Drejtësia e vërtetë
1 Së fundi, vëllezërit e mi, gëzohuni në Zotin. Unë nuk lodhem duke ju shkruar të njëjtat gjëra, por këtë e bëj, se është e dobishme për ju.
2 Ruhuni nga punëtorët e këqij të ungjillit, ruhuni nga ata qen! Ruhuni nga ata që ju shtyjnë të gjymtoheni me anë të rrethprerjes! 3 Sepse rrethprerja jemi ne, ne që i shërbejmë Perëndisë përmes Shpirtit të tij, që krenohemi falë Krishtit Jezu e që nuk i zëmë besë dobësisë njerëzore, 4 megjithëse unë kam përse t'i zë besë edhe dobësisë njerëzore. Nëse ndonjëri mendon se ka arsye t'i zërë besë dobësisë njerëzore, unë kam edhe më shumë: 5 u rrethpreva të tetën ditë, jam nga populli i Izraelit, nga fisi i Benjaminit, hebre e bir hebreu dhe e zbatoja ligjin si farise. 6 Kam qenë aq i zellshëm saqë edhe e kam përndjekur kishën dhe kam qenë i paqortueshëm, sepse bëja një jetë të drejtë sipas ligjit.
7 Por këto gjëra që dikur kishin vlerë për mua, tani i quaj humbje për shkak të Krishtit. 8 E me të vërtetë unë i shoh të gjitha si humbje përballë epërsisë që vjen nga njohja e Krishtit Jezu, Zotit tim. Për shkak të tij unë i humba të gjitha këto dhe i shoh si plehra, në mënyrë që të fitoj Krishtin 9 dhe të jem me të, duke mos u bërë i drejtë përmes ligjit, por përmes besimit në Krishtin, domethënë të bëhem i drejtë nga Perëndia përmes besimit. 10 Unë dua të njoh Krishtin dhe fuqinë e ngjalljes së tij, të marr pjesë në vuajtjet e tij e të bashkohem me të në vdekjen e tij, 11 me shpresën që të arrij të ngjallem prej të vdekurve.
Drejt synimit
12 Nuk them se ia kam arritur fundit e as se jam bërë i përsosur, por ende vrapoj për të fituar çmimin, për të cilin edhe Krishti më fitoi mua. 13 Vëllezër, unë nuk mendoj për veten time se ia kam arritur, por di të them se i kam harruar ato që kam lënë pas dhe se po rend drejt atyre që kam përpara, 14 drejt synimit për të fituar çmimin e thirrjes qiellore të Perëndisë, përmes Krishtit Jezu. 15 Kështu le të mendojmë të gjithë ne që jemi të përsosur në besim. Nëse ju mendoni ndryshe për ndonjë gjë, Perëndia do t'ju ndriçojë mendjen edhe për këtë gjë. 16 Pavarësisht se ku kemi arritur, le të vazhdojmë të ndjekim të njëjtën udhë .
17 Vëllezër, më shkërbeni mua dhe shikoni ata që ecin sipas shembullit tim. 18 Siç ju kam thënë shpesh e po jua them edhe tani me lot ndër sy, se ka shumë nga ata që jetojnë si armiq të kryqit të Krishtit. 19 Fundi i tyre është shkatërrimi, perëndia i tyre është barku, ata mburren me gjëra për të cilat duhet të turpëroheshin. Ata e kanë mendjen në gjërat e kësaj bote, 20 ndërsa ne e kemi qytetarinë në qiej, prej nga presim shpëtimtarin, Zotin Jezu Krisht. 21 Ai do ta shndërrojë trupin tonë të mjerë duke e bërë të ngjashëm me trupin e tij të lavdishëm, me anë të fuqisë e pushtetit që do të nënshtrojë gjithçka nën sundimin e vet.
1 Përandaj, o vëllezërit’ e mi, gëzohuni mbë Zotinë, që t’u shkruanj juve po ato fialë , sa për mua nukë purtonj, po për ju është mirë.
2 Ruhi nga qëntë, ruhi nga punëtorët’ e liq; ruhi nga të prerëtë;
3 Sepse rrethpresëja jemi neve që lusëmë Perëndinë me frymë, edhe që mburremi mbë Jisu Krishtinë, edhe nukë kemi shpëresë ndë misht;
4 Ndonëse edhe unë kam shpëresë ndë misht. Ndë qoftë se kujton ndonjë tiatër, se ka shpëresë ndë misht, unë gjan të kem më shumë;
5 Rrethprerë tetë diç, prej kombit të Israilit, prej farësë Veniaminit, Evre prej Evresh, pas nomit Farise,
6 Nga përvëlimi zemërësë ndiekësi i qishësë, nga drejtëria që është nga nomi faqe-bardhë.
7 Po ato që më ishinë fitim, këto i kujtova dëm për Krishtinë.
8 Edhe me të vërtetë të gjitha i kujtonj se janë dëm për kapërximin’ e së njohurësë Jisu Krishtit, Zotit tim; për atë i dëmtova të gjitha, edhe i kujtonj se janë plehë, që të fitonj Krishtinë
9 Edhe të gjëndem tek ay, pa pasurë drejtërinë time që është nga nomi, po atë që është nga an’ e besësë Krishtit, drejtërinë që është prej Perëndisë mbi besët;
10 Që të njoh atë, edhe fuqin’ e të ngjallurit ati, edhe shoqërin’ e pësimevet ati, e të bënem me një formë me vdekëjen’ e ati;
11 Mbase t’i arrinj të ngjallurit prej së vdekurish.
12 Jo se unë ndashti mora bravurënë , a se jam bër’ i kulluarë, po ecënj prapa, mos e marr atë , sepse për atë jam zënë nga Jisu Krishti.
13 O vëllezër, unë s’kujtonj për vetëhenë time se e kam marrë atë ;
14 Po një punë punonj , harronj ato që shkuanë prapa, edhe shtrihem të zë ato që kam përpara, ecënj pas shenjësë mbi bravurën’ e të thërriturit prej së larti nga Perëndia mbë Jisu Krishtinë.
15 Sa jemi të kulluarë pra, le të kemi ndër mënt këtë; edhe paçi ndër mënt tietërë gjë, edhe këtë do t’ua sbulonjë juve Perëndia.
16 Po mb’ atë që arrijtëm, le të ecëjmë, pas asaj, le të kemi ndër mënt po atë.
17 O vëllezër, bëni si bënj unë, edhe vini re ata që ecënjënë kështu, sikundrë na keni shëmbëllesë.
18 Sepse shumë ecënjënë, për të cilët u thoshnjam juve shumë herë, edhe ndashti them tuke qjarë, se ata jan’ arëmiqt’ e kryqit Krishtit;
19 Atyreve e pastajmeja është humbje, atyreve Perëndia është barku, edhe lavdia e atyreve është ndë turpëri t’atyreve, andejë nga presëmë ndër mënt punërat’ e dheut.
20 Po qyteti ynë është ndë qiejet, që ku edhe presëm edhe Shpëtimtar, Zotinë Jisu Krisht;
21 I cili do të ndërronjë trupin’ e të përunjurit tënë, që të bënetë në një formë me trupin’ e lavdis’ ati, pas vepërimit që ay munt të vërë ndënë vetëhet të ti të gjitha.