Kujdesi për grigjën
1 U lutem pleqve tuaj, unë që jam plak bashkë me ta, si dëshmitar i vuajtjeve të Krishtit e pjesëtar i lavdisë që do të shfaqet: 2 ruajeni grigjën e Perëndisë që ju është besuar dhe mbikëqyreni jo me detyrim, por vullnetarisht sipas dëshirës së Perëndisë, as për përfitim, por me dëshirë. 3 Mos u sillni si sundues mbi ata që ju janë besuar, por bëhuni shembull për grigjën 4 dhe kur të shfaqet Kryebariu do të merrni kurorën e lavdisë që nuk vyshket.
5 Po ashtu edhe ju të rinj nënshtrojuni të moshuarve. Të gjithë bashkë shërbejini njëri-tjetrit me përulësi, sepse
Perëndia u kundërvihet kryelartëve,
ndërsa të përulurve u jep hir.
6 Përuluni nën dorën e fuqishme të Perëndisë, që ai t'ju lartësojë në kohën e duhur. 7 Gjithë shqetësimet tuaja lërini në dorë të tij dhe ai do të kujdeset për ju.
8 Kini kujdes e rrini zgjuar! Kundërshtari juaj, djalli, sillet rrotull si luan i egërsuar duke kërkuar kë të përpijë. 9 Kundërshtojeni duke qëndruar të fortë në besim. Duhet ta dini se të njëjtat vuajtje i heqin të gjithë vëllezërit tuaj nëpër botë. 10 Perëndia i çdo hiri, që ju thirri për lavdinë e tij të amshuar përmes Krishtit Jezu, pasi të vuani për pak kohë, do t'ju përsosë, do t'ju forcojë, do t'ju mbështetë e do t'ju vendosë mbi themele të forta. 11 Atij i qoftë pushteti , në shekuj të shekujve! Amen!
Përshëndetjet e fundit
12 Nëpërmjet Silvanit, të cilin e çmoj si vëllanë tuaj besnik, ju shkrova shkurt për t'ju dëshmuar se ky është hiri i vërtetë i Perëndisë. Qëndroni në këtë hir!
13 Ju përshëndet kisha e Babilonisë, e zgjedhur si ju, dhe Marku, biri im.
14 Përshëndetni njëri-tjetrin me puthje të shenjtë.
Paqja qoftë me të gjithë ju që i përkisni Krishtit!
1 U lutem pleqvet që janë ndër ju unë plaku, shok i atyreve , edhe martiri i pësimevet Krishtit, edhe piesëtari asaj lavdisë që është për të sbuluarë:
2 Ruani grigjën’ e Perëndisë që është ndër ju, tuke u vënë re jo me pahirë, po me dashuri; as për fitim të lik, po me zemërë të gatishime.
3 Edhe jo sikur të pushtoni trashëgimin’ e Perëndisë , po të bëhi shëmbëllesë e grigjësë.
4 Edhe kur të shpërfaqetë kryebariu, do të merrni të pafishkurënë kurorën’ e lavdisë.
5 Po kështu edhe ju të ritë, ini ndën’ urdhër të pleqvet; edhe të gjithë, tuke qënë ndën’ urdhër njëri tiatrit, vishni mëndëjen’ e unjëtë; sepse: “Perëndia rri kundrë madhështorëvet, po të unjurëvet u ep hirë”.
6 Unji pra ndënë dorën’ e Perëndisë të fortënë, që t’u ngrerë juve ndë kohë që duhetë ;
7 Hithni gjithë kujdesinë tuaj mb’atë, sepse ay ka kujdes për ju.
8 Ini esullë, rrini squarë; sepse kundrë-gjyqësi juaj dialli, posi leon që ulurin, vien përqark tuke kërkuarë cilinë të përpijë.
9 I rrini kundrë ati tuke qëndruarë të fortë ndë besët, sepse e dini se po ato pësime bënenë ndër vëllezërit tuaj që janë ndë botët.
10 Edhe Perëndia i çdo hiri, që na thërriti ndë lavdi të ti të pasosurënë me anë të Jisu Krishtit, si të pësoni pak, ay u bëftë juve të kulluarë, u forcoftë, u dhashtë fuqi, u themelostë.
11 Mb’atë qoftë lavdia edhe pushteti ndë jetët të jetëvet. Amin.
12 Me anë të Silluanit, vëllajt besëtar, u shkrova juve me pak fialë, sikundrë më duketë, tuke lutur’ e tuke martirisurë, se kyj është hiri i Perëndisë i vërteti, që keni ndenjurë mb’ atë.
13 U faletë me shëndet juve qisha që është ndë Vavyllonë, sgjedhurë bashkë me ju, edhe Marku im bir.
14 Përshëndetni njëri tiatrinë me të puthurë dashurie.
Paqtim qoftë mbë gjithë ju që jeni mbë Jisu Krishtinë. Amin.