Qortime për idhujtari
1 Vëllezër, nuk dua të mos e dini se etërit tanë ishin nën mbrojtjen e resë dhe që të gjithë kaluan mes për mes detit. 2 Të gjithë ata u bashkuan me Moisiun duke u pagëzuar në re dhe në det. 3 Të gjithë hëngrën të njëjtin ushqim shpirtëror 4 dhe pinë të njëjtën pije shpirtërore, sepse pinin nga shkëmbi shpirtëror që i shoqëronte. Ky shkëmb ishte Krishti. 5 Por shumica e tyre nuk gjetën pëlqimin e Perëndisë dhe ranë të vdekur në shkretëtirë.
6 Këto ngjarje u bënë shembull për ne, që të mos dëshirojmë edhe ne gjëra të këqija, siç dëshiruan ata. 7 Mos u bëni idhujtarë si disa prej tyre, sikurse është shkruar: populli u ul për të ngrënë e për të pirë dhe pastaj u ngrit për të luajtur. 8 As të mos kurvërojmë si disa prej tyre, që ranë të vdekur njëzet e tre mijë veta në një ditë. 9 As Krishtin të mos e vëmë në provë, siç bënë disa prej tyre, që vdiqën nga gjarpërinjtë. 10 As mos murmurisni, siç bënë disa prej tyre, që u vranë nga engjëlli shkatërrues. 11 Këto gjëra u ndodhën atyre si shembull dhe janë shkruar që të bëhen mësim për ne që jetojmë në fund të kohëve.
12 Kush mendon se qëndron i sigurt, kujdes se mos rrëzohet! 13 Sprovat që kishit deri tani kanë qenë brenda mundësive njerëzore. Perëndia është besnik dhe nuk do të lejojë të viheni në provë përtej mundësive tuaja, por bashkë me sprovat do t'ju japë edhe rrugëdaljen, që të mund t'i përballoni.
14 Prandaj, fort të dashurit e mi, largohuni nga idhujtaria! 15 Po flas me ju si me njerëz të arsyeshëm: gjykojini vetë këto që po them. 16 Kur pimë nga kupa për të cilën bekojmë Perëndinë, a nuk marrim pjesë në gjakun e Krishtit? Kur hamë nga buka që thyejmë, a nuk marrim pjesë në trupin e Krishtit? 17 Ashtu si buka është një e vetme, ashtu edhe ne, edhe pse jemi shumë, bëhemi një trup i vetëm, sepse marrim pjesë në të vetmen bukë.
18 Shikoni popullin e Izraelit! A nuk marrin pjesë në altar ata që hanë flijimet që kushtohen mbi të? 19 A dua të them me këtë se mishi që u flijohet idhujve ka ndonjë vlerë apo që idhujt janë ndonjë gjë? 20 Jo, por dua të them se ato ua flijojnë djajve e jo Perëndisë dhe unë nuk dua që të keni pjesë me djajtë. 21 Nuk mund të pini edhe nga kupa e Zotit, edhe nga kupa e djajve; nuk mund të hani edhe nga tryeza e Zotit, edhe nga tryeza e djajve. 22 Mos duam të nxisim xhelozinë e Zotit? Vallë, mos jemi më të fortë se ai?
Gjithçka për Perëndinë
23 Disa thonë: «Gjithçka lejohet». Po, por jo gjithçka është e dobishme. Gjithçka lejohet, por jo gjithçka bën mirë. 24 Askush të mos kërkojë të mirën e vet, por të mirën e tjetrit. 25 Hani çdo gjë që shitet në thertore, pa e hetuar atë dhe pa e rënduar ndërgjegjen tuaj, 26 sepse toka dhe gjithçka gjendet në të janë të Zotit.
27 Nëse ndonjë jobesimtar ju fton në shtëpi dhe pranoni të shkoni, hani gjithçka që ju vënë përpara, pa e hetuar atë dhe pa e rënduar ndërgjegjen tuaj. 28 Por nëse dikush ju thotë: «Ky është mish që u është flijuar idhujve», mos hani për shkak të atij që jua tha këtë dhe për shkak të ndërgjegjes , 29 jo për ndërgjegjen tuaj, por për ndërgjegjen e tjetrit. Por, pse të kufizohet liria ime nga ndërgjegjja e tjetrit? 30 Nëse unë falënderoj Perëndinë për atë që ha, përse të shahem për shkak të ushqimit për të cilin kam falënderuar Perëndinë?
31 Edhe kur hani, edhe kur pini, edhe kur bëni ndonjë gjë tjetër, bëjeni për lavdi të Perëndisë. 32 Por mos u bëni pengesë as për judenjtë, as për helenët e as për kishën e Perëndisë. 33 Bëni si unë që mundohem t'u pëlqej të gjithëve, pa kërkuar përfitimin tim, por dobinë e të gjithëve, që të shpëtohen.
1 Edhe nukë dua të mos dini ju, o vëllezër, se gjithë atëritë tanë ishinë ndënë ret, edhe të gjithë shkuanë ndëpër det.
2 Edhe të gjithë mbë Moisinë u pagëzuanë ndë ret e ndë det.
3 Edhe të gjithë hangrë po atë të ngrënë shpirtërisht;
4 Edhe të gjithë pinë po atë të pirë shpirtërisht; sepse pinë prej një guri shpirtërisht që u vinte prapa; edhe guri ishte Krishti.
5 Po Perëndia nukë pëlqeu më të shumëtë nga ata; sepse u shtruanë të vdekurë ndë shkretëtirët.
6 Edhe këto u bënë për shëmbëllesa mbë ne që të mos dëshërojm’ edhe neve punëra të liga, sikundrë dëshëruan’ ata.
7 As idhullatrë mos u bëni, posi ca veta nga ata, sikundrë është shkruarë: “Llauzi ndënji të haj’ e të pijë, edhe u ngritnë të lozinë”.
8 As të mos kurvërojmë, sikundrë ca veta nga ata kurvëruanë, edhe ranë të vdekurë mbë një ditë njëzet’ e tri mijë veta.
9 As të mos ngasmë Krishtinë, sikundrë edhe ca nga ata e nganë edhe u prishnë nga gjërpënjtë.
10 As të mos murmurisni, sikundrë edhe ca nga ata murmurisnë, edhe u prishnë prej ëngjëllit prishës.
11 Edhe gjithë këto bëneshinë mb’ ata për shëmbëlla, edhe u shkruanë për mësim mbë ne, mbë të cilët arrinë të mbaruarat’ e jetëvet.
12 Përandaj ay që pandeh se qëndron, le të shohë se mos bierë poshtë.
13 Tiatërë ngasëje nuk u ka gjeturë juve përveç se ngasëje njeriu; po Perëndia është besëtar edhe nukë do t’u lërë juve të ngiteni tej fuqisë suaj, po bashkë me të ngarëtë do t’u tregonjë udhë shpëtimi, që të muntni të duroni.
14 Përandaj, o të dashurit’ e mi, ikni nga idhullatria.
15 Flas posi mbë të mënçim; gjykoneni ju atë që them.
16 Ay potiri i bekimit që bekojmë, a nuk’ është kungimi i gjakut Krishtit? Ajo buka që thyejmë, a nuk’ është kungimi i trupit Krishtit?
17 Sepse neve të gjithë jemi një bukë, një trup; sepse të gjithë kemi piesë prej asaj një buke.
18 Shihni Israilnë që është pas mishit; ata që hanë nga kurbanetë, a nukë janë piesëtarët’ e theroresë?
19 Ç’them pra? Se është gjë idhulli? Apo se është gjë kafsha që i bënetë kurban idhujvet? Jo .
20 Po ato kafsha që bënjënë kurban kombetë, ua bënjënë kurban diajvet, e jo Perëndisë; edhe unë s’dua të bëneni ju piesëtarët’ e diajvet.
21 S’munt të pini poritin’ e Zotit edhe potirin’ e diajvet; s’ munt të merrni piesë nga truveza e Zotit edhe nga truveza e diajvet.
22 Apo do t’i shtiemë zelinë Zotit? Mos jemi më të fortë se ay?
23 Të gjitha janë ndë pushtet tim, po të gjitha s’bënjënë mirë; të gjitha janë ndë pushtet tim, po të gjitha s’ndërtonjënë.
24 Asndonjë le të mos kërkonjë të mirën’ e ti; po gjithësecili të tiatrit.
25 Hani çdo gjë që shitetë ndë maqeli, pa vëshguarë gjë për ndërgjegjëjenë.
26 Sepse “dheu ësht’ i Zotit, edhe të mbushurit’ e ati.”
27 Edhe ndë u thërrittë juve ndonjë nga të pabesëtë, edhe doni të vini, hani çdo gjë që t’u vihetë përpara, pa vëshguarë gjë për ndërgjegjëjenë.
28 Po ndë u thëntë juve ndonjë: Këjo është kafshë bërë kurban idhujvet, mos hani, për atë që u dëfteu, edhe për ndërgjegjëjenë; (sepse “dheu ësht ’ i Zotit, edhe të mbushurit e ati”).
29 Edhe ndërgjegjëje them, jo tëndenë, po të tiatrit; sepse përse gjykonetë të liruarëtë tim prej tiatërë ndërgjegjëje?
30 Edhe unë ndë marrsha piesë më të falurë ndersë, përse vllasfimisem unë për atë gjë falem ndersë?
31 Ndë hëngrëshi pra, a ndë pifshi, a nda bëfshi ndonjë gjë, të gjitha bëni për lavdin’ e Perëndisë.
32 Mos bëhi pengesë as mbë Judhenj, as mbë Grekë, as mbë qishët të Perëndisë;
33 Sikundrë edhe unë mbë gjithë punërat pëlqehem mbë të gjithë, pa kërkuarë të mirënë time, po të shumëvet, që të shpëtonjënë.