Shërbëtori i pandershëm
1 Pastaj Jezui u tha dishepujve të vet: «Një i kamur kishte për kujdestar të pasurisë një njeri, të cilin e paditi se i shpërdoronte pasurinë. 2 Atëherë ai e thirri e i tha: “Ç'është kjo që po dëgjoj për ty? Më jep llogari për punën tënde, se nuk mund të jesh më kujdestar i pasurisë”. 3 Kujdestari tha me vete: “Zotëria im do të ma heqë kujdestarinë. Ç'të bëj? Të gërmoj nuk kam fuqi, të lyp kam turp. 4 E di se çfarë do të bëj që kur të më heqin si kujdestar, njerëzit të më pranojnë në shtëpitë e tyre”. 5 Kështu i thirri një nga një huamarrësit e zotërisë së vet e i tha të parit: “Sa i detyrohesh zotërisë tim?”. 6 Ai i tha: “Njëqind masa vaj”. Kujdestari i tha: “Ja, merre shkresën, ulu menjëherë e shkruaj pesëdhjetë”. 7 Pastaj pyeti një tjetër: “Po ti, sa i detyrohesh?”. Ai u përgjigj: “Njëqind masa drithë”. Kujdestari i tha: “Ja, merre shkresën e shkruaj tetëdhjetë”. 8 Dhe zotëria i tij e lavdëroi kujdestarin e pandershëm, se kishte vepruar me zgjuarsi.
Bijtë e kësaj bote janë më të zgjuar se bijtë e dritës në marrëdhënie me njëri-tjetrin.
9 Dhe unë po ju them: bëni miq me anë të pasurive të padrejta, që pasi të mbarojë pasuria, t'ju pranojnë në banesat e tyre të amshuara. 10 Kush është besnik në pak, është besnik edhe në shumë e kush është i pandershëm në pak, është i pandershëm edhe në shumë. 11 Nëse nuk keni qenë besnikë në pasuritë e pandershme, kush do t'jua besojë pasuritë e vërteta? 12 Dhe nëse nuk keni qenë besnikë në atë që i përket dikujt tjetër, kush do t'jua japë atë që është juaja?
13 Asnjë shërbëtor nuk mund t'u shërbejë dy zotërinjve. Ai ose do të urrejë njërin e do të dojë tjetrin, ose do të jepet pas njërit e do të lërë pas dore tjetrin. Nuk mund t'i shërbeni edhe Perëndisë, edhe parasë».
Ligji dhe mbretëria
(Mt 11.12-13)
14 Farisenjtë, që janë lakmitarë parash, dëgjonin gjithçka dhe e përqeshnin Jezuin. 15 Atëherë ai u tha: «Ju jeni ata që para njerëzve shfaqeni si të drejtë, por Perëndia i njeh zemrat tuaja. Megjithatë, ajo që është e madhërishme për njerëzit, për Perëndinë është fundërrinë.
16 Ligji e profetët ishin deri te Gjoni. Pastaj u shpall ungjilli i mbretërisë së Perëndisë dhe të gjithë mundohen ta fitojnë atë me përpjekje të mëdha . 17 Megjithatë, është më e lehtë që të kalojnë qielli e toka, sesa t'i hiqet ligjit qoftë edhe një pikë.
18 Kushdo që e ndan gruan e vet e martohet me një tjetër, bën tradhti bashkëshortore dhe kushdo që martohet me një grua të ndarë, bën tradhti bashkëshortore».
Lazari dhe pasaniku
19 «Ishte një njeri i pasur që vishej me rroba purpuri e liri të çmueshëm e jetonte çdo ditë në kamje. 20 Te dera e tij rrinte një i varfër me emrin Lazar. Ai ishte i mbuluar me plagë 21 dhe dëshironte të ngopej me thërrimet që binin nga tryeza e pasanikut. Edhe qentë vinin e i lëpinin plagët. 22 I varfri vdiq dhe engjëjt e çuan të rrinte me Abrahamin. Edhe pasaniku vdiq e u varros. 23 Në skëterrë, ku po vuante torturat, ngriti sytë e pa diku larg Abrahamin me Lazarin përbri. 24 Atëherë tha me zë të lartë: “Atë Abraham, ki mëshirë për mua e dërgoje Lazarin ta ngjyejë gishtin në ujë e të më freskojë gjuhën, se këto flakë po më mundojnë”. 25 Por Abrahami i tha: “Biri im, kujtohu se ti i more të mirat e tua gjatë jetës sate, ndërsa Lazari mori të këqijat. Tani ky gëzon këtu, ndërsa ti vuan. 26 Pastaj, midis jush e nesh është caktuar një hendek i madh, në mënyrë që ata që do të donin të kalonin që këndej te ju, të mos munden dhe askush nuk mund të kalojë që andej te ne”. 27 Pasaniku i tha: “Atëherë, o atë, po të lutem ta dërgosh te shtëpia e tim eti, 28 se kam pesë vëllezër. Le t'i paralajmërojë që të mos vijnë edhe ata në këtë vend mundimesh”. 29 Abrahami u përgjigj: “Kanë Moisiun e profetët. Ata duhet të dëgjojnë”. 30 Ai tha: “Jo, atë Abraham, por nëse shkon dikush nga të vdekurit, do të pendohen”. 31 Abrahami i tha: “Nëse nuk dëgjojnë Moisiun e profetët, atëherë nuk do të binden edhe sikur dikush të ngjallet prej të vdekurve”».
1 U thoshte edhe nxënëset ti:
“Ishte një njeri i pasurë që kishte një qivernitar; edhe i kallëzuanë keq për atë , se shpërndan gjën’ e ati.
2 Edhe ay e thirri e i tha: Ç’është këjo që ndigjonj për ty? Ep llogarin’ e qivernisë sate; sepse nukë do të munç më të qiverniç.
3 Atëhere qivernitari tha me vetëhen’ e ti: Ç’do të bënj, se im zot po më heq nga qivernia? Të rëmonj nukë munt, të lypënj kam turp.
4 U kujtuash ç’të bënj, që të më presënë ndëpër shtëpit të tyre, kur të hiqem nga qivernia.
5 Edhe thirri përanë një nga një detorët’ e të zot, e i thoshte të parit: Sa detyrë i ke tim zot?
6 Edhe ay tha: Një qint bucela vaji. Edhe ay i tha: Merr kartënë tënde, edhe rri e shkruaj shpejt pesë-dhietë.
7 Pastaj i tha një tietri: Po ti sa detyrë i ke? Edhe ay tha: Një qint matësa gruri. I thot’ edhe ati: Merr kartënë tënde, edhe shkruaj tetë-dhietë.
8 Edhe i zoti e lavdoj qivernitarin’ e paudhë, sepse punoj me mënt; sepse të bijt’ e kësaj jete janë më të mënçim ndë brest të tyre, se të bijt’ e dritësë.
9 Edhe unë po u them juve: Ziri miq për vetëhenë tuaj nga mamonaj paudhërisë, që t’u presënë juve ndë tendat të jetësë pasosurë, kur të ngrihi së këtejmi.
10 Ay që është besëtar mbë të pakënë, është besëtar edhe mbë të shumënë, edhe ay që është i paudhë mbë të pakënë, është i paudhë edhe mbë të shumënë.
11 Ndë qoftë pra se s’u bëtë besetarë mbë të paudhinë mamona, kush do t’u zërë besë juve për të vërtetënë gjë?
12 Edhe ndë qoftë, se nuk’ u bëtë besëtarë mbë të huajënë, kush do t’u apë juve tuajënë?
13 Asndonjë shërbëtor nukë munt t’u shërbenjë dy zotërive; sepse a njërinë do t’e mërzitnjë, edhe tiatrinë do t’e dojë; a pas njërit do të ngjitetë, edhe tiatrinë do t’e hedhë tej. Nukë muntni t’i shërbeni Perëndisë edhe mamonajt.”
14 Edhe Farisenjtë që ishinë dorë-shtrenjtë ndigjoninë këto të gjitha, edhe e përqeshinë.
15 Edhe ay u tha atyre: Ju jeni ata që nxirni vetëhenë tuaj të drejtë përpara njerëzish; po Perëndia njeh zemratë tuaja; sepse ajo gjë që ësht’ e lartë ndër njerëzit, përpara Perëndisë ësht’ e ndyrë.
16 Nomi edhe profitëtë kanë qënë gjer ndë kohët të Joannit; që atëhere epetë zër’ i mirë për mbëretërin’ e Perëndisë, edhe gjithësecili nxitonetë të hynjë nd’atë.
17 Edhe më kollaj është të shkonjë qielli edhe dheu, se të bierë poshtë një pikë nga nomi.
18 Kushdo që lëshon gruan’ e ti, edhe martonetë me një tiatrë, kurvëron; edhe kushdo që martonetë me grua të lëshuarë prej burrit, kurvëron.
19 Edhe një njeri ishte i pasurë, edhe vishej me porfirë e me stoli të kuqe, tuke gëzuarë përditë ndriçim.
20 Ishte edhe një i vobek që e kish emrinë Llazar, i cili dergjej përanë derës’ ati plot me plagë.
21 Edhe dëshëronte të nginjej me thërrimetë që bijnë nga truvez’ e të pasurit; po edhe qentë vininë e lëpininë plagët’ e ati.
22 Edhe ay i vobeku vdiq, edhe u pru nga ëngjëjtë ndë gjit të Avraamit. Vdiq edhe i pasuri, edhe u kall ndë varr.
23 Edhe ndë hadhë atie ku ishte ndër mundime, ngriti syt’ e ti, e sheh Avraamnë prej së largu, edhe Llazarinë ndë gjit t’ati.
24 Edhe ay thërriti e tha: “O atë Avraam, përdëlle-më, edhe dërgo Llazarinë, që të ngjyenjë majën’ e gishtit të ti ndë ujë, edhe të më ftohnjë gjjuhënë, sepse po mundonem ndë këtë flakë.”
25 Po Avraami i tha: “O dialë, kujtonu, se ti more të mirat’ e tua ndë jetët tënde, edhe Llazari kështu mori të këqiatë; edhe tashti kyj prëhetë, e ti mundone.
26 Edhe mbi gjithë këto, ndërmest jush e nesh është ngulurë një gropë e madhe, që të mos muntnjën’ ata që duanë të shkonjënë së këtejmi ndër ju, as ata që duanë të shkonjënë së andejmi ndër ne.”
27 Edhe ay tha: “Të lutem pra, o atë, të dërgonjç atë ndë shtëpit të tim et;
28 Sepse kam pesë vëllezërë, që t’u rrëfenjë atyre, të mos vinjën’ edhe ata ndë këtë vënt të mundimit.”
29 Avraami i thotë: “Kanë Mojsinë edhe profitëtë; le t’u ndigjonjën’ atyre.”
30 Edhe ay tha: “Jo, o atë Avraam; po ndë vaftë ndonjë nga të vdekuritë tek ata, do të pendonenë.”
31 Edhe ay i tha: “Ndë qoftë se nukë ndigjonjënë Mojsinë edhe profitëtë, as ndë u ngjalltë ndonjë nga të vdekuritë, s’kanë për të zënë besë.”