Shërimi i të paralizuarit
(Mt 9.1-8Lk 5.17-26)1 Pas disa ditësh, kur Jezui u kthye në Kafarnaum, u hap fjala se ai ishte në një shtëpi. 2 Atje u mblodhën aq shumë njerëz, saqë nuk kishte më ku të rrinin, as edhe te dera. Ai u predikonte fjalën.
3 Atëherë erdhën e i sollën një të paralizuar, të cilin e mbartnin katër burra. 4 Meqë nuk mund t'i afroheshin për shkak të turmës, hapën çatinë sipër tij dhe ulën poshtë vigun ku gjendej i paralizuari. 5 Kur pa besimin e tyre, Jezui i tha të paralizuarit: «Biri im, të janë falur mëkatet». 6 Disa shkrues që rrinin aty filluan të mendonin në zemrat e tyre: 7 «Përse flet kështu ky njeri? Ai po fyen Perëndinë. E kush tjetër, përveç Perëndisë, mund t'i falë mëkatet?». 8 Jezui e kuptoi menjëherë në shpirtin e tij se ata po mendonin kështu, prandaj u tha: «Përse mendoni kështu në zemrat tuaja? 9 Çfarë është më e lehtë, t'i thuhet të paralizuarit “të janë falur mëkatet” apo t'i thuhet “ngrihu, merre vigun tënd dhe ec”? 10 Mirëpo, që ta dini se Biri i njeriut ka pushtetin të falë mëkatet mbi tokë, “i tha të paralizuarit”, 11 po të them: ngrihu, merre vigun e shko në shtëpi». 12 Ai u ngrit, mori menjëherë vigun e doli para të gjithëve. Të gjithë u mahnitën dhe përlëvduan Perëndinë e thanë: «Nuk kemi parë asnjëherë diçka të tillë».
Thirrja e Levit
(Mt 9.9-13Lk 5.27-32)13 Jezui doli përsëri në breg të liqenit. Gjithë turma u mblodh rreth tij e ai i mësonte. 14 Teksa po ecte më tej, pa Levin e Alfeut, që rrinte ulur në bankën e tagrave e i tha: «Më ndiq!». Ai u ngrit e i shkoi pas.
15 Ndërsa ishte ulur për të ngrënë, në shtëpinë e Levit, shumë tagrambledhës e mëkatarë u ulën me Jezuin e me dishepujt e tij. Ata që e ndiqnin ishin shumë. 16 Kur panë se po hante me mëkatarët dhe tagrambledhësit, shkruesit e farisenjve u thanë dishepujve: «Përse ha ai me tagrambledhësit e mëkatarët?». 17 Jezui e dëgjoi këtë e tha: «Nuk janë të shëndoshët ata që kanë nevojë për mjekun, por të sëmurët. Unë nuk kam ardhur të thërras të drejtët, por mëkatarët ».
Çështja e agjërimit
(Mt 9.14-17Lk 5.33-39)18 Dishepujt e Gjonit dhe farisenjtë po agjëronin. Disa prej tyre shkuan e i thanë Jezuit: «Përse dishepujt e Gjonit dhe të farisenjve agjërojnë, ndërsa dishepujt e tu nuk agjërojnë?». 19 Jezui u tha: «A mund të agjërojnë dasmorët kur dhëndri është me ta? Jo, nuk mund të agjërojnë për sa kohë kanë dhëndrin. 20 Por do të vijë dita kur do t'ua rrëmbejnë dhëndrin dhe atëherë, në atë ditë, do të agjërojnë.
21 Askush nuk qep një arnë prej një cope të re në një rrobë të vjetër, se arna prej copës së re e gris rrobën e vjetër dhe grisja bëhet më e madhe.
22 Askush nuk hedh verë të re në kacekë të vjetër, se vera i çan kacekët e kështu humbasin edhe vera, edhe kacekët. Prandaj vera e re hidhet në kacekë të rinj».
Jezui dhe e shtuna
(Mt 12.1-8Lk 6.1-5)23 Një të shtunë po ecnin përmes një fushe me grurë. Tek po kalonin andej, dishepujt e tij filluan të këpusnin kallinj gruri 24 dhe farisenjtë i thanë: «Ja, përse po bëjnë atë që nuk është e lejueshme të bëhet të shtunën?». 25 Por Jezui u tha: «A e keni lexuar ndonjëherë çfarë bëri Davidi kur u gjet ngushtë dhe e kishte marrë uria, atë dhe ata që ishin me të? 26 Sesi hyri në shtëpinë e Perëndisë, kur ishte kryeprift Abiatari dhe hëngri bukët e kushtimit që nuk lejohet t'i hajë askush, përveç priftërinjve dhe sesi ua dha edhe atyre që ishin me të?». 27 Pastaj u tha: «E shtuna është bërë për njeriun e jo njeriu për të shtunën. 28 Kështu Biri i njeriut është Zot edhe i të shtunës».
1 Edhe pas ca diç përsëri hyri ndë Kapernaum; edhe u dëgjua se është ndë shtëpi.
2 Edhe përnjëherë u mbëlothnë shumë vetë, kaqë sa as ata vëndetë përanë derës s’i nxininë më; edhe ay u leçiste atyre fialënë.
3 Atëhere vinë tek ay, e bienë një ulok ngriturë prej katrë vetësh.
4 Edhe passi s’munt të afroneshinë tek ay nga gjëndëja, sbuluanë kulminë ku ishte ay, edhe si bënë vërë, sbritnë shtratnë, që dirgjej ulogu mb’atë.
5 Edhe Jisuj, kur pa besën’e atyre, i thot’ ulogut: “Bir, t’u falnë falet’e tua.”
6 Edhe ca nga shkronjësit’ ishinë atie tuke ndenjurë, edhe tuke menduarë ndë zemërat të tyre:
7 “Ç’flet kyj kështu vllasfimia? Cili munt të falë faje, veç një, Perëndia?”
8 Edhe Jisuj përnjëherë si e mori vesh prej frymësë ti se po mendonenë me vetëhen’ e tyre kështu, u tha: “Përse mendoni këto punë ndër zemërat tuaja?
9 Ç’është më kollaj t’i them ulogut: T’u falnë faletë, apo t’i them: Ngreu, e merr shtratnë tënt, edhe ecë?
10 Po që ta dini, se i bir’ i njeriut ka pushtet të falë fale mbi dhet, (i thotë ulogut):
11 “Të thom: Ngreu, e merr shtratnë tënt, edhe shko ndë shtëpi tënde.”
12 Edhe ay u ngre përnjëherë, edhe mori shtratnë, edhe dolli përpara të gjithëve; kaqë sa të gjithë çuditeshinë, edhe lavdoninë Perëndinë, tuke thënë, se: “Askurrë s’kemi parë kështu.”
13 Pasandaj Jisuj dolli përsëri ndaj detit; edhe gjithë gjëndëja vinte tek ay, edhe ay i mësonte.
14 Edhe tuke shkuarë pa Levinë, të birrë e Allfeut, tuke ndenjurë mbë kumerq; edhe i thotë: “Eja pas meje.” Edhe ay u ngrit e vate pas ati.
15 Edhe ay kur po rrinte ndë mësallë ndë shtëpi t’ati, ishin’ unjurë ndë mësallë edhe shumë kumerqarë e faltorë bashkë me Jisunë e me nxënësit’ e ati; sepse ishinë shumë vetë, edhe vanë pas ati.
16 Edhe shkronjësit’e Farisejtë, kur pan’ atë tuke ngrënë bashkë me kumerqarë e me faltorë, u thoshinë nxënëset ati: “Përse ha e pi ay bashkë me kumerqarë e me faltorë?”
17 Edhe Jisuj, kur dëgjoj, u thot’ atyre: “Të shëndoshëtë s’kanë nevolë për miekës, po ata që kanë keq; s’kam ardhurë për të thirrurë të drejtë (ndë pendim), po faltorë.”
18 Edhe nxënësit’ e Joannit’ edhe të Fariseve agjëroninë; edhe vinë, e i thonë: “Përse nxënësit’ e Joannit’ edhe të Farisevet agjërojënë, po nxënësit’ e tu s’agjërojënë?”
19 Edhe Jisuj u tha: “Sos muntjënë të agjërojën’ ata që ftojënë për dasmë, gjersa të jetë dhëndërri bashkë me ata? Sa kohë kanë dhëndërrinë me vetëhen’ e tyre, s’munt t’agjërojënë.
20 Po do të vinë dit, kur të mirretë dhëndërri nga ata, edhe atëhere do t’agjërojënë nd’ato dit.
21 Edhe asndonjë s’qep arnë pëlhure të bardhë mbë rrobë të vietërë; sepse ndë qoftë, heq të mbushurit’ e asaj të renë prej së vietrësë, edhe bënetë më e keqe e shklyerë.
22 Edhe asndonjë s’vë verë të re ndë calikë të vietërë; sepse ndë qoftë, ver’ e re gris calikëtë, edhe vera derdhetë, edhe calikëtë prishenë; po ver’ e re duhetë të vihetë ndë calikë të ri.
23 Edhe ay kur po shkonte për një ditë të shëtunash ndëpër ara të mbiellura, nxënësit’ e ati zunë të shkoqënë kallij tuke bërë udhë.
24 Edhe Farisejt’ i thoshinë: “Shih, ç’bëjënë për ditë të shëtunash atë që s’ësht’ e udhësë?”
25 Edhe ay u thosh atyre: “Askurrë s’keni kënduarë ç’bëri Dhavidhi, kur pat nevolë, edhe i erdhi uri ati edhe atyreve që ishinë bashkë me atë?
26 Qysh hyri ndë shtëpi të Perëndisë ndë ditë të Aviathar kryepriftit, edhe hëngri bukët’ e paravënësë, të cilatë s’ësht’ e udhësë t’i haje tiatërë njeri , veç priftëret, edhe u dha edhe atyreve që ishinë bashkë me atë?”
27 Pasandaj u thoshte atyre, se: “E shëtuna është bërë për njerinë, po jo njeriu për të shëtunënë;
28 Përandaj i bir’ i njeriut ësht’ i zoti edhe së shëtunësë.