Jetojmë për Krishtin, jo për mëkatin
1 Çfarë të themi, pra? A do të vazhdojmë të jetojmë në mëkat, që Perëndia të na japë më shumë hir? 2 Larg qoftë! Ne kemi vdekur për sa i përket mëkatit. E si mund të jetojmë ende në të? 3 Apo nuk e dini se të gjithë ne që u pagëzuam në Krishtin Jezu, u pagëzuam në vdekjen e tij? 4 Prandaj ne jemi varrosur me të përmes pagëzimit për t'u bashkuar me të në vdekjen e tij, në mënyrë që sikurse Krishti u ngjall prej të vdekurve përmes lavdisë së Atit, ashtu edhe ne të mund të jetojmë një jetë të re.
5 Pra, nëse jemi bashkuar me të në vdekjen e tij, do të bashkohemi me të edhe në ngjalljen e tij. 6 Ne e dimë se njeriu i vjetër që ishte në ne u kryqëzua me Krishtin, që të shkatërrohet natyra jonë mëkatare e të mos jemi më skllevër të mëkatit. 7 Kush ka vdekur, është çliruar nga mëkati.
8 Nëse kemi vdekur me Krishtin, besojmë se do të jetojmë bashkë me të. 9 Ne e dimë se Krishti u ngjall prej të vdekurve dhe nuk mund të vdesë më, sepse vdekja nuk ka më pushtet mbi të. 10 Kur vdiq, Krishti vdiq një herë e përgjithmonë për sa i përket mëkatit, por tani që jeton, jeton për Perëndinë. 11 Kështu edhe ju duhet ta quani veten të vdekur për sa i përket mëkatit, por të gjallë për Perëndinë, me Krishtin Jezu .
12 Prandaj mos lejoni të mbretërojë mëkati në trupin tuaj të vdekshëm, që t'ju bëjë t'u bindeni dëshirave të tij. 13 Mos i vini gjymtyrët tuaja në shërbim të mëkatit si mjete padrejtësie, por kushtojani veten Perëndisë, si njerëz që kanë kaluar nga vdekja në jetë. Përkundrazi, gjymtyrët tuaja i vini në shërbim të Perëndisë, si mjete drejtësie. 14 Sepse mëkati nuk do të ketë më pushtet mbi ju, përderisa ju nuk jeni nën ligjin, por nën hirin e Perëndisë.
Shërbëtorë të drejtësisë
15 Çfarë, pra? A të mëkatojmë meqë nuk jemi nën ligj, por nën hir? Larg qoftë! 16 A nuk e dini se, duke u bërë skllevër të dikujt dhe duke iu bindur atij, ju bëheni skllevër të atij që i bindeni, qoftë të mëkatit që të çon në vdekje, qoftë të bindjes ndaj Perëndisë që të çon në një jetë të drejtë? 17 Por i qofshim falë Perëndisë, sepse ju dikur ishit skllevër të mëkatit, ndërsa tani i jeni bindur me gjithë zemër gjedhes së mësimit që keni marrë. 18 Ju u çliruat nga mëkati dhe u bëtë shërbëtorë të drejtësisë së Perëndisë.
19 Po flas me shembuj njerëzorë, për shkak të dobësisë njerëzore që nuk kupton. Sikurse dikur i vinit gjymtyrët tuaja në shërbim të ndyrësisë e të paudhësisë, që të çojnë në paudhësi, kështu tani t'i vini gjymtyrët tuaja në shërbim të drejtësisë së Perëndisë që të çon në një jetë të shenjtë.
20 Kur ishit skllevër të mëkatit, ju ishit të lirë për sa i përket drejtësisë së Perëndisë. 21 Çfarë fituat, pra, nga gjërat që bënit në atë kohë e për të cilat tani keni turp? Fundi i këtyre gjërave është vdekja. 22 Por tani që jeni çliruar nga mëkati e jeni vënë në shërbim të Perëndisë, ju keni fituar udhëtimin drejt një jete të shenjtë, fundi i të cilit është jeta e amshuar. 23 Sepse paga e mëkatit është vdekja, por dhurata e hirit të Perëndisë është jeta e amshuar që kemi me Krishtin Jezu, Zotin tonë.
1 Ç’do të themi pra? Do të qëndrojmë ndë fajt, që të tepronjë hiri?
2 Qofë larg; neve që vdiqëm ndë fajt, qysh do të rrojmë më nd’ atë?
3 A nuk’ e dini se sa u pagëzuam mbë Jisu Krishtinë, u pagëzuam mbë vdekëjet t’ ati?
4 U kallëm ndë varr pra bashkë me atë me anë të pagëzimit mbë vdekëjet, edhe sikundrë Krishti u ngjall prej së vdekurish me anë të lavdisë Atit, kështu edhe neve të ecëjmë ndë jetë të re.
5 Sepse sikundrë neve u bëmë një bimë bashkë me atë pas shëmbëllimit vdekëjes’ ati, do të jemi edhe pas shëmbëllimit të ngjallurit.
6 Tuke diturë këtë, se i vietri njeriu ynë u kryqëzua bashkë, që të prishetë trupi i fajit, që të mos i shërbejmë neve më fajit.
7 Sepse ay që vdiq u lirua nga faji.
8 Po ndë paçim vdekurë bashkë me Krishtinë, besojmë se edhe do të rrojmë bashkë me atë;
9 Sepse e dimë se Krishti u ngjall prej së vdekurish, e nukë vdes më; vdekëja nuk’ e pushton më atë.
10 Sepse për atë që vdiq, vdiq një herë per fajinë; po për atë që rron, rron mbë Perëndinë.
11 Kështu edhe ju numëroni vetëhenë tuaj, se jeni të vdekurë nga faji, po të gjallë te Perëndia, me anë të Jisu Krishtit Zotit tënë.
12 Le të mos mbëretëronjë pra faji ndë trup tuaj të morçiminë, që t’i dëgjoni ati pas dëshërimevet ati.
13 As mos bëni anët’ e trupit tuaj armë shtrembërie ndë fajt; po nxirni vetëhenë tuaj përpara Perëndisë si të gjallë prej së vdekurish, edhe anët’ e trupit tuaj armë drejtërie te Perëndia.
14 Sepse faji nukë do t’u pushtonjë juve; sepse nukë jemi ndënë nom, po ndënë hir.
15 Qysh pra? Do të fëjejmë, sepse nukë jemi ndënë nom, po ndënë hir? Qoftë lark.
16 Nuk’ e dini, se mb’ atë që bëni vetëhenë tuaj shërbëtorë për dëgjuarëje, jeni shërbëtorët’ e ati që i dëgjoni, apo fajit për vdekëje, apo dëgjuarëjesë për drejtëri?
17 Po falemi ndersë Perëndisë, se qetë një herë shërbëtorët’ e fajit, po ndashti i dëgjuatë me gjithë zemërë formësë mësimit, që u dhatë ndër duar mb’ atë.
18 Edhe si u liruatë prej fajit, u bëtë shërbëtorët’ e drejtërisë.
19 Njerëzisht po them për ligësirën’ e mishit tuaj. Sepse sikundrë i bëtë anët’ e trupit tuaj shërbëtorë ndë ndyrësirët edhe ndë panomit te panomia, kështu ndashti bëni anët’ e trupit tuaj shërbëtorë ndë drejtërit për shënjtërim.
20 Sepse kur ishitë shërbëtorët’ e fajit, ishitë të liruarë nga drejtëria.
21 Çfarë peme pra kishit’ atëhere nga ato punë , që keni turp ndashti për ato? Sepse e pastajmeja e atyreve është vdekëje.
22 Po ndashti që u liruatë nga faji, edhe u bëtë shërbëtorë te Perëndia, keni pemënë tuaj për shënjtërim; edhe të pastajmenë, jetë të pasosurë.
23 Sepse paga e fajit është vdekëje, po dhurëtia e Perëndisë është jet’ e pasosurë me anë të Jisu Krishtit Zotit tënë.