Jeta që i pëlqen Perëndisë
1 Dashuria vëllazërore le të mbetet!
2 Mikpritjen mos e harroni, sepse nëpërmjet saj, disa, pa e ditur, pritën engjëj në shtëpi.
3 Kujtoni të burgosurit, si të ishit edhe ju të burgosur me ta. Kujtoni edhe ata që keqtrajtohen, sepse edhe ju jeni njerëz me trup si ata.
4 Martesa le të jetë e ndershme për të gjithë dhe shtrati martesor i papërlyer, sepse kurvarët dhe ata që bëjnë tradhti bashkëshortore do t'i gjykojë Perëndia.
5 Sjellja juaj të mos ndikohet nga lakmia për para. Le t'ju mjaftojnë ato që keni, se Perëndia ka thënë: nuk do të të lë vetëm e as nuk do të të braktis. 6 Kështu mund të themi me guxim:
Zoti është ndihma ime
dhe nuk do të kem frikë.
Ç'mund të më bëjë njeriu?
7 Kujtoni krerët tuaj që ju shpallën fjalën e Perëndisë. Shikoni si e jetuan jetën dhe shkërbeni besimin e tyre.
8 Jezu Krishti është gjithnjë i njëjti, dje, sot e në amshim. 9 Mos rendni pas mësimeve të ndryshme dhe të huaja, sepse është mirë që zemra të forcohet me hir e jo me të ngrëna. Ata që vepruan kështu nuk patën asnjë dobi. 10 Ne kemi një altar, nga i cili nuk kanë të drejtë të hanë ata që e adhurojnë Perëndinë në tendë.
11 Kryeprifti çon në shenjtërore gjak kafshësh, të cilin e kushton për mëkatet, ndërsa vetë kafshët digjen jashtë vendbanimit. 12 Prandaj edhe Jezui vuajti jashtë portës së qytetit, që ta shenjtëronte popullin nëpërmjet gjakut të tij. 13 Kështu, le të dalim edhe ne jashtë vendbanimit e të shkojmë drejt tij, duke duruar të njëjtin poshtërim. 14 Sepse nuk e kemi këtu qytetin e përhershëm, por kërkojmë atë që ka për të ardhur.
15 Nëpërmjet Jezuit, le t'i kushtojmë gjithnjë Perëndisë flijim lavdërimi, domethënë frytin e buzëve që rrëfejnë emrin e tij. 16 Mos harroni të bëni bamirësi dhe të ndani me të tjerët ato që keni, sepse të tilla flijime i pëlqejnë Perëndisë.
17 Bindjuni krerëve tuaj dhe nënshtrojuni atyre, pasi ata rrinë zgjuar për shpirtrat tuaj, meqenëse do të japin llogari para Perëndisë. Kështu, ata do ta bëjnë këtë gjë me gëzim dhe jo duke u ankuar, sepse kjo nuk do t'ju sillte dobi.
18 Lutuni për ne! Ne jemi të bindur se e kemi ndërgjegjen e pastër, sepse në çdo gjë dëshirojmë të sillemi mirë. 19 Po ju kërkoj në veçanti të luteni që të kthehem sa më shpejt te ju.
Përshëndetjet e fundit
20 Perëndia i paqes, ai që ngjalli prej të vdekurve bariun e madh të deleve, Zotin tonë, Jezuin, me gjakun e të cilit siguroi besëlidhjen e amshuar, 21 ju bëftë të aftë për çdo vepër të mirë, që të kryeni vullnetin e tij! Ai bëftë ndër ne çdo gjë që i pëlqen të bëhet, nëpërmjet Jezu Krishtit, të cilit i përket lavdia, në shekuj të shekujve! Amen!
22 Ju lutem, vëllezër, dëgjojini me kujdes këto fjalë ngushëllimi, sepse ju shkrova shkurt.
23 E morët vesh që vëllai ynë Timoteu u lirua nga burgu. Nëse ai mbërrin së shpejti këtu, do të vij t'ju shoh bashkë me të.
24 Përshëndesni të gjithë krerët tuaj dhe të gjithë të shenjtët.
Ju përshëndesin vëllezërit nga Italia.
25 Hiri i Perëndisë qoftë me të gjithë ju!
1 Dashuria e vallëzërisë le të mbesë;
2 Mos harroni dashurin’ e të huajvet; sepse prej kësaj ca pakupëtuarë pritnë ëngjëj ndë shtëpi të tyre.
3 Kujtoni te lidhuritë, si të lidhurë bashkë me ata; ata që heqënë keq, sikur jeni edhe ju ndë trup.
4 Martesa qoftë për nder të gjithë, edhe shtrati i pandyrë; po kurvarët’ e pugërësitë do t’ i gjukonjë Perëndia.
5 Mëndyra juaj le të jetë pa lakëmim argjëndi; e le t’u jenë mjaft ato që keni ndashti; sepse ay ka thënë: “Nukë kam për të lënë tyj, as nukë kam për të hequrë dorë prej teje.”
6 Përandaj neve të themi me zemërë: “Zoti është ndihmëtari im, edhe nukë do të kem frikë; ç’do të më bënjë njeriu?”
7 Kujtoni të parëtë tuaj, të cilët’ u folnë juve fialën’ e Perëndisë; ecëni pas besës’ atyreve, tuke vënë re të pastajmen’ e jetës atyre që shkuanë.
8 Jisu Krishti ësht’ ay vetë die edhe sot, edhe për gjithë jetët.
9 Mos bihi andej’ e këtejë prej çdo farë mësimesh të huaja; sepse është mirë të forconetë zemëra me hirë, jo me të ngrëna, të cilatë nuk’ u bënë dobi atyreve që u ranë prapa.
10 Kemi një therore, prej të cilësë s’kanë pushtet të hanë ata që shërbenjënë ndë tendët.
11 Sepse atyre shtësëvet që u bihetë gjaku brënda ndë shënjtëroret prej kryepriftit për faje, këtyreve u digjenë trupëratë jashtë fushatësë.
12 Përandaj edhe Jisuj pësoj jashtë portësë, që të shënjtëronjë llauzinë megjakun e ti.
13 Le të dalëmë pra tek ay jashtë fushatësë, tuke mbajturë dhunën’ e ati.
14 Sepse neve nukë kemi këtu një qytet që mbet përherë , po kërkojm’ atë që do të injë.
15 Me anë t’ati pra le të biemë përherë kurban lavdie te Perëndia, do me thënë, “pemë buzësh” që rrëfenjën’ emërin’e ati.
16 Edhe mos harroni të bëni mirë e të keni shoqëri, sepse të tilla kurbane i pëlqenjënë Perëndisë.
17 U dëgjoni të parëvet tuaj, edhe u unjni vetëhen’atyreve ; sepse ata rrinë squarë për shpirtërat tuaj, posi ata që do t’u apënë fialë; që ta bënjënë këtë me gëzim, edhe jo tuke psherëtirë; sepse këjo nuk’ u bën dobi juve.
18 Faluni për ne; sepse na është mbushurë mëndëja, se kemi ndërgjegjëje të mirë, tuke dashurë të shkojmë mirë mbë gjithë punërat.
19 Po më tepër’ u lutem juve të bëni këtë, që të këthenem shpejt te ju
20 Edhe Perëndia i paqtimit, i cili ngriti prej së vdekurish barin’ e math të dhënvet me anë të gjakut dhiatësë pasosurë, Zotinë tënë Jisu Krishtinë,
21 U bëftë juve të kulluarë mbë çdo punë të mirë, që të bëni dashurimin’ e ati, tuke punuarë ndër ju atë që ësht’ e pëlqyershime përpara ati, me anë të Jisu Krishtit; mb’ atë qoftë lavdia ndë jetët të jetëvet. Amin.
22 Edhe u lutem juve, o vëllezër, duroni fialën’ e mësimit; sepse u shkrova juve me pak fialë.
23 E dini se vëllaj Timotheu u lëshua nga burgu, bashkë me atë ndë arthtë shpejt, do t’u shoh juve.
24 U faleni me shëndet gjithë të parëvet tuaj, edhe gjithë shënjtorëvet. U falenë me shëndet juve ata që janë nga Italia.
25 Hiri qoftë me ju të gjithë. Amin.