Për shkatërrimin e tempullit
(Mt 24.1-2Lk 21.5-6)
1 Kur dolën nga tempulli, njëri prej dishepujve i tha: «Mësues, shiko ç'gurë e ç'ndërtesa!». 2 Jezui i tha: «A i sheh këto ndërtesa të mëdha? Nuk do të mbesë gur mbi gur pa u rrëzuar».
Fillimi i fundit
(Mt 24.3-14Lk 21.7-19)
3 Kur u ul në malin e Ullinjve përballë tempullit, Pjetri, Jakobi, Gjoni e Andrea e pyetën Jezuin veçmas: 4 «Na thuaj, kur do të ndodhin këto gjëra dhe cila do të jetë shenja se të gjitha ato do të përmbushen?». 5 Atëherë Jezui filloi t'u thoshte: «Hapni sytë se mos ju mashtron njeri. 6 Shumë veta do të vijnë në emrin tim e do të thonë: “Unë jam Krishti” e do të mashtrojnë shumë njerëz.
7 Kur të dëgjoni për luftra e lajme luftrash, mos u tronditni. Këto duhet të ndodhin, por ky nuk do të jetë ende fundi. 8 Një komb do të ngrihet kundër një kombi dhe një mbretëri kundër një mbretërie. Në disa vende do të ketë tërmete e zi buke . Ky do të jetë fillimi i dhimbjeve të lindjes. 9 Por kini kujdes për veten, se do t'ju dorëzojnë nëpër sinedra e do t'ju rrahin nëpër sinagoga. Për shkakun tim do t'ju nxjerrin të dëshmoni para princave e mbretërve. 10 Por më parë ungjilli duhet t'u predikohet të gjitha kombeve. 11 Kur t'ju dorëzojnë, mos u shqetësoni se çfarë do të thoni, por thoni çfarë t'ju jepet në atë çast, se nuk do të jeni ju ata që flisni, por Shpirti i shenjtë.
12 Vëllai do ta dorëzojë vëllanë, që ta dënojnë me vdekje dhe ati të birin. Bijtë do të ngrihen kundër prindërve e do t'i çojnë drejt vdekjes. 13 Të gjithë do t'ju urrejnë për shkak të emrit tim, por ai që do të qëndrojë deri në fund, do të shpëtohet».
Shkretimi i madh
(Mt 24.15-28Lk 21.20-24)
14 «Por kur të shihni tmerrin e shkretimit që qëndron atje ku nuk i takon, “kush lexon le ta kuptojë”, atëherë ata që janë në Jude le të arratisen maleve. 15 Ai që do të ndodhet mbi çati, të mos zbresë e të mos hyjë brenda për të marrë gjë nga shtëpia e tij! 16 Ai që do të jetë në arë, të mos kthehet prapa për të marrë gunën! 17 Mjerë gratë shtatzëna dhe ato që mëkojnë fëmijë në ato ditë! 18 Lutuni që kjo të mos ndodhë në dimër, 19 sepse në ato ditë do të bjerë një mjerim i paparë ndonjëherë deri më sot, që kur Perëndia krijoi gjithçka, e të tillë mjerim nuk do të ketë më kurrë. 20 Po të mos i kishte shkurtuar Zoti ato ditë, nuk do të shpëtonte asnjeri, por për hir të atyre që ka zgjedhur, ai i shkurtoi ato ditë. 21 Nëse dikush ju thotë: “Ja ku është Krishti!” ose: “Ja, është këtu!”, mos i besoni. 22 Do të dalin krishtë të rremë e profetë të rremë që do të bëjnë shenja e mrekulli, që mundësisht të mashtrojnë edhe të zgjedhurit. 23 Por kini kujdes! Unë ju paralajmërova për të gjitha».
Ardhja e Birit të njeriut
(Mt 24.29-31Lk 21.25-28)
24 «Në ato ditë, pas pikëllimit,
dielli do të errësohet
e hëna nuk do të ndriçojë.
25 Yjet do të bien nga qielli
e pushtetet që janë në qiell
do të tranden.
26 Pastaj do të shohin Birin e njeriut duke ardhur mbi re me pushtet të madh e me lavdi. 27 Atëherë ai do të dërgojë engjëjt e do të mbledhë të zgjedhurit e tij nga të katër anët, prej skajeve të dheut deri te skajet e qiellit».
Shëmbëlltyra e fikut
(Mt 24.32-35Lk 21.29-33)
28 «Mësoni nga shëmbëlltyra e fikut. Sapo dega e tij bëhet e njomë e nxjerr gjethe, ju e dini se po afrohet vera. 29 Kështu edhe ju, kur të shihni se po ndodhin këto gjëra, ta dini se fundi është afër, te dera. 30 Me të vërtetë po ju them se kjo brezni nuk do të kalojë pa ndodhur të gjitha këto gjëra. 31 Qielli e toka do të kalojnë, por fjalët e mia nuk do të kalojnë».
Dita dhe ora
(Mt 24.36-44Lk 19.12-20)
32 «Askush nuk e di atë ditë apo atë orë. As engjëjt në qiell, as Biri, por vetëm Ati. 33 Kini kujdes e rrini zgjuar , se nuk e dini kur do të vijë koha. 34 Kjo është si puna e atij njeriut që niset për rrugë. Ai largohet nga shtëpia, i cakton secilit shërbëtor punën e vet dhe e urdhëron rojtarin e derës të rrijë zgjuar. 35 Prandaj rrini zgjuar, se nuk e dini kur do të vijë i zoti i shtëpisë, në mbrëmje a në mesnatë, në agim a në mëngjes, 36 që nëse vjen befasisht, të mos ju gjejë në gjumë. 37 Atë që ju them juve, ua them të gjithëve: rrini zgjuar!».
1 Edhe ay tuke dalurë nga hieroreja, i thotë një nga nxënësit’e ti: “Mësonjës, shih çfarë gurësh të mëdhej, edhe çfarë ndërtesash të mëdha!”
2 Edhe Jisuj u përgjeq, e i tha: “Sheh këto ndërtesa të mëdha? Nukë do të mbesë gur mbi gur që nukë do të rrëzonetë.”
3 Pastaj ay duke ndenjurë ndë Mal të Ullinjet, kundruell hieroresë, Pietri edhe Jakovi edhe Joanni edhe Andhreu e pyesninë veçanë:
4 “Thuajna, kurë do të bënenë këto, edhe ç’shenjë do të jetë , kur do të mbaronenë këto të gjitha?”
5 Edhe Jisuj, tuke përgjegjurë, zuri t’u thot’ atyre: “Vëni re mos u gënjejë ndonjë juve.
6 Sepse shumë vetë do të vinë mb’emërit tim, tuke thënë, se: “Unë jam”; edhe do të gënjejënë shumë vetë.
7 Edhe kur të dëgjoni luftëra, edhe zëra luftërash, mos u frikësoni; sepse duhetë të bënenë këto , po edhe nuk’ ësht’ e pastajmeja.
8 Sepse do të ngrihetë komp kundrë kombi, edhe mbëretëri kundrë mbëretërie; edhe do të bënenë tërmetëra vënde mbë vënde, edhe do të bënenë zira për bukë e trazyra. Këto janë të nisurit’ e të dhëmburavet.
9 Po ju vështroni vetëhenë tuaj, sepse do t’u apënë juve ndër duar ndëpër bashkëndenje, e ndëpër sinagogjia; do të rriheni, e do të rrini përpara qivernitarëve e mbëretërave për punë time, për martiri mb’ata.
10 Edhe duhetë të leçitet’ ungjilli më përpara ndëpër gjithë kombet.
11 Edhe kur t’u shpienë që t’u apënë juve ndër duar, mos kini kujdes përpara, se ç’keni për të folurë, as mos shkoni ndër mënt; po ç’t’u epetë juve nd’atë orë, këtë flisni; sepse s’jeni ju ata që flisni, po Frym’ e Shënjtëruarë.
12 Edhe i vëllaj do t’ apë ndër duar të vëllanë për vdekëje, edhe i ati të birrë; edhe dielmtë do të ngrenë krye kundrë përintvet, edhe do t’i vrasënë.
13 Edhe të gjithë do t’u kenë mëri për emërinë tim; po kush të durojë gjer së prapmi, kyj do të shpëtojë.
14 Edhe kur të shihni “të ndyrët’ e së shkretuarësë”, që është thënë nga profiti Dhaniil, ndenjurë te nukë duhetë (ay që këndon le të kupëtojë), atëhere ataqë të jenë ndë Judhe, le të ikëjënë ndëpër malet.
15 Edhe ay që të jetë mbi kulmt të shtëpisë, le të mos sbresë ndë shtëpi, as le të mos ryjë të marrë gjë nga shtëpi’ e ti.
16 Edhe ay që të jetë nd’ arë, le të mos këthenetë prapa të marrë rroben’ e ti.
17 Po mjer ato që janë me barrë, edhe ato që kanë foshnje ndë gji nd’ato dit!
18 Edhe faluni që të mos bënetë të ikuritë tuaj ndë dimërë.
19 Sepse nd’ ato dit do të jetë i këtillë shtrëngim, që nuk’ është bërë kështu që kur se është nisurë kriesa, që krioj Perëndia, gjer tani, edhe nuk është për të bërë.
20 Edhe Zoti ndë mos i kishte pasë shkurtuar’ ato dittë, s’kish për të shpëtuar’ asndonjë trup; po për të sgjedhuritë që i ka sgjedhurë, shkurtoj dittë.
21 Edhe atëhere ndë u thashtë juve ndonjë: “Na, ky është Krishti”, a: “Na ky ësht’ atie”, të mos besoni.
22 Sepse do të ngrihenë krishtërë të rrem, e profitërë të rrem, edhe do të bëjënë shenje e çudira, që të gënjejën’ edhe të sgjedhuritë, ndë munçinë.
23 Po ju vëni re; na tek u thashë juve të gjitha që përpara.
24 Po nd’ato dit, pas ati shtrëngimi, dielli do t’erretë, edhe hëna nukë do t’ apë dritën’ e saj,
25 Edhe yjet’e qiellit do të bijenë, edhe fuqiatë që janë ndë qiejet do të tundenë.
26 Edhe atëhere do të shohënë të birin’e njeriut tuke ardhurë ndër re me shumë fuqi e me lavdi.
27 Edhe atëhere do të dërgojë ëngjëjt’ e ti, edhe do të mbëledhë të sgjedhurit’ e ti nga të katrë erëratë, prej kandit dheut gjer mbë kant të qiellit.
28 Edhe prej drusë fikut mirrni vesh paravolinë: kur t’i bënet tani asaj dega e butë, edhe të nxierrë gjethetë, ta dini se vera ësht’ afërë.
29 Kështu edhe ju, kur të shihni këtoi se bënenë, dinia se ësht’ afërë dyervet.
30 Me të vërtetë po u thom juve, se kyj bres nukë do të shkojë, gjersa të bënenë këto të gjitha.
31 Qielli edhe dheu do të shkojënë; po fialët’ e mia nukë do të shkojënë.
32 Edhe për atë ditë, e për atë orë asndonjë s’e di, as ëngjëjtë që janë ndë qiell, as Biri, po veç Ati.
32 Vëni re, rrini sgjuarë, edhe faluni; sepse nuk’ e dini kur është koha.
33 Sepse këjo do të jetë posi një njeri ikurë ndë dhe të huaj, i cili la shtëpin’e ti, edhe ua dha pushtetnë shërbëtorëvet ti, edhe gjithë secilit punën’ e ati, edhe porositi portarinë të rrijë sgjuarë.
34 Rrini sgjuarë pra (sepse s’dini kur vien i zoti shtëpisë, mbë të ngrysurë, a ndë mesnatë, a ndë këndim të kokoshit, a ndë mëngjes).
35 Se mos vien papriturë e u gjen juve tuke fleturë.
36 Edhe ato që po u thom juve, ua thom të gjithëve: Rrini sgjuarë.”