1 «Jua thashë këto që të mos bini. 2 Do t'ju përjashtojnë nga sinagogat. Madje, po vjen ora kur kushdo që do t'ju vrasë do të mendojë se i shërben Perëndisë. 3 Dhe do t'i bëjnë këto, sepse nuk kanë njohur as Atin, as mua. 4 Por këto gjëra jua thashë që, kur të vijë koha, t'ju kujtohet që unë jua kam thënë».
Vepra e Shpirtit të shenjtë
«Nuk jua thashë këto që në fillim, se isha me ju. 5 Por tani po shkoj tek ai që më dërgoi dhe asnjëri nga ju nuk po më pyet “ku po shkon?”. 6 Madje, zemra juaj është mbushur me trishtim ngaqë ju thashë këto gjëra. 7 Por unë po ju them të vërtetën: është më mirë për ju që unë të shkoj, se po nuk shkova unë, Ngushëlluesi nuk do të vijë te ju, ndërsa po të shkoj, atëherë do t'jua dërgoj. 8 Kur të vijë, ai do ta bindë botën se është fajtore në lidhje me mëkatin, drejtësinë dhe gjykimin. 9 Në lidhje me mëkatin, sepse nuk beson në mua. 10 Në lidhje me drejtësinë, sepse unë po shkoj tek Ati e nuk do të më shihni më. 11 Në lidhje me gjykimin, sepse princi i kësaj bote është gjykuar.
12 Kam edhe shumë gjëra të tjera për t'ju thënë, por tani nuk mund t'i mbani. 13 Por kur të vijë Shpirti i së vërtetës, ai do t'ju drejtojë tek e gjithë e vërteta. Ai nuk do të flasë nga vetja, por do të flasë ato që do të dëgjojë e do t'ju njoftojë gjërat që do të ndodhin. 14 Ai do të më përlëvdojë, sepse do të marrë nga gjërat e mia e do t'jua lajmërojë. 15 Gjithçka që ka Ati është e imja, prandaj ju thashë se do të marrë nga të miat e do t'jua lajmërojë».
Gëzim në trishtim
16 «Edhe pak e nuk do të më shihni më. Edhe pak pastaj e do të më shihni sërish ». 17 Disa nga dishepujt i thanë njëri-tjetrit: «Ç'është kjo që na thotë: “Edhe pak e nuk do të më shihni më; edhe pak pastaj e do të më shihni sërish”, apo: “Unë po shkoj tek Ati”?». 18 Ata thoshin: «Ç'është kjo, “edhe pak”, që thotë? Nuk po kuptojmë çfarë thotë!». 19 Jezui e kuptoi se donin ta pyesnin, prandaj u tha: «Po diskutoni me njëri-tjetrin se thashë: “Edhe pak e nuk do të më shihni më; edhe pak pastaj e do të më shihni sërish”?. 20 Me të vërtetë po ju them se do të qani e do të vajtoni, ndërsa bota do të gëzohet. Ju do të hidhëroheni, por hidhërimi juaj do të kthehet në gëzim.
21 Kur gruaja është duke lindur, hidhërohet, se i erdhi ora e dhimbjeve, por kur lind foshnja, ajo e harron vuajtjen nga gëzimi se ka lindur një njeri në botë. 22 Kështu dhe ju tani jeni të hidhëruar, por kur t'ju shoh përsëri, do t'ju gëzohet zemra dhe askush nuk do t'jua marrë gëzimin. 23 Atë ditë nuk do të më pyesni për asgjë. Me të vërtetë po ju them se çdo gjë që t'i kërkoni Atit në emrin tim, do t'jua japë. 24 Deri tani nuk keni kërkuar asgjë në emrin tim. Kërkoni e do të merrni, që gëzimi juaj të jetë i plotë».
E kam mundur botën
25 «Këto gjëra jua thashë me përngjasime, por po vjen koha kur nuk do t'ju flas më me përngjasime, por do t'ju flas hapur për Atin. 26 Atë ditë do të kërkoni në emrin tim e nuk ju them se do t'i lutem Atit për ju. 27 Vetë Ati ju do, sepse më keni dashur mua dhe keni besuar se unë kam dalë prej Perëndisë. 28 Unë kam dalë prej Atit e kam ardhur në botë. Po e lë përsëri botën e po kthehem tek Ati».
29 Dishepujt i thanë: «Ja, tani ti po flet hapur e nuk po thua asgjë me përngjasime. 30 Tani e dimë se ti di gjithçka e nuk ke nevojë që ndokush të të pyesë. Prandaj besojmë se ke dalë prej Perëndisë». 31 Jezui u përgjigj: «Tani besoni? 32 Ja ku po vjen ora, e madje ka ardhur, kur ju do të shpërndaheni secili në shtëpi të vet e do të më lini vetëm. Por unë nuk jam vetëm, se Ati është me mua. 33 Jua thashë këto që të keni paqe në mua. Në botë do të keni shtrëngime, por kini guxim! Unë e kam mundur botën!».
1 “U fola juve këto, që të mos skandhaliseni.
2 Do t’u bënjënë juve jashtë sinagogjiavet; po vien një orë, që kushdo që t’u vrasë juve do t’i duketë se i shërben Perëndisë.
3 Edhe këto do t’ua bënjënë juve, sepse s’njohnë Atinë, as mua.
4 Po u fola juve këto, që t’i kujtoni, kur të vinjë ora, se un’ u thashë juve. Edhe nuk’ u thashë juve këto që përpara herësë, sepse ishnjam bashkë me ju.
5 Po ndashti po vete tek ay që më dërgoj, edhe asndonjë prej jush s’më pyetë: Ku vete?
6 Po sepse u fola juve këto, hidhërimi mbushi zemrënë tuaj.
7 Po unë po u them juve të vërtetënë, se është mirë për ju të ikënj unë; sepse ndë mos ikça, Ngushullimtari nukë do të vinjë te ju, po passi të vete, do ta dërgonj te ju.
8 Edhe ay kur të vinjë, do të qërtonjë botënë për faj, edhe për drejtëri, edhe për gjyq.
9 Për faj, sepse nukë më besonjënë.
10 Edhe për drejtëri, sepse vete tek im Atë, edhe nukë më shihni më.
11 Edhe për gjyq, sepse urdhërtari i kësaj bote është gjykuarë.
12 Edhe shumë kam për të thënë juve, po ndashti nukë munt t’i mbani.
13 Po kur të vinjë ay, Frym’ e së vërtetësë, do t’u heqë udhënë juve mbë gjithë të vërtetënë; sepse nukë do të flasë prej vetiu, po do të flasë sa që të dëgjonjë, edhe do t’u dëftenjë juve ato punëra që bënenë.
14 Ay do të më lavdonjë, sepse do të marrë prej simesë, edhe do t’u dëftenjë juve.
15 Gjithë se ka Ati, janë të miatë; përandaj thashë, se do të marrë prej simesë, edhe do t’u dëftenjë juve.
16 Edhe pak, edhe nukë më shihni; edhe përsëri edhe pak, edhe do të më shihni; sepse unë po vete tek Ati.”
17 Atëhere ca nga nxënësit’ e ati i thanë njëri tiatrit: “Ç’është këjo që na thotë: Edhe pak, edhe nukë më shihni; edhe përsëri edhe pak, edhe do të më shihni? Edhe: Se unë vete tek Ati?”
18 Thoshinë pra: “Ç’është këjo që thotë: Këjo Edhe pak? Nukë dimë se ç’flet.”
19 Jisuj pra kupëtoj se doninë ta pyesënë, edhe u tha atyre: “Për këtë haheni njëri me tatrinë, se thashë: Edhe pak, edhe nukë më shihni, edhe përsëri edhe pak, edhe do të më shihni?
20 Me të vërtetë, me të vërtetë po u them juve, se ju do të qjani, edhe do të bëni vajë, po bota do të gëzonetë; edhe ju do të hidhëroneni, po hidhërimi juaj do të bënetë për gëzim.
21 Gruaja, kur piell, ka hidhërim, se i erdhi ora; po si të piellë foshnjenë, s’kujton më shtrëngimnë, për gëzimnë se lindi një njeri ndë botët.
22 Edhe ju pra ndashti keni hidhërim; po përsëri do t’u shoh juve, edhe zemëra juaj do të gëzonetë, edhe asndonjë nukë ngre gëzimnë tuaj prej jush.
23 Edhe nd’ atë ditë nukë do të lypni prej meje asgjë. Me të vërtetë, me të vërtetë po u them juve, se sa t’i lypni Atit mb’ emërit tim, do t’ua apë juve.
24 Gjer ndashti nukë lyptë asgjë mb’ emërit tim; lypni, edhe do të merrni, që të jetë plot gëzimi juaj.
25 U fola juve këto me të përgjajtura; po vien një orë, që atëhere nukë do t’u flas më juve me të përgjajtura, po do t’u dëftenj juve faqeza për Atinë.
26 Nd’atë ditë do të lypni mb’ emërit tim; edhe nuk’ u them juve, se do t’i lutem Atit për ju;
27 Se ay Ati u do juve, sepse ju më keni dashurë, edhe keni besuarë, se unë dolla prej Perëndisë.
28 Dolla prej Atit, edhe erdha ndë botët; përsëri lë botënë, edhe vete tek Ati.”
29 Nxënësit’ e ati i thonë: “Na ndashti te flet ndër sy, edhe nukë thua asndonjë të përgjajturë.
30 Ndashti e njohëmë se i di të gjitha, edhe s’ke nevojë të të pyesë ndonjë, përandaj besojmë se dolle prej Perëndisë.”
31 Jisuj u përgjeq atyre: NNdashti besoni?
32 Na tek vien një orë, edhe ndashti erdhi, që të përndaheni gjithësecili mbë të tiat, edhe të më lini vetëmë; po s’jam vetëmë, sepse Ati është bashkë me mua.
33 U fola juve këto, që të keni paqtim mbë mua. Do të keni shtrëngim ndë botët; po kini zemërë, un’ e kam mundurë botënë.”