Bariu i mirë
1 «Me të vërtetë po ju them: kush nuk hyn nga dera në vathën e deleve, por hyn nga një anë tjetër duke u kacavjerrë, është vjedhës e kusar. 2 Kush hyn nga dera, ai është bariu i deleve. 3 Rojtari ia hap derën dhe delet ia dëgjojnë zërin. Ai i thërret delet e tij me emër e u prin përjashta. 4 Pasi i ka nxjerrë delet e veta, ecën para tyre dhe ato i shkojnë pas, sepse ia njohin zërin. 5 Një të huaji nuk i shkojnë pas, por largohen prej tij, sepse të huajve nuk ia njohin zërin». 6 Jezui u tregoi këtë shëmbëlltyrë, por ata nuk e kuptuan për çfarë u foli.
7 Jezui u tha përsëri: «Me të vërtetë po ju them: unë jam dera e deleve. 8 Të gjithë sa erdhën para meje janë vjedhës e kusarë, por delet nuk i dëgjuan. 9 Unë jam dera. Kush hyn nëpërmjet meje do të shpëtojë. Do të hyjë e do të dalë e do të gjejë kullotë. 10 Vjedhësi vjen vetëm për të vjedhur, për të vrarë e për të shkatërruar. Unë erdha që të kenë jetë e ta kenë të plotë.
11 Unë jam bariu i mirë. Bariu i mirë jep jetën për delet. 12 Ndërsa rrogëtari, që nuk është bari e nuk i ka delet të tijat, kur shikon ujkun duke ardhur, i lë delet e ikën. Ujku i rrëmben ato e i shpërndan, 13 sepse rrogëtari është rrogëtar e nuk shqetësohet për delet.
14 Unë jam bariu i mirë. Unë i njoh delet e mia dhe ato më njohin mua, 15 ashtu si Ati më njeh mua, edhe unë e njoh Atin dhe jap jetën për delet. 16 Kam edhe dele të tjera që nuk janë prej kësaj vathe. Duhet t'i mbledh edhe ato. Do ta dëgjojnë zërin tim e do të bëhen një tufë dhe një bari.
17 Prandaj më do Ati, sepse unë e jap jetën time që ta marr përsëri. 18 Askush nuk mund të ma marrë, por unë e jap vetë. Kam pushtet ta jap e kam pushtet ta marr përsëri. Këtë urdhërim mora nga Ati im».
19 Këto fjalë shkaktuan përsëri përçarje mes judenjve. 20 Shumë prej tyre thoshin: «Ka djallin dhe është i marrë. Përse e dëgjoni?». 21 Ndërsa të tjerë thoshin: «Këto fjalë nuk dalin nga një që ka djallin. A mundet djalli të hapë sytë e të verbërve?».
Judenjtë nuk e pranojnë Jezuin
22 Në Jerusalem po kremtohej festa e Kushtimit. Ishte dimër. 23 Jezui po ecte në tempull në Portikun e Solomonit. 24 Atëherë judenjtë e rrethuan e i thanë: «Deri kur do të na e mbash mendjen pezull? Nëse je ti Krishti, na e thuaj hapur». 25 Jezui u përgjigj: «Unë jua thashë, por ju nuk besoni. Veprat që unë bëj në emër të Atit tim dëshmojnë për mua, 26 por ju nuk besoni, se nuk jeni nga delet e mia. 27 Delet e mia e dëgjojnë zërin tim, unë i njoh e ato më ndjekin pas. 28 Unë u jap atyre jetën e amshuar. Ato nuk do të humbasin kurrë e askush nuk do t'i rrëmbejë nga dora ime. 29 Ati im, që m'i ka dhënë, është më i madh se të gjithë dhe askush nuk mund të rrëmbejë gjë nga dora e tij. 30 Unë dhe Ati jemi një».
31 Judenjtë morën përsëri gurë për ta vrarë. 32 Jezui u tha: «Shumë vepra të mira nga Ati kam bërë para jush. Për cilën nga ato doni të më vrisni me gurë?». 33 Judenjtë iu përgjigjën: «Nuk duam të të vrasim me gurë për ndonjë vepër të mirë, por për fyerje ndaj Perëndisë, sepse ti, duke qenë njeri, e bën veten Perëndi». 34 Jezui u tha: «A nuk është shkruar në ligjin tuaj: unë thashë: jeni perëndi. 35 Perëndia i quajti perëndi ata të cilëve iu drejtua fjala e tij dhe Shkrimi nuk mund të hidhet poshtë. 36 Atëherë, si mund t'i thoni ju atij që Ati e shenjtëroi dhe e dërgoi në botë “fyen Perëndinë”, vetëm sepse kam thënë “jam Biri i Perëndisë”? 37 Nëse nuk bëj veprat e Atit tim, mos më besoni, 38 por nëse i bëj, edhe nëse nuk më besoni mua, besojuni veprave të mia, që të shihni e të kuptoni se Ati është në mua dhe unë në Atin».
39 Përsëri donin ta kapnin, por Jezui u iku nga duart. 40 Ai shkoi sërish në bregun tjetër të Jordanit, në vendin ku më parë pagëzonte Gjoni dhe qëndroi atje. 41 Shumë njerëz shkuan tek ai e thoshin: «Gjoni nuk bëri asnjë shenjë, por gjithçka tha për të është e vërtetë». 42 Dhe atje besuan në të shumë njerëz.
1 “Me të vërtetë, me të vërtetë po u them juve: Ay që nukë hyn ndëpër derët nd’ oborrt të dhënvet, po hipën ngjetiu, ay është viedhës edhe kursar.
2 Po ay që hyn ndëpër derët, është bariu i dhënvet.
3 Këti i hap derënë portari; edhe dhëntë dëgjonjënë zërin’ e ati; edhe thërret dhënt’ e ti me emërë, edhe i nxier.
4 Edhe kur të nxierë dhënt’ e ti, vete përpara atyreve; edhe dhënt’ i venë prapa, sepse njohënë zërin’ e ati.
5 Po të huajit nukë do t’i venë prapa, po do t’ikënjënë prej ati; sepse nuk’ njohënë zërin’ e të huajvet.
6 Këtë paravoli u tha atyre Jisuj; po ata nukë kupëtuanë ç’ishinë këto që u fliste atyre.
7 Jisuj pra u tha atyre përsëri: “Me të vërtetë, me të vërtetë po u them juve, se unë jam dera e dhënvet.
8 Gjithë sa erthnë para meje janë viedhës edhe kursarë; po dhëntë nuk’ u dëgjuan’ atyre.
9 Unë jam dera; ndë hyftë ndonjë prej meje, do të shpëtonjë, edhe do të hynjë edhe do të dalë, edhe do të gjenjë të kulloturë.
10 Viedhësi nukë vien për tiatërë gjë veç për të viedhur’ e për të therur’ e për të prishurë; un’ arthç, që të kenë jetë, edhe ta kenë të tepërë.
11 Unë jam bariu i miri; bariu i mirë vë jetën’ e ti për dhënt.
12 Po ay që ësht’ i paguarë, edhe që s’është bari, të cilit s’janë dhëntë të tijatë, sheh ujkunë tuke ardhurë, edhe lë dhënt’ e ikën; edhe ujku i rrëmben, edhe përndan dhëntë.
13 Edhe i paguari ikën, sepse është i paguarë, edhe s’do të dijë për dhënt.
14 Unë jam bariu i mirë, edhe njoh të mijatë, edhe njihem prej të mijavet,
15 Sikundrë Ati më njeh, edhe unë njoh Atinë; edhe vë jetënë time për dhënt.
16 Kam edhe të tjera dhën, të cilatë s’janë prej këti oborri; duhetë t’i mbëleth edhe ato; edhe do të dëgjonjënë zënë tim, edhe do të bënetë një tufë e një bari.
17 Përandaj Ati më do, sepse unë vë jetënë time, që ta marr përsëri.
18 Asndonjë s’e ngre prej meje, po un’ e vë prej vetiu; kam pushtet ta vë, edhe kam pushtet ta marr përsëri. Këtë porosi mora prej tim eti.”
19 Përsëri pra u bë një shqyerëje ndërmest Judhenjet për këto fialë.
20 Edhe shumë vetë prej atyreve thoshinë: “Ka diallë, edhe ësht’ i shkalluarë; ç’e dëgjoni?”
21 Të tierë thoshinë: “Këto fialë nukë janë fialë të diallosuri; mos munt dialli t’u hapë sytë të verbëret?”
22 Edhe u bë e kremteja e të përtëriturit ndë Jerusalim, edhe ishte dimër.
23 Edhe Jisuj ecënte ndë hieroret, ndë kamaret të Sollomonit. Judhenjtë pra e qerthëlluanë,
24 Edhe i thoshinë: Gjer kurë mba lidhurë shpirtinë tënë? Ndë je ti Krishti, na thuaj ndër sy.”
25 Jisuj iu përgjeq atyre: “U thashë juve, edhe nukë besoni. Punëratë që bënj unë mb’ emërit tim eti, këto martirisnjënë për mua.
26 Po ju nukë besoni, sepse nukë jeni prej dhënvet mia.
27 Sikundrë u thashë juve, dhënt’ e mia dëgjonjënë zënë tim, edhe un’ i njoh; edhe më vinjënë pas.
28 Edhe un’ u ap atyre jetë të pasosurë; edhe nukë do të humbasënë për gjithë jetënë, edhe nukë do t’i rrëmbenjë njeri prej dorësë sime.
29 Im Atë, që m’i ka dhënë, është më i math se të gjithë; edhe asnjë s’munt t’i rrëmbenjë prej dorësë tim Eti.
30 Unë edhe Ati jemi një.”
31 Përsëri pra Judhenjtë rroknë gurë, që ta rrahënë me gurë.
32 Jisuj u përgjeq atyre: “Shumë punëra të mira u dëfteva juve prej tim eti; për ç’punë nga ato më rrihni me gurë?”
33 Judhenjtë iu përgjeqnë, tuke thënë: “Nukë të rrahëmë me gurë për punëra të mira, po për vllasfimi, sepse tuke qën’ edhe ti njeri, bën vetëhenë tënde Perëndi.”
34 Jisuj iu përgjeq atyre: “Nuk’ është shkruarë ndë nomt tuaj: “Unë thashë: Jeni perëndira?”
35 Ndë qoftë se tha perëndira për ata, mbë të cilët’ u bë fial’ e Perëndisë, edhe shkronja, s’munt të prishetë,
36 Atë shënjtëroj Ati, edhe e dërgoj ndë botët, ju thoni, se: “Ti vllasfimis”, sepse thashë: Jam i bir’ i Perëndisë?
37 Ndë mos bënj punërat’ e tim eti, mos më besoni,
38 Po ndë bënj, edhe ndë mos më besoni, besoniu punëravet; që të njihni e të besoni, se Ati është tek unë, edhe unë tek ay.”
39 Kërkoninë pra përsëri ta zënë, po dolli nga dora e atyreve.
40 Edhe shkoj përsëri përtej Jordhanit, ndë vënt ku ishte Joanni përpara tuke pagëzuarë; edhe mbeti atie.
41 Edhe shumë vetë erthnë tek ay, edhe thoshinë, se: “Joanni nukë bëri asndonjë çudi; po gjithë sa tha Joanni për këtë, ishinë të vërteta.”
42 Edhe shumë vetë i besuan’ atie.