Te Pilati
(Mt 27.1-2Mt 11.14Lk 23.1-5Gjn 18.28-38)1 Në mëngjes herët kryepriftërinjtë së bashku me pleqtë, shkruesit dhe gjithë sinedrin, pasi u këshilluan, e lidhën Jezuin, e morën e ia dorëzuan Pilatit. 2 Pilati e pyeti: «A je ti mbreti i judenjve?». Jezui iu përgjigj: «Ti vetë po e thua». 3 Ndërkaq kryepriftërinjtë e padisnin për shumë gjëra. 4 Dhe Pilati e pyeti përsëri: «Nuk po jep asnjë përgjigje? Shiko për sa gjëra po të padisin». 5 Por Jezui nuk iu përgjigj për asgjë, gjë që e çuditi shumë Pilatin.
Dënimi me vdekje
(Mt 27.15-26Lk 23.13-25Gjn 18.39Gjn 19.16)6 Për çdo festë Pashke Pilati lironte një të burgosur sipas kërkesës së turmës. 7 Një njeri që quhej Barabë gjendej në burg bashkë me disa kryengritës të tjerë, të cilët kishin bërë një vrasje në një kryengritje. 8 Atëherë erdhi turma e filloi t'i kërkonte Pilatit atë që ai e kishte zakon të bënte për ta. 9 Pilati i pyeti: «A doni t'ju liroj mbretin e judenjve?». 10 Sepse ai e kishte kuptuar se kryepriftërinjtë ia kishin dorëzuar Jezuin nga smira. 11 Por kryepriftërinjtë e nxitën turmën që në vend të tij të lironte Barabën. 12 Pilati u tha përsëri: «Atëherë çfarë doni të bëj me atë që e quani mbret të judenjve?». 13 Ata thirrën përsëri: «Kryqëzoje!». 14 Por Pilati u tha: «Përse, ç'të keqe ka bërë?». Atëherë ata thirrën edhe më fort: «Kryqëzoje!». 15 Kështu Pilati, për të kënaqur turmën, liroi Barabën dhe, pasi e fshikulluan Jezuin, e dorëzoi që ta kryqëzonin.
Tallja
(Mt 27.27-31Gjn 19.2-3)16 Atëherë ushtarët e morën Jezuin dhe e futën në oborrin e pallatit, domethënë në pretorium, dhe mblodhën gjithë kohortën. 17 E veshën me purpur dhe, pasi thurën një kurorë me gjemba, ia vunë në kokë. 18 Pastaj filluan t'i thoshin: «Tungjatjeta, o mbreti i judenjve!». 19 E godisnin në kokë me kallam, e pështynin dhe duke rënë në gjunjë, përkuleshin para tij. 20 Pasi e tallën, ia hoqën petkun e purpurt dhe e veshën me rrobat e veta. Pastaj e nxorën jashtë për ta kryqëzuar.
Kryqëzimi
(Mt 27.32-44Lk 23.26-43Gjn 19.17-27)21 Atëherë detyruan një kalimtar që po kthehej nga ara, njëfarë Simoni nga Kirena, i ati i Aleksandrit e i Rufit, të mbartte kryqin e Jezuit. 22 Kështu e çuan Jezuin në vendin e Golgotës që do të thotë «Vendi i Kafkës» 23 dhe i dhanë verë të përzier me mirrë, por ai nuk e mori.
24 Pastaj e kryqëzuan
dhe hodhën short
për të ndarë rrobat e tij,
që të shihnin
çfarë do t'i binte secilit.
25 Ishte ora nëntë e mëngjesit kur e kryqëzuan. 26 Mbishkrimi me shkakun e dënimit thoshte: «Mbreti i judenjve». 27-28 Bashkë me të kryqëzuan edhe dy kusarë, njërin në të djathtë e tjetrin në të majtë të tij . 29 Kalimtarët e fyenin, tundnin kokën e thoshin: «Ti që do ta shkatërroje tempullin e do ta ndërtoje për tri ditë, 30 shpëto veten e zbrit nga kryqi!». 31 Edhe kryepriftërinjtë me shkruesit e tallnin e thoshin: «Të tjerët i shpëtoi, ndërsa veten nuk e shpëtuaka dot. 32 Krishti, mbreti i Izraelit, le të zbresë tani nga kryqi, që të shohim e të besojmë». Edhe ata që ishin kryqëzuar bashkë me të e përqeshnin.
Vdekja
(Mt 27.45-46Lk 23.44-49Gjn 19.28-30)33 Në mesditë u bë errësirë në gjithë tokën deri në orën tre të pasdites. 34 Në orën tre pasdite Jezui thirri me zë të lartë: «Eloi, Eloi lema sabakthani? » që e përkthyer do të thotë: «Perëndia im, Perëndia im, përse më braktise? ». 35 Disa nga ata që ishin aty, kur e dëgjuan, thanë: «Ja, po thërret Elinë». 36 Dikush shkoi me vrap dhe, pasi ngjeu një sfungjer në uthull, e vuri në një kallam, ia drejtoi Jezuit e tha: «Prisni, të shohim nëse do të vijë Elia për ta zbritur». 37 Jezui lëshoi një britmë të madhe e dha shpirt. 38 Atëherë veli i tempullit u gris më dysh nga lart deri poshtë. 39 Kryeqindësi që rrinte përballë tij, kur e pa duke dhënë shpirt në atë mënyrë, tha: «Me të vërtetë ky njeri paska qenë Biri i Perëndisë». 40 Aty gjendeshin edhe disa gra që shikonin nga larg. Ndër to ishin Maria Magdalena, Maria nëna e Jakobit të vogël dhe e Josesë, si dhe Salomeja, 41 të cilat e kishin ndjekur e i kishin shërbyer kur Jezui ishte në Galile; ishin edhe shumë të tjera që kishin ardhur me të në Jerusalem.
Varrimi
(Mt 27.57-61Lk 23.50-56Gjn 19.38-42)42 Tashmë kishte rënë mbrëmja dhe ishte e premte, domethënë vigjilja e së shtunës. 43 Jozefi nga Arimateja, anëtar i respektuar i sinedrit, që gjithashtu priste mbretërinë e Perëndisë, shkoi me guxim te Pilati e i kërkoi trupin e Jezuit. 44 Pilati, i çuditur që tashmë kishte vdekur, thirri kryeqindësin dhe e pyeti nëse kishte shumë kohë që kishte vdekur. 45 Pasi u njoftua nga kryeqindësi, ia dha kufomën Jozefit. 46 Ky bleu një pëlhurë prej liri, e zbriti kufomën nga kryqi dhe pasi e mbështolli, e vuri në një varr të hapur në shkëmb. Pastaj rrokullisi një gur mbi grykën e varrit. 47 Ndërkaq, Maria Magdalena dhe Maria, nëna e Josesë, e panë ku e vunë Jezuin.
1 Nd’ atë kohë kryepriftëritë bashkë me pleqt’ e me shkronjësitë, edhe gjithë bashkëndënjia dhanë këshillë, edhe si lithnë Jisunë, e prunë, edhe e dhanë ndë duar të Pillatit.
2 Edhe Pillati e pyeti: “Ti je Mbëreti i Judhevet?” Edhe ay u përgjeq e tha: “Ti po thua.”
3 Edhe kryepriftëritë e përflisninë për shumë.
4 Edhe Pillati përsëri e pyeti, tuke thënë: “Nukë përgjigje fare? Shiko sa martirisënjë kundrë teje.”
5 Edhe Jisuj nuk’ u përgjeq më fare, kaqë sa Pillati çuditej.
6 Edhe për ditë të kremteje u lëshonte atyre një të lidhurë, cilinë të lypnin’ ata .
7 Edhe një që thuhej Varavva, ish lidhurë bashkë me shokët’ e ti që kishinë ngriturë krye, të cilëtë kishinë bërë gjak mbë të ngriturit krye.
8 Edhe gjëndëja bërtiti, e zuri të lypëjë tuke bërë sikundrë bënte përherë mb’ata.
9 Edhe Pillati u përgjeq atyre, tuke thënë: “Doni t’u lëshoj juve Mbëretin’e Judhevet?”—
10 Sepse e dinte se kryepriftërit’ e kishinë dhënë ndër duar për cmir.
11 Po kryepriftëritë shtynë gjëndëjenë të lypëjënë me tepërë t’u lëshojë atyre Varavvanë.
12 Edhe Pillati u përgjeq përsëri, e u tha atyre: “Ç’doni pra ta bëj këtë që i thoni Mbëret i Judhevet?”
13 Edhe ata përsëri bërtitnë: “Kryqëzoje.”
14 Edhe Pillati u thosh atyre: “Përse, ç’të keqe ka bërë?” Po ata më tepërë bërtitnë: “Kryqëzoje.”
15 Edhe Pillati, passi deshi t’i bëjë zemrënë gjëndëjesë, u lëshon Varavvanë, edhe Jisun’ e dha ndër duar që të kryqëzonetë, passi e rrahu.
16 Atëhere ushtëtorët’ e prunë përbrënda avllisë, që është vëndi gjyqit, edhe thërresënë bashkë gjithë tufën’ e ushtëtorëvet.
17 Edhe i veshjënë një rrobe të kuqe, edhe thurnë një kurorë drizash, e ia vënë rreth kresë .
18 Edhe zunë ta përshëndesënë, duke thënë :
19 “Gëzonu, o Mbëret i Judhevet!” Edhe i bininë kresë me kallam, edhe e pështyninë ndër sy , edhe bininë mbë gjunj, e i faleshinë.
20 Edhe si e përqeshnë, i sveshnë rroben’ e kuqe, edhe i veshnë rrobet’ e tia, edhe e prunë jashtë, që ta kryqëzojënë.
21 Edhe zënë angari, për të ngriturë kryqin’ e ati, një farë Simon Qyrineas, t’an’ e Aleksandhrit edhe Rufit, që shkonte aty drejti, tuke ardhurë nga ara.
22 Edhe e bienë ndë vënt Gollgotha, që ajo këthyerë do me thënë Vëndi kresë.
23 Edhe i epinë të pijë verë përzierë me smirnë; po ay nuk’ e mori.
24 Edhe si e kryqëzuanë, ndanë rrobet’ e ati tuke shtyrë shortë mb’ ato, ç’të marrë gjithësecili.
25 Edhe ish ora tri, edhe e kryqëzuanë.
26 Edhe përmbishkronja e punës’ ati ish shkruarë përsipër: M b ë r e t i i J u d h e v e t.
27 Edhe bashkë me atë kryqëzojënë dy kursarë, një prej së diathtësë, e një prej së mëngjërës’ ati.
28 Edhe u mbush shkronja që thotë: “Edhe u numërua bashkë me të paudhët”.
29 Edhe ata që shkoninë aty drejti e vllasfimisninë, tuke tundurë krerët’e tyre, e tuke thënë: “Ua, ti që prish tempullinë, edhe për tri dit e ndërton,
30 Shpëto vetëhenë tënde, edhe sbrit nga kryqi.”
31 Kështu edhe kryepriftërit’e përqeshninë njëri me tiatrinë, bashkë me shkronjësitë, e thoshinë: “Të tierë shpëtoj, vetëhen’e ti s’munt ta shpëtojë.
32 Krishti, Mbëreti i Israilit, le të sbresë tani nga kryqi, që të shohëmë edhe të besojmë.” Edhe ata që ishinë kryqëzuarë bashkë me atë e shaninë.
33 Edhe kur u bë ora gjashtë, u bë një errësirë mbë gjithë dhenë, gjer mbë të nënttën’ orë.
34 Edhe mbë të nënttën’ orë Jisuj bërtiti me zë të math, tuke thënë: “Elloj, Elloj, llamma savahthani?”, që ajo këthyerë do me thënë: “Perëndia im, Perëndia im, përse hoqe dorë prej meje?”
35 Edhe dica nga ata që ishinë tuke ndenjurë atie, kur dëgjuanë, thoshinë: “Na tek po thërret Ilinë.”
36 Edhe një u sul, e mbushi një sfungar me uthullë, edhe e vuri mbë një kallam, e i dha të pijë, tuke thënë: “Lini, le të shohëmë ndë vien Ilia ta sbresë.”
37 Edhe Jisuj lëshoj një zë të math, edhe dha shpirtinë.
38 Edhe kurtina e tempullit u shklye mbë dy prej së larti gjer poshtë.
39 Edhe qindori, që ish ndenjurë kundruell ati, kur pa, se tuke bërtiturë kështu dha shpirtinë, tha: “Me të vërtetë kyj njeri paska qënë Bir Perëndie.”
40 Ishinë edhe gra tuke vënë re për së largu; ndër ato ish edhe Maria Magdhalini, edhe Maria e ëm’ e Jakovit vogëlë edhe Josiut, edhe Salloma,
41 Të cilatë, edhe kur ish ndë Galilet, i vininë pas, edhe i shërbeninë; edhe shumë të tiera që patnë hipurë me atë ndë Jerusalim.
42 Edhe tani si u ngrys, (sepse ish e premte, do me thënë para së shëtunësë).
43 Erdhi Josifi që ish nga Arimathea, këshillës i nderëshim, që edhe ay priste mbëretërin’ e Perëndisë; kuxoj e hyri te Pillati, edhe lypi trupin’ e Jisujt.
44 Edhe Pillati u çudit, ndë qoftë se kish vdekurë ay tani; edhe thërriti përanë qindorinë edhe e pyeti, ndë qoftë se ka kohë që vdiq.
45 Edhe si mori vesh prej qindorit, i fali trupinë Josifit.
46 Edhe kyj bleu pëlhurë, edhe e sbriti, edhe e pështolli me pëlhurënë, edhe e vuri ndë një varr, që e kish latuarë prej një shkëmbi; edhe rrukullisi një gur mbi derët të varrit.
47 Edhe Maria Magdhalini edhe Maria, e ëm’ e Josiut, vininë re ku po vihetë.