Mos e gjyko tjetrin
1 Pranojeni atë që është i dobët në besim dhe mos e gjykoni për mendimet e tij. 2 Dikush beson se mund të hajë çdo gjë, ndërsa një tjetër, që është i dobët, ha vetëm perime. 3 Ai që ha çdo gjë, të mos e përbuzë atë që nuk ha, dhe ai që nuk ha çdo gjë, të mos e gjykojë atë që ha, sepse Perëndia e ka pranuar edhe atë. 4 Kush je ti që të gjykosh shërbëtorin e tjetrit? Vetëm i zoti mund të gjykojë nëse shërbëtori i tij qëndron i fortë në detyrë ose jo. Por ai do të qëndrojë i fortë, sepse Zoti ka pushtetin ta bëjë këtë.
5 Dikush e vlerëson një ditë më shumë se një ditë tjetër, ndërsa dikush tjetër i vlerëson të gjitha ditët njëlloj. Secili të jetë plotësisht i bindur për atë që bën. 6 Ai që e vlerëson një ditë si të veçantë, e vlerëson për Zotin . Ai që ha nga çdo gjë, ha për Zotin, sepse falënderon Perëndinë. Po ashtu, edhe ai që nuk ha çdo gjë, nuk ha për Zotin dhe falënderon Perëndinë.
7 Asnjëri nga ne nuk jeton për vete dhe nuk vdes për vete. 8 Nëse jetojmë, jetojmë për Zotin dhe nëse vdesim, vdesim për Zotin. Prandaj, edhe nëse jetojmë, edhe nëse vdesim, ne i përkasim Zotit. 9 Për këtë arsye Krishti vdiq e u ngjall, për të qenë Zot i të gjallëve dhe i të vdekurve. 10 Pse e gjykon vëllanë tënd? Pse e përbuz vëllanë tënd? Ne të gjithë do të qëndrojmë para gjyqit të Perëndisë. 11 Është shkruar:
pasha jetën time, thotë Zoti,
çdo gju
do të përkulet para meje
dhe çdo gjuhë
do të përlëvdojë Perëndinë.
12 Kështu pra, çdonjëri prej nesh do të përgjigjet para Perëndisë për veten e vet.
Mos u bëj pengesë për vëllanë
13 Prandaj të mos gjykojmë më njëri-tjetrin, por më mirë të kemi kujdes për të mos i vënë vëllait as lak, as pengesë. 14 Unë e di dhe jam i bindur prej Zotit Jezu se asgjë nuk është e papastër vetvetiu. Por nëse dikush e vlerëson diçka si të papastër, atëherë ajo është e papastër për të.
15 Nëse vëllai yt lëndohet për shkak të ushqimit tënd, atëherë ti nuk po sillesh më me dashuri ndaj tij. Për shkak të ushqimit mos e ço drejt humbjes vëllanë tënd, për të cilin vdiq Krishti. 16 Mos bëni që të shahet çka është e mirë për ju. 17 Sepse mbretëria e Perëndisë nuk është të ngrënët e të pirët, por drejtësi, paqe e gëzim në Shpirtin e shenjtë. 18 Kush i shërben kështu Krishtit, i pëlqen Perëndisë dhe miratohet prej njerëzve. 19 Prandaj, të kërkojmë gjërat që sjellin paqen dhe rritjen shpirtërore të të gjithëve.
20 Mos e shkatërro veprën e Perëndisë për shkak të ushqimit. Të gjitha ushqimet janë të pastra, por bën keq ai që, me ushqimin e tij, bëhet gur pengese për tjetrin. 21 Është mirë të mos hash mish, të mos pish verë e as të mos bësh ndonjë gjë tjetër që do të bëhej gur pengese për vëllanë tënd . 22 Besimin që ke, mbaje për vete para Perëndisë. Lum ai që nuk e dënon ndërgjegjja për ushqimet që zgjedh të hajë. 23 Por kush është me dy mendje për sa i përket ushqimit, e megjithatë ha, ai është i dënuar, se nuk vepron sipas asaj që beson. Gjithçka që nuk vjen prej besimit, është mëkat.
1 Edhe atë që ësht’ i sëmurë ndë besët, e prisni pas vetiu, jo tuke bërë gjyqe me dy mëndëje.
2 Sepse një beson se munt të hajë nga të gjitha, po ay që është sëmurë ha lakëra.
3 Ay që ha le të mos bënjë për asgjë atë që s’ha; edhe ay që s’ha, le të mos gjykonjë atë që ha; sepse Perëndia e ka priturë pas vetiu.
4 Cili je ti që gjykon shërbëtorin’ e huaj? Mbë të zotin’ ay qëndron a bie; po do të qëndronjë, sepse Perëndia munt ta qëndronjë atë.
5 Sepse një shquan një ditë prej një tiatërë ditë, e një tiatërë çdo ditë e numëron një. Gjithësecili le të mendonetë pas mëndëjesë ti që i është mbushurë.
6 Ay që shquan ditënë, për Zotin’ e shquanatë , edhe ay që nukë shquan ditënë, për Zotinë nuk’ e shquan atë . Ay që ha, për Zotinë ha, sepse i faletë ndersë Perëndisë, edhe ay që nukë ha, për Zotinë nukë ha, edhe i faletë ndersë Perëndisë.
7 Sepse asndonjë prej nesh s’rron për vetëhen’ e ti, edhe asndonjë s’vdes për vetëhen’ e ti.
8 Sepse edhe ndë rrofshim, për Zotinë rrojmë; edhe ndë vdekshim, për Zotinë vdesmë. Edhe ndë rrofshim pra edhe ndë vdekshim, të Zotit jemi.
9 Sepse për këtë punë Krishti edhe vdiq (edhe u ngjall), edhe rroj përsëri, që të zotëronjë edhe të vdekuritë edhe të gjallëtë.
10 Po ti përse gjykon vëllanë tënt? A edhe ti përse bën për asgjë vëllanë tënt? Sepse neve të gjithë do të dalmë përpara gjykatësë Krishtit.
11 Sepse është shkruarë: “Rronj unë”, thotë Zoti, “se mua do të më unjetë çdo gju, edhe çdo gjjuhë do të lavdonjë Perëndinë”.
12 Gjithësecili pra prej nesh do t’i apë fialë Perëndisë për vetëhen’ e ti.
13 Le të mos gjykojmë më pra njëri tietrinë; po për këtë punë më tepërë gjykoni që të mos i vini pengesë vëllajt, a skandhalli.
14 E di edhe më është mbushurë mëndëja mbë Zotinë Jisu, se s’ka ndonjë gjë të ndyrë prej vetiu, veç për atë që kujton ndonjë gjë se ësht’ e ndyrë, për atë ësht ’ e ndyrë.
15 Po ndë u hidhëroftë yt vëlla për të ngrënë, ti nukë ecën më pas dashurisë. Mos e bëj atë të humbasë për të ngrënëtë tat, që për atë vdiq Krishti.
16 Le të mos vllasfimisetë pra e mira juaj.
17 Sepse mbëretëria e Perëndisë nuk’ është të ngrën’ e të pirë, po drejtëri e paqtim e gëzim ndë Frymë të Shënjtëruarë.
18 Sepse ay që i shërben Krishtit me këto, ësht ’ i pëlqyerë te Perëndia, edhe i sgjedhurë te njerëzitë.
19 Le të ndiekmë pra ato punët’ e paqtimit, edhe ato që vëjenjënë për të ndrequrë njëri tiatrinë.
20 Mos e prish punën’ e Perëndisë për të ngrënë. Sepse të gjitha janë të qëruara; po është keq për atë njeri që ha me pengesë.
21 Është mirë të mos hajë mish njeriu, as të mos pijë verë, as të mos bënjë gjë , që për atë pengonet’ a skandhaliset’ a sëmuret’ yt vëlla.
22 Ke ti besë? Kije atë ndë vetëhet tënde përpara Perëndisë; lum ay që nukë gjykon për të keq vetëhen’ e ti për atë punë që kërkon të bënjë.
23 Po ay që është me dy mëndëje, ndë ngrëntë, i është gjykuarë për të keq, sepse nukë hëngri me besë; edhe çdo punë që nukë bënetë me besë, është faj.