutjen e bekimit, i theu bukët e ua dha dishepujve t'ia shtronin turmës. 17 Të gjithë hëngrën e u ngopën. Çfarë teproi u mblodh dhe u mbushën dymbëdhjetë shporta me copa buke.
Pohimi i Pjetrit
(Mt 16.13-19Mk 8.27-29)
18 Një herë, kur Jezui po lutej në një vend të veçuar e dishepujt ishin me të, ai i pyeti: «Kush thonë turmat se jam unë?». 19 Ata iu përgjigjën: «Disa thonë se je Gjon Pagëzori, të tjerë se je Elia, të tjerë se është ngjallur ndonjëri nga profetët e vjetër». 20 Atëherë u tha: «Po ju, kush thoni se jam unë?». Pjetri u përgjigj: «Ti je Krishti i Perëndisë».
Paralajmërimi i parë i Pashkës
(Mt 16.20-28Mk 8.30—9.1)
21 Jezui i urdhëroi rreptësisht të mos i tregonin askujt për këtë 22 e u tha se Biri i njeriut duhej të vuante shumë dhe se nuk do të pranohej nga pleqtë, kryepriftërinjtë e shkruesit. Pastaj do ta vrisnin, por ditën e tretë do të ngjallej.
23 Atëherë u tha të gjithëve: «Kush dëshiron të vijë pas meje, le ta mohojë veten, të marrë kryqin e vet çdo ditë e të më ndjekë. 24 Sepse kushdo që dëshiron ta shpëtojë jetën e vet, do ta humbasë atë dhe kushdo që e humbet jetën e vet për shkakun tim, do ta shpëtojë atë. 25 Ç'dobi do të kishte njeriu po të fitonte mbarë botën, por të humbte e të rrënonte veten? 26 Por edhe Biri i njeriut, kur të vijë me lavdinë e tij e me lavdinë e Atit dhe të engjëjve të shenjtë, do të ketë turp për ata që kanë turp nga unë apo nga fjalët e mia. 27 Me të vërtetë po ju them se disa nga ata që janë këtu, nuk do të provojnë vdekjen pa e parë mbretërinë e Perëndisë».
Shndërrimi i Jezuit
(Mt 17.1-8Mk 9.2-8)
28 Rreth tetë ditë pasi tha këto fjalë, Jezui mori me vete Pjetrin, Gjonin, Jakobin e u ngjit në mal për t'u lutur. 29 Ndërsa lutej, pamja e fytyrës i ndryshoi e rrobat i morën një bardhësi vezulluese. 30 Pastaj panë dy burra që po flisnin me Jezuin. Ishin Moisiu dhe Elia 31 që u shfaqën në lavdi e po flisnin për veprën që do të përmbushte Jezui me vdekjen e tij në Jerusalem.
32 Pjetri dhe ata që e shoqëronin kishin rënë në gjumë të thellë, por u zgjuan dhe panë lavdinë e tij e të dy burrave që ishin me të.
33 Kur po ndaheshin, Pjetri i tha Jezuit: «Mësues, sa mirë që jemi këtu! Le të ngremë tri tenda, një për ty, një për Moisiun e një për Elinë». Pjetri nuk dinte çfarë po thoshte. 34 Ndërsa po fliste, erdhi një re e i mbështolli. Kur hynë në re, dishepujt i zuri frika. 35 Pastaj nga reja u dëgjua një zë që tha: «Ky është Biri im i zgjedhur. Dëgjojeni!». 36 Si u dëgjua zëri, Jezui mbeti vetëm. Ata heshtën e në ato ditë nuk i treguan askujt për gjërat që kishin parë.
Shërimi i djalit të pushtuar nga djalli
(Mt 17.14-18Mk 9.14-27)
37 Të nesërmen, pasi kishin zbritur nga mali, Jezuin e takoi një turmë e madhe. 38 Atëherë një burrë nga turma thirri: «Mësues, të lutem shikoje tim bir, se e kam djalë të vetëm! 39 Atë e pushton një shpirt që e bën të bërtasë dhe e shkund me dhunë derisa nxjerr shkumë nga goja. E mundon e largohet me vështirësi prej tij. 40 Iu luta dishepujve të tu ta dëbonin, por nuk mundën». 41 Jezui u përgjigj: «O brezni e pafe dhe e mbrapshtë! Edhe sa kohë do të jem me ju? Deri kur do t'ju duroj? Sille këtu tët bir!». 42 Kur po e sillnin, djalli e përplasi përtokë djaloshin dhe e përpëliti. Por Jezui e qortoi shpirtin e ndyrë, e shëroi djaloshin dhe ia ktheu të atit. 43 Të gjithë u mrekulluan nga madhështia e Perëndisë.
Tjetër paralajmërim i Pashkës
(Mt 17.22-23Mk 9.30-32)
Ndërsa të gjithë mrekulloheshin me gjithçka që kishte bërë, Jezui u tha dishepujve: 44 «Vëruni vesh mirë fjalëve që po ju them: Biri i njeriut do të dorëzohet në duart e njerëzve». 45 Por ata nuk i kuptuan këto fjalë. Kuptimi i tyre u mbeti i fshehur, kështu që nuk e morën vesh dhe kishin frikë ta pyesnin.
Madhështia e vërtetë
(Mt 18.1-5Mk 9.33-37)
46 Mes dishepujve lindi pyetja se kush prej tyre ishte më i madhi. 47 Por Jezui, që i njihte mendimet e zemrës së tyre, mori një fëmijë dhe e mbajti pranë. 48 Atëherë u tha dishepujve: «Kush e pranon këtë fëmijë në emrin tim, më pranon mua e kush më pranon mua, pranon atë që më ka dërguar. Më i vogli ndër të gjithë ju, ai është më i madhi».
Me ju, jo kundër jush
(Mk 9.38-40)
49 Atëherë Gjoni i tha: «Mësues, pamë një njeri që dëbonte djajtë në emrin tënd dhe ia ndaluam, sepse nuk të ndjek pas bashkë me ne».
50 Por Jezui i tha: «Mos ia ndaloni, se kush nuk është kundër jush, është me ju».
Mospranimi nga samaritanët
51 Kur po afroheshin ditët e ngritjes së tij në qiell, Jezui mori vendim të prerë për të shkuar në Jerusalem 52 dhe dërgoi përpara lajmëtarët. Gjatë rrugës u ndalën në një fshat samaritanësh për të bërë përgatitjet për Jezuin, 53 por ata nuk e pranuan, sepse po shkonte drejt Jerusalemit. 54 Kur dishepujt e tij, Jakobi e Gjoni, e panë këtë gjë, i thanë: «Zot, a do që të urdhërojmë të zbresë zjarr nga qielli e t'i përpijë ?».
55 Por Jezui u kthye e i qortoi . 56 Pastaj shkuan në një fshat tjetër.
Të ndjekësh Jezuin
(Mt 8.19-22)
57 Ndërsa po ecnin rrugës, dikush i tha: «Do të të ndjek kudo që të shkosh». 58 Por Jezui i tha: «Dhelprat kanë strofka e zogjtë e qiellit kanë fole, ndërsa Biri i njeriut nuk ka as ku të mbështetë kokën».
59 Një tjetri i tha: «Më ndiq!». Por ai iu përgjigj: «Zot, më lejo të shkoj e të varros më parë tim atë!». 60 Jezui i tha: «Lëri të vdekurit të varrosin të vdekurit e tyre, ndërsa ti shko e shpall mbretërinë e Perëndisë».
61 Një tjetër i tha: «Unë do të të ndjek, Zot, por më lejo të ndahem më parë me ata të shtëpisë». 62 Jezui iu përgjigj: «Kushdo që vë dorën në parmendë dhe e kthen kokën pas, nuk është i përshtatshëm për mbretërinë e Perëndisë».
1 Edhe ay si thirri përanë të dy-mbë-dhietë nxënësit’ e ti, u dha fuqi e pushtet mbi gjithë diajt, edhe të shëroninë sëmundëje.
2 Edhe i dërgoj që të leçisinë mbëretërin’ e Perëndisë, edhe të shëroninë të sëmurëtë.
3 Edhe u tha atyre: ”Mos mbajni gjë mb’ udhë, as stapa, as trajstë, as bukë, as argjënt, as të keni nga dy palë rrobe.
4 Edhe nd’ atë shtëpi që të hyni, mbetuni atie, edhe delni andej.
5 Edhe sa vetë që të mos u presënë juve, kur të deli prej ati qyteti, shkuntni edhe pluhurinë prej këmbëvet tuaj, për martiri kundrë atyreve.
6 — Edhe ata si duallë, shkoninë fshatravet, tuke dhënë zën’ e mirë, e tuke shëruarë tekdo.
7 Edhe Irodhi, katrurdhëratësi, dëgjoj gjith’ ato që bëneshinë prej ati; edhe manitej, sepse disa thoshinë, se Joanni është ngjallë prej së vdekurish;
8 Edhe disa thoshinë se Ilia u duk; edhe disa të tierë, se është ngjallë një prej profitëvet moçim.
9 Edhe Irodhi tha: “Joannit un’ i preva kryetë, po kyj cili është, që unë ndigjonj për atë të këtilla punë ?” Edhe kërkonte t’e shihte.
10 Edhe apostojtë si u këthyenë i treguanë gjithë sa bënë; edhe ay i mori me vete, e u hoq veçanë ndë një vënt të shkretë të një qyteti që qjuhej Vithsajdha.
11 Edhe gjëndëja kur e kupëtuanë, i vanë pas; edhe ay si i priti, u fliste atyre për mbëretërin’ e Perëndisë, edhe shëronte ata që kishinë nevojë për të shëruarë.
12 Edhe dita zuri të thyhej; edhe të dy-mbë-dhietët’ erdhë përanë e i thanë: “Lësho gjëndëjenë të venë rreth fshatravet e aravet, e të rrinë, e të gjenjënë të ngrëna; sepse këtu jemi ndë vënt të shkretë.”
13 Po ay u tha atyre: “Epni ju atyreve të hanë.” Edhe ata thanë: “Ndër ne nukë gjëndenë më teprë se pesë bukë edhe dy pishqe; veç ndë vafshim na të blejmë haje për gjithë këtë llaus.”
14 Sepse ishinë sindonja pesë mijë burra. Edhe ay u tha nxënësvet ti: “Viri ata të rrinë togje togje, nga pesë-dhietë.”
15 Edhe ata bënë kështu, edhe i vunë të gjithë të rrinë.
16 Edhe ay si mori të pesë bukëtë edhe të dy pishqetë, ngriti sytë mbë qiell, edhe i bekoj, e i theu, edhe ua dha nxënëset t’i venë përpara gjëndëjesë.
17 Edhe të gjithë hëngrrë, e u nginjnë; edhe ngritnë tepricën’ e copavet, dy-mbë-dhietë kosha.
18 Edhe ay tek falej veçanë, nxënësit’ ishinë bashkë me atë; edhe i pyeti, tuke thënë: “Cili thonë gjëndëja se jam unë?”
19 Edhe ata u përgjeqnë e thanë: “Joann Pagëzori; edhe të tierë, Ilia; edhe të tierë, se është ngjallë një prej profitëvet moçim.”
20 Edhe ay u tha atyre: “Po ju cili thoni se jan unë?” Edhe Pietri u përgjeq e tha: “Krishti i Perëndisë.”
21 Edhe ay i qërtoj e i porositi të mos ia thonë njeriu këtë, tuke thënë se:
22 I bir’ i njeriut duhetë të heqë shumë, edhe nukë do të pëlqenetë nga pleqt’ e nga kryepriftërit’ e nga shkronjësitë, edhe do të vritetë, edhe të tretënë ditë do të ngjalletë.”
23 Pastaj u thoshte të gjithëve: “Kush të dojë të vinjë prapa meje, le të mohonjë vetëhen’ e ti, edhe le të ngrerë kryqin’ e ti përditë, edhe le të vinjë pas meje.
24 Sepse ay që do të shpëtonjë jetën’ e ti, do t’e humpnjë; edhe kush të humpnjë jetën’ e ti për punët time, kyj do t’e shpëtonjë.
25 Sepse ç’dobi ka njeriu, ndë fitoftë gjithë botënë, e të humpnjë vetëhen’ e ti, a ta dëmëtonjë?
26 Sepse ay që të ketë turp për mua edhe për fialët’ e mia, edhe i bir’ i njeriut do të ketë turp për këtë, kur të vinjë ndë lavdi të ti, e të Atit, e të ëngjëjet shënjtëruarë.
27 Edhe po u them juve me të vërterë, se Janë ca prej këtyre që rrinë këtu, të cilëtë nukë do të ngjëronenë vdekëje, gjersa të shohënë mbëretërin’ e Perëndisë.”
28 Edhe pas këtyre fialëve shkuanë sindonja tetë dit, edhe ay mori Pietrin’ e Joannin’ e Jakovinë, edhe hipi ndë malt të falej.
29 Edhe ay tek falej, u ndërrua fytyra e faqes’ ati, edhe rrobet’e ati ishinë të bardha edhe vetëtininë.
30 Edhe javoka dy burra te po flisninë bashkë me atë, të cilët’ ishinë Mojsiu edhe Ilia;
31 Ata u duknë me lavdi, e thoshinë për vdekëjen’e ati që kishte për të mbushurë ndë Jerusalim.
32 Po Pietri edhe ata që ishinë bashkë me atë ishinë rënduarë nga gjumi; edhe kur u sgjuanë, panë lavdin’ e ati, edhe ata të dy burratë që rrijnë bashkë me atë.
33 Edhe tek ndaheshin’ ata prej ati, Pietri i tha Jisujt: “Mieshtër, është mirë të jemi na këtu; edhe le të bëjmë tri tenda, një për tyj, e një për Mojsinë, e një për Ilinë”; pa diturë se ç’thotë.
34 Edhe ay tek thoshte këto, erdhi një re, e i mbuloj me hie; edhe ata u frikësuanë kur hynë ndë ret.
35 Edhe erdhi një zë nga reja, tuke thënë. “Kyj është biri im i dashuri; ndigjoni ati.”
36 Edhe passi erdhi zëri, Jisuj u gjënt vetëmë. Edhe ata s’bënë zë, edhe nuk’ i thanë ndonjëj ato dit as për ndonjë gjë nga ato që panë.
37 Edhe mbë të nesërmet, si sbritnë ata nga mali, shumë gjëndëje i dolli përpara.
38 Edhe na një njeri prej gjëndëjesë te bërtiti, tuke thënë: “Mësonjës, të lutem, shtierë sytë mbi tem bir, se e kam të vetëmë.
39 Edhe na tek e kap fryma, edhe bërtet papriturë, edhe e përpiek me shkumbë, edhe mezi ndahetë prej ati, sepse e dërrmon.
40 Edhe u luçë nxënëset tu, që t’ia nxirinë, po nukë muntnë.”
41 Edhe Jisuj u përgjeq e tha: “O bres i pabesë e i shtremburë, gjer kurë do të jem me ju, edhe t’u duronj juve? Bierë tët bir këtu.”
42 Edhe ay te po vinte përanë, dialli e hodhi poshtë, edhe e përpoqi. Edhe Jisuj qërtoj frymën’ e ndyrë, edhe e shëroj dialënë, edhe ia dha prapë t’et.
43 Edhe të gjithë maniteshinë për madhërin’ e Perëndisë.
Edhe tek çuditeshinë të gjithë për sa bëri Jisuj, u tha nxënëset ti:
44 “Ju viri ndër veshët tuaj këto fialë; sepse i bir’ i njeriut do t’epetë ndër duar të njerëzet.”
45 Po ata nuk’ e kupëtuanë këtë fialë, edhe ishte mbëluarë prej atyre, për të mos kupëtuarë; edhe kishinë frikë t’e pyetninë për këtë fialë.
46 Pastaj hyri një mendim ndër ata, vallë cili nga ata ishte më i math.
47 Edhe Jisuj kur pa mendimin’ e zëmrës’ atyre, zuri prej dore një çun, edhe e qëndroj përanë vetëhesë ti, edhe u tha atyre:
48 “Ay që të presë këtë çun mb’emërit tim, ka priturë mua; edhe ay që të presë mua, ka pritur’ atë që më dërgoj; sepse ay që është më i vogëlë ndër gjithë ju, kyj do të jetë më i math.”
49 Edhe Joanni u përgjeq e tha: “Mieshtrë, pam një njeri që nxier diajtë mb’emërit tënt; edhe e ndalëm, sepse nukë vien prapa bashkë me ne.”
50 Edhe Jisuj i tha: “Mos e ndalni, sepse ay që nuk’ është kundrë nesh, është bashkë me ne.”
51 Edhe kur po mbusheshinë dittë që do të merrej lart ndër qiej , atëherë ay shtyri syn’ e ti të vejë ndë Jerusalim.
52 Edhe dërgoj zëdhënësa përpara vetëhesë ti, të cilëtë vanë e hynë ndë një fshat të Samaritëvet, për të bërë gati vënt për atë.
53 Edhe nuk’ e pritnë atë, sepse e kishte synë për të vaturë ndë Jerusalim.
54 Edhe Jakovi e Joanni nxënësit’ e ti kur panë, thanë: “Zot, a do të themi të sbresë ziarr nga qielli, edhe t’i përvëlonjë, sikundrë bëri edhe Ilia?”
55 Po ay u këthye e i qërtoj, edhe tha: “Nukë dini prej çfarë fryme jeni ju;
56 Sepse i bir’ i njeriut nuk’ erdhi të humpnjë shpirte njerëzish, po të shpëtonjë.” Edhe vanë mbë tiatrë fshat.
57 Edhe ata kur po vijnë, një njeri i tha mb’ udhë: “Zot, do të të vinj pas kudo të veç.”
58 Edhe Jisuj i tha: “Dhelpëratë kanë shtrofka, edhe shpesët’ e qiellit të ndenjura; po i bir’ i njeriut s’ka ku të pështetnjë kryetë.”
59 Edhe i tha një tiatri: “Eja pas meje.” Edhe ay i tha: “Zot, lërë-më përpara të vete të këllas ndë dhet tem atë.”
60 Po Jisuj i tha: “Lërë të vdekuritë të këllasënë ndë dhet të vdekurit’ e tyre; po ti ecë, e ep zë për mbëretërin’ e Perëndisë.”
61 Po edhe një tietërë njeri tha: “Zot, do të vinj pas teje; po lërë-më më përpara të vete t’u lë shëndet atyre që janë ndë shtëpit time.”
62 Po Jisuj i tha: “Kush vë dorën’ e ti mbi parmëntë, edhe këthenet ’ e vështron prapa, nuk’ është i vëjyerë për mbëretërin’ e Perëndisë.”