Izraeli nuk është hedhur poshtë
1 Prandaj pyes: mos vallë Perëndia e ka hedhur poshtë popullin e vet? Larg qoftë! Unë vetë jam izraelit, nga pasardhësit e Abrahamit, prej fisit të Benjaminit. 2 Perëndia nuk e ka hedhur poshtë popullin e vet, të cilin e zgjodhi që më parë. Apo nuk e dini çfarë thotë Shkrimi për Elinë? Ai iu drejtua Perëndisë kundër Izraelit e i tha: 3 «O Zot, ata vranë profetët e tu dhe rrënuan altarët e tu. Vetëm unë kam mbetur, ata kërkojnë jetën time».
4 Por si u përgjigj Perëndia? «Kam ruajtur për vete shtatë mijë burra që nuk i kanë rënë në gjunjë Baalit ». 5 Kështu, edhe në kohën e tanishme ka mbetur një numër izraelitësh që Perëndia i ka zgjedhur me hirin e tij. 6 Perëndia i zgjodhi ata me anë të hirit të tij dhe jo me anë të veprave të tyre, përndryshe hiri nuk do të ishte më hir .
7 E çfarë ndodhi? Izraeli nuk e mori atë që kërkoi, por e morën vetëm ata që zgjodhi Perëndia, ndërsa të tjerët u ngurtësuan, 8 sikurse është shkruar:
Perëndia u dha atyre
një shpirt plogështie,
sy për të mos parë
e veshë për të mos dëgjuar
deri në ditët e sotme.
9 Dhe Davidi thotë:
tryeza e tyre
u bëftë kurth e lak,
pengesë për rrëzimin
e ndëshkimin e tyre!
10 Sytë e tyre
u errësofshin për të mos parë
e kurrizi i tyre
u kërrustë gjithmonë!
Shpëtimi i kombeve
11 Prandaj pyes: mos vallë izraelitët u penguan për t'u rrënuar? Larg qoftë! Por përmes rënies së tyre u erdhi shpëtimi kombeve që ata të kishin zili. 12 Nëse mangësia e tyre u bë pasuri për botën dhe dështimi i tyre pasuri për kombet, sa më e madhe do të jetë plotësia e tyre!
13 Tani po ju flas juve, kombeve, sepse unë jam me të vërtetë apostull i kombeve. Unë po e lavdëroj shërbesën time 14 për të nxitur disi zilinë e popullit tim dhe për të shpëtuar disa prej tyre. 15 Nëse hedhja e tyre poshtë solli pajtimin e botës me Perëndinë, a nuk do të jetë pranimi i tyre nga Perëndia si kthim nga vdekja në jetë? 16 Nëse mielli është i shenjtë, edhe brumi është i shenjtë, nëse rrënjët janë të shenjta, edhe degët janë të shenjta.
17 Disa nga degët u prenë dhe në vend të tyre u shartove ti që je filiz ulliri të egër dhe kështu ushqehesh nga të mirat e rrënjës së ullirit. 18 Prandaj mos u mburr kundër degëve. Nëse mburresh, mos harro se nuk je ti që mban rrënjën, por është rrënja që të mban ty.
19 Por ti do të thuash: «Degët u prenë që të shartohesha unë». 20 Mirë e the. Degët u prenë për shkak se nuk besuan, ndërsa ti qëndron, sepse ke besuar. Mos u mburr, por druaju. 21 Nëse Perëndia nuk kurseu degët natyrore, ai nuk do të të kursejë as ty që u shartove.
22 Shih sesi e tregon Perëndia mirësinë dhe ashpërsinë e tij: ai është i ashpër me ata që ranë, por është i mirë me ty, nëse do të qëndrosh në mirësinë e tij. Përndryshe do të pritesh edhe ti.
23 Ndërsa ata, nëse nuk vazhdojnë në mosbesim, do të shartohen, sepse Perëndia ka fuqinë për t'i shartuar përsëri. 24 Nëse ti je prerë prej një ulliri të egër nga natyra dhe përkundër natyrës u shartove në një ulli të butë, aq më tepër degët e ullirit të butë do të shartohen në trungun e vet!
Kthimi i Izraelit te Perëndia
25 O vëllezër, që të mos mbaheni për të mençur, dua t'ju bëj të njohur këtë shestim të fshehtë të Perëndisë: një pjesë e Izraelit do të vazhdojë në kokëfortësinë e vet, derisa të gjitha kombet e tjera të hyjnë në shpëtimin e Perëndisë. 26 Dhe kështu i gjithë Izraeli do të shpëtohet, sikurse është shkruar:
çlirimtari do të vijë
nga Sioni;
dhe do ta zhdukë mosbesimin
nga Jakobi.
27 Kjo është besëlidhja ime me ta,
kur t'i fshij mëkatet e tyre.
28 Meqenëse ata e kundërshtuan ungjillin, u bënë armiq të Perëndisë dhe kjo për të mirën tuaj, ndërsa, duke u zgjedhur nga Perëndia, janë të dashur për shkak të etërve. 29 Thirrja dhe dhuratat e Perëndisë janë të pakthyeshme.
30 Ju dikur nuk i bindeshit Perëndisë, por tani keni marrë mëshirë për shkak të mosbindjes së tyre. 31 Po ashtu edhe këta tani nuk i binden Perëndisë, që për shkak të mëshirës që u tregua për ju, të gjejnë edhe ata mëshirë. 32 Perëndia i kyçi të gjithë në mosbindje, që të tregonte mëshirë për të gjithë.
33 O thellësi e pasurisë, e urtisë dhe e njohjes së Perëndisë! Sa të padepërtueshme janë gjykimet e tij dhe sa të pagjurmueshme janë udhët e tij!
34 Po kush e njohu mendjen e Zotit?
Apo kush u bë këshilltar i tij?
35 Kush i ka dhënë ndonjëherë
ndonjë gjë Perëndisë,
që të kërkojë shpërblim prej tij?
36 Sepse prej tij, përmes tij e për të janë të gjitha gjërat. Atij i qoftë lavdia në amshim! Amen!
1 Them pra: Mos e hodhi teje Perëndia llauzin’ e ti? Qoftë lark; sepse edhe unë jam Israilit, nga far’ e Avraanit, nga komb’ i Veniaminit.
2 Perëndia nukë hodhi teje llauzin’ e ti, të cilin’ e njohu që përpara. Apo nukë dini ç’thotë shkronja për Ilinë? Qysh flet te Perëndia kundrë Israilit (tuke thënë):
3 “Zot, vranë profitët’ e tu, edhe rrëzuanë theroret’ e tua; edhe unë mbeta vetëmë, edhe kërkonjënë jetënë time”.
4 Po ç’i thotë zëri i Perëndisë? “Kam lënë për vetëhenë time shtatë mijë burra, të cilëtë nuk’ iu unjnë mbë gjunj Vaallit.”
5 Kështu pra edhe mbë këtë kohë ndashti ka mbeturë një gjë sent pas të sgjedhurit hirit.
6 Po ndë qoftë pas hirit, nuk’ është më prej punërash; sepse atëhere hiri nuk’ është më hir. Po ndë qoftë prej punërash, nuk’ është më hir; sepse puna nuk’ është më punë.
7 Ç’është pra? Israili nuk’ e gjeti atë që kërkon; po të sgjedhurit’ e gjetnë, e të tierët’ u verbuanë gjer mbë këtë ditë të soçëme.
8 (Sikundrë është shkruarë: “Perëndia u dha atyre një frymë të dërmituri, sy që të mos shohënë, edhe veshë që të mos dëgjonjënë.”)
9 Edhe Dhavidhi thotë: “U bëftë truveza e atyreve për kurth, e për lak e për pengesë, e për shpagesë mb’ ata.
10 U errësofshinë syt’ e atyreve për të mos parë; edhe kërrus kurrizin’ e atyreve për kurdo.”.
11 Them pra: Sos fëjyenë, që të rrëzonenë? Qoftë lark; po prej së rrëzuarës’ atyre u bë shpëtim ndër kombet, që t’u shtierë zëli atyreve.
12 Edhe të rrëzuarët’ e atyreve ndë qoftë pasëje bote, edhe të shterët’ e atyreve pasëje kombesh, sa më të tepër do të jetë të mbushurit’ e atyreve?
13 Sepse u them juve kombevet (gjersa jam të jem un’ apostol i kombevet, lavdonj punënë time),
14 Që t’u shtie zëlinë atyreve që janë mishi im, edhe të shpëtonj ca nga ata.
15 Sepse të hedhuritë teje t’ atyreve është të paqtuarët’ e botësë, ç’do të jetë të priturit’ e atyreve , përveç jetë prej së vdekurish.
16 Po ndë qoftë pem’ e parë e shënjtëruarë, është edhe brumi; edhe ndë qoftë rrënja e shënjtëruarë, janë edhe degatë.
17 Po ndë u çqyenë ca nga degatë, e ti që ishnje ullir’ i egrë u shartove ndër ato, e u bëre shok’ i rrënjës’ edhe i ullirit trashë,
18 Mos u mburr kundrë degavet; po ndë u mburrç, ti nukë mban rrënjënë, po rrënja të mban tyj.
19 Do të thuash pra: U çqyenë degatë, që të shartohem unë.
20 Mirë; për pabesërinë u çqyenë, po ti qëndron për besënë. Mos mendo lart, po kij frikë.
21 Sepse Perëndia ndë mos kurceu degat’ e fisëme, druaj se nukë do të kurcenjë edhe tyj.
22 Shih pra të mirëtë edhe shtrëngimin’ e Perëndisë; mb’ata që u rrëzuanë, shtrëngim, po mbë tyj, të mirë, ndë qëndrofsh ndë të mirët; sepse tietrazi edhe ti do të shkëputesh.
23 Po ata, ndë mos qëndrofshinë ndë pabesërit, do të shartonenë; sepse Perëndia ësht’ i fuqishim t’i shartonjë ata prap.
24 Sepse ndë u shkëpute ti nga ullir’ i egrë i fisëm, edhe u shartove kundrë fisit ndë ulli të butë, sa më tepërë këta që janë të fisëm do të shartonenë ndë ulli të tyre?
25 Sepse nukë dua, o vëllezër, të mos e dini këtë fshehësirë, (që të mos jeni të mënçim ndër vetëhet tuaj) se të verbuar’ u bë mbënjanë mbë Israilinë, gjersa të hynjë të mbushurit’ e kombevet.
26 Edhe kështu gjith’ Israili do të shpëtonjë, sikundrë është shkruarë: “Do të vinjë nga Sioni Ay që shpëton, edhe do të këthenjë pabesëriatë nga Jakovi.
27 Edhe këjo është dhiata prej meje mb’ ata, kur t’u heq fajet’ atyreve”.
28 Edhe nga ana e ungjillit janë arëmiq te ju, po nga ana e së sgjedhurësë janë të dashurë për atëritë.
29 Sepse dhurëtiat’ edhe të thërriturit’ e Perëndisë janë pa pendim.
30 Sepse sikundrë edhe ju njëherë nuk’ i dëgjuatë Perëndisë, po ndashti u përdëllyetë prej të padëgjuarit këtyreve.
31 Kështu edhe këta ndashti nuk’ i dëgjuan’ ati , që të përdëllenen’ edhe ata prej përdëllimit tuaj.
32 Sepse Perëndia i mbylli të gjithë ndë padëgjim, që t’i përdëllenjë të gjithë.
33 O thellësirë pasëje e diturie e mënt Perëndie! Sa të pavëshguara janë gjyqet’ e ati, edhe të pagjetura gjurmat’ e udhëvet ati! Sepse “kush njohu mëndëjen’ e Zotit? A kush u bë këshillës bashkë me atë?”
34 A “kush i dha ati gjë përpara, që t’i shpaguhet’ ati?”
35 Sepse prej ati, edhe me anë t’ ati, edhe nd’ atë janë të gjitha; mb’ atë qoftë lavdia për jetët. Amin.