Të dymbëdhjetët
(Mk 3.13-19Lk 6.12-16)1 Pasi thirri pranë vetes dymbëdhjetë dishepujt, Jezui u dha atyre pushtet për të dëbuar shpirtrat e ndyrë e për të shëruar çdo sëmundje e lëngatë. 2 Këta janë emrat e dymbëdhjetë apostujve: i pari Simoni, që quhet Pjetër, dhe Andrea, vëllai i tij; Jakobi i Zebedeut e Gjoni, vëllai i tij; 3 Filipi e Bartolomeu; Thomai e Mate Tagrambledhësi; Jakobi, biri i Alfeut, dhe Tadeu ; 4 Simon Kananiti e Judë Iskarioti, ai që e tradhtoi.
Porositë për të dymbëdhjetët
(Mk 6.7-13Lk 9.1-6)5 Jezui i dërgoi këta dymbëdhjetë dishepuj e i porositi kështu: «Mos shkoni udhës së kombeve e mos hyni në asnjë qytet samaritanësh, 6 por shkoni te delet e humbura të shtëpisë së Izraelit. 7 Ndërsa shkoni, predikoni e thoni: “Mbretëria e qiejve është afër”. 8 Shëroni të sëmurët, ngjallni të vdekurit, pastroni të lebrosurit, dëboni djajtë. Falas morët, falas jepni. 9 Mos merrni me vete as ar, as argjend, as bakër, 10 as torbë për udhëtim, as dy tunika, as sandale, as shkop, sepse punëtori ka të drejtë të ushqehet. 11 Në çfarëdo qyteti a fshati që të hyni, kërkoni atë që është i gatshëm t'ju presë në shtëpinë e tij dhe rrini atje derisa të niseni. 12 Kur të hyni në një shtëpi, përshëndetini. 13 Nëse ajo shtëpi është e denjë, le të vijë mbi të paqja juaj, por nëse nuk ju pret mirë, le të kthehet paqja juaj te ju. 14 Dhe nëse ndokush nuk do t'ju pranojë apo nuk do të dëgjojë fjalët tuaja, kur të dilni nga ajo shtëpi, apo nga ai qytet, shkundni pluhurin nga këmbët. 15 Me të vërtetë po ju them se në ditën e gjykimit më lehtë do ta ketë Sodoma e Gomorra, sesa ai qytet».
Parashikimi i përndjekjeve
(Mk 13.9-13Lk 21.12-17)16 «Ja, po ju dërgoj si delet mes ujqve, prandaj jini të zgjuar si gjarpërinjtë e të pastër si pëllumbat. 17 Ruhuni nga njerëzit, se do t'ju dorëzojnë nëpër sinedra e do t'ju fshikullojnë në sinagogat e tyre. 18 Do t'ju tërheqin zvarrë para qeveritarëve e mbretërve për shkakun tim, që të jepni dëshmi para tyre e para kombeve. 19 Kur t'ju dorëzojnë, mos u shqetësoni sesi do të flisni apo se çfarë do të thoni, sepse ajo që do të thoni do t'ju jepet në atë çast. 20 Nuk jeni ju ata që do të flisni, por Shpirti i Atit tuaj që do të flasë përmes jush. 21 Vëllai do ta dorëzojë vëllanë, që ta dënojnë me vdekje, dhe ati të birin. Bijtë do të ngrihen kundër prindërve e do t'i çojnë drejt vdekjes. 22 Të gjithë do t'ju urrejnë për shkak të emrit tim, por ai që do të qëndrojë deri në fund do të shpëtohet. 23 Kur t'ju përndjekin në një qytet, shkoni në një tjetër. Me të vërtetë po ju them se nuk do t'i keni përshkuar të gjitha qytetet e Izraelit para se të vijë Biri i njeriut.
24 Dishepulli nuk është më i madh se mësuesi dhe shërbëtori nuk është më i madh se i zoti. 25 Dishepullit i mjafton të jetë si mësuesi i tij dhe shërbëtorit të jetë si i zoti. Nëse e quajtën Beelzebul të zotin e shtëpisë, aq më shumë do t'i quajnë ashtu ata të shtëpisë së tij».
Kujt t'i trembemi
(Lk 12.2-7)26 «Prandaj mos kini frikë prej tyre, sepse nuk ka asgjë të mbuluar që s'do të zbulohet, apo të fshehtë që s'do të merret vesh. 27 Çfarë po ju them në errësirë, thuajeni në dritë dhe çfarë ju pëshpëritet në vesh, shpalleni nga çatitë. 28 Mos kini frikë nga ata që vrasin trupin, por nuk mund të vrasin shpirtin. Kini frikë atë që mund të shkatërrojë edhe shpirtin, edhe trupin në Gehenë. 29 A nuk shiten dy harabela për një qindarkë? Megjithatë asnjë prej tyre nuk bie në tokë pa vullnetin e Atit tuaj. 30 Madje edhe fijet e flokëve tuaj janë të gjitha të numëruara. 31 Prandaj, mos kini frikë! Ju vleni më tepër se shumë harabela».
Të dëshmosh për Krishtin
(Lk 12.8-9)32 «Kështu, kushdo që më rrëfen para njerëzve, edhe unë do ta rrëfej para Atit tim që është në qiej, 33 por kushdo që më mohon para njerëzve, edhe unë do ta mohoj para Atit tim që është në qiej».
Jo paqen, por shpatën
(Lk 12.51-53Lk 14.26-27)34 «Mos mendoni se erdha të sjell paqen në tokë. Nuk erdha të sjell paqen, por shpatën. 35 Kam ardhur të ndaj
birin nga i ati,
bijën nga e ëma;
nusen nga e vjehrra;
36 dhe armiqtë e njeriut
do të jenë ata të shtëpisë së tij.
37 Kush e do të atin apo të ëmën më shumë se mua, nuk është i denjë për mua dhe ai që e do të birin ose të bijën më shumë se mua, nuk është i denjë për mua. 38 Kush nuk e merr kryqin e vet për të më ndjekur, nuk është i denjë për mua. 39 Kush e gjen jetën e vet, do ta humbasë atë dhe ai që e humb jetën e vet për shkakun tim, do ta gjejë atë».
Shpërblimi
(Mk 9.41)40 «Kush ju pranon ju, më pranon mua dhe kush më pranon mua, pranon atë që më ka dërguar. 41 Kush pranon një profet se është profet, do të marrë shpërblimin e profetit dhe kush pranon një njeri të drejtë se është i drejtë, do të marrë shpërblimin e njeriut të drejtë. 42 Kushdo që i jep njërit prej këtyre të vegjëlve qoftë edhe një gotë ujë të ftohtë, sepse është dishepull, me të vërtetë po ju them se ai nuk do ta humbasë shpërblimin e tij».
1 Edhe si thirri të dy-mbë-dhietë nxënësit’e ti, u dha atyre pushtet përmbi frymat e ndyra, që t’i nxjerrën’ ato, edhe të shëronjënë çdo sëmundë e çdo lëngatë.
2 Edhe emërat’e të dy-mbë-dhiet’ Apostojvet janë këta: i pari Simoni që thuhetë Pietrë, edhe Andhreu i vëllaj i ati; Jakovi i biri Zevedheut, edhe Joanni i vëllaj i ati;
3 Filippi, dhe Varthollomeu; Thomaj, edhe Matthe kumerqari; Jakovi i biri Allfeut, edhe Levveu që u qjuajti përmbiemërë Thadhdhe;
4 Simon Kananiti, edhe Judhë Iskarioti, ay që e trathtoj atë.
5 Këta të dy-mbë-dhietë dërgoj Jisuj, passi i porositi ata, tuke thënë: “Mos shkoni mb’ udhë gjëntarësh, edhe mos hyni ndë qytet Samaritësh;
6 Po më tepërë shkoni ndëpër dhënt të humbura të shtëpisë Israilit.
7 Edhe tuke vaturë, leçitni tuke thënë, se: “U afrua mbëretëri’e qiejevet.
8 Shëroni të sëmurë, qëroni të krromosurë, [ngjallni të vdekurë], nxirni diaj; dhurëti muartë, dhurëti epni.
9 Mos kini ar, as argjënt, as rame ndëpër brezat tuaj.
10 Mos kini trastë mb’ udhë, as dy rrobe, as këpucë, as stap; sepse punëtori e vëjen ushqimin’ e ti.
11 Edhe mbë çdo qytet a kryefshat që të hyni, vëshgoni cili ësht’ i vëjeturë nd’atë, edhe jitni atie gjersa të dilni.
12 Edhe kur të hyni ndë shtëpit, përshëndetni atë.
13 Edhe ndë qoftë shtëpia e vëjeturë, paqtimi juaj le të vinjë mb’atë; po ndë mos qoftë e vëleturë, paqtimi juaj u këtheftë mbë ju.
14 Edhe ay që të mos u presë juve, as të mos dëgjonjë fialëtë tuaja, kur të dilni prej asaj shtëpie, a prej ati qyteti, shkuntni pluhurin’e këmbëvet tuaja.
15 Me të vërtetë po u them juve, se : Më i duruarshim do të jetë mundimi mbë dhe të Sodhomëvet e të Gomorrëvet ndë ditë të gjyqit, se mb’ atë qytet.
16 Ja tek po u dërgonj unë juve posi dhen ndë mes të ujqëret; bëhi pra të urtë posi gjarpinjtë, edhe të butë posi pëllumbatë.
17 Edhe ruhi nga njerëzitë, sepse do t’u apënë juve ndër duar ndëpër bashkëndenie, edhe do t’u rrahënë ndëpër sinagogjit të tyre;
18 Edhe do t’ u nxierrënë juve për punë time përpara të parësh e përpara mbëretërish, për martiri mb’ ata edhe mbë kombet.
19 Po kur t’u apënë juve ndë duar, mos kini kujdes se qysh, a se si do të flisni, sepse do t’u epetë juve nd’ atë orë ç’do të flisni.
20 Sepse nukë jeni ju ata që flisni, po Frym’ e Atit tuaj që flet ndër ju.
21 Edhe vëllaj do të apë n’ dorë të vëllanë për të vrarë, edhe i ati të birrë; edhe bijtë do të ngrenë krye kundrë përindëvet, e do t’i vrasënë.
22 Edhe do t’u kenë mëri juve të gjithë për emërinë tim; edhe ay që të duronjë gjer ndë funt, kyj do të shpëtonjë.
23 Po kur t’u ndiekënë juve nga kyj qytet, ikëni mbë tiatrinë; sepse me të vërtetë po u them juve, se : Nukë do t’i mbaroni qytetet’ e Israilit, gjer sa të vinjë i bir’i njeriut.
24 Nuk’ është nxënësi përmbi mësonjësinë, as shërbëtori përmbi të zonë.
25 Mjaft është për nxënësinë të bënetë si mësonjësi ti, edhe shërbëtori si i zoti. Ndë qoftë se të zon’ e shtëpisë e qjuajtnë Veelzevull, sa më shumë shtëpiakësit’e ti?
26 Mos i kini frikë pra ata, sepse nuk’ është gjë e mbuluarë që nukë do të sbulonetë; edhe gjë e fshehurë që nukë do të dihetë.
27 Atë që po u them juve nd’ errësirët, thojeni ndë dritët, edhe atë që dëgjoni ndër vesh, leçiteni përmbi shtëpit.
28 Edhe mos kini frikë nga ata që vrasënë trupinë, se shpirtinë s’munt ta vrasënë; po kini frikë më shumë nga ay që munt të humbasë ndë gjehenë edhe shpirtinë edhe trupinë.
29 Nukë shitenë dy zoq për një asprë ? Po një nga ata nukë do të bierë mbë dhet, pa urdhërin ’ e Atit tuaj.
30 Po juve edhe gjithë qimet’ e kresë janë numëruarë.
31 Mos kini frikë pra, sepse ju ndani nga shumë zoq.
32 Kushdo pra që të më rrëfenjë përpara njerëzëvet, edhe unë do ta rrëfenj atë përpara tim Eti që është ndë qiejet.
33 Po kush të më mohonjë përpara njerëzëvet, do ta mohonj edhe un’ atë përpara tim Eti që është ndë qiejet.
34 Mos kujtoni se kam ardhurë të vë paqtim mbi dhet, s’kam ardhurë të vë paqtim, po thikë.
35 Sepse kam ardhurë të ndanj njerinë kundrë t’et, edhe bijënë kundrë s’ëmësë, edhe nusenë kundrë së viehërrësë.
36 Edhe arëmiqt’ e njeriut do të jenë shtëpiakësit’e ti.
37 Ay që do t’anë a t’ëmënë më tepërë se mua, nuk’ është i vëjeturë për mua; edhe ay që do bir e bijë më tepërë se mua, nuk’ ësht’ i vëjeturë për mua.
38 Edhe ay që nukë merr kryqin’e ti, e nukë vien pas meje, nuk’ ësht’ i vëjeturë për mua.
39 Ay që gjeti jetën’e ti do ta humbasë; edhe ay që të humbasë jetën’e ti për punë time, do ta gjenjë atë.
40 Ay që u pret juve, më ka priturë mua; edhe ay që më pret mua, ka pritur’ atë që më ka dërguarë mua.
41 Ay që pret profit mb’ emërë profiti, do të marrë pagë profiti; edhe ay që pret të drejtë mb’ emërë të drejti, do të marrë pagë të drejti.
42 Edhe ay që t’i apë një kupë ujë të ftohëtë ndonjërit nga këta të vegjëlitë vetëm mb’ emërë nxënësi, me të vërtetë po u them juve, se nukë do të humbasë pagën’e ti.”