Për shkatërrimin e tempullit
(Mk 13.1-2Lk 21.5-6)
1 Kur Jezui doli nga tempulli e po largohej, erdhën dishepujt e i treguan ndërtesat e tempullit. 2 Jezui u tha: «I shikoni të gjitha këto? Me të vërtetë po ju them se nuk do të mbesë gur mbi gur pa u rrëzuar».
Fillimi i fundit
(Mk 13.3-13Lk 21.7-19)
3 Kur Jezui po rrinte në malin e Ullinjve, erdhën dishepujt e i thanë veçmas: «Na thuaj, kur do të ndodhin këto dhe cila do të jetë shenja e ardhjes sate dhe e fundit të botës?». 4 Jezui u tha: «Hapni sytë se mos ju mashtron njeri, 5 se do të vijnë shumë veta në emrin tim e do të thonë: “Unë jam Krishti” e do të mashtrojnë shumë njerëz. 6 Do të dëgjoni për luftra e lajme luftrash, por mos u tronditni. Këto duhet të ndodhin, por ky nuk do të jetë ende fundi.
7 Një komb do të ngrihet kundër një kombi e një mbretëri kundër një mbretërie. Do të ketë zi buke e tërmete në disa vende, 8 por ky do të jetë fillimi i dhimbjeve të lindjes. 9 Do t'ju dorëzojnë në mundime e do t'ju vrasin dhe të gjitha kombet do t'ju urrejnë për shkak të emrit tim. 10 Do të ketë nga ata që do të rrëzohen, do të tradhtojnë e do të urrejnë njëri-tjetrin. 11 Do të dalin shumë profetë të rremë e do të mashtrojnë shumë njerëz. 12 Meqë do të përhapet paudhësia, do të ftohet dashuria e shumë vetëve. 13 Por kush qëndron deri në fund, do të shpëtohet. 14 Ky ungjill i mbretërisë do të shpallet në të gjithë botën si dëshmi për të gjitha kombet dhe atëherë do të vijë fundi».
Shkretimi i madh
(Mk 13.14-23Lk 21.20-24)
15 «Kur të shihni tmerrin e shkretimit në vendin e shenjtë, për të cilin ka folur profeti Daniel, “kush lexon le ta kuptojë”, 16 atëherë ata që janë në Jude le të arratisen maleve. 17 Ai që do të ndodhet mbi çati, të mos zbresë e të mos hyjë brenda për të marrë gjë nga shtëpia e tij! 18 Ai që do të jetë në arë, të mos kthehet prapa për të marrë gunën! 19 Mjerë gratë shtatzëna dhe ato që mëkojnë fëmijë në ato ditë!
20 Lutuni që arratia juaj të mos ndodhë në dimër apo të shtunën. 21 Atëherë do të bjerë një mjerim aq i madh, sa nuk është parë nga fillimi i botës e deri tani dhe të tillë mjerim nuk do të ketë më kurrë. 22 Po të mos shkurtoheshin ato ditë, nuk do të shpëtonte asnjeri, por për hir të të zgjedhurve ato ditë do të shkurtohen.
23 Nëse dikush ju thotë: “Ja ku është Krishti!” ose: “Ja, është këtu!”, mos i besoni. 24 Do të dalin krishtë të rremë e profetë të rremë, që do të bëjnë shenja të mëdha e mrekulli, që mundësisht të mashtrojnë edhe të zgjedhurit, 25 por, ja, unë ju paralajmërova. 26 Prandaj, nëse ju thonë: “Ja, është në shkretëtirë!”, mos shkoni atje. Po të thonë: “Ja, është fshehur në qilar!”, mos u besoni. 27 Biri i njeriut do të vijë si vetëtima që vetëtin nga lindja në perëndim. 28 Ku është kërma, mblidhen edhe skifterët».
Ardhja e Birit të njeriut
(Mk 13.24-27Lk 21.25-28)
29 «Fill pas pikëllimit të atyre ditëve,
dielli do të errësohet
e hëna nuk do të japë dritë.
Yjet do të bien nga qielli
e pushtetet qiellore
do të tranden.
30 Atëherë do të shfaqet në qiell shenja e Birit të njeriut dhe të gjitha fiset e tokës do të mbajnë zi e do të shohin Birin e njeriut duke ardhur mbi retë e qiellit me pushtet e me lavdi të madhe. 31 Do të buçasë trumbeta e madhe dhe ai do të dërgojë engjëjt e tij në të katër anët e tokës për të mbledhur të zgjedhurit, nga njëri skaj në skajin tjetër të botës».
Mësimi nga fiku i tharë
(Mk 13.28-31Lk 21.29-33)
32 «Mësoni nga shëmbëlltyra e fikut. Sapo dega e tij bëhet e njomë e nxjerr gjethe, ju e dini se po afrohet vera. 33 Kështu edhe ju kur t'i shihni të gjitha këto gjëra, ta dini se fundi është afër, te dera. 34 Me të vërtetë po ju them se kjo brezni nuk do të kalojë pa ndodhur të gjitha këto gjëra. 35 Qielli e toka do të kalojnë, por fjalët e mia nuk do të kalojnë».
Dita dhe ora e fshehtë
(Mk 13.32-37Lk 17.26-30, Lk 34-36)
36 «Askush nuk e di atë ditë apo atë orë. As engjëjt e qiejve, as Biri, por vetëm Ati. 37 Siç ishte në ditët e Noeut, kështu do të jetë edhe ardhja e Birit të njeriut. 38 Ashtu sikurse gjatë atyre ditëve përpara përmbytjes njerëzit hanin e pinin, martoheshin e martonin, deri në ditën kur Noeu hyri në arkë, 39 dhe nuk dinin gjë derisa erdhi përmbytja e i zhduku, kështu do të jetë edhe ardhja e Birit të njeriut.
40 Atëherë, prej dy vetave që do të gjenden në arë, njëri do të merret e tjetri do të lihet. 41 Prej dy grave që do të jenë te mulliri për të bluar, njëra do të merret e tjetra do të lihet. 42 Prandaj rrini zgjuar, se nuk e dini në ç'ditë vjen Zoti. 43 Po ta dinte i zoti i shtëpisë se në ç'orë të natës do të vinte vjedhësi, do të rrinte zgjuar e nuk do të lejonte t'i vidhej shtëpia. 44 Prandaj jini gati, se Biri i njeriut do të vijë në një orë që nuk e prisni».
Dy shërbëtorët
(Lk 12.41-48)
45 «Cili është ai shërbëtor besnik e i mençur, të cilin i zoti e ka vënë mbi shërbëtorët e tjerë për t'u dhënë ushqimin në kohën e duhur? 46 Lum ai shërbëtor që kur të vijë i zoti, do ta gjejë duke vepruar kështu. 47 Me të vërtetë po ju them se këtij shërbëtori do t'ia besojë të gjitha pasuritë e veta. 48 Por, nëse ai shërbëtor i mbrapshtë thotë me vete: “Zotëria im po vonohet” 49 dhe fillon të rrahë shërbëtorët e tjerë e ha e pi me të dehurit, 50 atëherë i zoti i këtij shërbëtori do të vijë ditën që ai nuk e pret e në orën që ai nuk e di, 51 do ta dënojë ashpër e do ta hedhë atje ku dënohen hipokritët. Aty do të ketë vajtim e kërcëllimë dhëmbësh».
1 Edhe Jisuj dolli e iku nga hieroreja, edhe nxënësit’ e ati i erthnë përanë që t’i dëftenjënë ndërtesat’ e hieroresë.
2 Po Jisuj u tha atyre: “A nukë shihni gjithë këto? Me të vërtetë po u them juve, se nukë do të mbesë këtu gur mbi gur që të mos rrëzohetë.”
3 Edhe ay tek ishte tuke ndenjurë mbi malt t’ Ullinjvet, nxënësit’ iu afruanë mbënjanë, tuke thënë: Thuajna, kur do të bënenë keto? Edhe cila është shenj’ e të ardhurit tënt edhe së mbaruarësë jetësë?
4 Edhe Jisuj u përgjeq e u tha atyre: “Shikoni, mos u gënjenjë juve ndonjë;
5 Sepse shumë vetë do të vinjënë mb’ emërit tim, tuke thënë, se Unë jam Krishti, edhe do të gënjenjënë shumë vetë .
6 Edhe do të dëgjoni luftëra e zëre luftërash; shikoni, mos trubullohi, sepse të gjitha këto gjan të bënenë, po e pastajmeja edhe nuk’ është.
7 Sepse do të ngrihetë komp kundrë kombi, edhe mbëretëri kundrë mbëretërie; edhe do të jenë zira e murtaja, edhe tërmetëra vënt mbë vënt.
8 Po gjithë këto janë të nisurit’e të dhëmburavet.
9 Atëhere do t’u apënë juve ndër duar për shtrëngim, edhe do t’u vrasënë juve; edhe do t’u kenë mëri juve gjithë kombetë për emërinë tim.
10 Edhe atëhere do të skandhalisenë shumë vetë, edhe do t’ apënë juve ndër duar njëri tiatrinë, edhe do t’i kenë mëri njëri tiatrit.
11 Edhe shumë profitërë të rrem do të ngrihenë, edhe do të gënjenjënë shumë vetë ;
12 Edhe passi të shumonetë panomia, dashuri’ e të shumëvet do të ftohetë.
13 Po kush të duronjë gjer mbë të pastajmenë, kyj do të shpëtonjë.
14 Edhe kyj ungjill’ i mbëretërisë do të leçitetë ndëpër gjithë botënë, për martiri mbë gjithë kombet; edhe atëhere do të vinjë e pastajmeja.
15 Kur të shihni pra “të ndytët’e shkretëtirësë”, që është thënë nga profiti Dhaniil, ndenjurë ndë vënt të shënjtëruarë, (ay që këndon le ta kupëtonjë),
16 Atëhere ata që janë ndë Judhet le të ikënjënë ndëpër malet.
17 Kush të jetë mbi kulmit, le të mos sbresë që të marrë gjë nga shtëpi’ e ti.
18 Edhe kush të jetë nd’arë le të mos këthenetë prapa, që të marrë rrobet’ e tija.
19 Edhe mier ato që janë me barrë, e ato që kanë foshnje mbë gji nd’ato dit.
20 Edhe fali, që të mos bënetë të ikuritë tuaj ndë dimërë, as për të shëtunë.
21 Sepse atëhere do të jetë shtrëngim i math, që nuk’ është bërë i atillë, që kur se është zënë fill bota gjer ndashti, as nuk’ është për të bërë.
22 Edhe të mos shkurtoneshin’ ato dit, nukë do të shpëtonte asndonjë trup; po ato dit do të shkurtonenë për të sgjedhurit.
23 Atëhere ndë u thëntë juve ndonjë: Ja tek është këtu Krishti, a aty, mos mbesoni.
24 Sepse do të ngrihenë Krishtërë të rrem, edhe profitërë të rrem, edhe do të bënjënë shenje të mëdha edhe çudira, kaqë sa do të gënjenjën’ edhe të sgjedhuritë, ndë munçinë.
25 Ja tek u thashë juve më përpara.
26 Ndë u thënçinë pra juve: Ja tek është ndë shkretëtirët, mos dilni,
27 Ja ndë dhomat, mos mbesoni. Sepse sikundrë vetëtima del nga lint dielli, edhe duketë gjer te perëndon, kështu do të jetë edhe t’ardhurit’e të birit njeriut.
28 Sepse ku të jetë kërma, atie do të mbëlidhenë shqiponjatë.
29 Edhe përnjëherë pas shtrëngimit atyre dite, dielli do t’erretë, edhe hëna nukë do t’apë ndriçimin’ e saj; edhe yjetë do të bienë nga qielli, edhe fuqiat’ e qiejevet do të tundenë.
30 Edhe atëhere do të duketë shenj’ e të Birit njeriut ndë qiell; edhe atëhere gjithë farat’e dheut do të bënjënë vajë, edhe do të shohënë të Birin’e njeriut tuke ardhurë mbi ret të qiellit me fuqi e me lavdi shumë.
31 Edhe do të dërgonjë ëngjëjt’ e ti me trumbetë që nxier zë të math, edhe do të mbëledhënë të sgjedhurit’ e ati nga të katrë erëratë, prej fundit anëvet qiejevet gjer mbë funt të anëvet atyre.
32 Edhe merrni vesh paravolinë nga druri i fikut; kur të bënetë ndashti deg’ e ati e butë, edhe të nxierrë gjethetë, ta dini se të korrët’ është afërë.
33 Kështu edhe ju, kur të shihni gjithë këto, ta dini se ësht’ afërë ndër dyer.
34 Me të vërtetë po u them juve, kyj bres nukë do të shkonjë, gjersa të bënenë këto të gjitha.
35 Qielli edhe dheu do të shkonjënë, po fialët’ e mija nukë do të shkonjënë.
36 Edhe për atë ditë, edhe për atë orë, asndonjë s’e di, as ëngjëjt’ e qiejevet, veç im Atë vetëmë.
37 Edhe sikundrë ishinë ditt’e Noesë, kështu do të jetë edhe t’ardhurit’e të Birit njeriut.
38 Sepse sikundrë ishinë njerëzitë nd’ato dit përpara përmbytëjesë, që hanin’ e pininë, martoneshin’ e martoninë, gjer mb’atë ditë që hyri Noeja nd’arkët;
39 Edhe nuk’ e kupëtuanë, gjersa erdhi përmbytëja, edhe ngriti të gjithë; kështu do të jetë edhe t’ardhurit’e të Birit njeriut.
40 Atëhere dy vetë do të jenë nd’ arë; njëri merretë, e tietëri lihetë.
41 Dy vetë do të bluanjënë ndë mulli; njëra merretë, e tiatëra lihetë.
42 Rrini squarë pra, sepse nukë dini mbë ç’orë vien Zoti juaj.
43 Po këtë e dini, se ta dinte i zoti shtëpisë, mbë çfarë kohe të natësë vien viedhësi, do të rrinte squarë, edhe nukë do të linte të shponej shtëpi’ e ati.
44 Përandaj edhe ju bëhi gati, sepse i bir’ i njeriut vien mb’ atë orë, që nuk’ ua pret mëndëja juve.
45 Vallë cili ësht’ ay shërbëtuar besëtar edhe i mënçim, të cilinë i zoti e vuri përmbi punëtorët të ti, që t’u apë atyre ushqimnë ndë kohë?
46 Lum ay shërbëtuar, kur të vinjë i zoti, ta gjenjë tuke bërë kështu.
47 Me të vërtetë po u them juve, se do ta vërë përmbi gjithë gjën’ e ti.
48 Edhe ay shërbëtor’ i lik ndë thëntë ndë zemërët të ti, se : Im Zot mënon të vinjë;
49 Edhe të zërë të rrahë shërbëtorëtë shokët’ e ti, edhe të hajë e të pijë bashkë me të dejturit,
50 I zoti ati shërbëtori do të vinjë nd’atë ditë që ay nuk’ e pret edhe nd’ atë orë që nuk’ e di;
51 Edhe do ta ndanjë mbënjanë, edhe do të vërë piesën’ e ati bashkë me ipokritëritë; atie do të jetë të qjarët’ e të kërcëlliturit’ e dhëmbëvet.