Dhurata e vejushës
(Mk 12.41-44)
1 Jezui ngriti sytë dhe pa të pasurit tek hidhnin dhuratat e tyre në thesar. 2 Ai pa edhe një vejushë të varfër që hodhi dy monedha të vogla bakri 3 e tha: «Me të vërtetë po ju them se kjo vejushë e varfër ka hedhur më shumë se ata të gjithë, 4 sepse ata hodhën nga tepricat e tyre te dhuratat e thesarit, ndërsa ajo dha nga varfëria e saj gjithçka që kishte për të jetuar».
Parathënia e shkatërrimit të tempullit
(Mt 24.1-2Mk 13.1-2)
5 Kur disa po flisnin për tempullin, sesi ishte i stolisur me gurë të bukur dhe i zbukuruar me dhurata kushtuar Perëndisë, Jezui tha: 6 «Do të vijnë ditë kur, nga këto që po shihni, nuk do të mbesë gur mbi gur pa u rrëzuar».
Shenjat dhe përndjekjet
(Mt 24.3-14Mk 13.3-13)
7 Atëherë e pyetën Jezuin: «Mësues, kur do të ndodhin këto gjëra dhe cila do të jetë shenja se ato po ndodhin?». 8 Ai tha: «Hapni sytë se mos ju mashtrojnë, sepse do të vijnë shumë veta në emrin tim e do të thonë: “Jam unë” ose: “U afrua koha”. Mos shkoni pas tyre. 9 Kur të dëgjoni për luftra e trazira, mos u tmerroni, sepse këto gjëra duhet të ndodhin më parë, por prapë fundi nuk do të vijë menjëherë».
10 Pastaj u tha: «Një komb do të ngrihet kundër një kombi dhe një mbretëri kundër një mbretërie. 11 Do të bien tërmete të mëdha e në disa vende do të ketë zi buke e murtaja. Do të ketë edhe dukuri të frikshme e shenja të mëdha nga qielli, 12 por para se të ndodhin të gjitha këto, do t'ju kapin e do t'ju përndjekin. Do t'ju dorëzojnë nëpër sinagoga e nëpër burgje dhe do t'ju çojnë para mbretërve e qeveritarëve për shkak të emrit tim. 13 Kështu do të mund të dëshmoni. 14 Jini të vendosur e mos u parapërgatitni për vetëmbrojtjen tuaj, 15 sepse unë do t'ju jap zotësinë për të folur dhe një urti të tillë saqë askush nga kundërshtarët tuaj nuk do t'i bëjë ballë e nuk do ta kundërshtojë dot. 16 Deri edhe prindërit e vëllezërit, të afërmit e miqtë do t'ju tradhtojnë e do të vrasin disa prej jush. 17 Të gjithë do t'ju urrejnë për shkak të emrit tim, 18 por asnjë fije floku nuk do t'ju bjerë nga koka. 19 Me qëndresën tuaj do të fitoni shpirtrat tuaj».
Paralajmërimi i shkatërrimit të Jerusalemit
(Mt 24.15-21Mk 13.14-19)
20 «Kur ta shihni Jerusalemin të rrethuar nga ushtritë, atëherë dijeni se shkretimi i tij është afër. 21 Kështu, ata që janë në Jude të arratisen maleve, ata që janë në Jerusalem të dalin jashtë tij dhe ata që janë nëpër fshatra të mos hyjnë në Jerusalem, 22 sepse këto janë ditët e shpagimit, në të cilat do të plotësohet çfarë është shkruar. 23 Mjerë gratë shtatzëna dhe ato që mëkojnë fëmijë në ato ditë, se do të bjerë mjerim i madh mbi tokë dhe zemërim kundër këtij populli! 24 Ata do të bien nga tehu i shpatës e do të bëhen robër ndër të gjithë kombet dhe Jerusalemi do të shkelet nga kombet, derisa t'u mbarojë koha kombeve».
Ardhja e Birit të njeriut
(Mt 24.29-31Mk 13.24-27)
25 «Do të ketë shenja në diell, në hënë e në yje. Në tokë kombet do t'i zërë tmerri e ankthi nga buçima e detit dhe e valëve. 26 Njerëzit për pak sa nuk do të vdesin nga frika dhe nga pritja e asaj që është duke rënë mbi botën, sepse pushtetet qiellore do të tranden. 27 Atëherë do të shohin Birin e njeriut duke ardhur mbi re me pushtet e me lavdi të madhe. 28 Kur të fillojnë të ndodhin këto gjëra, ngrihuni e ngrijeni kokën, se shpengimi juaj është afër».
Mësimi nga fiku
(Mt 24.32-35Mk 13.28-31)
29 Pastaj Jezui u tregoi një shëmbëlltyrë: «Shikoni fikun e të gjitha pemët. 30 Sapo të shihni se kanë nxjerrë sytha, ju e dini se po afrohet vera. 31 Kështu edhe ju, kur të shihni se po ndodhin këto gjëra, ta dini se mbretëria e Perëndisë është afër. 32 Me të vërtetë po ju them se kjo brezni nuk do të kalojë pa ndodhur të gjitha këto gjëra. 33 Qielli e toka do të kalojnë, por fjalët e mia nuk do të kalojnë».
Jini syçelët
34 «Ruhuni që të mos ju rëndohen zemrat nëpër shfrenitë, dehjet dhe ankthet e kësaj jete e të mos ju kapë në befasi ajo ditë, 35 si të ishte një kurth. Ajo do të bjerë mbi të gjithë ata që jetojnë në mbarë faqen e dheut. 36 Prandaj jini të vëmendshëm gjatë gjithë kohës e lutuni që të mund t'u ikni të gjitha këtyre gjërave që do të ndodhin e që të mund të qëndroni para Birit të njeriut».
37 Gjatë ditës Jezui mësonte njerëzit në tempull, ndërsa natën e kalonte në një vend që quhej mali i Ullinjve. 38 Gjithë populli zgjohej herët në mëngjes për të dëgjuar Jezuin në tempull.
1 Edhe shtyri syt’ e pa të pasuritë që hidhinë dhuratat’ e tyre ndë kutit të elejmosinavet.
2 Pa edhe një grua të ve edhe të vobektë tuke hedhur’ atie dy të imëta, edhe tha:
3 “Për të vërtetë po u them juve, se këjo gruaja e ve edhe e vobektë hodhi më shumë se të gjithë;
4 Sepse gjithë këta hothnë te dhuratat’ e Perëndisë prej së teprësë tyre, po këjo hodhi gjithë gjënë që pat prej së mbaruarësë.”
5 Edhe disa kur thoshinë për hierorenë, se është e stolisurë me gurë të bukur’ e me dhurata, tha:
6 “Këto që viri re, do të vinjënë dit, që ndër ato nukë do të mbetetë gur mbi gur, që të mos rrëzonetë.”
7 Edhe e pyetnë, tuke thënë: “Mësonjës, kurë pra do të bënenë këto? Edhe ç’shenjë do të jetë , kur të bënenë këto?”
8 Edhe ay tha: “Shikoni të mos gënjehi; sepse shumë vetë do të vinjënë mb’ emërit tim, tuke thënë, se: Unë jam; edhe: Koha u afrua.
9 Mos shkoni pra prapa atyreve. Edhe kur të ndigjoni luftëra e trazyra, mos u frikësoni; sepse këto duhetë të bënenë më përpara; po nuk’ është përnjëherë të mbaruarëtë.”
10 Atëhere u thoshte atyre: Do të ngrihetë komp kundrë kombi, edhe mbëretëri kundrë mbëretërie;
11 Edhe do të bënenë tërmete të mëdhenj vënde mbë vënde, edhe zira e murtaja, edhe do të jenë frika e shenje të mëdha prej qiellit.
12 Po para gjithë këtyreve do të vënë duart’ e tyre mbi ju, edhe do t’u ndiekënë, e do t’u apënë ndër duar ndëpër sinagogji e ndëpër burgje, tuke prurë juve ndëpër mbëretër’ e ndëpër qivernitarë për punët t’emërit tim.
13 Edhe këjo do t’u gjanjë juve për martiri.
14 Viri pra ndë zëmërat tuaja, mos viri ndër mënt përpara me ç’fialë të epni;
15 Sepse unë do t’u ap juve gojë e dituri, që nukë do të muntnjënë të flasënë kundrë, as të dalënë kundrë gjith’ arëmiqtë tuaj.
16 Edhe do të epi ndë dorë edhe prej përinç e prej vëllezërish e prej njerëzish tuaj e prej miqsh; edhe do të vrasënë disa prej jush.
17 Edhe të gjithë do t’u kenë mëri për emrinë tim;
18 Po asnjë qime floku prej kresë tuaj nukë do të humbetë.
19 Me durimnë tuaj do të fitoni shpirtetë tuaj.
20 Edhe kur të shihni Jerusalimënë rrethuarë prej ushtërive, atëhere merrni vesh se u afrua shkretim’ i asaj.
21 Atëhere ata që të jenë ndë Judhe, le të ikënjënë ndëpër malet; edhe ata që të jenë brënda nd’ atë, le të dalënë jashtë; edhe ata që të jenë ndëpër fshatëra, le të mos hynjënë brënda nd’ atë.
22 Sepse ato janë dit shpagimi, që të mbushenë gjith’ ato që janë shkruarë.
23 Edhe mier ato gra që janë me barrë, e që kanë foshnjë mbë gji nd’ ato dit! Sepse do të jetë shtrëngim i math ndë dhet, edhe zemërim mbë këtë llaus.
24 Edhe do të bijenë ndëpër gojë të thikësë, edhe do të skllavosenë ndëpër gjithë kombet; edhe Jerusalima do të shkeletë prej kombesh, gjersa të mbushenë kohërat’ e kombevet.
25 Edhe do të jenë shenjë ndë diellë e ndë hënë e ndë yje; edhe mbi dhet shtrëngim kombesh tuke vrarë mëndëjenë; edhe do të gjëmonjë deti edhe valëtë.
26 Njerëzet do t’u dalë shpirti nga frika e nga të priturit të vështiravet që vinë siprë botësë; sepse fuqiat’ e qijevet do të tundenë.
27 Edhe atëherë do të shohënë të birin’ e njeriut tuke ardhurë ndë ret me fuqi e me lavdi të madhe.
28 Edhe këto kur të zënë të bënenë, ngrini krerëtë tuaj e shihni; sepse po afronetë shpërblimi juaj.”
29 Edhe u tha atyre një paravoli: “Shihni drurin’ e fikut edhe gjithë drunjtë.
30 Tashti kur të çelenë, shihni e merrni vesh me vetëvetëhenë, se tashti vera ësht’ afërë.
31 Kështu edhe ju, kur të shihni këto se bënenë, ta dini, se mbëretëria e Perëndisë ësht’ afërë.
32 Vërtetë po u them juve, se kyj bres s’do të shkonjë, gjersa të bënenë të gjitha këto.
33 Qielli edhe dheu do të shkonjënë, po fialët’ e mia nukë do të shkonjënë.
34 Edhe viri re vetëhenë tuaj, se mos u rëndonenë zëmratë tuaja prej kresë rëndë e prej të dejturit e prej kujdesesh jetësë, e të vinjë përsipërë jush pa priturë ajo ditë.
35 Sepse posi lak do të vinjë siprë gjith’ atyre që rrinë mbi faqen’ e gjithë dheut.
36 Rrini squarë pra tuke luturë mbë çdo kohë, që të bëneni të zotëritë të ikëni prej gjith’ atyreve që do të bënenë, edhe të rrini përpara të birit njeriut.”
37 Edhe ditën’ ay mësonte ndë hieroret, edhe natënë dilte jashtë, e shkonte natënë ndë mal që qjuhetë i Ullinjet.
38 Edhe gjithë llauzi vinte që me natë tek ay ndë hieroret për të ndigjuar’ atë.