Mohimi i besimit
1 Shpirti e thotë qartë se në kohët e fundit disa do të largohen nga besimi, duke dëgjuar shpirtrat e rreme dhe mësimet e djajve. 2 Ata do të mashtrohen nga njerëz hipokritë e gënjeshtarë, ndërgjegjja e të cilëve është damkosur. 3 Ata ndalojnë martesën dhe urdhërojnë të mos hani nga ushqimet që Perëndia i krijoi. Ai i krijoi këto ushqime që, ata që besojnë dhe e njohin të vërtetën, t'i hanë duke e falënderuar. 4 Çdo gjë që Perëndia krijoi është e mirë dhe asgjë nuk është për t'u hedhur nëse merret duke e falënderuar atë, 5 sepse është shenjtëruar nga fjala e Perëndisë dhe nga lutja.
Shërbëtori i mirë i Krishtit
6 Nëse ua mëson këto gjëra vëllezërve, do të jesh një shërbëtor i mirë i Krishtit Jezu, i ushqyer me fjalët e besimit dhe të mësimit të mirë që ke ndjekur. 7 Shmangu, pra, nga përrallat e marra dhe profane të plakave dhe ushtroje veten në përkushtimin ndaj Perëndisë,
8 sepse ushtrimi i trupit
është pak i dobishëm,
por përkushtimi ndaj Perëndisë
është i dobishëm për gjithçka.
Ky përkushtim mbart premtimin
e jetës së tashme dhe asaj të ardhshme.
9 Kjo fjalë është e besueshme
dhe e denjë të pranohet plotësisht.
10 Për këtë, pra, po mundohemi e po luftojmë, sepse kemi shpresë në Perëndinë e gjallë që është shpëtimtari i të gjithë njerëzve, sidomos i besimtarëve.
11 Këto gjëra t'ua urdhërosh e t'ua mësosh të tjerëve. 12 Askush të mos e përbuzë moshën tënde të re, por bëhu shembull për besimtarët me fjalë, në sjellje, në dashuri, në besim e në dëlirësi. 13 Kushtoju leximit të fjalës para bashkësisë, këshillimit dhe mësimdhënies derisa të vij unë. 14 Mos e lër pas dore dhuntinë që ke, e cila t'u dha përmes profecisë dhe vënies së duarve nga pleqtë e kishës. 15 Mbaji mend këto gjëra e kushtoju atyre, që përparimi yt të jetë i dukshëm për të gjithë. 16 Kujdesu për veten dhe për mësimin, këmbëngul në këto gjëra, pasi duke vepruar kështu, do të shpëtosh veten dhe ata që të dëgjojnë.
1 Edhe fryma thotë fialë për fialë, se ndë kohëra të pastajme do të ngrenë krye ca vetë nga besa, e do t’u mbajënë vesh frymavet gënjeshtare, edhe mësimevet diajvet,
2 Që flasënë gënjeshtra me ipokrisi, të cilëtë kanë diegurë ndërgjegjëjen’ e tyre,
3 Sepse ndalonjënë martesënë, e urdhëronjënë të heqënë dorë nga të ngrënatë, të cilat’ i ka kriuarë Perëndia që t’i marrënë me të falurë ndersë besëtarët’ edhe ata që kanë njohurë të vërtetënë.
4 Sepse çdo kriesë e Perëndisë ësht ’ e mirë, edhe nuk’ është gjë për të hedhurë teje, ndë u marrtë me të falurë ndersë,
5 Sepse shënjëtëronetë nga fiala e Perëndisë e nga të luturitë.
6 Ndë u porosiç vëllezëret këto, do të jesh shërbëtuar i mirë i Jisu Krioshtit, tuke ushqyerë vetëhen tënde me fialët’ e besësë, edhe me mësimin’ e mirë, që i ke rënë prapa.
7 Edhe hiq dorë prej përrallavet ndyra edhe të plakavet, po stërvit vetëhenë tënde ndë besë të mirë.
8 Sepse të stërviturit’ e trupit bën dobi per pak kohë, po besa e mirë mbë të gjitha ësht’ e mirë, sepse zotonetë për këtë jetë ndashti edhe për atë që vien.
9 Për të zënë besë është fiala edhe vëjen që ta presënë të gjithë.
10 Sepse për këtë edhe mundonem edhe jemi të përbuzurë, sepse shpëryem mbë Perëndin’ e gjallë, i cili është shpëtimtari i gjithë njërëzet, po më fort i besëtarëvet. —
11 Porosit këto edhe mëso.
12 Asndonjë le të mos të hethnjë poshtë për të ritë tat, po bënu shëmbëllesë ndër besëtarët ndë fialë, ndë shoqëri, ndë dashuri, [ndë frymë], ndë besë, ndë të qëruarë.
13 Gjersa të vinj bieri prapa të kënduarit, të luturit, të mësuarit.
14 Mos lërë mbënjanë dhurëtinë që është te ti, e cila t’u dha me anë të profitisë kur vunë duartë mbi tyj pleqësia.
15 Këto shko ndër mënt, mbë këto qëndro, që të çfaqetë mbarësia jote mbë të gjithë.
16 Kij kujdes vetëhesë sate edhe mësimit; qëndro mb’ ato. Sepse ndë bëfsh këtë, do të shpëtonjç edhe vetëhenë tënde, edhe ata që të dëgjonjënë tyj.