Bashkëpunëtorë të Perëndisë
1 Unë, o vëllezër, nuk munda të flas me ju si me njerëz që kanë Shpirtin e Perëndisë, por si me njerëz të kësaj bote, si me foshnja në besimin e Krishtit. 2 Ju ushqeva me qumësht dhe jo me ushqim të fortë, sepse nuk mund ta përtypnit. Por edhe tani nuk mundni, 3 sepse jeni ende njerëz të kësaj bote. Nëse keni smirë e grindje mes jush, a nuk tregoni se jeni të kësaj bote dhe jetoni si të gjithë njerëzit?
4 Kur njëri thotë: «Unë jam i Palit» dhe tjetri: «Unë jam i Apolit», a nuk jeni si të gjithë njerëzit e tjerë? 5 Kush është Apoli dhe kush është Pali? Janë vetëm shërbëtorë, nëpërmjet të cilëve besuat dhe që veprojnë, secili sipas fuqisë që i dha Zoti. 6 Unë mbolla farën, Apoli e ujiti, por Perëndia e rriti. 7 Kështu, nuk kanë rëndësi as ai që mbjell e as ai që ujit, por Perëndia që rrit. 8 Ai që mbjell dhe ai që ujit, janë një, dhe secili do të marrë shpërblimin sipas mundit. 9 Sepse ne jemi bashkëpunëtorë të Perëndisë, ndërsa ju jeni ara dhe ndërtesa e tij.
10 Unë, sipas hirit që më dha Perëndia, si arkitekt i ditur vura themelin, por tjetërkush po ndërton mbi të. Secili të ketë kujdes sesi ndërton. 11 Askush nuk mund të vendosë një themel tjetër përveç këtij që kemi dhe që është Jezu Krishti. 12 Disa ndërtojnë mbi këtë themel me ar, argjend apo gurë të çmuar dhe disa të tjerë ndërtojnë me dru, sanë apo kashtë, 13 por vepra e secilit prej tyre do të dalë në dritë dhe vlerën e saj do ta tregojë dita e gjykimit. Ajo ditë do të vijë me zjarr dhe me këtë zjarr do të provohet vepra e kujtdo. 14 Nëse vepra që ndërtoi dikush i qëndron zjarrit, ai do të marrë shpërblimin. 15 Nëse vepra e dikujt digjet, ai do ta humbasë shpërblimin, por vetë do të shpëtojë si një njeri që kalon përmes zjarrit.
16 A nuk e dini se jeni tempull i Perëndisë dhe se Shpirti i Perëndisë banon në ju? 17 Nëse dikush rrënon tempullin e Perëndisë, Perëndia do ta rrënojë atë, sepse tempulli i Perëndisë është i shenjtë dhe ky tempull jeni ju.
18 Mos mashtroni veten! Nëse ndonjë nga ju pandeh se është i urtë në këtë jetë, le të bëhet i marrë, që të mund të bëhet i urtë. 19 Sepse urtia e kësaj bote është marrëzi para Perëndisë, siç është shkruar:
ai i zë të urtët
në dinakërinë e tyre.
20 Dhe:
Zoti i njeh mendimet e të urtëve
dhe e di se janë të kota.
21 Prandaj, asnjë të mos mburret me njerëzit, sepse gjithçka është juaja: 22 Pali, Apoli, Kefa, bota, jeta, vdekja, e tashmja dhe e ardhmja.
Gjithçka është juaja, 23 ndërsa ju jeni të Krishtit dhe Krishti është i Perëndisë.
1 Edhe unë, o vëllezër, nukë munda të flas te ju, posi mbë njerës të shpirtit, po posi mbë njerës të mishit, posi mbë foshnje mbë Krishtinë.
2 U ushqeva juve me qjumësht, e jo me gjellë; sepse edhe nukë muntnitë ta prisit’ atë , po edhe ndashti s’muntni;
3 Sepse jeni po njerës të mishit; sepse kur është ndër ju cmir e qartë e të ndarë, a nukë jeni njerës të mishit, edhe ecëni pas njeriut?
4 Sepse kur thotë njëri: Unë jam i Pavlit, edhe tiatri: Unë jam i Apollojt, a nukë jeni njerës të mishit?
5 Cili pra është Pavli, e cili Apolloj, jo tiatërë përveç shërbëtorë, që besuatë me anë t’ atyreve, edhe sikundrë i dha Zoti gjithësecilit?
6 Unë mbolla, Apolloj ujiti, po Perëndia i rriti.
7 Kaqë sa as ay që mbiell nuk’ është gjë, as ay që ujit, po Perëndia që rrit.
8 Edhe ay që mbiell e që ujit janë një; edhe gjithësecili do të marrë pagën’ e ti pas mundëjesë ti.
9 Sepse neve jemi punëtorë bashkë me Perëndinë; ju jeni ara e Perëndisë, ndërtesa e Perëndisë.
10 Pas hirit Perëndisë që m’u dha, si mieshtër i diturë unë vura themeli; e një tiatër ndërton; po gjithësecili le të shohë qysh ndërton.
11 Sepse asndonjë nukë munt të vërë tiatër themel, përveç ati që është vënë, i cili është Jisu Krishti.
12 Edhe ndë ndërtoftë ndonjë mbi këtë themel, ar, argjënt, gurë të paçëmuarë, dru, bar, kallam;
13 Gjithësecilit do t’i dëftenetë puna, sepse dita do ta dëftenjë atë , sepse me anë të ziarrit nxiretë shpërfaqetë, edhe ziarri do të provonjë punën’ e gjithjësecilit çfarë është.
14 Ndë mbettë puna e ndonjërit që ndërtoj, do të marrë pagë.
15 Ndë u diektë puna e ndonjërit, do t’i bënetë dëm; po ay do të shpëtonjë, posi prej ziarrit.
16 Nuk’ e dini se jeni tempulli i Perëndisë, edhe Frym’ e Shënjtëruarë rri ndër ju?
17 Ndë prishtë ndonjë tempullin’ e Perëndisë, këtë do ta prishnjë Perëndia; sepse tempulli i Perëndisë që jeni ju, ësht’ i shënjtëruarë.
18 Asndonjë le të mos gënjenjë vetëhen’ e ti; ndë kujtoftë ndonjë ndër ju se ësht’ i diturë ndë këtë jetë, le të bënet’ i marrë, që të bënetë i diturë.
19 Sepse dituria e kësaj bote është marrësi përpara Perëndisë. Sepse është shkruarë: “Ay që zë të dituritë ndë dinakëri të atyreve.”
20 Edhe përsëri: “Zoti njeh mendimet’ e të diturëvet se janë të kotë.”
21 Përandaj asndonjë le të mos mburretë mbë njerës; sepse të gjitha janë tuajatë.
22 A Pavli, A Apolloj, a Qifaj, a bota, a jeta, a vdekëja, a këto që janë ndashti, a ato që do të vinjënë, të gjitha janë t'uajatë.
23 Edhe ju, të Krishtit; edhe Krishti i Perëndisë.