Krishti, mbrojtësi ynë
1 Bijtë e mi, këto gjëra jua shkruaj që të mos mëkatoni. Por edhe nëse dikush mëkaton, mbrojtës tek Ati kemi Jezu Krishtin, të drejtin. 2 Ai u flijua për mëkatet tona, e jo vetëm për mëkatet tona, por edhe për mëkatet e gjithë botës.
3 Nëse zbatojmë urdhërimet e tij, atëherë e dimë se e kemi njohur atë. 4 Ai që thotë: «Unë e kam njohur Perëndinë», por nuk zbaton urdhërimet e tij, është gënjeshtar dhe e vërteta nuk është në të. 5 Por tek ai që e zbaton fjalën e tij, dashuria e Perëndisë është me të vërtetë e përsosur. Kështu mund ta dimë se jemi në Perëndinë. 6 Ai që thotë se qëndron në të, duhet të ecë në të njëjtën udhë nëpër të cilën eci Jezu Krishti.
Urdhërimi i ri
7 Fort të dashur , nuk po ju shkruaj një urdhërim të ri, por një urdhërim të vjetër, të cilin e kishit që nga fillimi. Urdhërimi i vjetër është fjala që dëgjuat . 8 Megjithatë, po ju shkruaj një urdhërim të ri, që është i vërtetë për Krishtin dhe për ju, se errësira po shkon dhe tashmë po ndrin drita e vërtetë.
9 Ai që thotë se është në dritë, por urren vëllanë e vet, ai është ende në errësirë. 10 Ai që do vëllanë e vet, qëndron në dritë e nuk bëhet pengesë. 11 Por ai që urren vëllanë e vet, është në errësirë. Ai ecën në errësirë e nuk sheh ku shkon, se errësira ia ka verbuar sytë.
12 Po ju shkruaj, o bij,
se mëkatet tuaja u falën
me anë të emrit të tij.
13 Po ju shkruaj, o etër,
se e keni njohur atë
që është që nga fillimi.
Po ju shkruaj, o të rinj,
se e keni mundur të ligun.
14 Ju shkrova, o bij,
se e keni njohur Atin.
Ju shkrova, o etër,
se e keni njohur atë
që është që nga fillimi.
Ju shkrova, o të rinj,
se jeni të fortë;
fjala e Perëndisë banon në ju
dhe e keni mundur të ligun.
15 Mos e doni botën dhe as gjërat e saj. Nëse dikush e do botën, dashuria e Atit nuk është në të. 16 Gjithçka që është në botë, epshet trupore, lakmia e syve dhe mburrja për gjërat e kësaj jete, nuk janë nga Ati, por nga bota. 17 Bota me gjithë kënaqësitë e saj shkojnë, por ai që bën vullnetin e Perëndisë mbetet në amshim.
Antikrishti
18 Bijtë e mi, po vjen ora e fundit! Siç keni dëgjuar, antikrishti po vjen. Tani ka shumë antikrishtë dhe nga kjo e dimë se po vjen ora e fundit. 19 Nga ne dolën, por nuk ishin nga tanët. Po të ishin nga tanët, do të kishin qëndruar me ne, por ikën prej nesh që të duket qartë se të gjithë ata nuk janë nga tanët.
20 Ju jeni vajosur nga i Shenjti, prandaj të gjithë e dini të vërtetën . 21 Nuk ju shkrova ngaqë nuk e njihni të vërtetën, por sepse e njihni dhe e dini se asnjë gënjeshtër nuk vjen nga e vërteta. 22 Kush është gënjeshtari, pra? A nuk është ai që mohon se Jezui është Krishti? Ai është antikrishti, ai që mohon Atin dhe Birin. 23 Ai që mohon Birin, nuk e ka as Atin. Ai që e rrëfen Birin, e ka edhe Atin. 24 Le të qëndrojë në ju çfarë dëgjuat që nga fillimi. Po të qëndrojë në ju çfarë dëgjuat që nga fillimi, atëherë edhe ju do të qëndroni në Birin dhe në Atin. 25 Dhe ky është premtimi që na ka bërë ai: jeta e amshuar.
26 Këto gjëra jua shkrova për shkak të atyre që kërkojnë t'ju mashtrojnë. 27 Sa për ju, vajosja që morët prej Krishtit qëndron në ju dhe nuk ka nevojë t'ju mësojë kush. Vajosja e tij ju mëson për gjithçka. Krishti është i vërtetë dhe nuk është i gënjeshtërt. Prandaj qëndroni në të ashtu siç ju mësoi.
Bij të Perëndisë
28 Dhe tani, bijtë e mi, qëndroni në të, që kur ai të shfaqet në ardhjen e tij, të kemi siguri të plotë dhe të mos turpërohemi para tij. 29 Përderisa e dini që Krishti është i drejtë, atëherë duhet të dini edhe se kushdo që vepron me drejtësi ka lindur prej tij.
1 Diemthit’ e mi, u shkruanj juve këto, që të mos fëjeni; edhe ndë fëjeftë ndonjë, kemi kush të lutetë tek Ati, Jisu Krishtin’ e Drejtë.
2 Edhe ay është të shpërblyerët’ e fajevet tona; edhe jo vetëmë për tonatë, po edhe për të gjithë botësë.
3 Edhe nga këjo e dimë, se e kemi njohur’ atë, ndë ruajçim porosit’ e ati.
4 Ay që thotë: “E kam njohur’ atë”, edhe të mos ruanjë porosit’ e ati, është gënjeshtar, edhe e vërteta nuk’ është mb’atë.
5 Po ay që të ruanjë fialën’ e ati, me të vërtetë dashuria e Perëndisë është mbaruarë te kyj. Nga këjo e dimë, se jemi mb’ atë.
6 Ay që thotë se mbet mb’ atë, duhetë, sikundrë eci ay, kështu të ecënjë edhe kyj.
7 Vëllezër, nuk’ e shkruanj juve një porosi të re, po një porosi të vietërë, që e kishitë që përpara herësë; porosia e vietër’ është fiala që dëgjuatë që përpara herësë.
8 Përsëri u shkruanj juve një porosi të re, që ësht’ e vërtetë mb’ atë edhe mbë ju; sepse errësira shkon, edhe drita e vërtetë po ndrit.
9 Ay që thotë se është ndë dritët, edhe i ka mëri të vëllat, është ndë errësirë gjer tashi.
10 Ay që do të vëllanë mbet ndë dritët, edhe skandhali nuk’ është tek ay.
11 Po ay që i ka mëri të vëllat, është ndë errësirët, edhe ecën ndë errësirët, edhe nukë di se ku vete, sepse errësira i verboj sytë.
12 U shkruanj juve, diemthit’ e mi , se u falnë fajetë tuaja për emërin’ e ati.
13 U shkruanj juve, atërë, sepse keni njohur’ atë që është që përpara herësë; u shkruanj juve, dialosha, se e keni mundurë të ligunë; u shkruanj juve, çuna, sepse e keni njohur’ Atinë.
14 U shkrova juve, atërë, sepse e keni njohur’ atë që është që përpara herësë; u shkrova juve, dialosha, sepse jeni të fortë, edhe fiala e Perëndisë mbet ndër ju, edhe e keni mundurë të ligunë.
15 Mos doni botënë, as ato që janë ndë botët. Ndë dashtë ndonjë botënë, dashuria e Atit nuk’ është mb’atë.
16 Sepse çdo gjëqë është ndë botët, dëshërimi i mishit, edhe dëshërimi i syvet, edhe mashështia e jetësë, nuk’ është nga Ati, po është nga bota.
17 Edhe bota shkon, edhe dëshërimi asaj; po ay që bën dashurimin’ e Perëndisë mbet ndë jetë të jetëvet .
18 Çuna, është or’ e pastajme; edhe sikundrë dëgjuatë, se antikrishti vien, edhe tashi janë shum’ antikrishtërë; andaj e dimë, se ësht’ or’ e pastajme.
19 Duallnë prej nesh, po nuk’ ishinë prej nesh; sepse, ndë ishinë prej nesh, do të kishinë mbeturë me ne; po duallnë , që të shpërfaqenë se nukë janë të gjithë prej nesh.
20 Edhe ju keni të lyerë prej Shënjtit, edhe i dini të gjitha.
21 Nuk’ u shkrova juve, se nukë dini të vërtetënë, po sepse e dini, edhe sepse çdo gënjeshtrë nuk’ është nga e vërteta.
22 Kush është gënjeshtari, veçe ay që mohon se Jisuj nuk’ është Krishti? Kyj ësht’ antikrishti, ay që mohon Atin’ edhe Birinë.
23 Kushdo që mohon Birinë, s’ka as Atinë; (ay që rrëfen Birinë, ka edhe Atinë ).
24 Atë pra që ju dëgjuatë që përpara herësë, le të mbesë ndër ju. Ndë mbettë ndër ju ajo që dëgjuatë që përpara herësë, edhe ju do të mbetni te Biri edhe tek Ati.
25 Edhe këjo ësht’ e zotuara, që ay na u zotua, jeta e pasosurë.
26 U shkrova juve këto për ata që u kobonjënë.
27 Edhe atë të lyerëtë që muartë nga ay mbet ndër ju, edhe s’keni nevojë t’u mësonjë juve ndonjë; po sikundrë u mëson juve ajo e lyera për të gjitha, kështu ësht’ edhe e vërtetë, edhe nuk’ është gënjeshtrë; edhe sikundrë u mësoj juve, do të mbesni mb’ atë.
28 Edhe tashi, diemthit’ e mi , mbetni mb’atë, që, kur të shpërfaqetë, të kemi kuxim, e të mos turpëronemi nga ay mbë t’ardhurit t’ati.
29 Ndë e dini, se ësht’ i drejtë, e dini se kushdo që bën drejtërinë ka lindurë prej ati.