Disiplina e Zotit
1 Prandaj edhe ne që jemi të rrethuar nga një re kaq e madhe dëshmitarësh, le të hedhim tej çdo barrë si dhe mëkatin që na josh lehtësisht dhe le të ecim përpara me durim në betejën që na pret. 2 Le t'i mbajmë sytë te Jezui që është kreu i besimit tonë dhe ai që e bën atë të përsosur. Ai, për gëzimin që e priste, duroi kryqin duke përçmuar turpin dhe u ul në të djathtë të fronit të Perëndisë. 3 Mendoni, pra, atë që duroi një armiqësi të tillë kundër vetes prej mëkatarëve, që të mos ligështoheni e t'ju lëshojë zemra.
4 Sepse ju ende nuk keni arritur deri atje sa të derdhni gjakun në luftën kundër mëkatit. 5 Ju keni harruar këshillën që Perëndia jua tha si bijve të vet:
biri im,
mos e përçmo qortimin e Zotit
e mos të të lëshojë zemra
kur ai të qorton,
6 se Zoti e qorton atë që e do
dhe fshikullon atë që pranon si bir.
7 Durojeni qortimin, se Perëndia po sillet me ju si bij. A ka ndonjë bir që nuk qortohet nga i ati? 8 Nëse nuk do të qortoheni siç qortohen gjithë të tjerët, atëherë nuk jeni bij të vërtetë, por jeni fëmijë të paligjshëm. 9 Pastaj, nëse nderojmë etërit tanë tokësorë kur ata na qortojnë, a nuk duhet t'i nënshtrohemi më tepër Atit të shpirtrave e të fitojmë jetën?
10 Etërit tokësorë na qortuan për pak kohë, ashtu siç e menduan, ndërsa Perëndia na qorton për të mirën tonë që ne të marrim pjesë në shenjtërinë e tij. 11 Qortimet aty për aty duket se sjellin trishtim dhe jo gëzim, por më vonë, ata që janë ushtruar me qortimin do të shijojnë fryte paqtimi e drejtësie.
12 Prandaj forconi duart e lodhura dhe gjunjët e këputur! 13 Rrafshoni shtigje të drejta për këmbët tuaja, që këmba e çalë të mos ndrydhet, por të shërohet.
Paralajmërime
14 Kërkoni paqen me të gjithë dhe shenjtërimin, pa të cilin askush nuk do ta shohë Zotin. 15 Kujdes se mos mbetet ndonjë pa hirin e Perëndisë, se mos mbin ndonjë rrënjë e hidhur që turbullon e ndyn shumë njerëz. 16 Të mos bëhet askush kurvar a çnderues gjërash të shenjta si Esau, i cili për një të ngrënë shiti të drejtat që gëzonte si fëmijë i parë. 17 E dini se më pas, kur donte të trashëgonte bekimin, ai nuk u pranua, ndonëse e kërkoi me lot, pasi nuk kishte më vend për pendim.
18 Nuk i jeni afruar malit të Sinait që mund të preket me dorë e që digjet me zjarr, as errësirës, as territ, as stuhisë, 19 as tingullit të trumbetës dhe as oshtimës së fjalëve, të cilën ata që e dëgjuan, u lutën të mos u thuhej më asnjë fjalë tjetër. 20 Ata nuk mund ta duronin urdhrin: edhe nëse një shtazë e prek malin, të vritet me gurë. 21 Aq e frikshme ishte pamja, sa Moisiu tha: kam frikë dhe po dridhem.
22 Ju i jeni afruar malit të Sionit dhe qytetit të Perëndisë së gjallë, Jerusalemit qiellor, mijëra engjëjve, 23 bashkësisë së fëmijëve të parëlindur të Perëndisë, emrat e të cilëve janë shkruar në qiell. I jeni afruar Perëndisë, gjykatësit të të gjithëve, dhe shpirtrave të të drejtëve që kanë arritur përsosjen. 24 I jeni afruar Jezuit, ndërmjetësit të besëlidhjes së re dhe gjakut të tij të spërkatjes që flet më mirë së gjaku i Abelit.
25 Kini kujdes se mos nuk i vini vesh atij që ju flet! Sepse nëse nuk i shpëtuan ndëshkimit ata që nuk e dëgjuan atë që u fliste mbi tokë, shumë më tepër nuk do t'i shpëtojmë ne, nëse mohojmë atë që na flet nga qielli. 26 Zëri i tij atëherë e tronditi tokën, ndërsa tani premton: edhe një herë do ta trondis nga themelet , jo vetëm tokën, por edhe qiellin.
27 Fjala «edhe një herë» tregon se gjërat e krijuara do të tronditen e do të zhvendosen, në mënyrë që të mbeten gjërat që nuk mund të tronditen. 28 Le të jemi mirënjohës, meqenëse kemi një mbretëri që nuk mund të tronditet. Le të jemi mirënjohës e le ta adhurojmë Perëndinë në mënyrë të pëlqyeshme me nderim e me druajtje, 29 se Perëndia ynë është zjarr që përpin.
1 Andaj edhe neve, rrethuarë prej një kaqë reje martiriash, le të hedhëmë tej çdo barrë, edhe fajinë që na pushton kaqë kollaj, edhe le t’ ecëmë me durim nd’ atë udhë që është përpara nesh,
2 Tuke shtyrë sytë mbë Jisunë që është kryet’ edhe fundi i besësë, i cili për atë gëziminë që ishte përpara ati, duroj kryqinë, pa vënë ndëpër mënt turpërinë, edhe ndenji ndë të diathtë të fronit Perëndisë.
3 Sepse kujtoni atë që duroj të tillë kundrëfialë mbë vetëhet’ të ti prej fajtorëvet, që të mos lodhi e të sbërthehi ndë shpirtërat tuaj.
4 Ju edhe s’i keni qëndruarë fajit gjer mbë gjak, tuke luftuarë.
5 Edhe keni harruar’atë këshillënë, që u flet juve posi bijvet, e u thotë : “Biri im, mos lërë mbënjanë mësimin’ e Zotit; as mos e hump zemrënë, kur qërtone prej ati.
6 Sepse atë që do Zoti e mundon, edhe rreth çdo bir që e pret përanë vetiu.”
7 Ndë durofshi mundiminë, Perëndia vihetë mbë ju, posi mbë bij; sepse cili ësht’ ay bir që s’e mundon i ati?
8 Po ndë jeni pa mundim, të cilit u bënë piesëtarë të gjithë, vallë jeni dobiça, e jo bij.
9 Pastaj neve kishim atërit’ e mishit tënë që na mundoninë, edhe i duruam; a nukë do t’i unjëmë kryetë shumë më tepër Atit frymavet, edhe të rrojmë?
10 Sepse ata na mundoninë për pak dit, sikundrë u pëlqente atyreve; po ay për të mirënë tonë , që të bënemi piesëtarët’ e shënjtëris’ ati.”
11 Edhe çdo mundim ndashti për ndashti nukë duketë se bie gëzim, po hidhërim; po pastaj u ep pemë drejtërie të butë atyreve që janë stërviturë me anë t’ asaj.
12 “Përandaj ngreni përpietë duart’ e dobëta edhe gjunjt’ e këputurë.”
13 Edhe “bëni t’ ecurë të drejtë mbë këmbëvet tuaja,” që të mos dalë jasht’ udhësë ajo që ësht’ e çalë, po më tepërë të shëronetë.
14 Kërkoni paqtim me të gjithë, edhe shënjtëriminë, që pa atë asndonjë nukë do të shohë Zotinë;
15 Tuke vënë re mos ka mbeturë prapa ndonjë nga hiri i Perëndisë; “mos ka mbirë lart ndonjë rrënjë e hidhurë, e turbullon”, prej kësaj ndyhenë shumë vetë,
16 Mos është ndonjë kurvar a i ndyrë si Isafi, që shiti paralindëjet’ e tia për një gjellë.
17 Sepse e dini, se edhe pastaj, kur deshi të trashëgonjë bekiminë, u hoth poshtë; sepse nukë gjet vënt pendimi, ndonëse e lypi me lot.
18 Sepse nukë jeni afruarë ndë një mal që zihetë me dorë, e që digjetë me ziarr, edhe mbë vrërësirë, e mbë errësirë, e mbë thëllim,
19 E mbë zë trumbete, e mbë zë fialësh, të cilin’ ata që e dëgjuanë u lutnë të mos u flitej më fiala atyreve;
20 (Sepse nukë munt të duronin’ urdhërinë, që thoshte : “Edhe shtësë ndë i piektë malit, do të vritetë me gurë, [a do të shëgjetonetë me shëgjetë]”.
21 Edhe kaqë të frikëshim ishte të dukuritë, sa Mojsiu tha: Jam frikësuar’ e trëmburë);
22 Po u afruatë ndë mal të Sionit, ndë qytet të Perëndisë gjallë, ndë qiellorenë Jerusalimë, edhe ndë shumë mijëra ëngjëjsh,
23 Ndë panagjyrë e ndë qishë të paralindurish, që u janë shkruar’ emëratë ndë qiejet, edhe te Perëndia, gjyqtari i të gjithëve, edhe te shpirtërat’ e të drejtëvet që janë bërë të sosurë,
24 Edhe mbë Jisunë mestarin’ e dhiatësë re, edhe ndë gjak të përskaturit, që flet më mirë se i Abelit.
25 Shikoni mos hiqni dorë nga ay që flet; sepse kur nukë shpëtuan’ ata që hoqnë dorë nga ay që foli tek ata mbë dhet, shumë më tepërë nukë do të shpëtojmë neve, ndë heqshim dorë nga ay që flet prej qiejesh;
26 Të cilit zëri tundi dhenë atëhere; po ndashti u zotua, tuke thënë: “Edhe një herë do të tunt jo vetëmë dhenë, po edhe qiellinë.”
27 Edhe këjo fialë “Edhe një herë” dëften të ndërruarët’ e vëndit atyreve që tundenë, posi të bëra me dorë , që të mbesën ato që nukë tundenë.
28 Përandaj tuke marrë një mbëretëri të patundurë, le të kemi hirë, me anë t’ ati të lusëmë pëlqyershim Perëndinë, me turp e me të druajturë.
29 Sepse “Perëndia ynë është ziarr që tret.”