1 Atëherë Pilati urdhëroi të merrej Jezui e të rrihej me fshikull. 2 Ushtarët thurën një kurorë me gjemba dhe ia vunë në kokë. Pastaj e veshën me një petk të purpurt, 3 i afroheshin, e godisnin me shuplaka e i thoshin: «Tungjatjeta, o mbreti i judenjve!».
4 Pilati doli përsëri jashtë e u tha judenjve: «Ja, po jua sjell jashtë, që të shihni se nuk gjej tek ai asnjë arsye për ta dënuar». 5 Jezui doli jashtë me kurorën e gjembave në kokë dhe i veshur me petkun e purpurt. Pilati u tha: «Ja njeriu!». 6 Kur e panë, kryepriftërinjtë dhe rojat thirrën: «Kryqëzoje! Kryqëzoje!». Pilati u tha: «Merreni ju e kryqëzojeni, se unë nuk gjej tek ai asnjë arsye për ta dënuar». 7 Judenjtë u përgjigjën: «Ne kemi një ligj dhe sipas tij ai duhet të vdesë, sepse e bëri veten Bir të Perëndisë».
8 Kur dëgjoi këto fjalë, Pilati u frikësua më shumë, 9 hyri përsëri në pretorium dhe e pyeti Jezuin: «Nga je ti?». Jezui nuk i dha asnjë përgjigje. 10 Atëherë Pilati i tha: «Mua nuk më flet? A nuk e di ti se unë kam pushtet të të liroj dhe kam pushtet të të kryqëzoj?». 11 Jezui u përgjigj: «Ti nuk do të kishe asnjë pushtet mbi mua, po të mos të të ishte dhënë nga lart. Prandaj ai që më dorëzoi te ti, ka mëkat edhe më të madh».
12 Që nga ai çast Pilati kërkonte ta lironte Jezuin, por judenjtë thërrisnin: «Po e lirove këtë, nuk je më mik i Cezarit. Kushdo që e bën veten mbret, i kundërvihet Cezarit!». 13 Pilati, kur dëgjoi këto fjalë, e solli Jezuin jashtë dhe u ul në fronin e gjykatësit, në vendin që quhej «Rruga e Gurtë», në hebraisht «Gabbatha».
14 Ishte e premte, dita e përgatitjes së Pashkës, rreth orës dymbëdhjetë të drekës.
Pilati u tha judenjve: «Ja mbreti juaj!». 15 Por ata thirrën: «Hiqe! Hiqe! Kryqëzoje!». Pilati u tha: «Mbretin tuaj të kryqëzoj?». Kryepriftërinjtë iu përgjigjën: «Ne nuk kemi mbret tjetër, përveç Cezarit». 16 Pastaj Pilati ua dorëzoi që të kryqëzohej.
Kryqëzimi
(Mt 27.32-44Mk 15.21-32Lk 23.26-43)Kështu, ata e morën Jezuin. 17 Duke mbajtur kryqin e vet, Jezui shkoi në vendin e quajtur «Kafka» që në hebraisht quhet «Golgota». 18 Atje e kryqëzuan bashkë me dy të tjerë, njërin nga njëra anë dhe tjetrin nga ana tjetër, ndërsa Jezuin mes të tyre.
19 Pilati shkroi edhe një mbishkrim dhe e vuri mbi kryq. Në të shkruhej: «Jezui i Nazaretit, mbreti i judenjve». 20 Shumë judenj e lexuan atë mbishkrim, se vendi ku ishte kryqëzuar Jezui ndodhej afër qytetit dhe mbishkrimi ishte shkruar në hebraisht, latinisht e greqisht. 21 Atëherë kryepriftërinjtë e judenjve i thanë Pilatit: «Mos shkruaj: “Mbreti i judenjve”, por shkruaj: “Ky ka thënë: jam mbreti i judenjve”». 22 Pilati u përgjigj: «Çfarë shkrova, shkrova».
23 Pasi e kryqëzuan Jezuin, ushtarët morën rrobat e tij dhe i ndanë në katër pjesë, nga një pjesë për secilin. Morën edhe tunikën, por ajo ishte e paqepur, e gjitha e endur nga lart deri poshtë. 24 Atëherë ushtarët i thanë njëri-tjetrit: «Mos ta grisim, por të hedhim short për të parë kujt do t'i takojë». Kjo, që të përmbushej Shkrimi që thotë:
i ndanë rrobat e mia mes tyre
dhe hodhën short për petkun tim.
Dhe ushtarët kështu bënë.
25 Pranë kryqit të Jezuit qëndronin nëna e tij, motra e nënës së tij, Maria e Klopës dhe Maria Magdalena. 26 Jezui, kur pa të ëmën dhe pranë saj dishepullin që donte, i tha asaj: «Grua, ja biri yt!». 27 Pastaj i tha dishepullit: «Ja nëna jote!». Që atëherë dishepulli e mori atë në shtëpinë e tij.
Vdekja
(Mt 27.45-56Mk 15.33-41Lk 23.44-49)28 Pas këtyre gjërave, Jezui e dinte se tashmë gjithçka ishte kryer dhe, që të përmbushej Shkrimi, tha: «Kam etje!». 29 Atje ndodhej një enë e mbushur me uthull. Atëherë ushtarët ngjyen një sfungjer në uthull, e vunë në një degë hisopi dhe ia afruan Jezuit te goja. 30 Pasi e provoi uthullën, Jezui tha: «U krye!». Pastaj vari kokën e dha shpirt.
E shpojnë me heshtë
31 Meqë ishte e premte judenjtë nuk donin që trupat të liheshin në kryq të shtunën se ajo e shtunë ishte ditë e madhe, prandaj i kërkuan Pilatit t'u thyenin kërcinjtë të kryqëzuarve e t'i zbrisnin. 32 Atëherë erdhën ushtarët e i thyen kërcinjtë të parit, pastaj edhe të dytit që ishte kryqëzuar me Jezuin. 33 Kur erdhën te Jezui dhe panë se kishte vdekur, nuk ia thyen kërcinjtë, 34 por njëri nga ushtarët i shpoi brinjën me heshtë dhe menjëherë doli gjak e ujë. 35 Këto gjëra i ka dëshmuar ai që i pa dhe dëshmia e tij është e vërtetë. Ai e di se thotë të vërtetën që edhe ju të besoni. 36 Këto gjëra ndodhën që të përmbushet Shkrimi: nuk do t'i thyhet asnjë eshtër 37 si dhe Shkrimi tjetër që thotë: do të shikojnë atë që shpuan me heshtë.
Varrimi
(Mt 27.57-61Mk 15.42-47Lk 23.50-56)38 Pas këtyre, Jozefi nga Arimateja, që ishte fshehtas dishepull i Jezuit nga frika e judenjve, i kërkoi Pilatit të merrte trupin e Jezuit dhe Pilati e lejoi. Atëherë ai erdhi dhe e mori trupin. 39 Erdhi edhe Nikodemi, ai që dikur kishte shkuar natën te Jezui, dhe solli rreth tridhjetë litra përzierje mirre dhe aloeje. 40 Ata e morën trupin e Jezuit, e mbështollën me pëlhura dhe e lyen me vajra erëmirë, siç e kanë zakon judenjtë kur varrosin dikë. 41 Në vendin ku u kryqëzua Jezui ndodhej një kopsht dhe brenda në kopsht ishte një varr i ri në të cilin ende nuk kishin varrosur njeri. 42 Aty e varrosën Jezuin, meqenëse ishte e premtja para festës së judenjve dhe varri ishte afër.
1 Atëhere pra Pillati mori Jisunë, edhe e rrahu.
2 Edhe ushëtorëtë gërshetuanë një kurorë prej ferrash, e ia vunë mbi kryet t’ati, edhe e veshnë me një rrobe të kuqe.
3 Edhe thoshinë: “Gëzonu, o Mbëret i Judhenjet!” Edhe i bininë me shuplaka.
4 Pillati pra dolli përsëri jashtë, edhe u thot’ atyre: “Na te po ua bie atë jashtë, që ta dini se nukë gjenj asndonjë faj tek ay.”
5 Jisuj pra dolli jashtë veshurë me kuronënë prej ferrash edhe rroben’ e kuqe. Edhe Pillati u thot’ atyre: “Na njeriu!”
6 Kur panë atë kryepriftërit’ edhe shërbëtorëtë, bërtitnë, tuke thënë: “Kryqëzo-je, kryqëzo-je .” Pillati u thot’ atyre: “Merreni ju, edhe kryqëzojeni; sepse unë nukë gjenj faj tek ay.”
7 Judhenjtë iu përgjeqnë: “Neve kemi nom, edhe pas nomit tënë ay duhetë të vdesë, sepse bëri vetëhen’ e ti të birin’ e Perëndisë.”
8 Atëhere Pillati pra kur dëgjoj këtë fialë, u frikësua më teprë.
9 Edhe hyri përsëri ndë vënt të gjyqit, edhe i thotë Jisujt: “Nga je ti?” Po Jisuj nuk’ i dha të përgjegjurë.
10 Pillati pra i thotë: “Mua nukë më flet? Nuk’ e di ti se unë kam pushtet të të kryqëzonj, edhe kam pushtet të të lëshonj?”
11 Jisuj u përgjeq: “Nukë kishnje asndonjë pushtet mbi mua, të mos të qënëke dhënë së larti; përandaj ay që me ep ndër duar të tua ka më tepërë faj.”
12 Që atëhere Pillati kërkonte ta lëshonte, po Judhenjtë thërrisninë tuke thënë: “Ndë lëshofsh këtë, nukë je miku i Qesarit; gjithëkush që bën vetëhen’ e ti mbëret, flet kundrë Qesarit.”
13 Pillati pra kur dëgjoj këtë fialë, nxori jashtë Jisunë, edhe ndenji mbi front të gjyqit, mbë një vënt që thuhetë Gur shtruarë, edhe Evraisht Gavvatha.
14 Edhe ishte dark’ e pashkësë, edhe afëro gjashtë ora; edhe u thot’ Judhenjvet: “Na mbëreti juaj.”
15 Po ata bërtitnë: “Ngri-e , ngri-e , kryqëzo-je .” Pillati u thot’ atyre: “Mbëretnë tuaj të kryqëzonj?” Kryepriftërit’ u përgjeqnë: “S’kemi tiatërë mbëret veç Qesarit.”
16 Atëhere pra ua dha atyre ndër duar, që të kryqëzonetë. Edhe ata muarnë Jisunë, edhe e shpunë.
17 Edhe tuke mbajturë kryqin’ e ti, dolli nd’atë vënt që thuhetë vëndi Krejt, që Evraisht thuhetë Gollgotha.
18 Atie kryqëzuan’ atë, edhe dy të tierë bashkë me atë atej edhe këtej, edhë Jisunë ndë mest.
19 Pillati shkroj edhe një titllë, edhe e vuri mbi kryqt; edhe ishte shkruarë J i s u
N a z o r e a s i m b ë r e t i i J u d h e n j e t.
20 Edhe këtë titllë e kënduanë shumë vetë prej Judhenjet; sepse ishte afërë qytetit vëndi që u kryqëzua Jisuj. Edhe ishte shkruarë Evraisht, Greqisht, Romanisht.
21 Edhe kryepriftërit’ e Judhenjet pra i thoshinë Pillatit: “Mos shkruaj, Mbëreti Judhenjet, po se ay tha: Jam mbëreti i Judhenjvet.”
22 Pillati u përgjeq: “Atë që shkrova,e shkrova.”
23 Ushtëtorëtë pra, passi kryqëzuanë Jisunë, muarnë rrobet’ e ati, edhe i bënë katrë piesa, për gjithësecilin’ ushtëtuar një piesë, edhe petkunë; edhe petku ishte i paqepurë, endur’ i tërë që së sipërmi.
24 Thanë pra ndër mest të tyre: “Le të mos e grisëmë atë, po të shtiemë shortë për atë, kujt t’i bierë; - që të mbushetë shkronja që thotë: “Ndanë rrobet’ e mia ndër vetëhet të tyre, edhe shtynë shortë mbi petkunë tim.” Ushtëtorëtë pra bënë këto.
25 Edhe ndaj kryqit Jisujt ishinë tuke ndenjurë e ëma edhe e motër’ e s’ëmës’ ati, Maria, gruaja e Kllopajt, edhe Maria Magdhalini.
26 Jisuj pra kur pa t’ëmënë edhe atë nxënësinë që donte tuke ndenjurë përanë, i thotë s’ëmësë: “Grua, na yt bir!”
27 Pastaj i thotë nxënësit: “Na jot ëmë!” Edhe nxënësi që atëhere e mori ndë shtëpit të ti.
28 Pas kësaj Jisuj tuke diturë, se ndashti u mbaruanë të gjitha, që të mbaronetë shkronja, thotë:
29 “Kam et.” Edhe ishte atie një enë plot me uthullë; edhe ata mbushnë një sfungar me uthullë, edhe e vunë mbë një hyssop, e ia prunë ndë gojë.
30 Jisuj pra kur mori uthullënë, tha: “U mbarua”, edhe ungji kryetë, e dha frymënë.
31 Judhenjtë pra, për të mos mbeturë trupetë mbë kryqt për të shëtunë, sepse ishte e premte (sepse ajo dit’ e shëtunë ishte e madhe), iu lutnë Pillatit t’u thyhenë kërcinjt’ e këmbëvet , edhe të ngrihen’ ateje .
32 Erthnë pra ushtëtorëtë, edhe thyenë kërcinjt’ e të parit, edhe ati tietërit që u kryqëzua bashkë me atë.
33 Po kur erthnë te Jisuj, edhe e panë, se tashti kishte vdekurë, nuk’ i thyenë kërcinjtë;
34 Po një nga ushtëtorët’ i shpoj brinjënë me shtijzë, edhe përnjëherë i dolli gjak edhe ujë.
35 Edhe ay që pa martirisi, edhe martiria e ati ësht’ e vërtetë, edhe ay e di se thotë të vërtetënë, që të besoni ju.
36 Sepse këto u bënë që të mbushetë shkronja: “Eshtër nukë do t’i thyhetë.”
37 Edhe përsëri një tiatërë shkronjë: “Do të vështronjën’ atë që shpuanë.”
38 Edhe pastaj Josifi që ishte nga Arimathea (i cili ishte nxënës i Jisujt, po i fshehurë nga frik’ e Judhenjet), iu lut Pillatit që të ngrerë trupin’ e Jisujt, edhe Pillati e la. Erdhi pra edhe ngriti trupin’ e Jisujt.
39 Erdhi edhe Nikodhimi (ay që pat ardhurë përpara te Jisuj natënë), edhe pruri të përzierë mire edhe alloe, sindonja një qint litra.
40 Muarnë pra trupin’ e Jisujt, edhe e pështuallnë me pëlhura bashkë me erërat, sikundrë e kanë zakon Judhenjtë të kllasënë ndë varr.
41 Edhe nd’atë vënt që u kryqëzua ishte një kopësht, edhe ndë kopësht një varr i ri, që nd’ atë nuk’ ishte vënë kurrë asndonjë njeri .
42 Atie pra vunë Jisunë, për të premten’ e Judhenjet, sepse varri ishte afërë.