Tradita e të parëve
(Mk 7.1-23)
1 Farisenjtë dhe shkruesit erdhën te Jezui nga Jerusalemi e i thanë: 2 «Përse dishepujt e tu e shkelin traditën e të parëve? Ata nuk i lajnë duart kur hanë». 3 Jezui u përgjigj: «Po ju, pse e shkelni urdhërimin e Perëndisë për hir të traditës suaj? 4 Se Perëndia ka thënë: ndero atin tënd e nënën tënde dhe kush flet keq për të atin e të ëmën, të dënohet me vdekje. 5 Por ju thoni: “Kush i thotë të atit apo të ëmës se ndihmën që do t'ju jepja juve po ia kushtoj Perëndisë, 6 ai është i çliruar nga detyrimi për të nderuar të atin ”. Kështu, për shkak të traditës suaj keni shfuqizuar fjalën e Perëndisë. 7 Hipokritë! Mirë profetizoi Isaia për ju, kur tha:
8 ky popull më nderon me buzë,
por zemrat e tyre janë larg meje.
9 Më kot më nderojnë,
përderisa japin si mësim të Zotit
urdhrat e njerëzve ».
10 Pastaj e thirri turmën pranë vetes e tha: «Dëgjoni e merrni vesh! 11 Njeriun nuk e ndot çfarë hyn në gojë, por e ndot çfarë del prej saj».
12 Atëherë erdhën dishepujt e i thanë: «A e di se u je bërë pengesë farisenjve kur e kanë dëgjuar këtë gjë?». 13 Jezui u përgjigj: «Çdo bimë që nuk është mbjellë nga Ati im, do të shkulet me gjithë rrënjë. 14 Lërini ata! Ata janë të verbër që udhëheqin të verbër. Nëse një i verbër i prin një të verbri tjetër, do të bien të dy në gropë».
15 Por Pjetri i tha: «Na e shpjego këtë shëmbëlltyrë». 16 Jezui tha: «Ende nuk e keni kuptuar? 17 A nuk e dini se çfarë hyn në gojë, kalon në bark e pastaj jashtëqitet? 18 Ndërsa çfarë del nga goja rrjedh nga zemra dhe kjo e ndot njeriun. 19 Nga zemra dalin mendimet e këqija, vrasjet, tradhtitë bashkëshortore, kurvëritë, vjedhjet, dëshmitë e rreme e fyerjet. 20 Këto e ndotin njeriun e jo ngrënia me duar të palara».
Besimi i gruas kananite
(Mk 7.24-30)
21 Jezui u largua që andej e shkoi në rrethinat e Tirit e të Sidonit. 22 Dhe ja, një grua kananite, nga ajo krahinë, shkoi e i tha me zë të lartë: «Ki mëshirë për mua, o Zot, Biri i Davidit, se vajzën time e ka pushtuar keq djalli». 23 Por Jezui nuk iu përgjigj. Dishepujt e tij iu afruan e i thanë: «Largoje atë, se na vjen nga pas duke bërtitur». 24 Ai u përgjigj: «Unë jam dërguar vetëm te delet e humbura të shtëpisë së Izraelit». 25 Por ajo erdhi, i ra në gjunjë e i tha: «O Zot, më ndihmo!». 26 Ai iu përgjigj: «Nuk është mirë të marrësh bukën e fëmijëve e t'ua hedhësh qenve». 27 Ajo i tha: «Po, o Zot, por edhe qentë hanë thërrimet që bien nga tryeza e të zotëve». 28 Jezui iu përgjigj: «O grua, i madh është besimi yt! Le të bëhet ashtu siç dëshiron». Vajza e saj u shërua që në atë çast.
Shërimi i shumë njerëzve
29 Jezui u largua që andej e shkoi bregut të liqenit të Galilesë. U ngjit në mal dhe u ul aty. 30 Turma të mëdha erdhën tek ai duke sjellë me vete të çalë, të verbër, të gjymtuar, memecë e shumë të tjerë. I ulën te këmbët e tij dhe ai i shëroi. 31 Kështu turmat u mrekulluan kur panë memecët që po flisnin, të gjymtuarit që shëroheshin, të çalët që ecnin, të verbrit që shikonin dhe përlëvduan Perëndinë e Izraelit.
Ushqimi i katër mijë vetave
(Mk 8.1-10)
32 Pastaj Jezui thirri pranë vetes dishepujt e u tha: «Më dhimbset turma, se kanë tri ditë që rrinë me mua e nuk kanë asgjë për të ngrënë. Nuk dua t'i lë të shkojnë të uritur e të mbeten rrugës». 33 Dishepujt i thanë: «Ku ta gjejmë gjithë atë bukë në shkretëtirë për të ushqyer tërë këtë turmë?». 34 Jezui i pyeti: «Sa bukë keni?». Ata iu përgjigjën: «Shtatë bukë e disa peshq të vegjël». 35 Pasi urdhëroi turmën të ulej përdhe, 36 mori shtatë bukët dhe peshqit, tha lutjen e falënderimit, i theu bukët, ua dha dishepujve e dishepujt ua dhanë turmave. 37 Të gjithë hëngrën e u ngopën dhe morën me vete shtatë shporta me copat që tepruan. 38 Ata që hëngrën ishin katër mijë burra, përveç grave e fëmijëve. 39 Jezui i shpërndau turmat, hipi në varkë e shkoi në krahinën e Magadanit.
1 Atëhere vinjënë te Jisuj shkronjësit’ edhe Farisenjtë nga Jerusalimi, e i thonë:
2 “Përse nxënësit’ e tu shkelënë fialënë që kanë lënë pleqtë? Sepse s’lanjënë duart’e tyre, kur hanë bukë”.
3 Po ay u përgjeq e u tha atyre: “Përse edhe ju shkelni porosin’e Perëndisë për fialënë që keni lënë?
4 Sepse Perëndia porositi, tuke thënë: “Ndero t’ët atë, e t’ët ëmë;” edhe: “Ay që flet keq për t’anë a për t’ëmënë le të vritetë.”
5 Po ju thoni, se Kush t’i thotë t’et a s’ëmësë, se çdo të mirë që të shohç prej meje është dhurëti, mjaft , edhe munt të mos nderonjë t’anë a t’ëmënë.
6 Edhe s’mbajtëtë porosin’ e Perëndisë për fialënë që keni lënë ju.
7 Ipokritërë, mirë profitepsi Isaia për ju, tuke thënë:
8 “Kyj llaus [më afëronetë me gojën’ e ti, edhe] më nderon me buzëtë; po zëmër’ e atyre është lark prej meje.
9 Edhe kot më nderonjënë, tuke mësuarë mësime që janë porosia njerëzish”.
10 Edhe si thirri gjëndëjenë, u tha: “Dëgjoni edhe kupëtoni.
11 Ç’hyn ndë gojët nukë pëgër njerinë, po ç’del nga goja, këjo pëgër njerinë”.
12 Atëhere u afruanë nxënësit’ e ati, e i thanë: A e di se Farisenjtë kur dëgjuanë këtë fialë u skandhalisnë?
13 Edhe ay u përgjeq e tha: “Çdo bimë që nuk’ e ka mbiellë im atë qiellori, do të shkuletë.
14 Leni ata; se janë të verburë që u heqin’ udhënë të verburëvet; edhe ndë qoftë se i verburi i heq udhënë të verburit, të dy do të bienë ndë gropët”.
15 Edhe Pietri u përgjeq e i tha ati:
16 “Dëfte-na këtë paravoli”. Edhe Jisuj tha:
17 “Edhe po pa mënt jeni ju? Edhe nukë po kupëtoni, se çdo gjë që hyn ndë gojët, sbret ndë barkut, edhe nxiretë ndë të dalurit?
18 Po ato që dalënë nga goja, dalënë nga zëmëra, edhe ato ndynjënë njerinë.
19 Sepse nga zemëra dalënë mendime të liga, vrasie, ndyrësia, kurvëria, të viedhura, martiri të rreme, vllasfimia.
20 Këto jan ato që ndynjënë njerinë; po të hajë ndonjë me duar të palara nukë ndyn njerinë”.
21 Edhe Jisuj dolli andej, e iku ndë anët të Tyrës’ e të Sidhonësë.
22 Edhe ja një grua Hanane tek dolli nga ata sinore, e i thërriste tuke thënë: Përdëlle-më, o Zot, bir’i Dhavidhit; se ime bijë mundonetë keq prej diallit.
23 Po ay nuk’ iu përgjeq asaj ndonjë fialë. Edhe nxënësit’ e ati erthnë përanë e i luteshinë, tuke thënë: Lësho-je atë, sepse po bërtet prapa nesh.
24 Po ay u përgjeq e tha: “Nukë u dërguaç ngjetiu, veç te dhënt’ e humbura të shtëpisë Israilit”.
25 Pastaj ajo erdhi e i falej ati, tuke thënë: Zot, ndih-më.
26 Po ay u përgjeq e tha: “Nuk’ është mirë të marrë njeri bukën ’e dielmvet, e t’ua hedhë këlyshvet qenëvet”.
27 Edhe ajo tha: “Po, Zot; sepse edhe këlysht’ e qenvet hanë nga thërrimetë që bienë nga truvez’e zotërinjvet”.
28 Atëhere Jisuj u përgjeq e i tha asaj: “O grua, besa jote ësht’ e madhe; t’u bëftë si do”. Edhe e bija u shërua që mb’atë herë.
29 Edhe Jisuj iku andej, e erdhi përamë detit Galilesë, edhe hipi ndë malt, e rrinte atie.
30 Edhe erthnë tek ay shumë gjëndëje, që kishinë me vetëhe çala, të verburë, shurdha, doracë, edhe shumë të tierë; edhe i hothnë përanë këmbëvet të Jisujt, edhe ay i shëroj,
31 Kaqë sa u çuditnë gjëndëja, kur panë shurdha të flasënë, doracë të shëndoshurë, çala të ecënjënë, edhe të verburë të shohënë; edhe lavduruanë Perëndin’ e Israilit.
32 Atëhere Jisuj thirri përanë nxënësit’e ti, e tha: “Më dhëmbetë gjëndëja, sepse kanë tri dit ndashti që mbesënë përanë meje, e s’kanë ç’të hanë; edhe nukë dua t’i lëshonj ata pa ngrënë, se mos lodhenë udhësë”.
33 Edhe nxënësit’ e ati i thon’ ati: “Ku na gjëndenë këtu ndë shkretëtirët kaqë bukë, sa të nginjenë kaqë gjëndëje?”
34 Edhe Jisuj u tha atyre: “Sa bukë keni?” Edhe ata thanë: “Shtatë, edhe pak pishqe të vegjëlë.”
35 Edhe ay urdhëroj gjëndëjenë të ungjenë përdhe.
36 Edhe si mori të shtatë bukëtë edhe pishqetë, u fal ndersë, e i theu, e ua dha nxënësëvet ti, edhe nxënësitë gjëndëjesë.
37 Edhe hëngrrë të gjithë, e u nginjën; edhe ngritnë tepëricën’e copavet, shtatë shporta plot.
38 Edhe ata që hëngrrë ishinë katrë mijë burra, veç gravet e çunavet vegjëlë.
39 Edhe si lëshoj gjëndëjenë, hyri ndë lundrët edhe erdhi ndë sinoret të Magdhallasë.