Dërgimi i shtatëdhjetë e dy dishepujve
1 Pas këtyre gjërave, Zoti caktoi shtatëdhjetë e dy të tjerë dhe i dërgoi përpara dy nga dy në çdo qytet e në çdo vend ku do të shkonte ai vetë. 2 Dhe u tha: «Të korrat janë të mëdha, por punëtorë ka pak. Lutjuni të zotit të të korrave të dërgojë punëtorë në të korrat e veta. 3 Shkoni! Ja, po ju dërgoj si qengjat mes ujqve. 4 Mos merrni me vete as para, as trastë, as sandale. Udhës mos përshëndetni askënd. 5 Në cilëndo shtëpi të hyni, së pari thoni: “Paqja me këtë shtëpi!”. 6 Nëse dikush aty është bir i paqes, paqja juaj do të zbresë mbi të; nëse jo, do të kthehet te ju. 7 Qëndroni në atë shtëpi dhe hani e pini çfarë t'ju shtrojnë para, sepse punëtori ka të drejtë të shpërblehet. Mos u endni nga një shtëpi në tjetrën. 8 Në çdo qytet ku të hyni e t'ju mirëpresin, hani çfarë t'ju vënë para, 9 shëroni të sëmurët që gjenden aty e u thoni: “Mbretëria e Perëndisë është pranë jush”. 10 Por nëse hyni në një qytet e nuk ju mirëpresin, dilni nëpër sheshet e tij e thoni: 11 “Edhe pluhurin e qytetit tuaj, që na është ngjitur këmbëve, po jua shkundim. Por veç ta dini se mbretëria e Perëndisë është afër”. 12 Unë po ju them se atë ditë Sodoma do ta ketë më të lehtë se ai qytet».
Mjerë qytetet e papenduara
(Mt 11.20-24)
13 «Mjerë ti, Korazin! Mjerë ti, Betsaidë! Po të ishin bërë në Tir e në Sidon mrekullitë që u bënë ndër ju, ata do të ishin penduar me kohë, duke veshur thasë e duke u ulur në hi. 14 Megjithatë, Tiri e Sidoni do ta kenë më të lehtë, se ju në ditën e gjykimit. 15 Po ti, Kafarnaum,
mos vallë do të lartësohesh deri në qiell?
Në skëterrë do të plandosesh.
16 Kush ju dëgjon ju, më dëgjon mua e kush nuk ju pranon ju, nuk më pranon as mua. Kush nuk më pranon mua, nuk pranon as atë që më ka dërguar».
Kthimi i të shtatëdhjetedyve
17 Të shtatëdhjetë e dy dishepujt u kthyen me gëzim e i thanë: «Zot, edhe djajtë na nënshtrohen në emrin tënd!». 18 Jezui u tha: «E pashë Satanin tek binte nga qielli si rrufe. 19 Ja, ju kam dhënë pushtet të shkelni mbi gjarpërinj e akrepa, si edhe mbi tërë fuqinë e armikut. Asgjë nuk do t'ju bëjë keq. 20 Megjithatë, mos u gëzoni që ju nënshtrohen shpirtrat, por gëzohuni që emrat tuaj janë shkruar në qiell».
Gëzimi i Jezuit
(Mt 11.25-27Mt 13.16-17)
21 Në atë çast Jezui u mbush me gëzim nga Shpirti i shenjtë e tha: «Të falënderoj, o Atë, Zot i qiellit e i tokës, se ua ke fshehur këto gjëra të urtëve e të mençurve dhe ua ke zbuluar fëmijëve të vegjël. Po, o Atë, se kështu të ka pëlqyer ty.
22 Gjithçka më është dhënë nga Ati im. Askush nuk e njeh Birin përveç Atit dhe askush nuk e njeh Atin përveç Birit dhe atij, të cilit Biri dëshiron t'ia zbulojë». 23 Pastaj Jezui u kthye drejt dishepujve e u tha veçmas: «Lum sytë që shohin çfarë shihni ju! 24 Sepse po ju them se shumë profetë e mbretër kanë dëshiruar të shohin çfarë po shihni ju e nuk i panë, të dëgjonin çfarë po dëgjoni ju e nuk i dëgjuan».
Samaritani i mirë
25 Atëherë një mësues i ligjit u ngrit për ta vënë në provë Jezuin e i tha: «Mësues, çfarë duhet të bëj për të trashëguar jetën e amshuar?». 26 Jezui i tha: «Çfarë shkruhet në ligj? Çfarë lexon atje?». 27 Ai iu përgjigj: «Duaje Zotin, Perëndinë tënd, me gjithë zemrën tënde, me gjithë shpirtin tënd, me gjithë forcën tënde e me gjithë mendjen tënde dhe duaje të afërtin si veten ». 28 Jezui i tha: «U përgjigje drejt. Bëj kështu e do të jetosh». 29 Por ai, meqenëse donte t'i jepte të drejtë vetes, i tha Jezuit: «Kush është i afërti?». 30 Jezui iu përgjigj: «Një njeri po zbriste nga Jerusalemi për në Jeriko dhe ra në duart e kusarëve që e zhveshën, e rrahën e pastaj ikën dhe e lanë gjysmë të vdekur. 31 Rastësisht një prift po zbriste asaj rruge dhe, kur e pa, kaloi në anën tjetër. 32 Po kështu edhe një levit, kur arriti tek ai vend dhe e pa, kaloi në anën tjetër. 33 Por një samaritan që po udhëtonte andej, iu afrua dhe kur e pa, ndjeu dhembshuri për të. 34 Shkoi tek ai, i derdhi vaj e verë mbi plagë dhe ia lidhi. Pastaj e ngarkoi mbi kafshën e vet, e çoi në një bujtinë dhe u kujdes për të. 35 Të nesërmen nxori dy denarë, ia dha të zotit të bujtinës e i tha: “Kujdesu për të dhe kur të kthehem, do të të paguaj për çfarë do të shpenzosh më tepër”.
36 Cili prej këtyre të treve, mendon ti, u bë “i afërti” për atë që ra në duart e kusarëve?». 37 Ai tha: «Ai që tregoi mëshirë». Jezui i tha: «Shko e bëj edhe ti kështu!».
Te Marta dhe Maria
38 Ndërsa po udhëtonin, Jezui hyri në një fshat, ku një grua me emrin Martë e priti në shtëpi. 39 Ajo kishte një motër që quhej Mari, e cila u ul te këmbët e Zotit dhe dëgjonte fjalët e tij. 40 Por Marta ishte e zënë me punë të shumta, prandaj erdhi te Jezui e i tha: «Zot, a nuk e vë re se motra ime më ka lënë t'i bëj të gjitha punët vetëm? Thuaji, pra, të më ndihmojë!». 41 Por Zoti iu përgjigj: «Martë, Martë, ti je e shqetësuar dhe e zënë me shumë gjëra, 42 por vetëm një gjë është e nevojshme. Maria zgjodhi pjesën më të mirë që nuk do t'i merret».
1 Edhe paskëtaj Zoti vuri edhe shtatë-dhietë nxënësë të tierë, edhe i dërgoj dy nga dy përpara ti, mbë çdo qytet e vënt, ku kishte për të vatur’ ay.
2 U thoshte atyre pra: “Të korrët’ është shumë, po punëtorëtë janë të pakë; lutuni pra të zot të korrit të nxierrë punëtorë për të korrët’ e ti.
3 Ecëni; na unë te po u dërgonj juve posi shqera ndë mest të ujqet.
4 Mos mbajni kuletë, as trajstë, as sholla; edhe mos përshëndetni asndonjë mb’ udhë.
5 Edhe nd’atë shtëpi që të hyni, më përpara thoni:
6 Paqtim ndë këtë shtëpi. Edhe ndë qoft’ atie bir paqtimi, paqtimi juaj do të prëhetë mb’atë; po ndë mos, do të këthenetë ndër ju.
7 Edhe mbetuni nd’atë shtëpi, tuke ngrën’ e tuke pirë nga ato që t’u apënë juve ata; sepse punëtori ësht’ i zoti pagësë ti; mos shkoni nga njëra shtëpi ndë tiatrë.
8 Edhe mb’ atë qytet që të hyni, edhe t’u presënë juve, hani ato që u vënë përpara, juve.
9 Edhe shëroni të sëmurëtë që gjëndenë nd’ atë, edhe thoni atyreve: “Mbëretëri’ e Perëndisë u afrua te ju.
10 Po mb’ atë qytet që të hyni, edhe të mos u presënë juve, kur të delni ndëpër rugat t’ati qyteti , thoni:
11 U shkuntmë juve edhe pluhurinë që na u ngjit prej qytetit tuaj; po këtë të dini, se mbëretëri’ e Perëndisë u afrua te ju.
12 Edhe po u them juve, se nd’ atë ditë më i duruarshim do të jetë mundimi ndë Sodhomë se nd’ atë qytet.
13 Mierë ti Horazin! Miera ti Vithsajdha! Sepse ato çudia që janë bërë ndër ju, ndë ishinë bërë ndë Tyrë e ndë Sidhonë, që kurë do t’ishinë penduarë tuke ndenjurë ndë thes e ndë hi.
14 Po ndë Tyrë e në Sidhonë më i duruarshim do të jetë mundimi ndë ditë të gjyqit se mbë ju.
15 Edhe ti Kapernaumë, që u lartove gjer ndë qiell, do të sbreç gjer ndë hadhë.
16 Ay që të ndigjonjë juve, ndigjon mua; edhe ay që nukë u zë për gjë juve, nukë zë për gjë mua; edhe ay që nukë zë për gjë mua, nukë zë për gjë atë që më dërgoj.”
17 Edhe të shtatë-dhietët’ u këthyenë me gëzim, tuke thënë: “Zot, edhe diajtë na ndigjonjënë mb’emërit tënt.”
18 Edhe ay u tha atyre: “Vështronjam Satananë tuke rënë nga qielli posi vetëtimë.
19 Na te po u ap juve pushtet që të shkelni mbi gjërpinj e mbi sfurqe, edhe mbi gjithë fuqin’ e arëmikut; edhe asndonjë gjë nukë do t’u bënjë keq juve.
20 Po mos u gëzoni për këtë, se u ndigjonjënë juve frymat’ e këqia ; po gëzohi më teprë, se emëratë tuaj u shkruanë ndë qiejet.”
21 Nd’ atë orë Jisuj u gëzua ndë shpirt, edhe tha: “Të falem ndersë, o Atë, Zot i qiellit edhe i dheut, se fshehe këto nga të diturit’ e nga të mënçëmitë, edhe ua sbulove foshnjevet; po, o Atë, se kështu u pëlqye përpara teje.
22 Të gjitha m’u dhanë ndë dorë prej tim et; edhe asnjë nukë di cili është biri, veç Ati; edhe cili ësht’ Ati, veç biri, edhe ati që të dojë biri t’ia sbulonjë.”
23 Edhe u kthye te nxënësitë, e tha veçanë: “Lum ata sy që shohënë këto që shihni.
24 Sepse po u them juve, se shumë profitë edhe mbëretrë deshnë të shihin’ ato që shihni ju, e nuk’ i panë; edhe të ndigjonin’ ato që ndigjoni ju, po nuk’ i ndigjuanë.”
25 Edhe na tek u ngrit një nomtar tuke gucitur’ atë, e tuke thënë: “Mësonjëns, ç’të bënj, që të trashëgonj jetën’e pasosurë?”
26 Edhe ay i tha: “Ç’është shkruarë ndë nomt? Qysh këndon?”
27 Edhe ay u përgjeq e tha: “Të duash Zonë Perëndinë tënt me gjithë zemrënë tënde, edhe me gjithë shpirtinë tënt, edhe me gjithë fuqinë tënde, edhe me gjithë mëndëjenë tënde“, edhe “të afërminë tënt posi vetëhenë tënde. “
28 Edhe ay i tha: “U përgjegje drejtë; bën këtë, edhe do të rronjç.”
29 Po ay donte të nxirrte vetëhen’ e ti të drejtë, i tha Jisujt: “E cili më ësht’ i afërm?”
30 Edhe Jisuj u përgjeq e tha: “Një njeri sbriste nga Jerusalimi ndë Jeriho, edhe ra ndër duar të kursarëvet, të cilëtë si e sveshnë, edhe e bënë me plagë, iknë edhe e lanë gjysmë vdekurë.
31 Edhe qëlloj që shkoj asaj udhe një prift; edhe kur pa atë, shkoj nga ana tiatrë.
32 Kështu edhe një Levit posa harriu nd’ atë vënt, erdhi e pa, edhe shkoj nga ana tiatrë.
33 Po një Samarit, tuke ecurë udhësë, erdhi ndë vënt tek ishte ay, edhe kur e pa, iu dhëmp;
34 Edhe erdhi përanë, e i lidhi plagëtë, tuke derdhurë mbi ato vaj e verë; edhe e hipi ndë kafshët të ti, edhe e solli ndë një shtëpi të botësë, edhe i pat kujdes.
35 Edhe mbë të nesërmet, kur do të delte, nxori dy dinarë, edhe ia dha shtëpiakësit botësë, edhe i tha: Ki kujdes këti njeriu ; edhe ç’të priç më teprë, unë t’i kam për të dhënë, kur të këthenem,.
36 Cili nga këta të tre të duketë se u bë i afërmi ati që ra ndë duar të kursarëvet?” Edhe ay i tha:
37 “Ay që bëri përdëllim për atë.” Jisuj pra i tha: “Ecë, edhe ti bën kështu.”
38 Edhe ata kur po shkoninë, ay hyri ndë një fshat; edhe një grua që e kishte emërinë Marthë, e priti ndë shtëpit të saj.
39 Edhe ajo kish një motërë që e qjuaninë Mari, e cila ndenji përanë këmbëvet të Jisujt, edhe ndigjonte fialën’ e ati.
40 Edhe Martha mundonej shumë tuke shërbyerë; edhe pastaj dolli përpara ati , e tha: “Zot, nukë do të dish, se ime motërë më la vetëmë të shërbenj? Thuaj pra asaj të më ndihnjë.”
41 Edhe Jisuj u përgjeq e i tha asaj: “Marthë, Marthë, përpiqe e mundone për shumë punë ; po për një punë është nevojë”; edhe Maria sgjodhi piesën’ e mirë, që nukë do të merretë prej asaj.