Pali në Efes
1 Ndërsa Apoli ishte në Korint, Pali kaloi nëpër krahinat malore dhe arriti në Efes. Atje gjeti disa dishepuj 2 e u tha: «Kur besuat, a e morët Shpirtin e shenjtë?». Ata iu përgjigjën: «As që kemi dëgjuar se ka Shpirt të shenjtë». 3 Dhe Pali u tha: «Me çfarë jeni pagëzuar, atëherë?». Ata i thanë: «Me pagëzimin e Gjonit». 4 Pali u tha: «Gjoni pagëzoi ata që pendoheshin dhe u bëri thirrje njerëzve të besonin në atë që do të vinte pas tij, domethënë në Jezuin». 5 Kur dëgjuan këtë gjë, ata u pagëzuan në emrin e Zotit Jezu. 6 Atëherë Pali vendosi duart mbi ta dhe Shpirti i shenjtë zbriti mbi ta. Ata filluan të flasin në gjuhë të tjera e të profetizonin. 7 Ata ishin gjithsej rreth dymbëdhjetë burra.
8 Pali shkonte në sinagogë dhe për tre muaj foli hapur e përpiqej t'i bindte për mbretërinë e Perëndisë. 9 Disa njerëz kokëfortë nuk u bindën dhe filluan të flasin keq e ta shajnë Udhën e Zotit para popullit. Atëherë Pali u largua prej aty, mori me vete dishepujt dhe foli çdo ditë në shkollën e dikujt që quhej Tiran. 10 Këtë gjë e bëri për dy vjet me radhë e kështu të gjithë banorët e Azisë, judenj e helenë, dëgjuan fjalën e Zotit.
Bijtë e Skevit
11 Perëndia bënte mrekulli të jashtëzakonshme me anë të duarve të Palit. 12 Kur u çonin të sëmurëve shamitë apo rrobat që kishin prekur trupin e tij, ata shëroheshin nga sëmundjet dhe shpirtrat e këqij dilnin prej tyre.
13 Atëherë disa judenj endacakë që dëbonin shpirtrat e këqij, u munduan të thërrisnin emrin e Jezuit mbi ata që kishin shpirtra të këqij, duke thënë: «Ju urdhëroj të dilni në emër të Jezuit që predikon Pali!». 14 Këtë gjë e bënin shtatë bijtë e një kryeprifti jude me emrin Skev, 15 por shpirti i keq u përgjigj: «Unë i njoh Jezuin dhe Palin, po ju kush jeni?». 16 Atëherë njeriu me shpirtin e keq u sul mbi ta, i vuri poshtë e i rrahu aq keq, saqë ata ikën nga ajo shtëpi lakuriq e të plagosur.
17 Kur të gjithë banorët e Efesit, judenjtë e helenët, e morën vesh këtë gjë, i zuri frika të gjithë dhe lavdëronin emrin e Zotit Jezu. 18 Edhe shumë prej atyre që besuan, rrëfyen e treguan të këqijat që kishin bërë. 19 Disa prej atyre që ishin marrë me magji, i sollën librat e tyre të magjisë dhe i dogjën para të gjithëve. Kur u llogarit vlera e atyre librave, doli se arrinte në pesëdhjetë mijë monedha argjendi. 20 Kështu fjala e Zotit përhapej e forcohej gjithnjë e më shumë me fuqinë e tij.
Kryengritja në Efes
21 Si ndodhën këto gjëra, Pali vendosi të shkonte në Jerusalem duke kaluar nëpër Maqedoni e nëpër Akai. Ai tha: «Pasi të kem shkuar atje, duhet të shoh edhe Romën». 22 Kështu dërgoi në Maqedoni dy ndihmësit e vet, Timoteun dhe Erastin, ndërsa vetë ndenji pak më gjatë në Azi.
23 Në atë kohë ndodhi një rrëmujë e madhe për shkak të Udhës së Zotit Jezu. 24 Në Efes, jetonte edhe një burrë me emrin Dhimitër. Ai ishte argjendar dhe punonte tempuj të vegjël argjendi të Artemisës, gjë që u sillte shumë punë zejtarëve. 25 Ai i mblodhi zejtarët bashkë me punëtorët që kishin të njëjtën mjeshtëri e u tha: «Burra, ju e dini mirë se mirëqenia jonë varet nga kjo mjeshtëri. 26 Tani, ju e shihni dhe e dëgjoni se ky Pali i ka bindur dhe ka bërë për vete një numër të madh njerëzish jo vetëm në Efes, por pothuaj në të gjithë Azinë, duke u thënë se perënditë e bëra me duart e njerëzve nuk janë perëndi. 27 Prandaj ka rrezik jo vetëm t'i bjerë vlera punës sonë, por që edhe të mos çmohet më tempulli i perëndeshës së madhe Artemisë dhe asaj t'i humbë madhështia që e ka shtyrë tërë Azinë e botën ta adhurojnë».
28 Kur e dëgjuan këtë gjë, zejtarët u zemëruan e bërtitën: «E madhe është Artemisa e efesianëve!». 29 Rrëmuja u përhap në gjithë qytetin. Turma u bashkua e shkoi me vrap te teatri, duke tërhequr zvarrë Gajin e Aristarkun që ishin maqedonas e që udhëtonin me Palin.
30 Pali donte të dilte para turmës, por dishepujt nuk e lanë. 31 Edhe disa krerë të krahinës së Azisë, që ishin miq të tij, dërguan njerëz tek ai për t'i thënë që të mos shkonte te teatri për të dalë para turmës. 32 Atëherë u bë rrëmujë e madhe ndër të mbledhurit. Disa bërtisnin e thoshin një gjë e të tjerë një gjë tjetër, ndërsa shumica nuk e dinte pse ishin mbledhur. 33 Disa nga turma shtynë përpara njëfarë Aleksandri dhe judenjtë e nxitën të fliste. Aleksandri bëri shenjë me dorë për qetësi dhe u mundua të fliste para popullit në mbrojtje të judenjve, 34 por kur e kuptuan se ishte jude, të gjithë së bashku bërtitën njëzëri për rreth dy orë: «E madhe është Artemisa e efesianëve!».
35 Sekretari i qytetit, pasi e qetësoi turmën, tha: «Burra të Efesit, a ka njeri këtu që nuk e di se qyteti i efesianëve është mbrojtësi i tempullit të Artemisës së madhe dhe i shtatores së rënë nga lart? 36 Kjo gjë nuk mund të mohohet, prandaj qetësohuni e mos bëni gjëra të nxituara. 37 Keni sjellë këtu këta njerëz, që as kanë vjedhur tempullin e as kanë fyer perëndeshën tuaj. 38 Nëse Dhimitri e zejtarët e tjerë, që janë me të, kanë ndonjë gjë kundër ndokujt, gjykatat janë të hapura dhe kanë prokonsuj. Atje le t'i ngrenë paditë kundër njëri-tjetrit. 39 Nëse keni ndonjë çështje tjetër, ajo do të shqyrtohet sipas ligjit në mbledhjen e radhës. 40-41 Ndërsa sot rrezikojmë të paditemi për kryengritje, meqë nuk kemi asnjë arsye që na jep të drejtë për këtë grumbullim».
Pasi tha këto, e shpërndau turmën .
1 Edhe Apolloj kur ishte ndë Korinthë, Pavli shkoj ndëpër anët të sipërme, e erdhi ndë Efesë; edhe si gjeti atie ca nxënësa,
2 U tha atyre: “A muartë Frymë të Shënjtëruarë, kur besuatë?” Edhe ata i thanë: “Po as nukë kemi dëgjuarë se ka Frymë të Shënjtëruarë.”
3 Edhe ay u tha atyre: “Mbë se pra u pagëzuatë?” Edhe ata thanë: “Ndë pagëzim të Joannit.”
4 Edhe Pavli tha: “Joanni pagëzoj me pagëzim pendimi, tuke i thënë llauzit t’i besonjën’ ati që vien pas atij, do me thënë, Jisu Krishtit.”
5 Edhe ata si dëgjuanë, u pagëzuanë mb’ emërit të Zotit Jisu.
6 Edhe Pavli si vuri duartë mbi ata, erdhi Frym’ e Shënjtëruarë mbi ata, edhe flisninë gjuhëra e profitepsninë.
7 Edhe gjithë këta ishinë sindonja dy-mbë-dhietë burra.
8 Edhe ay hyri ndë sinagogjit e fliste me sy hapurë, tuke kuvënduarë për tre muaj, e tuke u mbushurë mëndëjen’ atyre për punët’ e mbëretërisë Perëndisë.
9 Po ata passi ashpëroneshinë e s’u mbushej mëndëja, po flisninë keq për udhën’ e Zotit përpara gjëndëjesë, u largua nga ata, edhe ndau nxënësitë, tuke kuvënduarë përditë ndë skoli të një farë Tyranni.
10 Edhe këjo u bë për dy viet, kaqë sa gjith’ ata që rrininë nd’ Asi dëgjuanë fialën’ e Zotit (Jisu), Judhenj e Grekë.
11 Edhe Perëndia bënte çudira të mëdha me anë të duarvet Pavlit,
12 Kaqë sa bineshinë mbi të sëmurët riza e përparje nga trupi ati, edhe sëmundat’ ikninë nga ata, edhe frymat’ e liga dilninë nga ata.
13 Edhe ca nga ata Judhenj përgjërimtarë që silleshinë rrotullë vunëduartë të zënë n’gojë emërin’ e Zotit Jisu mb’ ata që kishinë fryma të liga, tuke thënë: “U përgjërojmë juve mb’ atë Jisunë që leçit Pavli.”
14 Edhe ata që bëninë këtë ishinë shtatë bijt’ e një kryeprift Judheu që qjuhej Sqeva.
15 Edhe frym’ e ligë u përgjeq e tha: “Jisun’ e njoh, edhe Pavlin’ e di; po ju cilëtë jeni?”
16 Edhe ay njeriu që kishte frymën’ e ligë u hoth mbi ata, edhe i mundi, e u hipi sipër atyreve, kaqë sa ata iknë prej shtëpis’ ati sveshurë e plagosurë.
17 Edhe këjo u bë e diturë mbë të gjithë, mbë Judhenj e mbë Grekë, që rrininë nd’ Efesë: edhe të gjith’ ata i mori frika, edhe madhëronej emëri i Zotit Jisu.
18 Edhe shumë nga ata që kishinë besuarë vininë tuke rrëfyerë e tuke dëftyerë punët’ e tyre.
19 Edhe shumë vetë nga ata që bëninë magji, bininë vivliat’ e tyre, e i diqninë përpara të gjithëve; edhe numëruanë të çëmuarët’ e atyreve, e i gjetnë se vëjeninë pesë-dhietë mijë copa argjëndi.
20 Kështu shtonej e forconej fort fial’ e Zotit.
21 Edhe si u mbaruanë këto punë , Pavli e vuri ndër mënt me vetëhen e ti, si të shkonjë ndëpër Maqedhoni e ndëpër Ahai, të vejë ndë Jerusalim, e tha, se: “Si të vete atie, duhetë që të shoh un’ edhe Romënë.”
22 Edhe dërgoj ndë Maqedhoni dy vetë nga ata që i shërbeninë, Timothenë edhe Erastinë, po ay vetë ndenji ca kohë ndë Asi.
23 Edhe nd’ atë kohë u bë shumë trazyrë për këtë udhë.
24 Sepse një farë argjëndari që qjuhej Dhimitër, i cili ndërtonte tempuj të Artemidhësë, edhe u epte shumë fitim mieshtërvet,
25 Kyj si mbëlodhi këta, edhe ata që punoninë të tilla, tha: “O burra, e dini mirë se fitimi ynë është nga këjo punë.
26 Edhe vini re e dëgjoni, se jo vetëmë nd’ Efesësë, po afro ndëpër gjith’ Asinë, kyj Pavli u mbushi mëndëjenë e këtheu shumë gjëndëje, tuke thënë, se nukë janë perëndira ata që dëftonenë me duar.
27 Edhe jo vetëmë këjo mieshtëria jonë është mbë rrëzik të bierë poshtë, po edhe tempulli perëndieshësë madhe Artemidhësë të mos zihetë për gjë, edhe do të humbasë madhëria e asaj, të cilën’ e ka për nderë gjith’Asia edhe bota.
28 Edhe ata kur dëgjuanë, u mbushnë me zëmëratë, e bërtisninë tuke thënë: “E madhe ësht’ Artemidha e Efesianëvet.”
29 Edhe gjithë qyteti u mbush me trazyrë; edhe si rrëmbyenë Gajnë edhe Aristarhunë, njerës Maqedhonas, që bënin’ udhë bashkë me Pavlinë, u sulnë me një zëmërë ndë theatrë.
30 Edhe Pavli kur donte të hynjë ndër gjëndëjenë, nxënësitë nuk’ e lininë.
31 Edhe ca nga të parët’ e Asisë, që ishinë miqt e ati, dërguanë tek ay e i luteshinë mos dalë përpata ndë theatrë.
32 Të tierë pra bërtisninë për një gjë, e të tierë për tietërë ; sepse ishte trazuarë përmbëledhëja, edhe më të shumëtë nukë dininë për ç’punë ishinë mbëledhurë.
33 Edhe ata nxuarnë Aleksandhrinë përpara gjëndëjesë që të fliste , sepse Judhenjt’ e kishinë vënë përpara, edhe Aleksandhri tundi dorënë, e deshi t’i apë fialë gjëndëjesë.
34 Po passi e njohnë se është Judhe, u bë një zë nga të gjithë, tuke bërtiturë afro dy orë: “E madhe ësht’ Artemidha e Efesianëvet.”
35 Edhe shkronjësi si pushoj gjëndëjenë thotë: “O burra Efesianë, cili njeri ësht’ ay që s’e di se qyteti Efesianëvet i shërben tempullit Artemidhësë perëndieshësë madhe, edhe idhullit që sbriti nga Enjëteja?
36 Passi s’gjëndetë njeri pra të flasë kundrë këtyre, ju duhetë të mbëlithni vetëhenë, e të mos bëni ndonjë punë me të rrëmbyerë.
37 Sepse keni prurë këta njerës, që as kanë viedhurë gjë qishe, as kanë vllasfimisurë perëndieshënë tuaj.
38 Ndë qoftë pra se Dhimitri edhe mieshtritë që janë bashkë me atë kanë fialë kundrë ndonjërit, ka dit që bënetë gjyqi, edhe ka prokonsulla; le të ngrenë njëri tietrinë.
39 Po ndë kërkoni ndonjë gjë për të tiera punëra, do të sgjidhetë ndë përmbëledhëjet që është me udhë.
40 Sepse jemi ndë rrëzik mos na përflasënë se ngritëm krye për trazyrën’ e kësaj ditësë soçëme, pa qenë ndonjë farë pune, që të muntnjëmë të apëmë fialë për këtë trazyrë.”
41 Edhe si tha këto, lëshoj përmbëledhëjenë.