Profeti dhe vendlindja
(Mt 13.53-58Lk 4.16-30)
1 Si iku që andej, Jezui shkoi në vendlindjen e tij dhe dishepujt i shkuan pas. 2 Kur erdhi e shtuna, filloi të mësojë njerëzit në sinagogë e shumë nga ata që e dëgjonin mrekulloheshin e thoshin: «Nga i vijnë këto gjëra? Ç'është kjo dituri që i është dhënë e këto mrekulli që bëhen prej duarve të tij? 3 A nuk është ky zdrukthëtari, i biri i Marisë, vëllai i Jakobit, i Josesë, i Judës e i Simonit? A nuk janë edhe motrat e tij këtu te ne?». Dhe kjo i pengonte të besonin në të. 4 Por Jezui u tha: «Asnjë profet nuk përçmohet askund, përveçse në vendlindjen e tij, te të afërmit e tij e në shtëpinë e tij». 5 Dhe atje nuk mundi të bënte asnjë mrekulli, përveçse shëroi disa të sëmurë, duke vënë duart mbi ta. 6 Ai u çudit për shkak të mosbesimit të tyre.
Dërgimi i të dymbëdhjetëve
(Mt 10.1, Mt 5-15Lk 9.1-6)
Kështu, Jezui shkonte nëpër fshatra e mësonte njerëzit. 7 Ai i thirri pranë vetes të dymbëdhjetët e filloi t'i dërgojë dy nga dy. U dha pushtet mbi shpirtrat e ndyrë 8 e i porositi që të mos merrnin asgjë me vete për udhëtim përveç një shkopi, të mos merrnin as bukë, as trastë, as para në brez, 9 por të vishnin sandalet e të mos mbanin dy tunika. 10 Pastaj u tha: «Qëndroni në shtëpinë ky hyni, derisa të niseni prej aty. 11 E nëse ka ndonjë vend ku nuk do t'ju pranojnë e nuk do t'ju dëgjojnë, kur të dilni që andej, shkundni pluhurin nga këmbët, si dëshmi për ta ».
12 Dishepujt u nisën e predikonin që njerëzit të pendoheshin 13 si dhe dëbonin shumë djaj, lyenin me vaj shumë të sëmurë e i shëronin.
Vrasja e Gjon Pagëzorit
(Mt 14.1-12Lk 9.7-9)
14 Mbreti Herod dëgjoi për Jezuin, sepse emri i tij ishte bërë i njohur e disa thoshin: «Gjon Pagëzori është ngjallur prej të vdekurve, prandaj veprojnë këto fuqi në të». 15 Disa të tjerë thoshin: «Ky është Elia». Dhe të tjerë: «Ky është profet si profetët e tjerë». 16 Kur i dëgjoi këto gjëra, Herodi tha: «Ky është Gjoni, të cilit i preva kokën dhe është ngjallur». 17 Në të vërtetë, Herodi ishte ai që kishte dërguar njerëz për ta kapur Gjonin, për ta lidhur e për ta futur në burg, për shkak të Herodiadës, gruas së Filipit, vëllait të tij, me të cilën ishte martuar. 18 Gjoni i kishte thënë Herodit: «Nuk të lejohet të marrësh gruan e vëllait tënd». 19 Herodiada e urrente për këtë dhe donte ta vriste, por nuk mundte, 20 se Herodi e kishte frikë Gjonin, meqenëse e njihte si njeri të drejtë e të shenjtë; prandaj e mbronte. Atij nuk i vinte mirë nga ato që dëgjonte prej Gjonit, por e dëgjonte me ëndje.
21 Një ditë erdhi rasti i duhur kur Herodi, për ditëlindjen e vet, shtroi një darkë për të mëdhenjtë, për kryemijësit e për parinë e Galilesë. 22 Bija e Herodiadës kërceu një valle që i pëlqeu Herodit e të ftuarve. Atëherë mbreti i tha vajzës: «Më kërko çfarë të duash e unë do të ta jap». 23 Dhe iu betua: «Çfarëdo që të më kërkosh do të ta jap, deri edhe gjysmën e mbretërisë sime!». 24 Ajo doli e i tha së ëmës: «Çfarë të kërkoj?». Ajo i tha: «Kokën e Gjon Pagëzorit». 25 Në çast u kthye me nxitim te mbreti e i bëri këtë kërkesë: «Dua që të më japësh menjëherë kokën e Gjon Pagëzorit në një pjatë». 26 Mbreti u trishtua shumë, por nuk deshi ta shkelte premtimin për shkak të betimit e të të ftuarve. 27 Menjëherë mbreti dërgoi një rojë dhe e urdhëroi të sillte kokën e Gjonit. Roja shkoi e ia preu kokën në burg, 28 pastaj e solli kokën e tij në një pjatë, ia dha vajzës e vajza së ëmës.
29 Dishepujt e Gjonit, sapo e morën lajmin, erdhën e morën kufomën e tij dhe e vunë në një varr.
Ushqimi i pesë mijë vetave
(Mt 14.13-21Lk 9.10-17Gjn 6.1-14)
30 Apostujt u mblodhën pranë Jezuit e i treguan për gjithçka kishin bërë e u kishin mësuar njerëzve. 31 Ai u tha: «Ejani veçmas në një vend të vetmuar që të pushoni pak!». Në të vërtetë, aq shumë njerëz vinin e shkonin, saqë nuk kishin kohë as të hanin. 32 Kështu u nisën me varkë drejt një vendi të shkretë për të ndenjur vetëm. 33 Kur i panë se po largoheshin, shumë veta e kuptuan këtë dhe nga të gjitha qytetet vrapuan e arritën përpara tyre .
34 Ndërsa po zbrisnin nga varka, Jezui pa një turmë të madhe, e cila iu dhimbs, se ishin si delet pa bari. Atëherë filloi t'u mësonte shumë gjëra. 35 Tashmë ishte bërë vonë, prandaj dishepujt iu afruan e i thanë: «Vendi është i shkretë e është bërë vonë. 36 Lëri të shkojnë nëpër fushat e fshatrat përreth, që të blejnë diçka për të ngrënë!». 37 Ai u përgjigj: «Jepuni ju të hanë!». Ata i thanë: «A të shkojmë të blejmë dyqind denarë bukë, që t'u japim për të ngrënë?». 38 Jezui u tha: «Sa bukë keni? Shkoni e shikoni». Ata e dinin, prandaj i thanë: «Pesë bukë e dy peshq». 39 Atëherë ai u dha urdhër dishepujve t'i ulnin të gjithë në grupe mbi barin e gjelbër. 40 Ata u ulën në grupe nga njëqind e nga pesëdhjetë. 41 Pasi mori pesë bukët e dy peshqit, Jezui ngriti sytë drejt qiellit, tha lutjen e bekimit, theu bukët e ua dha dishepujve të vet, që t'i shtronin. Edhe dy peshqit ua ndau të gjithëve. 42 Të gjithë hëngrën e u ngopën 43 dhe mblodhën copat që tepruan, aq sa u mbushën dymbëdhjetë shporta, bashkë me çka teproi nga peshqit.
44 Ata që hëngrën bukët ishin pesë mijë burra.
Ecja mbi ujë
(Mt 14.22-33Gjn 6.15-21)
45 Menjëherë Jezui i urdhëroi dishepujt të hipnin në varkë e të shkonin përpara tij në bregun tjetër, nga ana e Betsaidës, derisa ai të shpërndante turmën. 46 Si u nda prej tyre, shkoi në mal për t'u lutur.
47 Kur ra mbrëmja, varka ishte në mes të liqenit dhe ai gjendej i vetëm në breg. 48 Jezui pa se dishepujt ishin lodhur duke vozitur, se kishin erën kundër dhe, në të gdhirë , erdhi drejt tyre duke ecur mbi liqen e donte t'i kalonte. 49 Kur e panë duke ecur mbi liqen, menduan se ishte fantazmë e bërtitën, 50 sepse të gjithë e kishin parë e ishin trembur. Por menjëherë ai u tha: «Merrni zemër! Jam unë. Mos kini frikë!». 51 Pastaj hipi në varkë tek ata dhe era pushoi. Ata u çuditën së tepërmi.
52 Nuk kishin kuptuar asgjë për bukët, se zemra e tyre ishte ngurtësuar.
Shërimi në Gjenesaret
(Mt 14.34-36)
53 Si kaluan në bregun tjetër, arritën në krahinën e Gjenesaretit dhe lidhën varkën. 54 Sapo dolën nga varka, njerëzit e njohën menjëherë Jezuin 55 dhe vrapuan nëpër gjithë atë krahinë e filluan të mbartnin të sëmurët në vigje e t'ia sillnin kudo që merrnin vesh se ishte. 56 Kudo që hynte, në fshatra, në qytete a nëpër ara, vendosnin të sëmurët nëpër sheshe e i luteshin t'i preknin së paku cepin e gunës. Të gjithë ata që e preknin, shëroheshin.
1 Pasandaj dolli prej andej, edhe erdhi ndë dhet të ti, edhe nxënësit’ e ati i venë pas.
2 Edhe kur erdhi e shëtuna, zuri të mësojë ndë sinagogjit; edhe shumë vetë kur dëgjoninë, çuditeshinë, e thoshinë: “Nga i erthnë këti këto? Edhe ç’është këjo dituri që i është dhënë këti, sepse edhe të tilla çudiash bënenë nga duart’ e ati?
3 Nuk’ është kyj mieshtri, i bir’ i Marisë, e i vëllaj i Jakovit, e i Josiut, e i Judhësë, e i Simonit? Edhe nukë janë të motërat’ e ati këtu ndër ne?
4 Edhe skandhaliseshinë mb’atë. Po Jisuj u thoshte atyre: “Se nuk’ është profit i pandershim ngjeti , veç ndë dhet të ti, edhe ndër njerëzit të ti, edhe ndë shtëpi të ti.”
5 Edhe s’munt të bënte atie asndonjë çudi, veç mbë pak të sëmurë vuri duartë mbi ata, e i shëroj.
6 Edhe çuditej për pabesërin’ e atyreve. Edhe shkonte rreth fshatravet, tuke mësuarë.
7 Edhe thirri përanë të dy-mbë-dhietëtë, edhe zuri t’i dërgojë dy nga dy; edhe u epte pushtet mbi frymat të ndyra.
8 Edhe i porositi të mos mbajënë asgjë mb’udhë, veç një shkop vetëmë; as trastë, as bukë, as ramë ndë brest;
9 Po të jenë mbathurë me shollëza, edhe të mos veshënë dy rrobe.
10 Edhe u thoshte atyre: “Mbë ç’shtëpi që të hyni, mbetni atie, gjersa të delni ateje.
11 Edhe sa vetë të mos u presënë juve, as të mos u dëgjojënë juve, kur të delni ateje, shkuntni edhe pluhurinë që është rëposh këmbëvet tuaja, për martiri mb’ata; me të vërtetë po u thom juve, se: Më i duruarshim do të jetë mundimi ndë Sodhomë a ndë Gomorrë ndë ditë të gjyqit, se mb’atë qytet.”
12 Edhe ata duallnë e leçitninë që të pendonenë njerëzitë .
13 Edhe kërreninë shumë diaj; edhe lyejninë me val shumë të sëmurë edhe i shëroninë.
14 Edhe mbëreti Irodhi dëgjo për atë, (sepse emëri ati kish dalurë për faqe) edhe thoshte, se Joanni që pagëzonte u ngjall nga të vdekuritë, edhe përandaj punonenë këto çudira nga ay.
15 Të tierë thoshinë, ae ay ësht’ Ilia. Edhe të tierë thoshinë, se është profit a posi një nga profitëritë.
16 Po Irodhi, kur dëgjoj, tha, se: “Kyj është ay Joanni, që i preva kryetë unë; ay është ngjallurë nga të vdekuritë.”
17 Sepse ay Irodhi dërgoj e zuri Joanninë, edhe e lidhi ndë burk për Irodhiadhënë, gruan’ e Filippit, të vëllait; sepse e kishte marrë për grua.
18 Sepse Joanni i thoshte Irodhit, se: “S’ësht’ e udhësë të kesh ti gruan’ e tyt vëllaj.”
19 Andaj Irodhiadha e kishte mëri, edhe donte ta vrasë; po s’munte.
20 Sepse Irodhi e kishte frikë Joanninë, tuke ditur’ atë për njeri të drejtë edhe shënjt; edhe e ruante, edhe ay kur dëgjoj atë bëri shumë punë , edhe i dëgjonte me gëzim.
21 Edhe kur erdhi një dit’ e mbarë, që bënte gosti Irodhi për ditën’ e të lerit ti mbë të mëdhejt e ti e mbë kryejmilësit e mbë të parët’ e Galilesë,
22 Edhe atëhere hyri e bil’ e asaj Irodhiadhësë, e karxeu, edhe i pëlqeu Irodhit edhe atyreve që ishinë ndenjurë bashkë ndë mësallë, edhe mbëreti i tha vashëzësë:
23 “Lypmë ç’të duaç, edhe do të ta ap.” Edhe i bëri be asaj, se: “Atë që të më lypijsh do t’ap, gjer mbë gjysëmën’e mbëretërisë sime.
24 Edhe ajo dolli, e i tha s’ëmësë: “Ç’të lypij?” Edhe ajo tha: “Kryet’ e Joann Pagëzorit.”
25 Edhe ajo hyri përnjëherë me nxitim te mbëreti, e lypi, tuke thënë: “Dua të më apç tani ndë taluret kryet’ e Joann pagëzorit.”
26 Edhe mbëreti u hidhërua, po për bet që bëri, edhe për ata që ishinë ndenjurë bashkë ndë mësallë, nukë deshi t’ia hedhë poshtë të zotuarëtë.
27 Edhe mbëreti përnjëherë dërgoj një trim, e urdhëroj të bihetë kryet’ e ati.
28 Edhe ay vate, e i preu kryetë ndë burkt; edhe pruri kryet’ e ati mbë taluret, edhe ia dha vashëzësë; edhe vashëza ia dha s’ëmësë.
29 Edhe nxënësit’ e ati, kur dëgjuanë, erthnë, edhe ngritnë trupin’ e ati, edhe e shtinë ndë varr.
30 Edhe apostojtë mbëlidhenë te Jisuj, edhe i dhanë zë për të gjitha, edhe sa bënë, edhe sa mësuanë.
31 Edhe ay u tha atyre: “Ejani ju vetë veçanë ndë vënt të shkretë, edhe prëhi pak”, sepse ata që vinin’ e shkoninë ishinë shumë vetë, edhe s’kishinë kohë as për të ngrënë.
32 Edhe ata shkuanë me lundrë ndë një vënt të shkretë veçanë.
33 Edhe [gjëndëja] pan’ ata tuke shkuarë, edhe shumë vetë e njohnë; edhe u lëshuanë nga gjithë qytetet’ e vanë atie këmbë, edhe erthnë atie më përpara se ata, edhe u mbëlothnë tek ay.
34 Edhe Jisuj, kur dolli, pa shumë gjëndëje, edhe iu dhëmpnë, sepse ishinë posi dhëntë që s’kanë bari; edhe zuri t’i mësojë shumë.
35 Edhe tani passi kishte shkuarë shumë koha, nxënësit’ e ti afronen’ e i thonë, se: “Vëndi ësht’ i shkretë, edhe tani koha ka shkuarë shumë.
36 Lësho ata, që të shkojënë rreth aravet e fshatravet, të blejënë bukë për vetëhen’ e tyre, sepse s’kanë se ç’të hanë.”
37 Po ay u përgjeq e u tha atyre: “Epni ju atyreve të hanë.” Edhe ata i thonë: “Të vemi e të blejmë dy qint dinarë bukë, edhe t’u apëm’ atyre të hanë?
38 Edhe ay u thot’ atyre: “Sa bukë keni? Shkoni e shihni.” Edhe si vanë e panë, i thonë: “Pesë, edhe dy pishqe.”
39 Edhe ay udhëroj ata të unjenë të gjithë përmbi barë të ngjomë e të rrinë truveza truveza.
40 Edhe ata ndenjnë togje togje, nga një qint e nga pesë-dhietë.
41 Edhe ay si mori të pesë bukët’ edhe dy pishqetë, shtyri sytë ndë qiell, e bekoj, edhe theu bukëtë, edhe ua dha nxënësëvet të ti, që t’i vënë përpara atyreve; edhe u ndau të gjithëve dy pishqetë.
42 Edhe të gjithë hangrrë e u nginë.
43 Edhe ngritnë dy-mbë-dhietë kosha plot me copa, edhe nga pishqetë.
44 Edhe ata që hangrrë bukëtë ishinë sinja pesë milë burra.
45 Edhe përnjëherë shtrëngoj nxënësit’ e ti të ryjënë ndë lundrët, edhe të shkojënë përpara për mbatanë ndë Vithsajdha, gjersa të lëshojë ay gjëndëjenë.
46 Edhe si i lëshoj, vate ndë mal të faletë.
47 Edhe si u ngrys, lundra ish ndë mes të detit, edhe ay vetëmë mbi tokët.
48 Edhe pa ata tuke munduarë mbë të voziturit, sepse era ish kundrë atyreve; edhe mbë të katrëtënë ruajtëjen e natësë vien tek ata, tuke ecurë mbi det; edhe deshi t’i kapërxejë.
49 Po ata kur panë atë tuke ecurë mbi det, kujtuanë se është hije, edhe bërtitnë, sepse të gjith’ e panë, edhe u drothnë.
50 Edhe përnjëherë foli bashkë me ata, e u thotë atyre: “Kini zemërë; unë jam, mos u frikësoni.”
51 Edhe hipi ndë lundrët tek ata; edhe era pushoj. Edhe habiteshinë fort tepërë me vetëhe të tyre, edhe çuditeshinë.
52 Sepse nuk’ e muarnë vesh nga bukëtë; sepse zemëra e atyreve ish ashpëruarë.
53 Edhe si kapërxyenë, erthnë ndë dhet Gjennisaret, edhe hothnë hekurë ndë liman.
54 Edhe ata kur duallë nga lundra, përnjëherë e njohnë,
55 Edhe u turrnë ndëpër gjith’ ato anë, e zunë të bienë mbi shtratëra ata që kishinë keq aty ku dëgjoninë se është.
56 Edhe kudo që hynte ndër fshatëra, a ndër qytete, a ndër ara, vininë të sëmurëtë ndëpër tregjet, edhe i luteshinë të prekënë vetëmë peshën’ e rrobes’ s’ati; edhe gjithë sa e prekninë, shëroneshinë.