Kënga e të shpërblyerve
1 Pastaj pashë Qengjin që qëndronte mbi malin e Sionit. Bashkë me të ishin edhe njëqind e dyzet e katër mijë njerëz, që kishin të shkruar në ballë emrin e tij dhe emrin e Atit të tij. 2 Atëherë dëgjova një zë nga qielli, që ngjante si ushtima e deteve dhe si gjëmimi i një bubullime të madhe. Zëri që dëgjova ishte si tingulli që lëshon harpa kur i bien harpistët. 3 Para fronit dhe para katër gjallesave e pleqve këndonin një këngë të re. Askush nuk mund ta mësonte këngën, përveç njëqind e dyzet e katër mijë të shpërblyerve nga toka. 4 Këta janë ata që nuk u përlyen me gra, por mbetën të virgjër. Janë ata që shkojnë pas Qengjit, kudo ku ai shkon. Ata u shpërblyen prej njerëzve për të qenë frytet e para për Perëndinë dhe Qengjin. 5 Nga goja e tyre nuk ka dalë asnjë gënjeshtër, sepse janë të paqortueshëm.
Lajmi i tre engjëjve
6 Pastaj pashë një engjëll tjetër, që fluturonte në mes të qiellit dhe që kishte një ungjill të amshuar për t'u shpallur banorëve të tokës nga çdo komb, fis, gjuhë e popull. 7 Ai tha me zë të lartë: «Druajeni Perëndinë dhe jepini lavdi, se erdhi ora e gjykimit të tij. Adhurojeni atë që bëri qiellin e tokën, detin dhe burimet e ujërave!».
8 Një engjëll tjetër erdhi pas të parit e tha: «Ra, ra Babilonia e madhe, ajo që dehu gjithë kombet me verën e zemërimit të kurvërisë së saj».
9 Një engjëll i tretë erdhi pas tyre e tha me zë të lartë: «Kush adhuron bishën dhe shëmbëlltyrën e saj dhe merr damkën në ballë e në dorë, 10 do të pijë nga vera e zemërimit të Perëndisë, që është e papërzier në kupën e zemërimit të tij. Ai do të mundohet me zjarr e squfur para engjëjve të shenjtë dhe para Qengjit.
11 Tymi i mundimit të tyre do të ngrihet në shekuj të shekujve dhe ata që adhurojnë bishën e shëmbëlltyrën e saj dhe kanë marrë damkën e emrit të saj, nuk do të gjejnë prehje as ditën, as natën. 12 Këtu do të duket durimi i të shenjtëve, i atyre që zbatojnë urdhërimet e Perëndisë dhe ruajnë besimin e Jezuit».
13 Atëherë dëgjova një zë nga qielli që më tha: «Shkruaj: lum ata që do të vdesin të bashkuar me Zotin që tani e tutje».
«Po, thotë Shpirti. Ata do të prehen nga mundimet, sepse veprat e tyre do t'i shoqërojnë pas».
Të korrat e tokës
14 Pastaj pashë një re të bardhë, mbi të cilën ishte ulur dikush që ngjante si bir njeriu. Në kokë kishte një kurorë të artë, ndërsa në dorë një drapër të mprehtë. 15 Nga tempulli doli një engjëll tjetër që i thirri me zë të lartë atij që rrinte ulur mbi re: «Merre draprin e korr, se erdhi koha e korrjes dhe të korrat e tokës janë pjekur». 16 Atëherë ai që rrinte ulur mbi fron e hodhi draprin në tokë dhe toka u korr.
17 Nga tempulli që ishte në qiell doli edhe një engjëll tjetër. Edhe ai mbante një drapër të mprehtë. 18 Një engjëll tjetër doli nga altari. Ai kishte pushtet mbi zjarrin dhe i thirri me zë të lartë atij që kishte draprin e mprehtë: «Merre draprin tënd të mprehtë dhe vil bistakët e vreshtit të tokës, se u poq rrushi». 19 Engjëlli e hodhi draprin në tokë, voli vreshtin e tokës dhe rrushin e hodhi në vozën e madhe të zemërimit të Perëndisë. 20 Rrushi i vozës u shtrydh jashtë qytetit dhe prej saj doli gjak që arrinte deri te frerët e kuajve dhe u përhap deri rreth treqind kilometra larg.
1 Edhe pashë, edhe ja një Qënq te rrinte mbi malt të Sionit, edhe bashkë me atë ishinë një qint e dyzet e katrë milë që kishinë shkruarë ndë ballërat të tyre emërin’ e t’et ati.
2 Edhe dëgjova një zë nga qielli posi zë shumë ujërash, edhe posi zë bumbullime së madhe; edhe dëgjova një zë qitharorësh që qitharisninë me qitharat’ e tyre.
3 Edhe këndoninë (posi) një kënkë të re përpara fronit, edhe përpara katrë shtësëvët edhe pleqvet; edhe asndonjë s’munt të merrte vesh kënkënë, veçe të një qint e dyzet e katrë milë vetë , që ishinë blerë nga dheu.
4 Këta jan’ ata që nuk’ u ndyrnë me gra, sepse janë të virgjërë; këta jan’ata që i venë prapa Qëngjit atie ku të vejë; këta u blenë nga njerëzitë, që janë pemë e parë te Perëndia edhe te Qëngji.
5 Edhe ndë gojët t’atyreve nuk’ u gjënt kobim, sepse janë faqe-bardhë (përpara fronit Perëndisë).
6 Edhe pashë një tiatër’ ëngjëll tuke fluturuarë ndë mes të qiellit, që kishte ungjillin’ e pasosurë, që t’u ungjillëzonjë atyreve që rrinë mbë dhet, edhe mbë çdo komb’ e farë e gluhë e llaus.
7 E thoshte me zë të math: “Kini frikë Perëndisë, edhe epni lavdi ati, sepse erdhi ora e gjyqit ati; edhe iu falni ati që bëri qiellin’ e dhen’ e detin’ e kronjt’ e ujëravet.”
8 Edhe një tiatër’ ëngjëll vate prapa, e thoshte: “Ra, ra Vavyllona”(qyteteja) e madhe; sepse ujiti gjithë kombetë me verën’ e zemërimit kurvërisë saj.”
9 Edhe një ëngjëll i tretë vate prapa atyreve, tuke thënë me zë të math: “Kush t’i faletë bishësë edhe ikonës’ asaj, edhe të marrë shenjënë ndë ball të ti a mbë dorët të ti,
10 Edhe ay do të pijë nga vera e zemërimit Perëndisë, që është derdhurë pa përzierë ndë potir të zemërimit ati; edhe do të mundonetë me ziarr e me squfur përpara ëngjëjvet shënjtëruar’ edhe përpara Qëngjit.
11 Edhe tymi i mundimit atyreve hipën ndë jetët të jetëvet; edhe s’kamë të prëjturë dit’ e natë ata që i falenë bishësë edhe ikonës’ asaj, edhe kur merr shenjën e emërit asaj.
12 Këtu është durimi i shënjtorëvet; këtu janë ata që ruanjënë porosit’ e Perëndisë edhe besën’ e Jisujt.”
13 Edhe dëgjova një zë nga qielli që (më) thoshte: “Shkruaj: Lum ata të vdekurë që vdesënë mbë Zotinë që tashi. Po, thotë Fryma, që të prëhenë nga mundëjet’ e tyre; edhe punërat’ e atyre u venë prapa atyreve.”
14 Edhe pashë, edhe ja një re e bardhë, edhe mbi ret ishte ndenjurë një që shëmbëllente posi bir njeriu, edhe kishte mbi kryet të ti një kurorë t’artë, edhe ndë dorë të ti një drapër të prehëtë.
15 Edhe një tiatër’ ëngjëll dolli nga tempulli tuke thërriturë me zë të math mb’atë që ishte ndenjurë mbi ret: “Dërgo drapërinë tënt, edhe korr; sepse (të) erdhi ora të korrç, sepse u tha të korrët’ e dheut.”
16 Edhe ay që ishte ndenjurë mbi ret vuri drapërin’ e ti mbi dhet; edhe dheu u korr.
17 Edhe një tiatër’ ëngjëll dolli nga tempulli që është ndë qiell, edhe kishte edhe ay një drapër të prehëtë.
18 Edhe një tiatër’ ëngjëll dolli nga theroreja, i cili kishte pushtet mbi ziarrt; edhe thërriti me zë të math mb’ atë që kishte drapërin'’e prehëtë, tuke thënë: “Dërgo drapërinë tënt të prehëtinë, edhe vil rrusht’ e vështit dheut, sepse u poqnë rrusht’ e ati.”
19 Edhe ëngjëlli vuri drapërin’ e ti ndë dhet, edhe voli vështin’ e dheut, edhe hodhi rrushtë ndë tirët të madhe të zemërimit Perëndisë.
20 Edhe tira u shtyp përjashta qytetësë, edhe dolli gjak nga tira gjer mbë frerat të kuajvet, gjer një milë e gjashtë qint stadhe lark .