Besimi
1 Besimi është siguria për gjërat që shpresohen dhe njohja e gjërave që nuk shihen. 2 Nëpërmjet tij të parët tanë morën dëshminë e mirë.
3 Me anë të besimit, kuptojmë se gjithësia u krijua me fjalën e Perëndisë, në mënyrë të tillë që gjërat që shohim u bënë nga ato që nuk i shohim.
4 Me anë të besimit, Abeli i kushtoi Perëndisë flijim më të mirë se Kaini. Falë besimit, ai mori dëshminë se ishte i drejtë kur Perëndia pranoi dhuratat dhe ndonëse ka vdekur, ai vazhdon të na flasë.
5 Me anë të besimit, Enoku u mor lart nga Perëndia pa parë vdekje me sy dhe nuk u gjet më mbi tokë, sepse e kishte marrë lart Perëndia. Dëshmohet se, para se të merrej lart, ai i kishte pëlqyer Perëndisë. 6 Pa besim është e pamundur t'i pëlqejë njeri Perëndisë, sepse ai që i afrohet Perëndisë duhet të besojë se ka Perëndi dhe se Perëndia i shpërblen ata që e kërkojnë.
7 Me anë të besimit, Noeu, kur u njoftua nga Perëndia për ato gjëra që nuk shiheshin ende, u bind dhe ndërtoi arkën për të shpëtuar ata të shtëpisë së tij. Nëpërmjet besimit, Noeu gjykoi botën dhe për shkak të besimit Perëndia e bëri trashëgimtar të drejtësisë.
8 Me anë të besimit, Abrahami, kur e thirri Perëndia, u bind për të shkuar në vendin që do të merrte si trashëgim dhe u nis pa ditur ku po shkonte. 9 Me anë të besimit, ai banoi në tokën e premtuar si në dhe të huaj, duke jetuar në tenda bashkë me Isakun dhe Jakobin, bashkëtrashëgimtarë të të njëjtit premtim. 10 Sepse ai priste qytetin me themele të forta, arkitekt dhe ndërtues i të cilit do të ishte Perëndia.
11 Me anë të besimit të Abrahamit, edhe Sara shterpë arriti të mbesë shtatzënë, ndonëse i kishte kaluar mosha, sepse Abrahami e dinte se ai që i kishte premtuar ishte besnik. 12 Kështu, prej një njeriu të vetëm, edhe ky gati në të vdekur, lindën pasardhës të shumtë sa yjet e qiellit dhe sa rëra e panumërueshme e bregut të detit.
13 Këta të gjithë vdiqën me besim, por pa i marrë premtimet e bëra. Ata vetëm i panë nga larg dhe i përshëndetën, duke pranuar se janë të huaj dhe kalimtarë mbi tokë. 14 Ata që i thonë këto gjëra, tregojnë se kërkojnë atdhe. 15 Po ta kishin mendjen tek atdheu që kishin lënë do të kishin gjetur kohë për t'u kthyer përsëri atje. 16 Por tani ata dëshirojnë një atdhe më të mirë, domethënë një atdhe qiellor. Prandaj Perëndisë nuk i vjen turp të quhet Perëndia i tyre, sepse u kishte bërë gati një qytet.
17 Me anë të besimit, Abrahami, kur u vu në provë, kushtoi si flijim Isakun. Ai që kishte marrë premtimet, kushtoi birin e tij të vetëm, 18 ndonëse Perëndia i kishte thënë: nga Isaku do të rrjedhin pasardhësit e tu. 19 Abrahami mendonte se Perëndia mund ta ngjallte prej të vdekurve dhe e mori, në njëfarë mënyre , Isakun prej të vdekurve.
20 Me anë të besimit, Isaku bekoi Jakobin dhe Esaun për gjërat e ardhshme. 21 Me anë të besimit, Jakobi, kur po vdiste, bekoi secilin nga bijtë e Jozefit dhe adhuroi Perëndinë, duke u mbështetur te shkopi i tij. 22 Me anë të besimit, Jozefi, duke vdekur, përmendi daljen e bijve të Izraelit nga Egjipti dhe i porositi për eshtrat e tij.
23 Me anë të besimit, prindërit e Moisiut e fshehën atë për tre muaj pas lindjes, sepse e panë se fëmija ishte i bukur dhe nuk u frikësuan nga urdhri i mbretit. 24 Me anë të besimit, Moisiu, kur u rrit, nuk pranoi të quhej bir i bijës së faraonit. 25 Ai zgjodhi që më mirë të vuante me popullin e Perëndisë, sesa të shijonte përkohësisht dëfrimet e mëkatit. 26 Ai e çmoi përçmimin e ngjashëm me përçmimin që do të pësonte Krishti, si pasuri më të madhe se thesaret e Egjiptit, sepse i kishte drejtuar sytë nga shpërblimi.
27 Me anë të besimit, Moisiu e la Egjiptin pa pasur frikë nga zemërimi i mbretit, sepse qëndroi i palëkundur duke parë të padukshmin. 28 Me anë të besimit, ai kremtoi Pashkën dhe bëri spërkatjen me gjak, me qëllim që engjëlli shfarosës të mos i vriste fëmijët e parëlindur të Izraelit.
29 Me anë të besimit, izraelitët kaluan detin e Kuq si të ecnin në tokë të thatë, ndërsa kur e provuan egjiptianët, u mbytën.
30 Me anë të besimit, muret e Jerikosë ranë, pasi izraelitët u sollën rrotull tyre për shtatë ditë.
31 Me anë të besimit, lavirja Rahabë nuk vdiq bashkë me të pabindurit, pasi ajo i kishte pritur zbuluesit paqësisht.
32 Ç'të them më? Nuk do të më mjaftonte koha t'ju tregoja për Gideonin, Barakun, Samsonin, Jeftahun, Davidin, Samuelin dhe profetët, 33 të cilët me anë të besimit mposhtën mbretër, vunë drejtësinë, fituan premtimet, ua zunë grykën luanëve, 34 shuan fuqinë e zjarrit, shpëtuan nga tehu i shpatës, nga të dobët u bënë të fortë, u bënë të fuqishëm në luftë, thyen ushtritë e huaja.
35 Me anë të besimit disa gra morën përsëri të vdekurit e tyre përmes ngjalljes, ndërsa të tjerë nuk e pranuan lirimin, por vuajtën tortura, që të fitonin një ngjallje më të mirë. 36 Të tjerë hoqën poshtërime e fshikullima, madje edhe pranga e burgime. 37 U vranë me gurë, u sharruan më dysh, u therën me tehun e shpatës dhe u endën veshur me lëkura delesh, me lëkura dhish, në skamje, në hidhërime e në keqtrajtime. 38 Bota nuk ishte e denjë për ta, prandaj ata endeshin nëpër shkretëtira, nëpër male, nëpër shpella e nëpër vrimat e dheut.
39 Të gjithë këta, megjithëse e morën dëshminë e mirë me anë të besimit, nuk e fituan premtimin e Perëndisë. 40 Sepse Perëndia kishte parashikuar diçka më të mirë për ne, që ata të mos arrinin në përsosje pa ne.
1 Edhe besa është një themeli punërash që shpërehenë, një të dëftyerë punërash që nukë shihenë.
2 Sepse prej kësaj muarnë martiri të mirë të lashtëtë.
3 Me anë të besësë kupëtojmë se jetët’ u ndërtuanë me fialën’ e Perëndisë, kaqë që këto që shihenë nuk’ u bënë prej atyre punërave që dukenë.
4 Me anë të besësë Abeli i pruri Perëndisë kurban më të mirë se Kaini, që prej asaj besësë u martiris se ishte i drejtë, sepse Perëndia dha martiri për dhurëtiat’ e ati; edhe prej asaj, ndonëse vdiq, edhe më po flet.
5 Me anë të besësë Enohu u ndërrrua vëndit, që të mos shohë vdekëje, “edhe nukë gjëndej, sepse Perëndia e ndërroj vëndit;” sepse përpara se të ndërrohej vëndit u martiris, për atë se i kishte pëlqyerë Perëndisë.
6 Edhe pa besë s’munt t’i pelqenjë ati ndonjë; sepse ay që afronetë te Perëndia, duhetë të besonjë se është, edhe bënetë pagë-dhënës tek ata që e kërkonjën’ atë.
7 Me anë të besësë iu dëftye Noesë nga Perëndia për ato punëra që edhe nukë shiheshinë, edhe ay si u frikësua, ndërtoj një arkë për shpëtimin’ e shtëpisë ti; prej të cilësë gjukoj për të ligë botënë, edhe u bë trashëgimtar i drejtërisë me anë të besësë.
8 Me anë të besësë dëgjoj Avraami, kur u thërrit të dalë mb’ atë vënt, që kishte për të marrë për trashëgim, edhe dolli pa diturë se ku vete.
9 Me anë të besësë vate e nguli ndë dhe të së zotuarësë posi mbë një dhe të huajë, tuke ndenjurë ndë tenda, bashkë me Isaakun’ e me Jakovinë trashëgimtarëtë bashkë t’asaj të zotuarësë;
10 Sepse priste atë qytetinë që kishte themeletë, të cilit mieshtrë edhe ndërtestar është Perëndia.
11 Me anë të besësë edhe ajo Sarra mori fuqi të ngjitetë me barrë, edhe, ndonëse i kishte shkuarë koha e moshësë, polli, se e kujtoj të besës’ atë që i u zotua.
12 Përandaj lintnë kaqë vetë prej një nburri vetëmë , edhe kyj gati për të vdekurë, posi yjet’ e qiellit nga shumica, edhe posi rëra e panumëruarë që është ndë buzët të detit.
13 Këta të gjithë vdiqnë më besë, pa marrë të zotuaratë, po i panë ato për së largu, (edhe u mbushnë mëntë), edhe i pritnë, edhe rrëfyenë se janë të huajë edhe prej një tiatër vëndi mb’ atë dhe.
14 Sepse ata që flasënë kështu, dëftenjënë se kërkonjënë dhen e tyre.
15 Edhe ndë e mbaninë mënt atë dhe, që patnë dalë prej andejë, do të kishinë kohë të këtheneshinë.
16 Po ndashti dëshëronjënë për një dhe më të mirë, do me thënë, qielluar; përandaj Perëndisë nuk’ i vien turp të qjuhetë Perëndia i atyreve; sepse u bëri gati atyre qytet.
17 Me anë të besësë Avraami, pruri Isaakunë për kurban ; kur provohej; edhe ay që pat priturë të zotuaratë pruri për kurban të vetëmlindurinë birin’ e ti ,
18 Mbë të cilinë qe folurë: “Se mbë Isaakunë do të qjuhetë fara jote”,
19 Tuke menduarë Avraami , se Perëndia munt të ngjallnjë edhe prej së vdekurish; prej përandaj e mori atë posi me të përgjajturë.
20 Me anë të besësë Isaaku bekoj Jakovin’ edhe Isafinë për punërat që do të vininë.
21 Me anë të besësë Jakovi tuke vdekurë bekoj të dy të bijt’ e Josifit, “edhe u fal tuke pshteturë mbë majë të shkopit ti”.
22 Me anë të besësë Josifi tuke vdekurë përmëndi për të dalëtë jashtë e të bijvet Israilit, edhe porositi për eshtërat’ e tia.
23 Me anë të besësë Mojsiu, si lindi, u fsheh tre muaj nga përint’ e ti, sepse panë se çuni ishte i bukurë; edhe nukë patnë frikë për urdhëratën’ e mbëretit.
24 Me anë të besësë Mojsiu si u bë i math, mohoj të thuhet’ i biri së bijësë Faraojt;
25 Sepse sgjodhi më tepërë të heqë keq bashkë me llauzin’ e Perëndisë, se të ketë fitim faji për pakëzë kohë;
26 Tuke kujtuarë dhunën’ e Krishtit për më të madhe pasëje se thesarëtë ndë Egjypt; sepse vështronte mbë shpagimt.
27 Me anë të besësë la Egjyptinë pa pasurë frikë për zemëratën’ e mbëretit; sepse priti të paparinë, posi tuke parë atë .
28 Me anë të besësë bëri pashkën’ edhe të përskaturit’ e gjakut, që të mos i piekë atyreve ay që prishte dielmt’ e parë.
29 Me anë të besësë shkuanë ndëpër Det të Kuq posi ndëpër tokë; të cilinë kur e provuanë Egjyptianëtë, u mbytnë.
30 Me anë të besësë ranë muret’ e Jerihosë, si u qerthëlluanë shtatë dit.
31 Me anë të besësë kurva Raavë nukë humbi bashkë me ata që s’bindeshinë, passi priti përgjonjësitë me paqtim.
32 Edhe ç’të them më? Sepse nukë do të më mbesë kohë të tregonj për Gjedheoninë, e për Varakunë, e për Sampsoninë, e për Jefthaenë, për Dhavidhin’ e për Samuilin’ edhe për profitët,
33 Të cilëtë me anë të besësë lëftuanë mbëretëria, punuanë drejtëri, fituanë të zotuaratë, thurnë gojat’ e leonëvet,
34 Shuanë fuqin’ e ziarrit, shpëtuanë nga gojat’ e thikësë, muarnë fuqi nga dobësiratë, u bënë të fortë ndë luftë, thyenë ushtëriat’ e të hujvet;
35 Gratë muarnë të vdekurit’ e tyre nga të ngjalluritë; e të tierë u munduanë, sepse nukë pritnë shpëtiminë, që të fitoninë një të ngjallurë më të mirë;
36 E të tierë u provuanë me të përqeshura e me të rrahura, po edhe me të lidhura e me burk.
37 U vranë me gurë, u sharruanë, u nganë, vdiqnë prerë prej thikësë; shkoninë vënde ndëpër vënde veshurë me lëkura dhënsh, e me lëkura dhish, tuke pasurë nevojë, tuke pasurë shtrëngim, tuke hequrë keq,
38 (për të cilëtë bota nuk’ ishte e vëjyërë) tuke shkuar’ andej’ e këtejë ndëpër shkretëtira e ndëpër male e ndëpër shpella e ndëpër vërat’ e dheut.
39 Edhe këta të gjithë, ndonëse muarnë martiri të mirë me anë të besësë, nukë muarnë të zotuarëtë;
40 Sepse Perëndia pat urdhëruarë që përpara një gjë më të mirë, që të mos bënenë të sosurë pa neve.