Çështja e divorcit
(Mk 10.1-12)
1 Pasi mbaroi së treguari këto gjëra, Jezui u largua nga Galilea dhe shkoi në krahinën e Judesë, përtej Jordanit. 2 Atje e ndoqën turma të mëdha dhe ai i shëroi të sëmurët. 3 Disa farisenj shkuan tek ai dhe u munduan ta zinin në kurth duke e pyetur: «A është e lejueshme ta ndash gruan për çfarëdolloj shkaku?». 4 Jezui u përgjigj: «A nuk e keni lexuar se ai që i ka krijuar që nga fillimi i bëri mashkull e femër? ». 5 Dhe tha: «Prandaj burri do ta lërë të atin e të ëmën, për t'u bashkuar me gruan e vet e të dy do të bëhen një trup i vetëm. 6 Kështu, ata nuk janë më dy, por një trup i vetëm. Prandaj, atë që ka bashkuar Perëndia, njeriu të mos e ndajë!». 7 Ata i thanë: «Atëherë, përse urdhëroi Moisiu t'i jepet gruas fletëndarja e të lihet ». 8 Jezui u tha: «Moisiu ju lejoi të ndaheni prej grave tuaja për shkak të ngurtësisë së zemrave tuaja, por në fillim nuk ka qenë kështu. 9 Unë po ju them se kushdo që e ndan gruan e vet, përveç rastit të kurvërisë, dhe martohet me një grua tjetër, bën tradhti bashkëshortore ». 10 Dishepujt i thanë: «Nëse ndodh kështu me një burrë e një grua, atëherë është më mirë të mos martohet njeri». 11 Por ai u tha: «Jo të gjithë mund t'i kuptojnë këto fjalë, por vetëm ata, të cilëve u është dhënë. 12 Ka eunukë që nga lindja dhe ka eunukë të bërë nga njerëzit, por ka edhe eunukë që janë bërë të tillë për shkak të mbretërisë së qiejve. Kush mund të kuptojë, të kuptojë».
Bekimi i fëmijëve
(Mk 10.13-16Lk 18.15-17)
13 Pastaj i sollën disa fëmijë, që të vinte duart mbi ta e të lutej, por dishepujt i qortuan. 14 Atëherë Jezui u tha: «Lërini fëmijët të vijnë tek unë e mos i pengoni, sepse mbretëria e qiejve u përket atyre që janë si ata». 15 Pastaj vuri duart mbi ta dhe u largua që andej.
Djaloshi i pasur
(Mk 10.17-31Lk 18.18-30)
16 Dikush erdhi te Jezui e i tha: «Mësues, ç'të mirë duhet të bëj që të kem jetën e amshuar?». 17 Jezui i tha: «Përse më pyet për të mirën ? Vetëm njëri është i mirë. Nëse dëshiron të hysh në jetën e amshuar, zbato urdhërimet». 18 Ai i tha: «Cilat?». Jezui iu përgjigj: «Mos vrit, mos bëj tradhti bashkëshortore, mos vidh, mos bëj dëshmi të rreme, 19 ndero atin tënd e nënën tënde dhe duaje të afërtin si veten !». 20 Djaloshi i tha: «Të gjitha këto i kam bërë . Ç'më mungon ende?». 21 Jezui i tha: «Nëse dëshiron të jesh i përsosur, shko, shit çfarë ke, jepua të varfërve e do të kesh një thesar në qiell. Pastaj eja e më ndiq!». 22 Kur e dëgjoi këtë gjë, djaloshi u largua i trishtuar, se kishte shumë pasuri. 23 Jezui u tha dishepujve të vet: «Me të vërtetë po ju them se i pasuri do ta ketë të vështirë të hyjë në mbretërinë e qiejve. 24 Po ju them edhe se është më e lehtë të kalojë një deve nëpër vrimën e gjilpërës, sesa të hyjë një i pasur në mbretërinë e Perëndisë». 25 Kur e dëgjuan këtë gjë, dishepujt mbetën shumë të habitur e thanë: «Po atëherë, kush do të mund të shpëtohet?». 26 Jezui i vështroi e u tha: «Kjo është e pamundur për njerëzit, por për Perëndinë gjithçka është e mundur».
27 Atëherë Pjetri i tha: «Ja, ne lamë gjithçka dhe erdhëm pas teje. Po me ne ç'do të bëhet?». 28 Jezui u tha: «Me të vërtetë po ju them se në krijimin e ri, kur Biri i njeriut të ulet në fronin e tij të lavdishëm, ju që keni ardhur pas meje do të uleni në dymbëdhjetë frone për të gjykuar dymbëdhjetë fiset e Izraelit. 29 Dhe kushdo që ka lënë shtëpi, vëllezër a motra, atë a nënë, fëmijë ose ara për hir të emrit tim, do t'i marrë njëqindfish e do të trashëgojë jetën e amshuar. 30 Por shumë nga ata që janë të parët do të jenë të fundit dhe të fundit do të jenë të parët».
1 Edhe Jisuj kur mbaroj këto fialë, u ngrit nga Galilea, edhe erdhi ndë sinoret të Judhesë, përtej Jordhanit.
2 Edhe i vanë pas ati shumë gjëndëje; edhe i shëroj ata atie.
3 Edhe erthnë tek ay Farisejtë tuke ngarë atë, e tuke thënë ati: “Ndë i ësht’ e udhësë njeriut të lëshonjë gruan’e ti për çdo farë shkaku?
4 Edhe ay u përgjeq e u tha atyre: “Nukë keni kënduarë, se ay që bëri ata që ndë kryet të herësë, i bëri ata mashkull edhe femërë?
5 Edhe tha: “Për këtë punë njeriu do të lërë t’atën’ e t’ëmënë, edhe do të ngjitetë pas gruasë ti, edhe të dy do të jenë një mish”.
6 Kaqë sa nukë janë me dy, po një mish. Atë pra që Perëndia e bëri parë, njeriu le të mos e ndanjë.”
7 I thon’ati: “Përse pra Mojsiu ka porositurë t’i epetë kart’ e ndariesë, edhe ta lëshonjë?”
8 U thot’ atyre: “Sepse Mojsiu ua la juve të lëshoni gratë tuaja për zemër-ashpërënë tuaj tuaj; po ndë kryet të herësë s’ka qënë kështu.
9 Edhe po u them juve, se ay që të lëshonjë gruan’ e ti, përveç për punë kurvërie, edhe të martonetë me tiatërë, kurvëron; edhe ay që të martonetë me grua të lëshuarë, kurvëron.”
10 Nxënësit’ e ti i thonë: “Ndë qoftë kështu pun’ e njeriut me gruanë, nuk’ është mirë të martonetë.”
11 Edhe ay u thot’ atyre: “Nukë munt ta kupëtonjënë këtë fialë të gjithë, po atyreve që u është dhënë.
12 Sepse ka të dredhurë që kanë lindurë kështu që nga barku i s’ëmësë, edhe ka të dredhurë që u drothnë nga njerëzitë; edhe ka të dredhurë që drothnë vetëhen’ e tyre për mbëretërin’e qiejevet. Ay që munt ta kupëtonjë këtë le ta kupëtonjë.
13 Atëhere i prun’ati ca çuna të vegjëlë, që të vërë duartë përmbi ata, e t’i bekonjë; edhe nxënësitë i qërtuanë.
14 Po Jisuj tha: “Lini çunat’ e vegjëlë, edhe mos i ndalni të vinjënë tek unë; sepse për të tillë është mbëretëri’e qiejevet.”
15 Edhe si vuri duartë mbi ata, iku andej.
16 Edhe ja tek i erdhi përanë një njeri, e i tha: “Mësonjës i mirë, ç’të mirë të bënj që të kem jetë të pasosurë?”
17 Edhe ay i tha: “Ç’më thua i mirë? Asndonjë s’ësht’ i mirë veç një, Perëndia. Po ndë do të hynjç ndë jetët, ruaj porositë.”
18 I thot’ ai: “Cilatë?” Edhe Jisuj i tha këto: “Mos vraç; mos kurvëronjç; mos viethç; mos apç martiri të rreme.
19 Ndero tët at’ e tët ëmë”; edhe “Të duaç t’afërminë tënt posi vetëhenë tënde.”
20 Dialoshi i thot’ ati: “Të gjitha këto i kam ruajturë që mbë të rit tim; po ç’më mbetetë më?”
21 Jisuj i tha ati: “Ndë do të bëneç’ i sosurë, shko e shit gjënë tënde, edhe epua të vobeqvet; edhe do të kesh thesar ndë qiell, edhe eja, e ngjitmu pas.
22 Po dialoshi kur dëgjoj këtë fialë, iku i helmuarë, sepse kishte shumë gjë.
23 Edhe Jisuj u tha nxënësëvet ti: “Me të vërtetë po u them juve, se njeriu i pasurë mezi do të hynjë ndë mbëretërit të qiejevet.
24 Edhe përsëri po u them juve: Më kollaj është të shkonjë gamileja ndëpër vrimët të gjylpërësë, se të hyjnë i pasuri ndë mbëretërit të Perëndisë.”
25 Edhe nxënësit’ e ti, kur dëgjuanë, tmeroneshinë fort, e thoshinë: “Vallë cili munt të shpëtonjë?”
26 Po Jisuj shtyri sytë mb’ ata e u tha atyre: “Te njerëzitë këjo është punë që s’munt të bënetë, po te Perëndia të gjitha munt të bënenë .”
27 Atëhere u përgjeq Pietri e i tha ati: “Ja ne tek lam të gjitha, edhe erthmë prapa teje; vallë ç’do të jetë mbë ne?”
28 Edhe Jisuj u tha atyre: “Me të vërtetë po u them juve, se ju që më erthtë pas, ndë krijesët të re, kur të rrijë i Bir’ i njeriut mbi fron të lavdisë ti, do të rrini edhe ju mbë dy-mbë-dhietë frone, tuke gjykuarë të dy-mbë-dhietë farat’ e Israilit.
29 Edhe kushdo që la shtëpi, a vëllezërë, a motëra, a atë, a ëmë, a grua, a bij, a ara, për punë t’emërit tim, do të marrë një qint për një, edhe do të trashëgonjë jetë të pasosurë.
30 Po shumë të parë do të jenë të prapsëm, edhe të prapsëm të parë.