Shkaktar për mëkat
(Mt 18.6-7, Mt 21-22Mk 9.42)1 Jezui u tha dishepujve të vet: «Është e pamundur të mos vijnë pengesat, por mjerë kush i shkakton! 2 Për të do të ishte më mirë të lidhte në qafë një mokër e të hidhej në det, sesa t'u bëhej pengesë këtyre të vegjëlve. 3 Kini kujdes!
Nëse vëllai yt mëkaton, qortoje. Nëse pendohet, fale. 4 Nëse mëkaton kundër teje shtatë herë në ditë e shtatë herë kthehet e të thotë “pendohem”, fale».
5 Atëherë apostujt i thanë Zotit: «Na e shto besimin!». 6 Dhe Zoti u tha: «Po të kishit besim sa fara e sinapit, do t'i thoshit këtij mani “shkulu që këtu e mbillu në det” dhe ai do t'ju bindej.
7 Cili nga ju po të kishte një shërbëtor që plugon ose ruan dhentë, do t'i thoshte atij kur të kthehej nga ara: “Eja menjëherë e ulu në tryezë”? 8 A nuk do t'i thoshte: “Ma bëj gati darkën, përvish mëngët e më shërbe që të ha e të pi unë e pastaj mund të hash e të pish edhe ti”? 9 Mos vallë e falënderon shërbëtorin, sepse bëri detyrën? 10 Kështu edhe ju, kur të bëni çfarë keni për detyrë, thoni: “Jemi shërbëtorë të padobishëm. Kemi bërë detyrën”».
Pastrimi i dhjetë të lebrosurve
11 Kur po shkonte drejt Jerusalemit, Jezui kaloi përmes Samarisë e Galilesë. 12 Si hyri në një fshat, iu afruan dhjetë të lebrosur. Ata rrinin larg 13 e thërrisnin: «Jezu, mësues, ki mëshirë për ne!». 14 Jezui i pa e u tha: «Shkoni e paraqituni te priftërinjtë». Dhe ndërsa po shkonin, u pastruan. 15 Pastaj njëri prej tyre, kur pa se ishte pastruar, u kthye e përlëvdonte Perëndinë me zë të lartë. 16 Ai ra përmbys para këmbëve të Jezuit dhe e falënderoi. Ai ishte samaritan. 17 Atëherë Jezui pyeti: «A nuk ishin dhjetë ata që u pastruan? Po nëntë të tjerët, ku janë? 18 Nuk u gjet asnjë prej tyre që të kthehej e t'i jepte lavdi Perëndisë përveç këtij të huaji?». 19 Pastaj i tha atij: «Ngrihu e shko. Besimi yt të shpëtoi».
Ardhja e mbretërisë
(Mt 24.23-28, Mt 37-41)20 Një herë, kur farisenjtë e pyetën Jezuin se kur do të vinte mbretëria e Perëndisë, Jezui u përgjigj: «Mbretëria e Perëndisë nuk vjen me bujë. 21 Nuk do të thonë: “Ja ku është këtu!” apo: “Ja atje!”. Sepse Mbretëria e Perëndisë është brenda jush».
22 Jezui u tha dishepujve: «Po vijnë ditë në të cilat do të dëshironi të shihni njërën nga ditët e Birit të njeriut, por nuk do ta shihni. 23 Atëherë do t'ju thonë: “Ja ku është atje!” apo: “Ja këtu!”. Mos shkoni atje e mos i ndiqni! 24 Sikurse vetëtima shkëlqen nga qielli dhe e ndriçon atë nga njëri skaj në tjetrin, ashtu do të jetë edhe Biri i njeriut në ditën e tij. 25 Por më parë ai duhet të vuajë shumë dhe nuk do të pranohet nga kjo brezni.
26 Dhe sikurse ndodhi në ditët e Noeut, kështu do të ndodhë edhe në ditët e Birit të njeriut. 27 Në atë kohë njerëzit hanin e pinin, martoheshin e martonin deri ditën kur Noeu hyri në arkë e pastaj erdhi përmbytja e përmbyti gjithçka.
28 Sikurse ndodhi edhe në ditët e Lotit, njerëzit hanin e pinin, blinin e shisnin, mbillnin e ndërtonin, 29 por ditën kur Loti u largua nga Sodoma, ra zjarr e squfur nga qielli e i vrau të gjithë, 30 kështu do të ndodhë atë ditë kur do të shfaqet Biri i njeriut. 31 Nëse atë ditë dikush do të ndodhet mbi çati, por do t'i ketë gjërat e veta në shtëpi, të mos zbresë për t'i marrë. Dhe nëse dikush do të ndodhet në arë, as ai të mos kthehet. 32 Kujtoni gruan e Lotit!
33 Kush mundohet ta ruajë jetën e vet, do ta humbasë atë dhe ai që do ta humbasë jetën e vet, do ta shpëtojë atë. 34 Unë po ju them: atë natë, prej dy vetave që do të jenë në të njëjtin shtrat, njëri do të merret e tjetri do të lihet. 35-36 Prej dy grave që do të jenë te mulliri për të bluar, njëra do të merret e tjetra do të lihet ».
37 Pastaj e pyetën: «Po ku, o Zot?». Ai u tha: «Ku është kufoma, mblidhen edhe skifterët».
1 Edhe u tha nxënëset: “S’ka se si të mos vinjënë skandhalitë; po mier ay që vinjënë prej ati!
2 Më mirë është për atë t’i varetë një gur mulliri ndë qafë të ti, edhe të hidhetë ndë det, se të skandhalisnjë një nga këta të vegjëlitë.
3 Kini kujdes vetëhesë tuaj. Edhe ndë të bëftë faj yt vëlla, qërtoje; edhe ndë u pendoftë, falia.
4 Edhe ndë të bëftë faj shtatë herë ndë ditët, edhe të këthenetë shtatë herë ndë ditët, e të thotë: Pendonem, t’ia falç.”
5 Edhe apostojt’ i thanë Zotit: “Shto-na besënë.”
6 Edhe Zoti tha: “Të kishitë besë sa një koqe sinapi, do t’i thoshitë këti drurit manit: Shkulu së-këtejmi , edhe mbillu ndë det, edhe do t’u ndigjonte juve.
7 Edhe cili prej jush, të ketë një shërbëtuar që lëron, a ruan dhëntë, do t’i thotë: përnjëherë, kur këthenetë nga ara: Shko e rri të hash.
8 Apo nukë do t’i thotë: Bën gati ç’të ha për darkë, edhe përvishu e shërbemë, gjersa të ha e të pi, edhe pastaj do të hash e do të pish ti?
9 Mos ia di për nder ati shërbëtori, sepse bëri ato që e pat urdhëruarë?
10 Nukë më duketë. Kështu edhe ju, kur të bëni gjith’ ato që u kanë urdhëruarë juve, thoni, se: Jemi shërbëtorë të pavëjyerë; sepse bëm atë që duhej të bënim.”
11 Edhe ay kur po vinte ndë Jerusalim, shkonte përmes Samarisë e Galilesë.
12 Edhe ay kur po hynte ndë një fshat, përpoqnë me atë dhietë burra të krromosurë, të cilëtë qëndruanë për së largu;
13 Edhe ata ngritnë zënë, tuke thënë: “Jisu, mieshtrë, përdëllena.”
14 Edhe ay kur pa, u tha atyre: “Shkoni e dëfteni vetëhenë tuaj te priftritë.” Edhe ata tuke vaturë u qëruanë.
15 Edhe një nga ata, kur pa se u shërua, u këthye tuke lavduruarë Perëndinë me zë të math;
16 Edhe ra përmbys ndër këmbët t’ati, e iu fal ndersë; edhe ay ishte Samarit.
17 Edhe Jisuj u përgjeq e tha: “A nuk’ u qëruanë të dhietëtë? Po të nëntëtë ku janë ?
18 Nuk’ u gjëntnë të tierë të këthenenë t’i apënë lavdi Perëndisë, veç kyj komb i huaj?”
19 Edhe i tha: “Ngreu e shko; besa jote të shpëtoj.”
20 Edhe kur u pyet nga Farisenjtë, kur vien mbëretëri’ e Perëndisë, u përgjeq atyre e tha: “Mbëretëri’ e Perëndisë nukë vien me të vënë re; as s’kanë për të thënë:
21 Na ku është këtu, a: Na ku është atie; sepse na mbëretëri’ e Perëndisë tek është ndë mest tuaj.”
22 Edhe ay u tha nxënëset: “Do të vinjënë dit, që do të dëshëroni të shihni një nga ato dit’ e të birit të njeriut; edhe nukë do t’e shihni.
23 Edhe do t’u thonë juve: Na ku është këtu, a: Na ku ësht’ atie; mos ecëni, as mos vini pas.
24 Sepse posi vetëtima që vetëtin prej një anësë qiellit mbë tiatrën’ anë të qiellit, kështu do të jetë edhe bir’ i njeriut ndë ditët të ti.
25 Po përpara ay duhetë të pësonjë shumë, edhe të mos pëlqenetë prej këti brezi.
26 Edhe sikundrë u bë ndë dit të Noesë, kështu do të jet’ edhe ndë dit të birit njeriut;
27 Hanin’ e pinin’ e martonin’ e martoneshinë, gjer mb’atë ditë që hyri Noeja nd’arkët; dhe erdhi përmbytëja, edhe prishi të gjithë.
28 Kështu sikundrë u bë edhe ndë dit të Llotit; hanin’ e pinin’ e blinin’ e shisnin’ e mbillnin’ e ndërtoninë shtëpi.
29 Edhe që mb’atë ditë që dolli Lloti nga Sodhoma, ra shi ziarri e squfuri nga qielli, edhe prishi të gjithë.
30 Posi këto do të jet’ atë ditë, kur do të shfaqet’ i bir’ i njeriut.
31 Nd’atë ditë kush të gjëndetë mbi dhomët, edhe enët’ e ati brënda ndë shtëpit, le të mos sbresë t’i ngrerë; kështu edhe ay që të jetë nd’arë, le të mos këthenetë prapa.
32 Bini ndër mënt gruan’ e Llotit.
33 Ay që do të shpëtonjë jetën’e ti, do t’e humpnjë; edhe ay që r’e humpnjë, do t’e ruanjë.
34 Po u them juve: Nd’atë natë do të jenë dy vetë mbë një shtrat, njëri do të merretë, e tiatri do të lihetë.
35 Dy vetë do të jenë tuke bluarë bashkë; njëra do të merretë, e tiatra do të lihetë.
36 Dy vetë do të jenë nd’arë; njeri do të merretë, e tiatri do të lihetë.”
37 Edhe ata u përgjeqnë e i thonë: “Ku o Zot?” Edhe ay u tha atyre: “Ku është trupi, atie do të mblidhenë shqiponjatë.”