Breznitë e Jezu Krishtit
(Lk 3.23-38)
1 Libri i breznive të Jezu Krishtit, birit të Davidit, birit të Abrahamit.
2 Abrahamit i lindi Isaku, Isakut i lindi Jakobi, Jakobit i lindi Juda dhe vëllezërit e tij. 3 Judës i lindën prej Tamarës Faresi e Zara, Faresit i lindi Hesromi, Hesromit i lindi Arami, 4 Aramit i lindi Aminadabi, Aminadabit i lindi Naasoni, Naasonit i lindi Salmoni, 5 Salmonit i lindi Boezi prej Rahabës, Boezit i lindi Jobedi prej Rutës, Jobedit i lindi Jeseu, 6 Jeseut i lindi Davidi, mbreti.
Davidit i lindi Solomoni nga gruaja e Uriahut, 7 Solomonit i lindi Roboami, Roboamit i lindi Abiu, Abiut i lindi Asafi, 8 Asafit i lindi Josafati, Josafatit i lindi Jorami, Joramit i lindi Ozia, 9 Ozisë i lindi Joatami, Joatamit i lindi Akazi, Akazit i lindi Ezekia, 10 Ezekisë i lindi Manaseu, Manaseut i lindi Amosi, Amosit i lindi Josia, 11 Josisë i lindi Jehonia dhe vëllezërit e tij, në kohën e shpërnguljes në Babiloni.
12 Pas shpërnguljes në Babiloni, Jehonisë i lindi Salatieli, Salatielit i lindi Zorobabeli, 13 Zorobabelit i lindi Abiudi, Abiudit i lindi Eliakimi, Eliakimit i lindi Azori, 14 Azorit i lindi Sadoku, Sadokut i lindi Akimi, Akimit i lindi Eliudi, 15 Eliudit i lindi Eleazari, Eleazarit i lindi Matani, të cilit i lindi Jakobi. 16 Jakobit i lindi Jozefi, burri i Marisë, prej së cilës lindi Jezui, i quajtur Krisht.
17 Breznitë nga Abrahami deri te Davidi janë gjithsej katërmbëdhjetë, nga Davidi deri te shpërngulja në Babiloni katërmbëdhjetë dhe nga shpërngulja në Babiloni deri te Krishti, katërmbëdhjetë brezni.
Lindja e Jezu Krishtit
(Lk 2.1-7)
18 Lindja e Jezu Krishtit ndodhi kështu: Maria, nëna e tij, ishte e fejuar me Jozefin, por përpara se të bashkoheshin, ajo mbeti shtatzënë nga Shpirti i shenjtë. 19 Meqenëse Jozefi, burri i saj, ishte njeri i drejtë e nuk donte ta turpëronte, vendosi ta ndante fshehurazi. 20 Ndërsa po mendonte këto gjëra, një engjëll i Zotit iu shfaq në ëndërr e i tha: «Jozef, bir i Davidit, mos ki frikë ta marrësh për grua Marinë. Fëmija që është ngjizur në të është nga Shpirti i shenjtë. 21 Ajo do të lindë një djalë dhe ti do t'ia vësh emrin Jezu, sepse ai do ta shpëtojë popullin e tij nga mëkatet e tyre».
22 E gjithë kjo ndodhi që të përmbushej çfarë kishte thënë Zoti nëpërmjet profetit:
23 virgjëresha do të ngjizet
e do të lindë një djalë
që do të quhet Emanuel,
që e përkthyer do të thotë: Perëndia është me ne.
24 Kur u zgjua nga gjumi, Jozefi bëri siç e kishte urdhëruar engjëlli i Zotit dhe e mori Marinë për grua, 25 por nuk pati marrëdhënie me të, derisa ajo lindi të birin , të cilit Jozefi ia vuri emrin Jezu.
1 Vivli e gjeneallogjisë Jisu-Krishtit, të birit Dhavidhit, të birit Avraamit.
2 Avraamit i lindi Isaaku; edhe Isaakut i lindi Jakovi; edhe Jakovit i lindi Judha edhe të vëllezërit’ e ati;
3 Edhe Judhës’ i lindi Faresi edhe Zaraj nga Thamara; edhe Faresit i lindi Esromi; edhe Esromit i lindi Arami;
4 Edhe Aramit i lindi Aminavadhi; edhe Aminavadhit i lindi Naassoni;
5 Edhe Naasonit i lindi Sallmoni; edhe Sallmonit i lindi Voozi nga Rahava, edhe Voozit i lindi Ovidhi nga Rutha;
6 Edhe Ovidhit i lindi Jesseu; edhe Jesseut i lindi Dhavidhi mbëreti.
Edhe Dhavidhit mbëretit i lindi Sollomoni nga gruaja e Uriut;
7 Edhe Sollomonit i lindi Rovoami; edhe Rovoamit i lindi Aviaj; edhe Aviajt i lindi Asaj;
8 Edhe Asajt i lindi Josafati; edhe Josafatit i lindi Jorami; edhe Joramit i lindi Ozia;
9 Edhe Ozisë i lindi Joathami; edhe Joathamit i lindi Ahazi; edhe Ahazit i lindi Ezekia;
10 edhe Ezekisë i lindi Manassiu; edhe Manassiut i lindi Amoni; edhe Amonit i lindi Josia;
11 Edhe Josisë i lindi Jehonia edhe të vëllezërit’ e ti, mbë të shpërngulurit të Vavyllonësë.
12 Edhe pas të shpërngulurit Vavyllonësë, Jehonisë i lindi Sallathieli; edhe Sallathielit i lindi Zorovaveli;
13 Edhe Zorovavelit i lindi Aviudhi; edhe Aviudhit i lindi Eliakejmi; edhe Eliakejmit i lindi Azori;
14 Edhe Azorit i lindi Sadhuku; edhe Sadhukut i lindi Ahejmi;
15 Edhe Ahejmit i lindi Eliudhi; edhe Eliudhit i lindi Eleazari; edhe Eleazarit i lindi Matthani;
16 Edhe Matthanit i lindi Jakovi; edhe Jakovit i lindi Josifi burr’ i Marisë, që nga ajo lindi Jisui që thuhetë Krisht.
17 Gjithë brezatë pra që nga Avraami gjer mbë ditë të Dhavidhit, janë katër-mbë-dhietë
breza; edhe që nga Dhavidhi e gjer mbë të shpërngulurit të Vavyllonësë janë
katër-mbë-dhietë breza; edhe që nga të shpërngulurit’ e Vavyllonësë e gjer mbë ditë
të Krishtit janë katër-mbë-dhietë breza.
18 Edhe të lindurit’ e Jisu-Krishtit kështu ka qënë; passi u mbëlua e ëma e ati Maria me
Josifënë, përpara se të bashkoneshinë, u gjënt me barrë nga Frym’e Shënjtëruarë.
19 Edhe Josifi, burr’ i asaj, tuke qënë i drejtë, e tuke mos dashurë t’i nxjerrë asaj zërin e
lik, desh ta lëshonjë fshehurazi.
20 Po ay kur ishte tuke menduarë këto punë, ja ëngjëll’ i Zotit tek iu duk nd’ëndërrë, e i tha: Josif, i bir’ i Dhavidhit, mos u frikëso të marrç përanë vetëhesë gruanë tënde Mariamënë; sepse të mbarsuritë që u bë tek ajo është nga Frym’e Shënjtëruarë;
21 Edhe do të piellë bir, edhe do t’ia quanjç emërinë Jisu; sepse ay do të shpëtonjë llauzin’ e ti nga fajet’ e atyre.
22 (Edhe gjithë këjo u bë, që të mbushetë ç’është thënë nga Zoti me anë të profitit,
23 Që thotë. “Ja vërgjëresha te do të mbarsetë, edhe do të piellë bir, edhe do t’ia qjuanjën’ emërin’Emanuill”, që ajo këthyerë do me thënë Perëndia bashkë me ne).
24 Edhe Josifi si u squa nga gjumi, bëri sikundrë e urdhëroj ëngjëll’ i Zotit, edhe mori përanë vetëhesë gruan’ e ti.
25 Edhe nuk’e njohu atë, gjersa polli të birin’ e saj të parëlindurinë; edhe ia quajti emërinë Jisu.