Vendimi për ta kapur
(Mt 26.1-5Lk 22.1-2Gjn 11.45-53)
1 Pas dy ditësh ishte Pashka dhe festa e Bukëve të ndorme. Kryepriftërinjtë e shkruesit kërkonin sesi ta kapnin Jezuin me dredhi e ta vrisnin. 2 Prandaj thoshin: «Jo gjatë festës, që të mos ndodhë ndonjë trazirë në popull».
Lyerja me mirrë
(Mt 26.6-13Gjn 2.1-8)
3 Jezui ishte në Betani, në shtëpinë e Simon të lebrosurit. Ndërsa po rrinte në tryezë, erdhi një grua që mbante një enë alabastri me mirrë nardi të kulluar që kushtonte shumë shtrenjtë. Ajo e theu enën dhe e derdhi mirrën mbi kokën e Jezuit. 4 Aty gjendeshin disa veta që i thanë njëri-tjetrit të zemëruar: «Pse u bë gjithë ky shpenzim i kotë i mirrës? 5 Kjo mirrë mund të ishte shitur për më shumë se treqind denarë e këto t'u ishin dhënë të varfërve». Dhe e qortuan gruan. 6 Por Jezui u tha: «Lëreni të qetë! Përse e mundoni? Ajo bëri për mua një vepër të mirë. 7 Të varfrit i keni gjithmonë me ju e mund t'u bëni mirë kur të doni, por mua nuk më keni gjithmonë. 8 Ajo bëri çfarë mundi. Që tani ma leu trupin me mirrë për varrim. 9 Me të vërtetë po ju them se kudo që të shpallet ungjilli, në mbarë botën, do të tregohet në kujtim të saj kjo që bëri».
Juda përgatit tradhtinë
(Mt 26.14-16Lk 22.3-6)
10 Atëherë Judë Iskarioti, njëri prej të dymbëdhjetëve, shkoi te kryepriftërinjtë, që t'ua dorëzonte Jezuin. 11 Kur e dëgjuan këtë gjë, ata u gëzuan e i premtuan se do t'i jepnin para. Kështu, ai kërkonte kohën e përshtatshme për ta tradhtuar.
Përgatitja e Pashkës
(Mt 26.17-25Lk 22.7-14, Lk 21-23Gjn 13.21-30)
12 Ditën e parë të festës së Bukëve të ndorme, kur flijohej qengji i Pashkës, dishepujt i thanë Jezuit: «Ku dëshiron të shkojmë e ta përgatisim darkën e Pashkës?». 13 Ai dërgoi dy prej dishepujve të tij e u tha: «Shkoni në qytet e do të takoni një njeri që mban një shtambë me ujë. Ndiqeni 14 e atje ku të hyjë ai, i thoni të zotit të shtëpisë: “Mësuesi pyet ku është dhoma e pritjes ku mund të ha darkën e Pashkës me dishepujt e mi?”. 15 Dhe në katin e sipërm ai do t'ju tregojë një dhomë të madhe e të bërë gati. Aty na e shtroni darkën». 16 Dishepujt u nisën, shkuan në qytet, gjetën gjithçka siç u kishte thënë Jezui dhe përgatitën Pashkën.
17 Në mbrëmje Jezui erdhi me të dymbëdhjetët. 18 Ndërsa ishin ulur e po hanin, Jezui tha: «Me të vërtetë po ju them se njëri nga ju që po ha me mua do të më tradhtojë». 19 Ata filluan të trishtohen e i thoshin një nga një: «Mos jam unë ?». 20 Ai u tha: «Është njëri nga të dymbëdhjetët, ai që po ngjyen kafshatën në të njëjtën pjatë me mua. 21 Biri i njeriut po shkon, sikurse është shkruar për të, por mjerë ai njeri që tradhton Birin e njeriut! Për atë njeri do të kishte qenë më mirë të mos kishte lindur».
Darka e Zotit
(Mt 26.26-30Lk 22.15-201Ko 11.23-25)
22 Kur po hanin, mori bukën, tha lutjen e bekimit, e theu, ua dha atyre e tha: «Merrni, ky është trupi im». 23 Mori edhe kupën, tha lutjen e falënderimit, ua dha atyre e ata pinë të gjithë prej saj. 24 Dhe u tha: «Ky është gjaku im, gjaku i besëlidhjes , që derdhet për shumë njerëz. 25 Në të vërtetë po ju them se nuk do të pi më nga fryti i hardhisë, deri ditën që do ta pi të re në mbretërinë e Perëndisë».
26 Si kënduan himne, shkuan në malin e Ullinjve.
Parathënia e mohimit të Pjetrit
(Mt 26.31-35Lk 22.31-34Gjn 13.36-38)
27 Jezui u tha: «Ju të gjithë do të bini, sepse është shkruar:
do ta godas bariun
e delet do të shpërndahen.
28 Por kur të ngjallem, do të shkoj përpara jush në Galile».
29 Pjetri i tha: «Edhe nëse të gjithë bien, unë nuk do të bie». 30 Jezui i tha: «Me të vërtetë po të them se po këtë natë, para se të këndojë gjeli dy herë, ti do të më mohosh tri herë». 31 Por ai nguli këmbë: «Edhe nëse duhet të vdes me ty, nuk do të të mohoj». Kështu thanë të gjithë.
Lutja në Gjetsemani
(Mt 26.36-46Lk 22.39-46)
32 Pastaj shkuan në një vend që quhej Gjetsemani dhe Jezui u tha dishepujve të tij: «Rrini këtu sa të lutem». 33 Mori me vete Pjetrin, Jakobin e Gjonin dhe filloi të ndiente frikë e ankth. 34 Pastaj u tha: «Shpirti im është i trishtuar deri në vdekje. Qëndroni këtu e rrini zgjuar». 35 Pasi shkoi pak më tej, ra përdhe e lutej që, po të ishte e mundur, të largoheshin prej tij ato çaste vuajtjesh. 36 Atëherë tha: «Abba, Atë, gjithçka është e mundur për ty. Largoje këtë kupë prej meje. Megjithatë, jo çfarë dua unë, por çfarë do ti».
37 Pastaj erdhi e i gjeti duke fjetur e i tha Pjetrit: «Simon, po fle? A nuk munde të rrish zgjuar as edhe një orë? 38 Rrini zgjuar e lutuni që të mos bini në tundim, se shpirti është i gatshëm, por trupi është i dobët». 39 U largua sërish e u lut, duke thënë të njëjtat fjalë. 40 Kur u kthye përsëri, i gjeti duke fjetur, se u ishin rënduar sytë. Ata nuk dinin si t'i përgjigjeshin. 41 Pastaj erdhi për të tretën herë e u tha: «Ende po flini e po pushoni? Mjafton. Erdhi ora. Ja, Biri i njeriut po dorëzohet në duart e mëkatarëve. 42 Ngrihuni të shkojmë. Ja, po afrohet ai që po më tradhton».
Tradhtia dhe arrestimi
(Mt 26.47-56Lk 22.47-53Gjn 18.3-12)
43 Dhe në atë çast, ndërsa Jezui ishte ende duke folur, erdhi Juda, njëri prej të dymbëdhjetëve, bashkë me një turmë me shpata e shkopinj, të dërguar nga kryepriftërinjtë, shkruesit e pleqtë. 44 Tradhtari u kishte dhënë këtë shenjë: «Jezui është ai që unë do të puth. Kapeni e ruajeni mirë!». 45 Dhe menjëherë iu afrua Jezuit e i tha: «Mësues!» dhe e puthi. 46 Atëherë ata e kapën dhe e ndalën. 47 Njëri nga ata që ishin aty, nxori shpatën, goditi shërbëtorin e kryepriftit e i preu veshin. 48 Jezui u tha: «Paskeni ardhur të më merrni me shpata e shkopinj si të isha kusar? 49 Unë isha çdo ditë mes jush në tempull duke mësuar njerëzit e nuk më kapët. Por kjo u bë që të përmbushen Shkrimet».
50 Atëherë të gjithë e braktisën e ikën.
Djaloshi që iku
51 Një i ri, i mbështjellë vetëm me një copë prej liri, po e ndiqte. Rojat e kapën, 52 por ai lëshoi copën prej liri e iku lakuriq.
Para sinedrit
(Mt 26.57-68Lk 22.54-55, Lk 63-71Gjn 18.13-14, Gjn 19-24)
53 Atëherë e dërguan Jezuin te kryeprifti dhe mblodhën aty të gjithë kryepriftërinjtë, pleqtë e shkruesit. 54 Pjetri e ndoqi nga larg, deri brenda oborrit të pallatit të kryepriftit, e u ul mes shërbëtorëve, duke u ngrohur pranë zjarrit.
55 Ndërkohë kryepriftërinjtë dhe gjithë sinedri kërkonin dëshmi kundër Jezuit për ta dënuar me vdekje, por nuk gjenin. 56 Shumë veta jepnin dëshmi të rreme kundër tij, por dëshmitë e tyre nuk përkonin. 57 Disa të tjerë u ngritën e dhanë dëshmi të rreme kundër tij e thanë: 58 «Ne e kemi dëgjuar të thotë: “Do ta shkatërroj këtë tempull të bërë nga duart e njeriut e për tri ditë do të ndërtoj një tjetër, që nuk është ndërtuar nga duart e njeriut”». 59 Por as dëshmia e tyre nuk përkonte.
60 Atëherë kryeprifti u ngrit në mes të sinedrit dhe e pyeti Jezuin: «Nuk ke asgjë për të thënë për çka po dëshmojnë kundër teje?». 61 Por Jezui heshti e nuk dha asnjë përgjigje. Kryeprifti e pyeti përsëri: «A je ti Krishti, Biri i të Bekuarit?». 62 Jezui iu përgjigj: «Unë jam.
Do të shihni Birin e njeriut
ulur në të djathtën
e Perëndisë së pushtetshëm,
duke ardhur mbi retë e qiellit ».
63 Kryeprifti shqeu rrobat e veta e tha: «Ç'na duhen më dëshmitarët? 64 Ju e dëgjuat fyerjen që i bëri Perëndisë. Cili është vendimi juaj?». Dhe të gjithë e gjykuan se ishte fajtor për vdekje.
65 Disa filluan ta pështynin, t'i mbulonin fytyrën e ta godisnin duke i thënë: «Gjeje kush të goditi!». Edhe rojat e godisnin me shuplaka.
Mohimi i Pjetrit
(Mt 26.69-75Lk 22.56-62Gjn 18.15-18, Gjn 25-27)
66 Ndërsa Pjetri ishte poshtë në oborr, erdhi njëra nga shërbëtoret e kryepriftit 67 dhe, kur e pa Pjetrin duke u ngrohur, ia nguli sytë e i tha: «Edhe ti ishe me Jezuin e Nazaretit». 68 Por ai e mohoi e tha: «Nuk po e marr vesh e as nuk po e kuptoj se ç'thua». Pastaj doli jashtë, në hyrje të oborrit, dhe ndërkohë këndoi gjeli. 69 Shërbëtorja e pa e filloi t'u thoshte përsëri atyre që ishin aty: «Ky është një prej tyre». 70 Por ai e mohoi përsëri. Pas pak, ata që ishin aty i thanë Pjetrit sërish: «Me siguri që je një nga ata, se je galileas ». 71 Por ai filloi të mallkojë e të bënte be: «Nuk e njoh këtë njeri për të cilin po flisni». 72 Atë çast këndoi gjeli për të dytën herë. Atëherë Pjetrit iu kujtua ç'i kishte thënë Jezui: «Përpara se gjeli të këndojë dy herë, ti do të më mohosh tri herë». Dhe filloi të qante.
Krie e katërmbëdhjetë
1 E pas di ditet qe Pashka edhe lipsotë. E të parët’ e Priftëret edhe Grammatejtë kërkoijnë qish ta zijn’ atë me dhelpëri, e ta vrisnë.
2 Po thoshnë, jo ndë të prëmptenë, se mos bënetë nakatosi ndë llao.
3 E kur ishte ai ndë Vithani, mbë shtëpi të Simonit së leprosurit, tek rrijte ai ndë sufra, erdhi një grua, e kishte një garafë pa dorë, plot me miro nga Nardho të qëruarë, shumë të shtrëjtë, e si e theu garafënë pa dorë, ja derdhi mbi krie të tij.
4 E qenë ca që u zëmëruanë me vetëhe të ture, e thoshnë: Mbë se u bë të humburit’ e kësaj mirosë?
5 Se këjo mund të shitej më tepër se treqind dhinarë, e t’ipejnë të varfëret, e zëmëronejnë mbë të.
6 E Iisui tha: Lirie atë, pse i ipni asaj mundim? Të mirë punë bëri mbë mua.
7 Se të varfëritë i keni kurdo me vetëhe tuaj, e kurdo të doi, mundni të bëni nd’ata të mirë, po mua nukë më keni kurdo.
8 Atë që mundi këjo e bëri, arijti më përpara të liejë kurminë tim me miro, për të vënë ndë varr.
9 Me të vërteta u thom juvet, tekdo që të rrëfenetë kij Ungjill ndë gjithë botë, do të kuvëndonetë edhe ç’bëri këjo që të mbahetë mënd ajo.
10 E Iudha Iskarioti një nga të dimbëdhjetë, vate ndë të parët’ e Priftëret, që t’u ip atë mbë duar.
11 E ata si digjuanë, u gëzuanë, e i taksnë t’i ipnë atij asprë. E kërkon që t’ua ip atë mbë duar me kollaj.
12 E ditën’ e parë të lipsovet, kur haijnë Pashkënë, i thon’ atij mathitit’ e tij: Ku do të vemi, e të bëjëmë gati të haç Pashkënë?
13 E dërgon di nga mathitit’ e tij, e u thot’ ature: Ecëni ndë qutet, e do të piqetë me ju një njeri që mban një stamnë me ujë, e hajdeni pas tij.
14 E tekdo që të hijë thoi zotit së shtëpisë, se dhaskali thotë: Ku është konaku që do të ha pashkënë bashkë me mathitit’ e mi?
15 E ai do t’u dëftojë juvet një çardhak të madh shtruarë me mësallë, gati; atje bënani gati për navet.
16 E duallë mathitit’ e tij, e vanë ndë qutet, e gjenë sikundr’ u tha ature; e bënë gati pashkënë.
17 E si u err vjen bashkë me të dimbëdhjetë.
18 E tek rrijn’ ata mbë sufra e haijnë, u tha Iisui: Me të vërteta u thom juvet, se një nga jush do të më paradhosjë, ai që ha me mua bashkë.
19 E nisnë të helmonejnë, e të thoshn’ atij njëri pas jatërit: Mos jam unë? E tjatëri: Mos jam unë?
20 Edhe ai u përgjegj, e u tha ature: Një nga të dimbëdhjetë, ai që ngjien dorënë ndë kupë bashkë me mua.
21 E i biri njeriut vete sikundrë është shkruarë për atë, po ve atij njeriut, që prej atij paradhosetë i biri i njeriut. Më mirë qe për atë njeri të mos qe lerë.
22 E tek haijn’ ata, mori Iisui bukë, e si e bekoi, e theu, e ua dha ature, e u tha: Mirri, hai, këjo është kurmi im.
23 E si mori potirë, e efharistisi, ua dha ature, e pinë prej sij gjithë.
24 E u tha ature: Kij është gjaku im i dhjatësë së re, që do të derdhetë për shumë.
25 Me të vërteta u thom juvet, do të mos pi më nga ç’pjell vështi ngjera mb’atë ditë, kur ta pi atë të re ndë mbretëri të Perndisë.
26 E si efharistisnë duallë ndë mal të ullinjet.
27 E u thot’ ature Iisui, që: Gjithë do të skandhalisenë për mua ndë këtë natë; se është shkruarë: Do të godit dëlmuarë, e do të përhapenë dhëntë.
28 E po pas së ngjallurit sim, do të vete përpara juvet ndë Galileë.
29 E Petrua i tha atij: Edhe të gjithë nd’u skandhaliçinë, po unë jo.
30 E i thot’ atij Iisui: Me të vërtetë të thom tij, që sot ndë këtë natë, pa kënduarë edhe kokoshi di herë, do të më arniseç tri herë.
31 E ai shtonte e thosh: Edhe nd’u dashtë që të vdes me ti bashkë, nukë do të t’arnisem tij. E ashtu thoshnë edhe të gjithë të tjerëtë.
32 E vijënë ndë një fshat që quhej Gjethsimani. E u thotë mathitivet së tij: Rriji këtu ngjera sa të falem.
33 E merr bashkë me vetëhe të tij Petronë edhe Iakovonë edhe Ioannë, e zuri të tromaks e të helmonej.
34 E u thot’ ature: Shumë helmuarë është Shpirti im gjera mbë vdekëjë. Mbetuni e rríi këtu, e mos fliji.
35 E si vate pakëzë më tej, ra përmbis, e falej, ndë mund, të mërgonej nga ai kij sahat.
36 E thoshte: Avva, o jat, gjithë të kollajta janë tek ti, mërgo nga meje këtë potir; po jo atë që dua unë, po atë që do ti.
37 E vjen, e i gjen ata që flijnë. E i thotë Petrosë: Simon, flë? Nukë munde të rrije zgjuarë një sahat?
38 Rriji zgjuarë, edhe fali, që të mos bini ndë piraksi. Shpirti është gati, po kurmi ësht’ i smundurë.
39 E pameta vate e u fal, tuke thënë atë fjalë.
40 E si u kthie i gjeti ata përsëri që flijnë (sepse qenë sit’ e ture rënduarë) e nukë dijnë ç’t’i përgjegjeshin’ atij.
41 E vjen të tretënë herë, e u thot’ ature: Edhe po fliji, e prëheni, sado; erdhi sahati; na, i biri njeriut që ipetë mbë duar të fajëtorëvet.
42 Ngrihi të vemi. Na, ai që do të më apë, erdhi afër.
43 E atë çast, pa sosurë ai fjalënë, vjen Iudha, që qe një nga të dimbëdhjetë, edhe bashkë me atë shumë turmë me thikëra edhe me drunjër, nga të parët’ e Priftëret, edhe nga Grammatejtë, edhe pleqtë.
44 E ai që e paradhosi atë, u kish dhënë ature nishan, e u kish thënë, se: Atë që do të puth, ai është. Zirie atë, e shpirie me qëlim.
45 E poqë erdhi, atë çast ju qas atij, e i thotë: Dhaskal, dhaskal. E e puthi atë.
46 Edhe ata shtinë duartë mbi të, e e zun’ atë.
47 E një nga ata që rrijn’ atje, kreu thikënë, e goditi kopil’ e së parit së priftëret, e i preu atij veshnë.
48 E u përgjegj Iisui, e u tha ature: Posi mbë kusar dualltë me thikëra e me drunjer të ziri mua?
49 Ngadita bashkë me juvet jeshë tuke dhidhaksurë ndë Iero, e nukë më zutë, po duhetë të dalënë të vërteta kartëratë.
50 E e lanë atë të gjithë e iknë.
51 E një djalosh vijte pas tij, që qe tiliksurë me çarçaf mbi lëkurë, e e zën’ atë trimatë.
52 Edhe ai si lëshoi çarçafnë, iku nga ata lakuriq.
53 E e shpunë Iisunë tek i pari priftëret, e u mbëjodhë atje me të bashkë gjithë të parët’ e priftëret, edhe pleqtë, edhe grammatejtë.
54 E Petrua vij pas tij për së largut, ngjera brënda ndë avlli të së parit së priftëret, e rrijte bashkë me kopij, e ngrohej mbë zjar.
55 E të parët’ e priftëret, edhe gjithë mbëjedhëja kërkoijnë martiri kondr’ Iisuit, për të vrarë atë, po nukë gjeijnë.
56 E shumë martirisnë rrem kondr’ atij, po nukë qenë baraj martirit’ e ture.
57 E u ngrenë ca, e martirisnë rrem kondr’ atij, e thanë.
58 Se: Navet digjuam atë që thosh, se: unë do të prish këtë Nao që është bërë me duar, e për tri dit do të bëj një tjatër të pabërë me duar.
59 E as kështu nukë qe një martiria e ture.
60 E si u ngre ndë mes i pari i priftëret, e pieti Iisunë, e thosh: Nukë përgjegje fare? Ç’martiri thonë këta kondrë teje?
61 E ai pushonte, e nuk’ u përgjegj fare. E e pieti atë përsëri i pari i priftëret, e i thot’ atij: Ti je Krishti, i biri i së bekuarit?
62 Edhe Iisui i tha: Unë jam edhe do të shihni të bir’ e njeriut të rrijë mb’anë të djathëtë të Fuqisë, edhe të vijë mbë re të Qiellit.
63 E i pari priftëret si çori rrobat’ e tij, thotë: Ç’na duhenë martirëtë?
64 E digjuatë vllasfiminë, ç’u duketë juvet? Edhe ata të gjithë e apofasisnë atë e thanë, që është fajëtuar për vdekëjë.
65 E nisnë ca ta pështijn’ atë ndë faqe, e të mbuloijnë suratn’ e tij, e t’i bijnë atij me shuplaka, e t’i thoshnë: Profiteps. Edhe kopijtë i bijn’ atij me shuplaka.
66 E tek qe Petrua përposh ndë avlli, vjen një nga kopijet’ e së parit së priftëret.
67 E si pa Petronë që ngrohej, e vështroi mirë atë, e i thotë: Edhe ti jeshe bashkë me Iisunë Nazarinonë.
68 E ai arnisej, e thosh: Nukë di, as kupëtoj ato që thua ti. E dolli jashtë mbë rrugë, e kokoshi këndoi.
69 E si e pa atë përsëri kopilia, nisi t’u thosh ature që rrijnë atje që: Kij nga ata është.
70 E ai pameta arnisej. E pas një çiket i thonë Petrosë ata që rrijn’ atje: Me të vërteta nga ata jeshe. Galileo je, e të folturit tat gjan.
71 E ai nisi të anathematis, e të betonej, që: s’e di këtë njeri që thoi.
72 E për së ditit këndoi kokoshi. E u kujtua Petrua fjalësë që i tha atij Iisui, që pa kënduarë kokoshi di herë, do të më arniseç mua tri herë. E nisi e qante.