Shërimi i të sëmurit me hidropizi
1 Një të shtunë Jezui shkoi për të ngrënë në shtëpinë e njërit prej kryetarëve të farisenjve dhe ata po e vëzhgonin me kujdes. 2 Përballë Jezuit gjendej një njeri që vuante nga hidropizia. 3 Jezui i pyeti mësuesit e ligjit dhe farisenjtë: «A lejohet të shërosh ditën e shtunë, apo jo?». 4 Por ata heshtën. Atëherë Jezui e preku të sëmurin, e shëroi dhe e lejoi të shkonte. 5 Pastaj u tha atyre: «Kush është ai që, po t'i binte fëmija apo kau në pus ditën e shtunë, nuk do ta nxirrte menjëherë?». 6 Ata nuk mundën t'i përgjigjeshin.
Mësimi për mikpritjen
7 Jezui vuri re sesi të ftuarit zgjidhnin vendet e nderit dhe u tregoi një shëmbëlltyrë: 8 «Kur të ftojnë në dasmë, mos u ul në vendin e nderit, se ndoshta është i ftuar ndokush më i nderuar se ti 9 dhe ai që ju ka ftuar të dyve mund të vijë e të të thotë: “Lërja këtë vend këtij”. Dhe atëherë, i turpëruar, do të zësh vendin e fundit. 10 Por kur të të ftojnë, shko e ulu në vendin e fundit, që kur të vijë ai që të ka ftuar, të të thotë: “Mik, eja më lart!”. E kështu do të jesh i nderuar nga të gjithë ata që janë në tryezë me ty. 11 Sepse kush e lartëson vetveten, do të përulet, e kush e përul vetveten, do të lartësohet».
12 Atij që e kishte ftuar, Jezui i tha: «Kur të shtrosh një drekë a një darkë, mos fto miqtë e tu, vëllezërit, të afërmit e tu apo fqinjët e pasur, duke shpresuar se edhe ata do të të ftojnë e kështu do të shpërblehesh. 13 Përkundrazi, kur të shtrosh një gosti, fto njerëz të varfër, të kërrusur, të çalë e të verbër. 14 Atëherë do të jesh i lum, se ata nuk do të kenë me çfarë të të shpërblejnë, por ti do ta marrësh shpërblimin në ngjalljen e të drejtëve».
Të ftuarit në gosti
(Mt 22.1-10)
15 Njëri nga të ftuarit, pasi kishte dëgjuar gjithçka, i tha Jezuit: «Lum kush ha bukë në mbretërinë e Perëndisë!». 16 Por Jezui i tha: «Dikush shtroi një darkë të madhe e thirri shumë veta. 17 Kur erdhi koha e darkës, dërgoi shërbëtorin e vet t'u thoshte atyre që kishte ftuar: “Ejani, se çdo gjë është gati”. 18 Por të gjithë, njëri pas tjetrit, filluan të gjenin shkaqe për të mos shkuar. I pari i tha: “Kam blerë një copë tokë e më duhet të dal e ta shoh. Të lutem më ndje!”. 19 Dikush tjetër tha: “Unë kam blerë pesë pendë qe e po shkoj t'i provoj. Të lutem më ndje!”. 20 Dikush tjetër tha: “Sapo jam martuar, prandaj nuk mund të vij”. 21 E kështu shërbëtori u kthye dhe e njoftoi të zotin për të gjitha. Atëherë i zoti i shtëpisë u zemërua e i tha shërbëtorit të vet: “Dil menjëherë në sheshet e në rrugët e qytetit e sill këtu të varfrit, të kërrusurit, të verbrit e të çalët”. 22 Dhe shërbëtori i tha: “Zotëri, bëmë siç urdhërove dhe ka prapë vend”. 23 Atëherë i zoti i tha shërbëtorit: “Dil nëpër rrugë e shtigje dhe detyroji njerëzit të hyjnë brenda, që të mbushet shtëpia ime”. 24 Unë po ju them: asnjë nga ata që ishin të ftuar nuk do ta shijojë darkën time».
Të ndjekësh Jezuin
(Mt 10.37-38)
25 Jezuin po e ndiqnin turma të mëdha, por ai u kthye e u tha: 26 «Kush vjen pas meje dhe nuk e urren të atin e të ëmën, gruan e fëmijët, vëllezërit e motrat, madje edhe vetë jetën e tij, nuk mund të jetë dishepulli im. 27 Kush nuk e mbart kryqin e vet për të ardhur pas meje, nuk mund të jetë dishepulli im.
28 Kush nga ju, nëse dëshiron të ndërtojë një kullë, nuk ulet më parë të bëjë llogaritë për të parë a ka sa i duhen për ta mbaruar? 29 Përndryshe, nëse i ka hedhur themelet e nuk është në gjendje ta përfundojë, ata që e shohin do të fillojnë ta tallin 30 e do t'i thonë: “Ky njeri filloi të ndërtonte, por nuk qe i zoti ta mbaronte”.
31 Ose, cili mbret, kur del në luftë për t'u ndeshur me një mbret tjetër, nuk ulet më parë të shqyrtojë a është i aftë që me dhjetë mijë veta t'i bëjë ballë atij që vjen me njëzet mijë? 32 Atëherë, nëse nuk mundet, i dërgon një përfaqësi për t'i kërkuar kushtet e paqes ndërsa ai është ende larg. 33 Prandaj, asnjëri nga ju nuk mund të bëhet dishepulli im nëse nuk heq dorë nga tërë pasuria që zotëron».
Kripa pa shije
(Mt 5.13Mk 9.50)
34 «Kripa është e mirë, por nëse e humbet shijen, si mund ta rifitojë atë? 35 Nuk është e përshtatshme më as për tokën, as për plehun, por vetëm për t'u hedhur. Kush ka veshë, le të dëgjojë».
1 Edhe ay kur erdhi, ndë shtëpit të një njeriu nga të parët’ e Farisenjet për të shëtunë të hajë bukë, ata ishinë tuke vënë re atë.
2 Edhe javoka një njeri i idhropiqasurë tek ishte përpara ati.
3 Edhe Jisuj u përgjeq e u tha nomtarëvet edhe Farisenjet, tuke thënë: “Ndë qoftë se ësht’ e udhësë të shëronjë për të shëtunë?” Edhe ata nukë bënë zë.
4 Atëhere ay e kapi edhe e shëroj, edhe e lëshoj.
5 Pastaj u përgjeq e u tha atyre: “Kujt prej jush t’i bierë gomari a kau ndë pus, edhe nukë do t’e nxjerrë sakaqëherash për ditë të shëtunë?”
6 Edhe ata nukë mundinë t’i përgjigjeshinë mbë këto fialë.
7 Edhe u thoshte një paravoli atyreve që ishinë ftuarë (sepse vinte re, qysh sgjidhinë vëndet’ e parë), tuke thën’ atyreve:
8 “Kur të ftoneç nga ndonjë ndë dasmë, mos rri ndë krye të mësallësë, mbase mos është ftuarë prej ati ndonjë tietrë më i nderëshim se ti.
9 Edhe vien ay që ftoj tyj edhe atë, e të thotë: Epi vëndinë këti; edhe atëherë do të zësh me turp të rriç ndë vënt të funçim.
10 Po kur të ftoneç, shko e rri ndë vënt të funçim, që, kur të vinjë ay që të ka ftuarë, të të thotë tyj: Mik, hipë më siprë. Atëherë do të jetë lavdim për tyj përpara atyreve që rrinë ndë mësallë bashkë me tyj.
11 Sepse kushdo që ngre lart vetëhen’ e ti do të përungjetë, edhe ay që përunq vetëhen’ e ti do të ngrihetë lart.”
12 I thoshte edhe ati që kish ftuarë atë: “Kur të bënjç drekë a darkë, mos thirrë miqt’ e tu, as vëllezërit’ e tu, as njerëzit’ e tu, as fëqinj të pasurë; mbase mos të thërresënë prapë edhe ata, edhe bënetë shpagim mbë tyj.
13 Po kur të bënjç gosti, thirrë të vobeq, ulokë, të çalë, të verburë.
14 Edhe do të jesh i lumurë, sepse ata nukë kanë të ta shpaguanjënë; edhe do të të shpaguhetë ndë ngjallëjet të drejtëvet.”
15 Edhe një nga ata që kishinë ndenjurë bashkë ndë mësallë, kur dëgjoj këto fialë , i tha: “Lum ay që të hajë bukë ndë mbëretërit të Perëndisë.”
16 Edhe ay i tha ati:
“Një njeri bëri një darkë të madhe, edhe thirri shumë vetë .
17 Edhe ndë kohët të darkësë dërgoj shërbëtorin’ e ti, t’u thoshte atyreve që ishinë thirrë: Ejani, se tashti të gjitha janë gati.
18 Po të gjithë zunë me një fialë të hiqeshinë mbë-nj’-anë. I pari i tha, se: Bleva një arë, edhe kam nevojë të dal e t’e shoh; të lutem, lërëmë.
19 Edhe një tiatrë tha: Bleva pesë pëndë që, edhe po vete t’i provonj; të lutem, lërëmë.
20 Edhe një tiatrë tha: Mora grua; edhe përandaj nukë munt të vinj.
21 Edhe ay shërbëtori erdhi, edhe i dëfteu të zot këto. Atëhere i zoti shtëpisë u zëmërua, e i thotë shërbëtorit ti: Dil shpejt ndëpër rrugat e ndëpër udhët të qytetit, edhe bierë këtu brënda të vobeqt’ e ulokët’ e të çalët’ e të verburitë.
22 Edhe shërbëtori tha: Zot, u bë sikundrë urdhërove, po është vënt edhe më.
23 Edhe zoti i tha shërbëtorit: Dil ndëpër udhët e ndëpër gjerdhet, edhe ngut të hynjënë, për të mblushurë shtëpia ime.
24 Sepse po u them juve, se asnjë nga ata njerëzitë që qenë thirrë nukë do të ngjëronetë darkënë time.”
25 Edhe shumë gjëndëje shkoninë bashkë me atë; edhe ay u këthye e u tha atyre:
26 “Nd’ arthtë ndonjë tek unë, edhe nukë mërzit tatën’ e t’ëmën’ e gruan’ e djemt’ e vëllezërit’ e motëratë, po edhe jetën’e ti, nukë munt të jetë nxënësi im.
27 Edhe ay që nukë mbar ndë krahë kryqn’ e ti, e s’vien prapa meje, nukë munt të jetë nxënësi im.
28 Sepse cili prej jush do të ndërtonjë një pirk, edhe nukë rri më përpara të llogarisnjë sa ka për të prishurë, ndë pastë atoqë duhenë për të mbaruarë?
29 Mbase si të vërë themelinë, e të mos muntnjë t’e mbaronjë, atëherë gjith’ ata që të vënë re do të zënë të qeshnjënë me atë, tuke thënë, se:
30 Kyj ësht’ ay njeriu që zuri të ndërtonjë, edhe nukë mundi t’e mbaronjë.
31 Apo cili mbëret, tuke vaturë të lëftonjë me një tiatrë mbëret, nukë rri më përpara edhe mendonetë, ndë qoftë i fortë me dhietë mijë t’i dalë përpara ati që vien kundrë ati me njëzet mijë?
32 Se ndë mos, kur ësht’ ay edhe lark, dërgon lajmësi, e kërkon të bënjë paqtim.
33 Kështu pra gjithësecili prej jush që nukë mohon gjithë pasëjen’ e ti, nukë munt të jetë nxënësi im.
34 Krypa ësht’e mirë, po ndë u prishtë krypa, me se do të ndreqetë?
35 Nuk’ është më e vëjyershime as për dhe, as për plehë; po e hedhënë jashtë. Ay që ka veshë të ndigjonjë, le të ndigjonjë.”