Premtimi i ardhjes së Zotit
1 Fort të dashur, kjo është tashmë letra e dytë që po ju shkruaj. Në të dyja po përpiqem t'ju zgjoj kujtesën, që me mendje të kthjellët 2 të kujtoni fjalët që janë thënë më përpara nga profetët e shenjtë dhe urdhërimin e Zotit dhe të shpëtimtarit tonë që ju shpallën apostujt.
3 Së pari, duhet të dini se në ditët e fundit do të vijnë përqeshës që jetojnë sipas dëshirave të tyre. Ata do t'ju përqeshin 4 e do t'ju thonë: «Ku është premtimi i ardhjes së Zotit? Të parët tanë vdiqën, por gjithçka mbeti si në fillim të krijimit». 5 Ata harrojnë me dashje se qiejt, kohë më parë, u bënë me fjalën e Perëndisë. Po ashtu edhe toka që u bë nga uji e nëpërmjet ujit. 6 Po me ujë u shkatërrua bota e atëhershme, kur u bë përmbytja. 7 Ky qiell e kjo tokë ruhen nga e njëjta fjalë, për t'u shkatërruar me zjarr kur të vijë dita e gjykimit dhe e shkatërrimit të të pafeve.
8 Edhe këtë gjë mos e harroni, fort të dashur, se për Zotin një ditë është si një mijë vjet dhe një mijë vjet janë si një ditë. 9 Zoti nuk e vonon premtimin, siç mendojnë disa, por është i duruar me ju, sepse nuk dëshiron që ndokush të humbasë, por dëshiron që të gjithë të kthehen në pendim.
10 Dita e Zotit do të vijë si vjedhësi. Atë ditë qiejt do të zhduken me krisma, elementet e natyrës do të shkrihen nga nxehtësia dhe toka e gjithçka që ajo mban do të digjen.
11 Nëse gjithçka do të tretet në këtë mënyrë, atëherë e kuptoni se duhet të keni një sjellje të shenjtë dhe të jeni të përkushtuar ndaj Perëndisë, 12 duke pritur e duke u përpjekur ta afroni ardhjen e ditës së Perëndisë, në të cilën qiejt do të treten me zjarr dhe elementet e natyrës do të shkrihen nga nxehtësia. 13 Sipas premtimit të tij, ne presim qiej të rinj dhe tokë të re, ku banon drejtësia.
14 Prandaj, fort të dashur, duke pritur këto, përpiquni të jeni para tij të panjollë, të patëmetë e në paqe. 15 Durimin e Zotit çmojeni si mundësi për shpëtim, sikurse ju shkroi edhe vëllai ynë i dashur, Pali, sipas urtisë që i dha Perëndia. 16 Në të gjitha letrat e tij ai shkruan për këto gjëra. Por në to ka disa pjesë të vështira për t'u kuptuar, që të paditurit e të paqëndrueshmit i shtrembërojnë. Ata bëjnë ashtu edhe me Shkrime të tjera për rrënimin e vetes së tyre.
17 Ndërsa ju, fort të dashur, meqenëse i dini këto gjëra që më përpara, ruhuni që të mos bini në mashtrimin e të pabesëve dhe të humbisni sigurinë e besimit tuaj. 18 Vazhdoni të përparoni në hirin dhe në njohjen e Zotit e të shpëtimtarit tonë Jezu Krisht! Atij i qoftë lavdia, tani e përherë, deri në ditën e amshimit! Amen!
1 Po u shkruanj juve, o të dashurë, këtë kartë të dytë, me ato çonj mendiminë tuaj të këthiellëtinë me të përmendurë;
2 Që të kujtoni fialëtë që u folnë përpara nga profitërit’ e shënjtëruarë, edhe porosinë tonë apostojvet Zotit edhe Shpëtimtarit.
3 Këtë më përpara ta dini, se mbë dit të pastajme do të vinjënë përqeshësa, tuke ecurë pas dëshërimesh tyre,
4 E tuke thënë: Ky është të zotuarët’ e të ardhurit ati? Sepse që mb’atë ditë që fjetnë atëritë, të gjitha mbesënë kështu që kur se u nis kriesa.
5 Sepse ata vetë duanë të mos e dinë këtë, se më fialën’ e Perëndisë u bënë qiejetë njëherë moti, edhe dheu që është bërë prej ujit edhe me ujë;
6 Që me anë t’atyreve ajo bota atëhere si u mbulua me ujë humbi.
7 Edhe qiejet’ edhe dheu që janë tashti, nga ajo fjalë janë vënë mbënjanë, ruajturë për ziarr mbë ditë të gjyqit e të humbëjesë njërezet të pabesë.
8 Edhe këtë vetëmë mos e harroni, o të dashurë, se përanë Zotit një ditë është si një mijë viet, edhe një mijë viet si një ditë.
9 Zoti nukë mënon të zotuarët’ e ti , sikundrë dica e kujtonjënë për të mënuarë, po na duron, sepse nukë do të humbasënë dica vetë, po të gjithë të vinjënë ndë pendim.
10 Edhe dita e Zotit do të vinjë posi viedhësi natënë; mb’ atë ditë qiejetë do të shkonjënë me krismë, e stiqiatë do të tretenë nga të ndezuritë, edhe dheu edhe punëratë që janë nd’ atë do të digjenë.
11 Kur tretenë pra këto të gjitha, çfarë njerëzish gjan të jeni ju ndë jetë të shënjtëruar’ e ndë besë të mirë,
12 Tuke pritur’ e tuke nxituarë për t’ardhurit’ e ditësë Perëndisë, që mb’ atë ditë qiejetë diegurë ndë ziarr do të tretenë, edhe stiqiatë do të tretenë nga të nxehuritë?
13 Edhe pas të zotuarit ati presëmë qieje të rij, edhe dhe të ri, që rri drejtëri nd’ ata.
14 Përandaj, o të dashurë, tuke priturë këto, nxitoni të gjëndeni përpara ati ndë paqtim pa palavi e pa faj.
15 Edhe kujtoni zemrën’ e gjërë të Zotit tënë për shpëtim, sikundrë Pavli edhe vëllaj ynë i dashuri u shkroj juve pas diturisë që iu dha ati,
16 Sikundrë edhe ndë gjithë kartërat e tia , tuke folurë nd’ ato për këto punëra ; ndër ato janë ca punëra që s’kupëtonenë, të cilatë të paditurit’ e të paqëndruarshëmit i shtrëmbëronjënë, sikundrë edhe shkronjat’ e tiera, për humbëjen’ e tyre.
17 Ju pra, o të dashurë, tuke diturë që përpara këto, ruhi, që të mos hiqeni me kobimin’ e të panomvet, e të bini poshtë nga qëndrimi juaj.
18 Edhe shtohi ndë hir e ndë të njohurë të Zotit tënë edhe Shpëtimtarit Jisu Krisht. Mb’atë qoftë lavdia edhe tashti edhe ndë ditë të jetësë pasosurë. Amin.