Pali në Maltë
1 Pasi shpëtuam, morëm vesh se ishulli quhej Maltë. 2 Vendasit treguan një dashamirësi të pazakontë ndaj nesh. Ata ndezën një zjarr e na mblodhën të gjithëve rreth tij, sepse kishte filluar të binte shi e bënte ftohtë.
3 Pali kishte mbledhur një krah dru dhe po i vinte në zjarr kur iu lidh rreth dorës një nepërkë që doli për shkak të të nxehtit. 4 Kur e panë vendasit gjarprin që varej në dorën e tij, i thanë njëri-tjetrit: «Ky njeri duhet të jetë vrasës. Edhe pse i shpëtoi detit, drejtësia hyjnore nuk e lejoi të jetojë». 5 Pali e shkundi gjarprin në zjarr e nuk pësoi asgjë të keqe. 6 Ata po prisnin që të ënjtej, apo të binte i vdekur menjëherë, por, pasi pritën shumë dhe panë se nuk po i ndodhte asgjë e pazakontë, ndërruan mendje e filluan të thoshin se ai ishte perëndi.
7 Afër atij vendi gjendeshin tokat e të parit të ishullit me emrin Publi. Ai na priti e na strehoi miqësisht për tri ditë. 8 I ati i Publit ishte i sëmurë në shtrat me ethe e lëbarke. Pali iu afrua atij, u lut, shtriu duart mbi të dhe e shëroi.
9 Pasi ndodhi kjo gjë, edhe të sëmurët e tjerë të ishullit erdhën te Pali dhe u shëruan. 10 Ata na nderuan shumë dhe, kur po niseshim, na dhanë me vete gjithçka që na nevojitej.
Pali në Romë
11 Pas tre muajsh u nisëm me një anije të Aleksandrisë që e kishte kaluar dimrin në ishull dhe që mbante emblemën e Dioskurëve. 12 U ndalëm në Sirakuzë e ndenjëm aty tri ditë. 13 Pastaj lundruam përgjatë bregut e mbërritëm në Regjio. Pas një dite filloi të frynte juga dhe për dy ditë arritëm në Pocuol. 14 Aty gjetëm disa vëllezër, të cilët na u lutën të rrinim me ta shtatë ditë. Pastaj shkuam në Romë.
15 Vëllezërit që ishin atje, kur dëgjuan për ne, erdhën që nga Forumi i Apit e nga Tri Tavernat për të na takuar. Kur i pa, Pali falënderoi Perëndinë e mori zemër.
16 Pasi mbërritën në Romë , Palin e lejuan të jetonte vetëm dhe i vunë një ushtar për ta ruajtur.
Pali predikon në Romë
17 Pas tri ditësh, Pali thirri krerët e judenjve dhe kur u mblodhën, u tha: «Vëllezër, edhe pse nuk kam bërë asgjë kundër popullit tonë apo traditave të etërve tanë, më kapën në Jerusalem dhe më dorëzuan në duart e romakëve. 18 Pasi më morën në pyetje, romakët deshën të më lironin, sepse nuk gjetën asnjë faj që të më dënonin me vdekje. 19 Por judenjtë kundërshtuan dhe unë u detyrova të kërkoj të gjykohem prej Cezarit. Këtë nuk e bëra për të ngritur ndonjë padi kundër popullit tim. 20 Prandaj edhe kam kërkuar t'ju takoj e të flas me ju, sepse unë jam nën këto pranga për shkak të atij tek i cili shpreson edhe Izraeli».
21 Ata i thanë: «Nuk kemi marrë asnjë letër nga Judeja për ty dhe asnjë nga vëllezërit judenj që kanë ardhur këtu, nuk na ka treguar gjë e as ka folur keq për ty. 22 Megjithatë, ne duam të dëgjojmë nga ti çfarë mendon, sepse e dimë se kudo flitet kundër këtij sekti».
23 Ata caktuan një ditë për ta takuar dhe shumë veta shkuan atje ku banonte ai. Që nga mëngjesi deri në mbrëmje ai u shtjellonte dhe u predikonte për mbretërinë e Perëndisë dhe përpiqej t'i bindte për Jezuin, duke filluar që nga ligji i Moisiut e deri te librat e profetëve.
24 Disa u bindën prej gjërave që tha, ndërsa të tjerët nuk besuan. 25 Kështu ata nuk ranë në një mendje me njëri-tjetrin dhe kur po largoheshin, Pali u tha: «Mirë u foli Shpirti i shenjtë etërve tuaj me anë të profetit Isai, 26 kur tha:
shko te ky popull e thuaji:
kanë veshë për të dëgjuar,
por nuk kuptojnë,
kanë sy për të parë,
por nuk shikojnë.
27 Zemra e këtij populli
është bërë e pandjeshme
e u janë rënduar veshët.
I kanë mbyllur sytë
që të mos shohin me sy,
të mos dëgjojnë me veshë,
të mos kuptojnë me zemër,
që të mos kthehen tek unë
për t'i shëruar.
28-29 Dijeni, pra, se Perëndia ua dërgoi këtë shpëtim kombeve. Ato do të dëgjojnë ».
30 Pali qëndroi plot dy vjet në shtëpinë që kishte marrë me qira, ku edhe priste të gjithë ata që shkonin tek ai. 31 Ai u predikonte mbretërinë e Perëndisë dhe u mësonte të vërtetën e Zotit Jezu Krisht gjithë guxim e pa ngurruar.
1 Edhe si shpëtuanë, atëhere e njohnë se ujdhësa qjuhetë Melitë.
2 Edhe varvarëtë na pritnë shumë vëllezërisht, sepse ndesnë ziarr, e na muarnë përbrënda të gjithë, nga shiu që binte, e nga të ftohtëtë.
3 Edhe Pavli kur mbëlodhi shumë shkarpa, edhe i vuri ndë ziarr, dolli jashtë një nepërkë nga të nxetëtë e iu ngjit pas dorës’ ati.
4 Edhe varvarëtë kur panë bishënë varurë prej dorës’ ati, i thoshinë njëri tiatërit: “Me të vërtetë kyj njeri është gjakëtuar, edhe ndonëse shpëtoj prej detit, po gjyqi i Perëndisë nuk’ e la të rronjë.”
5 Po ay hodhi bishënë ndë ziarr, edhe nukë pësoj ndonjë gjë të keqe.
6 Edhe ata prisninë se do të ëhetë a të bierë përdhe papritur’ i vdekurë; po passi pritnë shumë kohë, edhe shihninë, se s’iu bë ndonjë gjë e ligë, ndërruanë mëndëjenë, e thoshinë se është perëndi.
7 Edhe rreth ati vëndi ishin’ arat’ e të parit ujdhësë që qjuhej Puplë, i cili na priti e na mbajti ndë shtëpi miqësisht tri dit.
8 Edhe i ati Puplit dergjej sëmurë prej ethesh e prej barkut keq; tek i cili Pavli, si hyri, u fal, edhe vuri duartë mbi atë, edhe e shëroj.
9 Edhe si u bë këjo, edhe të tierëtë sa kishinë sëmunda ndë ujdhësë, vininë tek ay edhe shëroneshinë;
10 Të cilëtë na nderuanë me shumë ndere, edhe kur ishim për të ikurë, na dhanë ato që kishim nevojë.
11 Edhe pas tre muajsh ikëm me një lundrë Aleksandhrine, që kishte dimëruarë nd’ ujdhësë, e cila kishte shenjën’ e Dhioskurëvet.
12 Edhe si harrimë ndë Syrakusë, mbetëm atie tri dit.
13 Edhe që andejë tuke ardhurë rrotullë harrimë ndë Rigje; edhe pas një dite si fryti erë shiu, për dy dit erthmë ndë Potiollë.
14 Atie gjetmë vëllezër, të cilëtë na u lutnë të mbesëmë përan’ atyreve shtatë dit, edhe kështu erthmë ndë Romë.
15 Edhe që andejë vëllezëritë kur dëgjuanë për ne, na duallnë përpara gjer ndë Forët t’ Appiut e ndë Tri Tavernatë; Pavli kur i pa këta, iu fal ndersë Perëndisë, edhe mori zëmërë.
16 Edhe kur erthmë ndë Romë, urdhërqindësi dha të lidhuritë n’dorë të parit ushtërisë; po Pavlinë e la të rrijë veç bashkë me ushtëtorinë që e ruante.
17 Edhe pas tri diç Pavli thërriti të parët’ e Judhenjet; edhe ata si u mbëlothnë, u thoshte atyre: “O burra vëllezër, ndonëse unë s’kam bërë gjë kundrë llauzit, a kundrë zakonevet atërvet tënë, më dhanë të lidhurë nga Jerusalimi ndë duar të Romanëvet;
18 Të cilëtë si më gjykuanë, deshnë të më lëshoninë, sepse s’gjetnë ndonjë punë për vdekëje tek unë.
19 Po Judhenjtë passi flisninë kundrë, u shtrënguaç të thërres Qesarinë, jo se kam për të përfolurë kombinë tim.
20 Për këtë punë pra u thirra juve, që t’u shoh, edhe t’u flas; sepse për punë të shpëresës’ Israilit jam lidhurë me këtë vark hekurash.”
21 Edhe ata i thanë: “Neve as kartëra kemi marrë për tyj nga Judhea, asndonjë nga vëllezërit’ erdhi e dëfteu, a foli gjë të keqe për tyj.
22 Po duamë të dëgjojmë prej teje ç’ke ndër mënt; sepse neve dimë, se kudo flitetë keq për këtë eresi.”
23 Edhe passi patnë vënë një ditë për atë, erthnë shumë vetë tek ay atie ku kishte rënë; edhe ay u dëftente atyre mbëretërin’ e Perëndisë tuke dhënë martiri, edhe u mbushte mëndëjen’ atyre për punë të Jisujt, nga nomi Mojsiut edhe nga profitëritë, që ndë mëngjes e gjer mbrëmanet.
24 Edhe cave u mbushej mëndëja për ato që thoshte, e ca nukë zininë besë.
25 Edhe si nuk’ ishinë mbë një fialë njëri me tietrinë, ikninë, passi tha Pavli një fialë, se: “Mirë u foli Frym’e Shënjtëruarë me anë të profitit Isai tek atërit tanë,
26 Tuke thënë: “Shko te kyj llaus edhe thuaj: Me të dëgjuarë do të dëgjoni, po nukë do të merrni vesh; edhe tuke parë do të shihni, po nukë do të kupëtoni; sepse u trash zëmër’ e këti llauzi, edhe dëgjuanë rëndë me veshëtë, edhe mbyllnë syt’ e tyre, që të mos shohënë ndonjëherë me sytë, edhe të dëgjonjënë me veshëtë, edhe të marrënë vesh me zëmrënë, edhe këthenenë, e t’i shëronj.“ Le të bënet’ e diturë pra mbë ju, se shpëtim’ i Perëndisë u dërgua mbë kombet; edhe ata do ta dëgjonjënë.”
29 — Edhe si tha këto, Judhenjt’ iknë, tuke ngrënë me shumë fialë njëri me tietrinë.
30 Edhe Pavli mbeti atie dy viet plot ndë një shtëpi që e paguante vetë; edhe priste gjith’ ata që vininë tek ay,
31 Tuke leçiturë mbëretërin’ e Perëndisë, edhe tuke mësuarë punët’ e Zotit Jisu Krisht, me çdo sy të hapurë e pa ndonjë të ndalurë.