Udhëtimi i Palit për në Jerusalem
1 Pasi u ndamë prej tyre, shkuam drejt e në Ko. Ditën tjetër në Rod e që aty në Patarë. 2 Kur gjetëm një anije që shkonte në Fenikë, hipëm në të dhe u nisëm.
3 Kaluam pranë Qipros, e lamë në të majtë, lundruam drejt Sirisë dhe u ndalëm në Tir, sepse anija duhej të shkarkonte mallin aty. 4 Kërkuam dishepujt dhe ndenjëm aty shtatë ditë. Të frymëzuar nga Shpirti, ata i thanë Palit të mos shkonte në Jerusalem. 5 Si kaluan shtatë ditët, u nisëm dhe vazhduam udhëtimin. Dishepujt na shoqëruan deri jashtë qytetit të gjithë, bashkë me gratë e me fëmijët e tyre. Aty, në breg të detit, ramë në gjunjë, u lutëm 6 dhe u përshëndetëm me njëri-tjetrin. Atëherë ne hipëm në anije, ndërsa ata u kthyen në shtëpi.
7 Kur mbaruam lundrimin, u nisëm nga Tiri për në Ptolemaidë. Aty përshëndetëm vëllezërit dhe ndenjëm një ditë me ta. 8 Të nesërmen u nisëm e shkuam në Cezare. Hymë në shtëpinë e Filip ungjilltarit, që ishte njëri prej shtatë dhjakëve, dhe ndenjëm tek ai. 9 Ai kishte katër vajza virgjëresha që profetizonin.
10 Ne kishim disa ditë që rrinim aty, kur erdhi nga Judeja një profet me emrin Hagab. 11 Ai erdhi te ne, mori brezin e Palit, lidhi me të këmbët e duart dhe tha: «Ja seç thotë Shpirti i shenjtë: kështu do ta lidhin në Jerusalem judenjtë njeriun që mban këtë brez e do t'ua dorëzojnë kombeve». 12 Kur dëgjuam këto fjalë, ne dhe vendasit iu lutëm Palit të mos shkonte në Jerusalem.
13 Atëherë Pali tha: «Përse qani e ma copëtoni zemrën kështu? Unë jam gati jo vetëm të më lidhin, por edhe të vdes në Jerusalem për emrin e Zotit Jezu».
14 Kur pamë se atij nuk i mbushej mendja, ne heshtëm e thamë: «U bëftë vullneti i Zotit!». 15 Pas atyre ditëve u bëmë gati për udhëtim dhe u nisëm për në Jerusalem. 16 Me ne erdhën edhe disa prej dishepujve nga Cezareja dhe na çuan në shtëpinë e Mnason Qipriotit, një dishepull i hershëm, dhe qëndruam tek ai.
Pali takon Jakobin në Jerusalem
17 Kur arritëm në Jerusalem, vëllezërit na pritën me gëzim. 18 Të nesërmen Pali erdhi me ne te Jakobi. Aty kishin ardhur edhe të gjithë pleqtë e kishës. 19 Si u përshëndet me ta, Pali u tregoi me hollësi gjithçka që kishte bërë Perëndia mes kombeve, me anë të shërbesës së tij. 20 Kur e dëgjuan, ata përlëvduan Perëndinë e i thanë Palit: «Vëlla, ti po e sheh se mijëra judenj kanë besuar në Krishtin dhe vazhdojnë ta zbatojnë me zell ligjin. 21 Ata kanë marrë vesh se ti i mëson judenjtë që jetojnë mes kombeve që të largohen nga ligji i Moisiut dhe se u thua të mos i rrethpresin fëmijët e të mos i ndjekin traditat. 22 Si t'ia bëjmë? Të gjithë do të dëgjojnë se ke ardhur. 23 Bëj, pra, këtë që të themi: këtu kemi katër burra që kanë bërë një betim. 24 Merri, kryej bashkë me ta ritin e pastrimit dhe paguaj për flijimet e tyre, që ata të mund të rruajnë kokën. Kështu të gjithë do ta marrin vesh se asgjë nga ato që kanë thënë për ty nuk është e vërtetë, por që edhe ti vetë e respekton ligjin. 25 Ndërsa besimtarëve të kthyer prej kombeve u kemi dërguar një letër në të cilën kemi gjykuar se duhet të ruhen nga flijimet që u kushtohen idhujve, të mos pinë gjak, të mos hanë kafshë të mbytura e të ruhen nga kurvëria».
26 Atëherë Pali i mori këta burra dhe të nesërmen, pasi kreu ritin e pastrimit bashkë me ta, hyri në tempull për të bërë të ditur se ishin përmbushur ditët e pastrimit dhe kishte ardhur koha kur secili të kushtonte flijimin.
Palin e kapin në tempull
27 Kur po mbusheshin të shtatë ditët, judenjtë e Azisë, që e kishin parë Palin në tempull, ngritën në këmbë tërë turmën dhe e kapën. 28 Ata bërtisnin: «O burra izraelitë, na ndihmoni! Ky është ai që i mëson të gjithë kudo kundër popullit tonë, kundër ligjit e kundër këtij vendi. Përveç kësaj, ka sjellë helenë në tempull dhe kështu e ka përdhosur këtë vend të shenjtë». 29 Ata e kishin parë Palin më parë në qytet bashkë me Trofim Efesianin dhe mendonin se Pali e kishte futur Trofimin në tempull.
30 Atëherë tërë qyteti u vu në lëvizje dhe njerëzit u mblodhën në rrugë. E kapën Palin, e zvarritën jashtë tempullit dhe menjëherë mbyllën dyert. 31 Ndërsa po kërkonin ta vrisnin, kryemijësit të kohortës i shkoi lajmi se ishte bërë rrëmujë në tërë Jerusalemin. 32 Ai mori menjëherë disa ushtarë e kryeqindësa dhe shkoi me nxitim drejt turmës.
Kur pa turma kryemijësin dhe ushtarët, pushuan së rrahuri Palin. 33 Atëherë kryemijësi u afrua, e kapi Palin dhe urdhëroi ta lidhnin me dy vargonj hekuri. Pastaj filloi të hetonte se kush ishte Pali dhe çfarë kishte bërë. 34 Disa njerëz nga turma bërtisnin e thoshin një gjë, ndërsa të tjerë një gjë tjetër. Meqë nuk mundi të merrte vesh gjë me saktësi për shkak të rrëmujës, urdhëroi ta sillnin Palin në fortesë. 35 Kur arriti Pali te shkallët, turma ishte bërë aq e dhunshme, sa ushtarëve iu desh ta mbartnin. 36 Turma që po e ndiqte, bërtiste: «Me vdekje!».
Mbrojtja e Palit
37 Kur po e çonin në fortesë Palin, ai i tha kryemijësit: «A më lejon të të them diçka?». Kryemijësi i tha: «Di greqisht? 38 Atëherë nuk qenke ti ai egjiptiani që nxiti një kryengritje para disa ditësh dhe u priu në shkretëtirë katër mijë vrasësve?». 39 Pali iu përgjigj: «Unë jam jude nga Tarsi i Kilikisë, qytetar i një qyteti të rëndësishëm. Të lutem, më lejo t'i flas popullit».
40 Pasi i dha leje komandanti, Pali qëndroi te shkallët dhe i bëri shenjë me dorë popullit për qetësi. Si u bë qetësi e madhe, foli në hebraisht e u tha:
1 Edhe si u larguam nga ata, lundruam’ e erthmë drejt udhësë ndë Ko edhe ditënë tietrë ndë Rodhë, edhe që andej ndë Patara.
2 Edhe si gjetëm një lundrë që kishte për të shkuarë ndë Finikë, hipëm mb’atë e lundruam.
3 Edhe kur pamë për së largu Qyprënë, edhe e lam mbë të mëngjërë, lundruam ndë Syri, edhe duallm jashtë ndë Tyrë; sepse atie kishte për të shkarkuarë barrënë lundra .
4 Edhe si gjetëm nxënësitë, mbetëm aty shtatë dit; të cilët’ i thoshinë Pavlit me anë të Frymësë, të mos hipënjë ndë Jerusalim.
5 Edhe si mbaruam’ ato dit, duallm e shkonimë, edhe ata të gjithë na përcillninë bashkë me gra e me dielm gjer jashtë qytetit; edhe si u ungjëm mbë gjunj ndë buzë të detit, u falëm.
6 Edhe si u përshëndetëm njëri me tiatrinë, hipëm ndë lundrët, edhe ata u këthyenë ndëpër shtëpiat të tyre.
7 Edhe neve si mbaruam të lundruarëtë prej Tyrësë, erthmë ndë Ptolemaidhë, edhe si përshëndetëm vëllezëritë, mbetëm një ditë përan’ atyreve.
8 Edhe mbë të nesërmet (neve që ishim me Pavlinë) duallm e erthmë ndë Qesari, edhe si hym ndë shtëpi të Filippit Ungjilltarit, që ishte një nga të shtatëtë, mbetëm përan’ ati.
9 Edhe kyj kishte shtatë bija vërgjëresha që profitepsninë.
10 Edhe kur mbetëm aty mjaft dit, sbriti nga Judhea një profit që qjuhej Agaf.
11 Edhe ay si erdhi te neve, mori brezin’ e Pavlit, edhe lidhi duart’ edhe këmbët’ e tia, e tha: “Këto thotë Frym’e Shënjtëruarë. Kështu do të lithnjënë Judhenjtë ndë Jerusalim atë burrinë, të cilit është kyj bres, edhe do ta apënë ndër duar të kombevet.”
12 Edhe kur dëgjuam këto, i luteshimë neve edhe vëndësitë të mos hipënjë ay ndë Jerusalim.
13 Po Pavli u përgjeq: “Ç’bëni kështu tuke qjarë e tuke thyerë zëmrënë time? Sepse unë jam gati jo vetëmë të lidhem, po edhe të vdes ndë Jerusalim për emërin’ e Zotit Jisu.”
14 Edhe passi nuk’ i mbushej mëndëja, pushuam, tuke thënë: “U bëftë dashurimi Zotit.”
15 Edhe pas këtyre ditve bëm gati plaçkatë e hipëm ndë Jerusalim.
16 Edhe erthnë bashkë me ne edhe ca nxënësa nga Qesaria, edhe prunë me vetëhe një farë Mnasoni Qyprian, një nxënës të vieterë, i cili do të na merrte ndë shtëpi të ti.
17 Edhe neve si erthmë ndë Jerusalim, vëllezëritë na pritnë me gëzim.
18 Edhe ditënë tiatërë Pavli vate bashkë me ne te Jakovi; edhe erthnë gjithë pleqtë.
19 Edhe si përshëndeti ata, u dëfteu atyre një nga një gjithë sa bëri Perëndia ndër kombet me anë të shërbesës’ ati.
20 Edhe ata kur dëgjuanë, lavdëruanë Zotinë; edhe i thanë: “Sheh, o vëlla, sa shumë mijëra janë nga ata Judhenjtë që kanë besuarë; edhe të gjithë janë zilitarë për nomnë.
21 Edhe muarnë vesh për tyj, se mëson gjith ata Judhenjtë që janë ndër kombet, të largonenë prej nomit Mojsiut, tuke thënë: “Të mos rrethpresënë dielmtë, as të mos ecënjënë pas zakonevet.
22 Ç’është pra këjo ? Me të vërtetë do të mbëlidhetë shumica, sepse do të dëgjonjënë se ke ardhurë.
23 Bëj pra këtë që të themi. Janë ndër ne katër burra, që kanë të taksurë mbë vetëhet të tyre.
24 Merr këta e qëronu bashkë me ata, edhe prish për ata, që të rruanjënë kryetë, edhe të gjithë ta dinë se s’janë gjë ato që dëgjuanë për tyj, po edhe ti je tuke ruajturë gjithënjë nomnë.
25 Sa për ata kombetë që kanë besuarë, neve u dërguam kartë, edhe e pam me udhë ata të mos ruanjënë të tillë gjëje, veçe të ruhenë prej kurbanit idhujvet, edhe prej gjakut, edhe prej kafshësë mbyturë, edhe prej kurvërisë.”
26 — Atëhere Pavli mori me vetëhe ata burratë, edhe ditënë tiatërë si u qërua bashkë me ata, hyri ndë hieroret, që të apë zë, kur ishinë për t’u mbushurë dit e të qëruarit, gjersa të bihej dhurëti për gjithësecilinë nga ata.
27 Edhe kur ishinë për të mbushurë të shtatë dit, ata Judhenj që ishinë nga Asia, kur e panë atë ndë hieroret, përzienë gjithë gjëndëjenë, edhe vunë duartë mbi atë,
28 Tuke bërtiturë: “O burra Israilitë,na ndihni; kyj ësht’ ay njeriu që mëson të gjithë gjithëkundi kundrë llauzit edhe nomit edhe këti vëndi; po ka shtyrë edhe Grekë ndë hieroret, edhe pëgëri këtë vënt të shënjtëruarë.
29 — (Sepse ata kishinë parë përpara Trofimnë Efesianinë bashkë me atë ndë qytet, edhe kujtoninë se e kishte shtyrë Pavli ndë hieroret).
30 Edhe u tunt gjithë qyteti, edhe u mbëloth llauzi; edhe si zunë Pavlinë, e hoqnë jashtë hieroresë; edhe përnjëherë u mbyllnë dyertë.
31 Edhe passi kërkoninë ta vrisninë, vatë fiala te kryemijësi tufës’ ushtëtorëvët, se gjithë Jerusalimi është përzierë;
32 I cili përnjëherë mori me vetëhe ushtëtorë edhe urdhërqindësa, e u sul poshtë mbi ata. Edhe ata kur panë kryemijësin’ edhe ushtëtorëtë, pushuanë tuke rrahurë Pavlinë.
33 Atëhere kryemijësi u afrua, edhe e zuri, edhe urdhëroj të lidhetë me dy vargje hekurash, edhe pyeste, cili ishte ay , edhe ç’kishte bërë.
34 Edhe ndërmest të gjëndëjesë bërtisninë ca për një punë, e ca të tierë për tiatërë punë ; edhe passi nukë munte të marrë vesh të vërtetënë nga trazyra, urdhëroj ta shpienë ndë kastrë.
35 Edhe kur erdhi ndë shkallët, gjau ta mbarinë mbë krahë ushtëtorëtë për punë të shtrëngatësë gjëndëjesë.
36 Sepse shumica llauzit shkoninë prapa tuke bërtiturë: “Ngrije atë.”
37 Edhe Pavli kur do të hynte ndë kastrë, i thotë kryemijësit: “A më ndëjenetë diç’ të them tyj?”
38 Edhe ay tha: “A di Greqisht? Vallë mos je ti ay Egjyptiani, që ngriti krye para këtyre ditve edhe nxori ndë shkretëtirët katër mijë njerës gjakëtorë?”
39 Edhe Pavli tha: “Unë jam një njeri Judhe nga Tarsa, qytetar i një qyteti me emërë të Qiliqisë; edhe të lutem, lëmë t’i flas llauzit.”
40 Edhe ay si e la, Pavli ndenji mbi shkallët, e tundi dorënë te llauzi, edhe si u bë pushim i math, foli ndë gjjuhë Evraishte, tuke thënë: