Veprimtaria e Palit
1 Ju e dini, o vëllezër, se ne nuk erdhëm kot te ju. 2 Siç e dini, përpara se të vinim te ju, na keqtrajtuan dhe na poshtëruan në Filipi, por Perëndia na dha guximin për t'ju predikuar ungjillin e tij mes shumë përpjekjesh të mundimshme. 3 Sepse predikimi ynë nuk mbështetej në mashtrime, në ndyrësi e në dredhi, 4 por e predikojmë ungjillin ashtu siç na e besoi Perëndia, pasi dolëm të sprovuar prej tij. Ne nuk predikojmë që t'u pëlqejmë njerëzve, por që t'i pëlqejmë Perëndisë, i cili njeh zemrat tona.
5 Sikurse e dini, ne kurrë nuk kemi përdorur fjalë lajkatuese e as nuk kemi pasur qëllimin për të përfituar, dhe dëshmitar kemi Perëndinë. 6 Ne nuk kemi kërkuar lavdi prej njerëzve, as prej jush e as prej të tjerëve. 7 Si apostuj të Krishtit mund t'ju bëheshim barrë, por, përkundrazi, ne u treguam të dhembshur me ju si nëna që kujdeset me ngrohtësi për fëmijët e vet. 8 Ne kishim një dashuri kaq të madhe për ju, saqë ishim të gatshëm jo vetëm t'ju predikonim ungjillin e Perëndisë, por të jepnim edhe jetën për ju. Kaq shumë ju kishim për zemër!
9 Ju e mbani mend, o vëllezër, sesa shumë u munduam e u lodhëm duke punuar natë e ditë, që të mos i bëheshim barrë asnjërit prej jush ndërsa ju predikonim ungjillin e Perëndisë. 10 Ju dhe Perëndia jeni dëshmitarë se sjellja jonë kundrejt jush, besimtarëve, ishte e shenjtë, e drejtë dhe e paqortueshme. 11 Ju e dini se jemi sjellë me çdonjërin prej jush si ati me bijtë e vet. 12 Ju kemi këshilluar, ju kemi dhënë zemër dhe ju jemi përgjëruar që të bëni një jetë të denjë për Perëndinë, i cili ju thirri në mbretërinë dhe lavdinë e vet.
13 Prandaj, edhe ne e falënderojmë Perëndinë pa pushim, se kur e dëgjuat prej nesh fjalën e Perëndisë, e pranuat jo si fjalë njerëzish, por ashtu siç është në të vërtetë, fjalë Perëndie, që vepron në ju që besoni. 14 Ju, vëllezër, u bëtë shkërbim i kishave të Perëndisë që janë në Jude e që besojnë në Krishtin Jezu, sepse edhe ju keni vuajtur të njëjtat gjëra nga bashkëkombësit tuaj, sikurse vuajtën edhe ata nga judenjtë, 15 të cilët vranë Zotin Jezu e profetët dhe na përndoqën edhe ne. Ata nuk e kanë pëlqimin e Perëndisë dhe janë kundër të gjithë njerëzve, 16 duke na penguar t'u predikojmë kombeve, që këto të shpëtohen. Kështu ata e mbushin vazhdimisht kupën e mëkateve të tyre, por më në fund erdhi mbi ta zemërimi i Perëndisë.
Malli për selanikasit
17 Por ne, vëllezër, kemi qenë larg jush për një kohë të shkurtër, larg syve, por jo larg zemrës dhe nga malli që kishim u përpoqëm edhe më shumë për t'ju parë përsëri. 18 Prandaj deshëm shumë të vinim te ju, madje unë, Pali, u përpoqa një ose dy herë, por na pengoi Satani. 19 Kush tjetër veç jush do të jetë shpresa jonë, gëzimi ynë, kurora apo krenaria jonë para Zotit Jezu Krisht kur ai të vijë? 20 Po, ju jeni lavdia jonë dhe gëzimi ynë.
1 Sepse vetë ju e dini, o vëllezër, të hyrëtë tënë te ju, sepse nuk’ u bë kot;
2 Po si hoqëm keq përpara edhe u sham, sikundrë e dini, ndë Filippe, muarëm zemërë te Perëndia ynë të flasëmë te ju ungjillin’ e Perëndisë me shumë të përpiekurë.
3 Sepse mësimi ynë nukë qe nga gënjeshtra, as nga ndyrësira, as nga kobimi;
4 Po sikundrë u provuam prej Perëndisë që na zuri besë për ungjillinë, kështu flasëmë, jo sikundrë t’u pëlqejmë njerëzet, po Perëndisë që provon zemratë tona.
5 Sepse as fialë me lajka nukë folëm ndonjëhere, sikundrë e dini, as shtimë shkak lakëmimi;
6 Perëndia është martir; as kërkuam lavdi prej njerëzish, as prej jush, as prej të tierësh, ndonëse munt t’u bëneshim juve barrë, si apostojt’ e Krishtit;
7 Po qem të butë ndër mest juve; posi mëndesha që ngroh ndë gji bijt’ e saj.
8 Kështu tuke pasurë dashuri të madhe për ju, na ka ënda t’u apëmë juve jo vetëm’ ungjillin’ e Perëndisë, po edhe shpirtratë tënë, sepse qetë të dashurë te ne.
9 Sepse e mbani mënt, o vëllezër, të lodhuritë tënë edhe mundiminë; sepse tuke punuarë dit’ e natë, që të mos i vemë barrë ndonjërit prej jush, leçitëm ungjillin’ e Perëndisë te ju.
10 Ju jeni martirë edhe Perëndia, sa me drejtëri e me udhë e me pa palavi kemi qënë te ju që besoni;
11 Sikundrë e dini, se gjithësecilinë prej jush e prosisnim edhe e ngushullonim posi ati bijt’ e ti,
12 Edhe epnim martiri, që të ecëni sikundrë vëjen te Perëndia, që u thërriti juve ndë mbëretëri e ndë lavdi të ti.
13 Përandaj edhe neve i falemi ndersë perëndisë pa pushim, se passi muartë fialën’ e Perëndisë që dëgjuatë prej nesh, e prittë atë jo si fialë njerësish, po (sikundrë është me të vërtetë), fialë Perëndie, e cila fialë vepëronetë ndër ju që besoni.
14 Sepse ju, o vëllezër, bëtë sikundrë bënë qishat’ e Perëndisë, që janë ndë Judhet mbë Jisu Krishtinë, sepse edhe ju pësuatë po ato punëra nga ata që janë prej një kombi me ju, sikundrë edhe ata prej Judhenjvet;
15 Të cilëtë vranë edhe Zotinë Jisu, edhe profitët’ [e tyre], edhe neve na ndoqnë, edhe Perëndisë s’i pëlqenjënë, edhe janë kundrë gjithë njerëzet;
16 Të cilëtë na përmbanjënë të flasëmë te kombetë që të shpëtonjënë, për të mbushurë fajet’ e tyre përherë; edhe së pastajmi harriu zemërimi mbi ata.
17 Po ne, o vëllezër, si u varfëruamë nga ju për pak kohë me faqe, jo me zemërë, nxituam më tepërë me shumë dëshërim të shohëmë faqenë tuaj.
18 Përëndaj deshëm të vimë te ju (më fort unë Pavli), edhe një herë edhe dy herë, po na përmbajti Satanaj.
19 Sepse cila është shpëresa jonë, a gëzimi, a kurora e të mburrurit? Apo nukë jeni edhe ju përpara Zotit tënë Jisu Krishtit mbë t’ ardhurit t’ati? Sepse ju jeni lavdia jonë edhe gëzimi.