Ndihma për të shenjtët
1 Lidhur me mbledhjen e ndihmave për të shenjtët, veproni edhe ju ashtu siç i urdhërova kishat e Galatisë. 2 Çdo të dielë , secili të vërë mënjanë aq sa ka mundur të kursejë, që të mos bëhet mbledhja e ndihmave kur të vij unë. 3 Kur të vij do të dërgoj me letër shoqëruese ata që keni miratuar për të çuar dhuratën tuaj në Jerusalem. 4 Po të jetë e udhës që të shkoj edhe unë, atëherë le të vijnë me mua.
Plane për udhëtim
5 Te ju do të vij pasi të kem kaluar nga Maqedonia, se dua të kaloj nga Maqedonia. 6 Ka mundësi të qëndroj te ju, ose edhe të kaloj dimrin, që të më ndihmoni për të shkuar atje ku duhet të shkoj. 7 Nuk dua t'ju shoh kalimthi, por shpresoj të rri ca kohë me ju, në e lejoftë Zoti. 8 Në Efes do të qëndroj deri për Rrëshajë, 9 sepse m'u dha një mundësi e madhe për të vepruar, megjithëse kundështarët janë të shumtë.
10 Po të vijë Timoteu, kujdesuni që të rrijë te ju pa frikë, se edhe ai bën veprën e Zotit sikurse dhe unë. 11 Mos ta përçmojë askush, por ndihmojeni të niset prej jush në paqe, që të vijë tek unë, sepse bashkë me vëllezërit e presim të vijë.
12 Lidhur me vëlla Apolin, iu luta shumë që të vinte te ju bashkë me vëllezërit, por nuk donte kurrsesi të vinte tani, kështu që do të vijë kur të mundet.
Porositë e fundit
13 Rrini zgjuar, qëndroni të fortë në besim, bëhuni burra, jini të fortë! 14 Bëni gjithçka me dashuri!
15 Ju e njihni shtëpinë e Stefanait dhe e dini se është a para që besoi në Akai dhe se iu kushtua shërbesës për të shenjtët. Ju lutem, o vëllezër, 16 t'u bindeni njerëzve të tillë dhe të gjithë atyre që bashkëpunojnë e që mundohen.
17 Jam gëzuar shumë për ardhjen e Stefanait, Fortunatit dhe Akaikut, sepse ata plotësuan mungesën tuaj. 18 Ata qetësuan shpirtin tim e tuajin, prandaj nderojini të tillë njerëz!
19 Ju përshëndesin kishat e Azisë.
Ju përshëndesin shumë, në emër të Zotit, Akuili e Priska, bashkë me kishën që mblidhet në shtëpinë e tyre.
20 Ju përshëndesin të gjithë vëllezërit.
Përshëndetni njëri-tjetrin me puthje të shenjtë.
21 Përshëndetjen e kam shkruar vetë unë, Pali, me dorën time.
22 Kush nuk do Zotin, mallkuar qoftë. Maranatha !
23 Hiri i Zotit Jezu qoftë me ju!
24 Dashuria ime qoftë me ju të gjithë në Krishtin Jezu!
1 Edhe për të mbëledhurit’ e asprëvet për shënjtorëtë, sikundrë urdhërova qishat’ e Gallatisë, kështu bëni edhe ju.
2 Çdo ditën te parë tè javës gjithësecili prej jush le të vërë mbënjanë, e le të mbëledhë atë që t’ia bënjë mbarë Perëndia , që të mos bënenë të mbëledhura asprash kur të vinj, unë.
3 Edhe kur të vinj un’ aty , do të dërgonj me kartëra ata që të sgjithni ju, që të shpienë dhuratënë tuaj ndë Jerusalim.
4 Edhe ndë vëjeftë të vete edhe unë, do të vinjënë bashkë me mua.
5 Edhe do të vinj tek ju, si të shkonj ndëpër Maqedhoni, (sepse ndashti po shkonj ndëpër Maqedhoni).
6 Edhe ndë qilloftë do të mbes përan jush pak kohë, mbase do të dimëronj, që të më përcillni ju, kudo që të vete.
7 Sepse nukë dua që t’u shoh juve ndashti tuke shkuar’ udhësë; po shpërenj të mbets përanë jush ca kohë, ndë më lashtë Zoti.
8 Edhe do të mbes ndë Efesë gjer ditën e Pentikostisë;
9 Sepse m’u hap një der’ e madhe edhe plot me punë, edhe janë shumë asish që më rrinë kundrë.
10 Edhe ndë arthtë Timotheu, vështroni të jetë pa frikë ndër ju; sepse edhe ay punon punën’ e Zotit sikundrë edhe unë.
11 Asndonjë pra mos e bënjë për asgjë; po e përcillni atë me paqtim, që të vinjë tek unë; sepse po e pres bashkë me vëllezëritë.
12 Sa për vëllanë Apollonë, iu luç shumë që të vinte ndër ju bashkë me vëllezëritë; edhe nukë donte fare që të vinjë ndashti; po do të vinjë, kur të ketë nge.
13 Rrini sgjuarë, qëndroni ndë besët; bëhi burra, e forcohi.
14 Gjithë punëtë tuaja le të bënenë me dashuri.
15 Edhe u lutem juve, o vëllezër (e dini shtëpin’ e Stefanajt, se është pem’e parë e Ahaisë, edhe afierosnë vetëhen’ e tyre ndë shërbesë të shënjtorëvet),
16 t’u unjni kryet’ edhe ju të tillëve, edhe çdo njeriu që punon bashkë me neve edhe mundonetë.
17 Edhe gëzonem për t’ ardhurit’ e Stefanajt edhe të Furtunatit edhe të Ahajkojt, sepse këta mbushnë të shterëtë tuaj;
18 Sepse prejtnë shpirtinë tim edhe tuajinë. Nderoni pra të tillëtë.
19 U falenë juve me shëndet qishat’ e Asisë. U falenë juve me shëndet mbë Zotinë Aqylla edhe Priskilla bashkë me qishënë që është ndë shtëpi t’atyreve.
20 U falenë juve me shëndet gjithë vëllezëritë. Përshëndetni njëri tiatrinë me të puthurë të shënjtëruarë.
21 Të faluritë me shëndet u shkrua me dorënë time, të Pavlit.
22 Ndë është ndonjë që nukë do Zotinë Jisu Krisht, qoftë mallëkuarë Maran-atha.
23 Hiri i Zotit Jisu Krisht qoftë me ju.
24 Dashuria ime qoftë me gjithë ju mbë Jisu Krishtinë. Amin.