1 Meqenëse ligji përmban vetëm hijen e të mirave të ardhshme dhe jo pamjen e tyre të vërtetë, ai nuk mund t'i përsosë kurrë ata që vazhdimisht vijnë të kushtojnë të njëjtat flijime vit për vit. 2 Përndryshe do të kishin reshtur së kushtuari flijime, pasi ata që adhuronin Perëndinë, si të ishin pastruar një herë, nuk do të ishin më të vetëdijshëm për mëkatet e tyre. 3 Por ato flijime iu kujtonin mëkatet çdo vit, 4 sepse gjaku i viçave dhe i cjepve nuk mund t'i shlyejë mëkatet.
5 Kur erdhi Krishti në botë, tha:
flijime e dhurata
nuk deshe,
por më bëre gati një trup.
6 Shkrumbimet e kafshëve
dhe flijimet për mëkatet
nuk të pëlqyen.
7 Atëherë thashë:
ja ku po vij, o Perëndi,
për të bërë vullnetin tënd,
sikurse është shkruar për mua
në krye të librit.
8 Më lart ai tha se nuk i pëlqejnë flijimet dhe dhuratat, si dhe shkrumbimet e kafshëve dhe flijimet për mëkatin, megjithëse ato kushtoheshin sipas ligjit. 9 Pastaj shtoi: ja ku po vij për të bërë vullnetin tënd! Kështu ai hedh poshtë flijimet e para për të caktuar flijimin e dytë. 10 Nga ky vullnet u shenjtëruam nëpërmjet flijimit që bëri Jezu Krishti një herë e përgjithmonë.
11 Të gjithë priftërinjtë rrinin çdo ditë në këmbë për të shërbyer e për të kushtuar shumë herë të njëjtat flijime, të cilat nuk mund t'i shlyejnë kurrë mëkatet. 12 Ndërsa Krishti kushtoi vetëm një flijim për mëkatet një herë e përgjithmonë e pastaj u ul në të djathtë të Perëndisë. 13 Tani, atje, ai pret që armiqtë e tij të bëhen shtrojë e këmbëve të tij. 14 Kështu, me një kushtim të vetëm, Krishti i bëri të përsosur përgjithmonë të shenjtëruarit.
15 Edhe Shpirti i shenjtë na dëshmon kur thotë:
16 besëlidhja që do të lidh me ta
pas atyre ditëve, thotë Zoti,
është kjo:
unë do t'i shtie ligjet e mia
në mendjen e tyre
e do t'i shkruaj në zemrat e tyre.
17 Mëkatet e tyre
e paudhësitë e tyre
nuk do t'i kujtoj më.
18 Ku ka ndjesë të mëkateve, nuk është nevoja më për flijime.
Thirrje dhe paralajmërime
19 Vëllezër, gjaku i Jezuit na jep guxim për të hyrë në shenjtërore 20 përmes udhës së re e të gjallë që na hapi Krishti me anë të velit që është trupi i tij.
21 Ai është prift i madh në krye të shtëpisë së Perëndisë. 22 Le të hyjmë, pra, atje me zemër të çiltër e me besim të sigurt, me zemër të pastruar nga ndërgjegjja e keqe dhe me trup të larë me ujë të pastër. 23 Le ta mbajmë të patundur pohimin e shpresës, sepse ai që na premtoi është besnik. 24 Le të kujdesemi për njëri-tjetrin, duke e nxitur për dashuri e për vepra të mira, 25 pa hequr dorë nga të mbledhurit së bashku, siç e kanë bërë zakon disa. Përkundrazi, le të nxisim njëri-tjetrin më shumë tani që shihni se po afron Dita e Zotit.
26 Nëse vazhdojmë të mëkatojmë me dashje, pasi kemi marrë njohuritë e së vërtetës, atëherë nuk ka më asnjë flijim për mëkatet. 27 Përkundrazi, na pret gjykimi i tmerrshëm dhe zjarri i ndezur që përpijnë kundërshtarët. 28 Nëse dikush shkel ligjin e Moisiut, vritet pa mëshirë me dëshminë e dy a tre dëshmitarëve. 29 A e merrni me mend se ç'dënim më të madh do të meritojë ai që ka shkelur me këmbë Birin e Perëndisë, që e ka parë si të pavlerë gjakun e besëlidhjes, me të cilin u shenjtërua, dhe që ka sharë Shpirtin e hirit? 30 Sepse ne e njohim atë që ka thënë:
«shpagimi më përket mua
dhe unë jam ai
që do të marrë shpagim ».
Si dhe:
«Zoti gjykon popullin e tij ».
31 Është gjë e tmerrshme të biesh në duart e Perëndisë së gjallë.
32 Sillini ndër mend ditët e shkuara! Atëherë, pasi u ndriçuat, ju duruat me shumë mundime një luftë të madhe, 33 herë të përqeshur dhe të munduar botërisht, herë duke marrë pjesë në vuajtjet e atyre që trajtoheshin kështu. 34 Ju keni vuajtur bashkë me të burgosurit dhe kur ju kanë rrëmbyer pasuritë, keni duruar me gëzim, sepse e keni ditur se keni një pasuri më të madhe dhe të qëndrueshme.
35 Mos e humbisni, pra, guximin tuaj! Ai ka shpërblim të madh. 36 Keni nevojë për durim që të bëni vullnetin e Perëndisë e të fitoni premtimin.
37 Sepse edhe pak kohë,
vetëm pak,
e do të vijë
ai, që duhet të vijë,
e nuk do të vonohet.
38 I drejti im
do të jetojë prej besimit,
por nëse zmbrapset,
shpirti im nuk do të kënaqet me të.
39 Ne nuk jemi nga ata që zmbrapsen e humbasin, por nga ata që besojnë dhe shpëtojnë shpirtin.
1 Sepse nomi, tuke pasurë hien’ e të miravet që vinjënë, e jo atë ikonën’ e kafshavet, kurrë nukë munt të bënjë të kulluarë ata që hynjënë me ato kurbanetë, që bihenë vit për vit përherë.
2 Sepse atëhere do të kishinë pushuarë të biheshinë kurbane , sepse lutësitë, si të qëroneshinë një herë, nukë do të kishinë më asndonjë ndërgjegjëje për faje.
3 Po nd’ ato bënetë kujtim fajesh vit për vit.
4 Sepse gjak demash e ciepësh s’mund të heqënë faje.
5 Përandaj, tuke hyrë ndë botët, thotë: “Kurban e dhuratë nukë deshe, po bëre gati për mua trup.
6 Kurbane të diegura-gjithë edhe dhurata për faje nukë pëlqeve.
7 Atëhere thashë: Na te po vinj (ndë ballët të vivlisë është shkruarë për mua,) për të bërë, o Perëndi, dashuriminë tënt.”
8 Si tha më sipër: “Se kurban edhe dhuratë, edhe kurbane të diegura-gjithë edhe dhurata për fajë nukë deshe, as nuk’ i pëlqeve” (të cilatë bihenë kurban pas nomit.).
9 Atëhere tha: “Na te po vinj, për të bërë, o Perëndi, dashuriminë tënt.” Ngri të parënë, që të vërë të dytënë.
10 Prej ati dashurimit jemi shënjtëruarë me anë të prurit kurban të trupit Jisu Krishtit që u bë kurban një herë.
11 Edhe çdo prift rri përditë tuke shërbyerë, edhe bie përherë po ata kurbane, të cilatë kurrë nukë munt të heqënë faje.
12 Po ay, si pruri një kurban për faje, ndenji për gjithë herënë ndë të diathtë të Perëndisë,
13 Tuke priturë paskëndaj gjersa të vihen arëmiqt’ e ati përposh ndënë këmbët t’ati.
14 Sepse me një dhuratë bëri të shënjtëruaritë të kulluarë për gjithë herënë.
15 Po edhe Frym’ e Shënjtëruarë martiris për ne; sepse passi pat thënë më përpara:
16 “Këjo është dhiata që do të bënj mb’ ata pas atyre ditvet, thotë Zoti, do të vë nomet’ e mi ndë zemërat t’atyreve, edhe do t’i shkruanj ato ndë mendimet t’atyreve.”
17 “Edhe nukë do të kujtonj më fajet’ e atyreve edhe paudhëriat’ e atyreve.”
18 Edhe atie ku është ndëjesë, nukë është më dhuratë për faje.
19 Tuke pasurë pra, o vëllezër, kuxim të hyjmë ndë shënjtëroret me anë të gjakut Jisujt,
20 Prej një udhe të rë edhe të gjallë, që na rëpërtëriti me anë të kurtinësë, do me thënë, të mishit ti,
21 Edhe tuke pasurë një prift të math ndë shtëpi të Perëndisë,
22 Le t’ afronemi me zemërë të vërtetë e të mbushurë mëndëjenë nga besa, tuke pasurë shplarë zemëratë tona prej ndërgjegjëjesë ligë;
23 Edhe tuke pasurë larë trupinë me ujë të këthiellëtë, le të mbajjmë rrëfimin’ e shpëresësë pa pierrë, sepse ay që u zotua është besëtar.
24 Edhe le të vështrojmë të ngacëmojmë njëri tiatrinë ndë dashuri e ndë punëra të mira;
S 25 Mos lëmë të mbëlidhemi bashkë, sikundrë është zakon mbë ca vetë , po tuke shtyturë njëri tiatrinë; edhe kaqë më teprë, sa shihni ditën’ afruarë.
26 Sepse ndë fëjefshim neve tuke dashurë, passi muarëm të njohurit’ e së vërtetësë, nukë mbet më kurban për faje;
27 Po një të priturë gjyqi të frikëshim, edhe një të ndezurë ziarri, që ka për të ngrënë ata që janë kundrë.
28 Një që shkel nomin’ e Mojsiut, përpara dy a tre martirëve vritetë pa përdëllim
29 Sa më teprë mundim, u duketë juve,se do të heqë ay që ka shkelurë me këmbë të Birin’e Perëndisë, edhe e ka kujtuarë se gjaku i dhiatësë është si çdo gjak, që me atë shënjtërua, edhe ka sharë frymën’ e hirit?
30 Sepse e dimë atë që ka thënë: “Shpagimi është puna ime, unë kam për të shpaguarë”, thotë Zoti. Edhe përsëri: “Zoti do të gjukonjë llauzin’ e ti.”
31 Pun’ e frikëshime është të bierë ndonjë ndër duar të Perëndisë gjallë.
32 Bini ndër mënt dit e para, ndë të cilat si u ndriçuatë, duruatë shumë luftë pësimesh.
33 Ndashti tuke bërë lodrë vetëhenë tuaj prej qërtimesh e prej shtrëngimesh, e ndashti duke bërë vetëhen tuaj piesëtarët’ e atyreve që pësuanë këso punërash.
34 Sepse pësuatë bashkë me të lidhurat’ e mia, edhe prittë me gëzim rrëmbesënë e pasëjesë tuaj, tuke diturë se keni për vetëhenë tuaj ndë qiejet një pasëje më të mirë edhe të qëndruarshime.
35 Mos e hirthni teje pra kuximinë tuaj, që ka për të dhënë pagë të madhe.
36 Sepse ju keni nevojë për durim, që të bëni dashurimin’ e Perëndisë, edhe të merrni të zotuarëtë.
37 “Sepse edhe një çikëzë herë, edhe “do të vinjë ay që vien, edhe nukë do të mënonjë.”
38 “Edhe i drejti do të rronjë prej besësë”, edhe “ndë u heqtë prapazëndonjë , shpirti im nukë do ta pëlqenjë atë.”
39 Edhe ne nukë jemi nga ata që hiqenë prapazë për prishëje, po nga ata që besonjënë për shpëtimin’ e shpirtit.