Shërimi i të pushtuarit nga djalli
(Mt 8.28-34Lk 8.26-39)
1 Arritën në bregun tjetër të liqenit, në vendin e gerasenëve 2 dhe menjëherë, sapo doli Jezui nga varka, erdhi nga varrezat tek ai një njeri i pushtuar nga një shpirt i ndyrë. 3 Ai banonte në varreza dhe askush nuk mund ta lidhte më as me zinxhirë, 4 sepse disa herë e kishin lidhur me pranga e zinxhirë, por ai i kishte këputur zinxhirët e i kishte thyer prangat dhe askush nuk mund ta zbuste dot. 5 Natë e ditë rrinte nëpër varre e nëpër male, duke bërtitur e duke e prerë veten me gurë. 6 Kur e pa Jezuin nga larg, ai vrapoi, ra në gjunjë para tij 7 dhe thirri me zë të lartë: «Çfarë ke me mua, o Jezu, Biri i Perëndisë së tejlartë? Të përbej për Perëndinë, mos më mundo!». 8 Jezui i tha: «Shpirt i ndyrë, dil nga ky njeri!». 9 Dhe e pyeti: «Si e ke emrin?». Ai iu përgjigj: «Emri im është Legjion, se jemi shumë». 10 Dhe djalli i lutej shumë Jezuit që të mos e dëbonte jashtë atij vendi.
11 Aty pranë malit gjendej një tufë e madhe derrash që po kullotnin. 12 Shpirtrat e ndyrë iu lutën Jezuit e i thanë: «Na dërgo të hyjmë te derrat!». 13 Dhe ai i lejoi. Atëherë shpirtrat e ndyrë, me të dalë prej tij, u futën te derrat dhe tufa që gati arrinte numrin dy mijë, u hodh nga humnera në liqen e u mbyt. 14 Rojtarët e derrave ua mbathën këmbëve dhe e përhapën lajmin në qytet e nëpër fshatra dhe njerëzit erdhën për të parë çfarë kishte ndodhur. 15 Ata erdhën pranë Jezuit dhe kur panë të pushtuarin nga djalli, atë që kishte pasur Legjionin, që rrinte ulur dhe ishte i veshur e me mendje në rregull, i zuri frika.
16 Ata që e kishin parë ngjarjen treguan çfarë kishte ndodhur me të pushtuarin nga djalli e me derrat. 17 Atëherë ata iu lutën Jezuit që të largohej nga krahina e tyre. 18 Ndërsa Jezui po hipte në varkë, njeriu që kishte qenë i pushtuar nga djalli i lutej të rrinte me të. 19 Jezui nuk e lejoi, por i tha: «Shko në shtëpi te njerëzit e tu dhe tregoju çfarë ka bërë Zoti e sesi tregoi mëshirë për ty». 20 Atëherë ai u largua dhe nëpër mbarë Dekapojën shpallte atë që kishte bërë Jezui për të dhe të gjithë mahniteshin.
Prekja shëruese
(Mt 9.18-26Lk 8.40-56)
21 Jezui kaloi përsëri me varkë në bregun tjetër dhe një turmë e madhe u mblodh rreth tij. Kur ishte në breg të liqenit, 22 erdhi njëri prej kryetarëve të sinagogës me emrin Jair dhe sapo e pa Jezuin, i ra ndër këmbë 23 e iu lut shumë, duke i thënë: «Vajza ime e vogël është në grahmat e fundit, prandaj eja, vëri duart mbi të, që të shpëtojë e të jetojë!». 24 Jezui shkoi me të dhe një turmë e madhe, që shtyhej nga të gjitha anët, i shkoi pas.
25 Një grua kishte dymbëdhjetë vjet që vuante nga hemorragjia. 26 Ajo kishte hequr shumë nga mjekë të ndryshëm dhe kishte shpenzuar gjithçka që kishte, pa kurrfarë dobie, e sa vinte e përkeqësohej. 27 Me të dëgjuar për Jezuin, ajo hyri mes turmës dhe i preku nga pas gunën. 28 Ajo thoshte me vete: «Sikur t'ia prek vetëm rrobat, do të shpëtoj». 29 Rrjedhja e gjakut iu ndërpre në çast e ajo ndjeu në trupin e saj se u shërua nga sëmundja. 30 Jezui e ndjeu menjëherë forcën që doli prej tij dhe, si iu drejtua turmës, tha: «Kush m'i preku rrobat?». 31 Dishepujt i thanë: «Ti e sheh turmën që të shtyn nga të gjitha anët e thua kush më preku?». 32 Por ai shikonte rreth e rrotull për të parë atë që e kishte prekur. 33 Atëherë gruaja, e frikësuar e duke u dridhur, ngaqë e dinte atë që i kishte ndodhur, erdhi, i ra ndër këmbë e i tha gjithë të vërtetën. 34 Jezui i tha: «Bijë, besimi yt të shpëtoi. Shko në paqe e qofsh e shëruar nga sëmundja jote».
35 Ndërsa po fliste, erdhën disa prej njerëzve të kryetarit të sinagogës e i thanë: «Jot bijë vdiq. Përse e shqetëson ende mësuesin?». 36 Por Jezui, kur i dëgjoi këto fjalë, i tha kryetarit të sinagogës: «Mos ki frikë, vetëm beso!». 37 Dhe nuk lejoi askënd që ta shoqëronte përveç Pjetrit, Jakobit e Gjonit, vëllait të Jakobit. 38 Si arritën në shtëpinë e kryetarit të sinagogës, Jezui pa rrëmujë e njerëz që qanin e vajtonin me zë të lartë. 39 Kur hyri, u tha: «Përse bërtisni e qani? Fëmija nuk ka vdekur, por po fle». 40 Ata e përqeshën. Por ai i nxori të gjithë përjashta, mori me vete të atin e të ëmën e fëmijës dhe ata që e shoqëronin dhe hynë atje ku ishte fëmija. 41 Ai e kapi fëmijën për dore e i tha: «Talitha kum» që përkthehet: «Vashëz, unë po të them: ngrihu!». 42 Vajza e vogël u ngrit menjëherë e filloi të ecte. Ajo ishte dymbëdhjetë vjeç.
Atëherë u habitën pa masë. 43 Jezui i urdhëroi rreptësisht që askush të mos e merrte vesh këtë gjë e u tha t'i jepnin të hante.
1 Edhe erthnë përtej detit, ndë vënt të Gadharinvet.
2 Edhe ay si dolli nga lundra, përnjëherë i dolli përpara nga varretë një njeri me frymë të ndyrë, që kishte të ndenjuritë ndër varret,
3 Edhe asndonjë s’munt ta lithte me vargje hekurash;
4 Sepse shumë herë që lidhurë me hekura ndër këmbë e me vargje hekurash, po ay këpuste vargjet’ e hekuravet, edhe dërrmonte hekurat’ e këmbëvet. Edhe asndonjë s’munt ta cbuste.
5 Edhe për gjithë natën’ e për gjithë ditënë ishte ndëpër malet e ndëpër varret, tuke bërtitur’ e tuke këputurë vetëhen’ e ti me gurë.
6 Edhe kur pa Jisunë për së largu, u lëshua me vrap edhe iu fal.
7 Edhe bërtiti me zë të math e tha: “Ç’ke ti me mua, o Jisu, i Bir’ i Perëndisë lartë? Të vë mbë be mbë Perëndinë, të mos më mundojç.
8 Sepse Jisuj i thoshte: “Dil nga njeriu, o frym’ e ndyrë.”
9 Edhe e pyeste: “Si ta thonë emërinë? Edhe ay u përgjeq e tha: “Legjeon ma thonë emërinë, sepse jemi shumë.”
10 Edhe i lutej shumë, që të mos e dërgojë jashtë vëndit.
11 Edhe atie ndëpër ata male ishte tuke kulloturë një tuf’ e madhe derrash.
12 Edhe gjithë diajtë iu lutnë, tuke thënë: “Dërgona ndër derrat, që të hyjmë ndër ata.”
13 Edhe Jisuj përnjëherë i la. Edhe frymat’ e ndyra duallnë, e hynë ndër derrat; edhe tufa u hoth prej shkrepit ndë det, (edhe ishin’ afërë dy milë), edhe u mbytnë ndë det.
14 Edhe ata që kullotninë derratë iknë, edhe dhanë zë ndëpër qytet e ndëpër arat. Edhe duallnë të shohënë ç’është këjo punë që u bë.
15 Edhe vinë te Jisuj, edhe vënë re të djallosurinë që pat pasurë legjeoninë tuke ndenjurë, e veshurë, e urtësuarë; edhe u frikësuanë.
16 Edhe ata që panë u treguan’ atyreve, se si gjajti puna mbë të diallosurinë, edhe për derrat.
17 Edhe ata zunë t’i lutenë të ikëjë nga sinoret’ e atyreve.
18 Edhe ay kur hyri ndë lundrët, ay që pat qënë djallosurë i lutej të jetë bashkë me atë.
19 Edhe Jisuj s’e la, po i tha: “Ecë ndë shtëpi tënde te njerëzit’ e tu, edhe epu zë për gjithë sa të bëri Zoti, edhe të përdëlleu.”
20 Edhe ay iku, edhe zuri të leçisë ndë Dhekapolë sa i bëri ati Jisuj; edhe të gjithë çuditeshinë.
21 Edhe Jisuj si kapërceu përsëri me lundrë mbatanë, shumë gjëndëje u mbëloth tek ay; edheay ish përanë detit.
22 Edhe na te vien një nga të parët’ e sinagogjisë, që e kishte emrinë Jajr; edhe kyj kur pa atë, i bie ndër këmbë; edhe i lutej shumë, tuke thënë:
23 “Se ime bilëzë është mbë frymë të pastajme; të vijç e të vësh duartë mbi atë, që të shpëtojë; edhe do të rrojë.”
24 Edhe ay vate bashkë me atë; edhe shumë gjëndëje i vininë pas, edhe e shtrëngoninë.
25 Edhe një grua që i rrithte gjak dy-mbë-dhietë viet,
26 Edhe kishte hequrë shumë nga shumë miekësa, edhe kishte prishurë gjithë ç’kishte pasurë, edhe s’ishte bërë mirë fare, po ishte bërë edhe më keq,
27 Ajo kur dëgjoj për Jisunë, erdhi ndë mest të gjëndëjesë prapa, e preku rrobën’ e ati; sepse thoshte:
28 “Se edhe ndë preksha rrobet e ati, do të shpëtoj.”
29 Edhe përnjëherë u shter të rriedhurit’ e gjakut, edhe e ndieu ndë trup të saj se u shërua nga sëmunda.
30 Edhe Jisuj përnjëherë, si kupëtoj ndër vetëhe fuqinë që dolli nga ay, u këthye te gjëndëja, e tha: “Kush më preku rrobetë?”
31 Edhe nxënësit’ e ati i thoshinë: “Sheh gjëndëjenë se të shtrëngon?” Edhe u tha: “Kush më preku?”
32 Po ay vinte re përqark që të shohë atë që bëri këtë.
33 Edhe gruaja tuke frikësuar’ e tuke dridhurë, sepse e dinte, se ç’iu bë asaj, erdhi e i ra ndër këmbë , edhe i tha gjithë të vërtetënë.
34 Edhe ay i tha: “Bilë, besa jote të shpëtoj; ecë ndë paqtim, edhe ij e shëndoshë nga sëmunda jote.”
35 Edhe ay kur ish po tuke folurë, vinë nga i pari sinagogjisë, tuke thënë: “Se jot’ bilë vdiq; përse e mundon më mësonjësinë?”
36 Po Jisuj përnjëherë dëgjoj këtë fialë që u fol, i thotë të parit të sinagogjisë:
37 “Mos kij frikë, veç beso.” Edhe s’la asndonjë të vejë prapa ati bashkë, veç Pietrinë, edhe Jakovinë, edhe Joanninë, të vëllan’ e Jakovit.
38 Edhe vien ndë shtëpi të parit të sinagogjisë, edhe vështron trazyrë, tuke klar’ e tyke uluriturë shumë.
39 Edhe si hyri, u thotë atyre: “Ç’trazoneni e klani? Vashëza nukë vdiq, po po fle.”
40 Edhe ata e përqeshninë. Po ay, si nxori jashtë të gjithë, merr me vetëhe tatën’ e vashëzësë edhe t’ëmënë edhe ata që ishinë bashkë me atë, edhe hyri atie ku ishte dergjurë vashëza.
41 Edhe si rroku për dore vashëzënë, i tha asaj: “Talitha kum”, që ajo këthyerë do me thënë: Vashëzë, të thom ngreu.
42 Edhe përnjëherë vashëza u ngre, edhe ecëte; sepse ishte dymbëdhietë vieç. Edhe u çuditnë me çudi të madhe.
43 Edhe i porositi shumë të mos e marrë vesh këtë asndonjë; edhe i tha t’i epet’ asaj të hajë.